ATV

Category: Lajme

  • Ramush Haradinaj prezanton Dardan Krasniqin si anëtar të ri të ekipit të AAK-së

    Ramush Haradinaj prezanton Dardan Krasniqin si anëtar të ri të ekipit të AAK-së

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se eksperti i sigurisë dhe juristi Dardan Krasniqi i është bashkuar ekipit të tij, duke e cilësuar këtë një përforcim të rëndësishëm për subjektin.

    Haradinaj tha se Krasniqi i bashkohet AAK-së me një përvojë të gjerë, qoftë në fushën e sigurisë, qoftë në angazhimin politik dhe shoqëror.

    Ai kujtoi se Krasniqi ka qenë pjesë e tri luftërave çlirimtare – të UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare – ku ishte dalluar për guxim dhe aftësi organizative.

    “Dardani na u bashkua me përvojën e tij dhe vullnetin për një Kosovë që ecën përpara,” shkroi Haradinaj, duke shtuar se ai vjen nga një familje patriotike, me nënën mësuese dhe babain kolonel të TMK-së dhe njëherësh themelues të celulave të para të UÇK-së.

    Postimi i plotë:

    Ne ekipin tim e prita me kënaqësi Ekspertin e Sigurisë, juristin Dardan Krasniqi. Dardani na u bashkua me përvojën e tij dhe vullnetin për një Kosovë që ecën përpara. Dardani, si i ri, ishte luftëtar e i tri luftërave çlirimtare, UÇK-së, UÇPMB-së dhe i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ku ishte dalluar për guximin dhe aftësinë organizative.
    Dardani vjen në AAK me një përvojë politike dhe aktivitet 25-vjeçar. Dardan Krasniqi ishte polici dhe drejtuesi i parë i Policisë në Malishevë.
    Z. Krasniqi vjen nga një familje patriotike, me nënën mësuese e babain kolonel të TMK-së dhe themelues të celulave të para të UÇK-së.
    Në aktivitetin e tij si çlirimtar, pastaj në polici, e më vonë në Vetëvendosje si aktivist e anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, Dardani gjithmonë kishte dy qëllime: çështjen kombëtare dhe politikën e sigurisë si një element të rëndësishëm në përpjekjen për shtet e shoqëri të fortë!
    Angazhimi i tij është motiv që shumë patriotë, ekspertë e qytetarë të mirë të këtij vendi po e gjejnë rrugën e AAK-së, që është edhe rruga e Kosovës për të ecur përpara!

  • Moska dhe Hungaria reagojnë për skandalin në BE: Mbyll sytë para korrupsionit dhe u jep leksione të tjerëve

    Moska dhe Hungaria reagojnë për skandalin në BE: Mbyll sytë para korrupsionit dhe u jep leksione të tjerëve

    Policia belge bastisi zyrat diplomatik të BE-së në Bruksel dhe Kolegjin e Evropës në Bryzh si pjesë e një hetimi për mashtrim të dyshuar në lidhje me financimin e zyrtarëve të ulët, ku si rezultat u arrestuan 3 zyrtarë të lartë, mes tyre edhe shefja e Diplomacisë në BE, Federica Mogherini.

    Moska dhe Budapesti nuk u vonuan në reagimet e tyre, ku sulmuan BE pas skandalit të korrupsionit.

    Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e shfrytëzoi rastin për t’i akuzuar institucionet europiane për hipokrizi.

    “BE-ja mbyll sytë ndaj korrupsionit të saj, por vazhdimisht jep leksione të tjerëve,” tha Zakharova për agjencinë Tass. Ajo pretendoi se “miliona euro” kalojnë prej vitesh nga “kanalet e korrupsionit” në Kiev drejt BE-së, dhe se “kjo është e qartë për të gjithë”.

    Edhe nga Budapesti ka ardhur një ton i ngjashëm. Zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, e cilësoi situatën si një tjetër goditje për imazhin e Brukselit.

    “Një ditë tjetër, një skandal tjetër tronditës në BE. Policia bastis EEAS-in dhe Kolegjën e Evropës në agim? Arrestime, dokumente të sekuestruara, akuza për korrupsion? As nuk do ta shpikje,” shkroi Kovacs në X.

    Ai shtoi se institucionet e BE-së “ngjajnë më shumë me një serial detektiv sesa me një bashkim funksional”, duke ironizuar se Brukseli vazhdon t’u mbajë leksione vendeve të tjera për sundimin e ligjit, ndërsa përballet vetë me skandale të njëpasnjëshme.

  • Rama: Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve, do të punojmë jashtë orarit për procesimin e pagesave

    Rama: Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve, do të punojmë jashtë orarit për procesimin e pagesave

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, konfirmoi se ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve nga Ministria e Financave për Komunën e Prishtinës.

    Rama tha se Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave.

    “Lajm i mirë për qytetarët dhe punëtorët e Kryeqytetit: më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare nga Ministria e Financave drejt Kryeqytetit. Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave. Në përputhje me dinamikën e alokimit të mjeteve nga Ministria, ne si komunë do të vazhdojmë me procesimin e pagesave në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt. Presim që sa më shpejtë të përfundojë alokimi i plotë i shumës prej 25 milionë eurosh nga Ministria. Falënderojmë qytetarët dhe punëtorët për mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin!”, ka shkruar Rama.

  • Një në gjashtë gjermanë janë të shqetësuar për humbjen e vendit të punës për shkak të Inteligjencës Artificiale

    Një në gjashtë gjermanë janë të shqetësuar për humbjen e vendit të punës për shkak të Inteligjencës Artificiale

    Rreth 16% e punonjësve në Gjermani besojnë se puna e tyre mund të jetë në rrezik për shkak të Inteligjencës Artificiale (IA), sipas një ankete të publikuar të hënën.

    Raporti i tregut të punës 2025 nga platforma e karrierës Xing zbuloi se trendi është në rritje, me një numër më të lartë se 14% vitin e kaluar.

    Nga 2,000 punonjës të pyetur për anketën përfaqësuese, rreth 29% thanë se besojnë se IA do të zëvendësojë shumë punëtorë njerëzorë.

    Megjithatë, perspektiva ndryshonte midis grupmoshave, me vetëm 25% të të moshuarve nga 25 deri në 34 vjeç që thanë se besonin se shumë vende pune ishin në rrezik për shkak të IA-së, krahasuar me 32% midis atyre të moshës 18 deri në 25 vjeç dhe 55 deri në 65 vjeç.

    Të rriturit më të rinj kishin më shumë gjasa të bien dakord se IA do të ndihmojë në krijimin e mundësive të reja për inovacion dhe zgjidhje, ndërsa vetëm 21% e atyre të moshës 45 vjeç e lart ndanin optimizmin.

    Sipas një studimi nga Instituti Gjerman për Kërkime në Punësim (IAB) dhe të tjerë të botuar në nëntor, ndërsa IA ka të ngjarë të shkaktojë trazira të konsiderueshme në tregun e punës, numri i përgjithshëm i vendeve të punës pritet të mbetet i qëndrueshëm.

    Siç theksohet më tej, rreth 1.6 milion vende pune do të preken nga ndryshimi strukturor, me disa që do të humbasin dhe të tjera që do të krijohen gjatë periudhës së parashikimit, zbuluan studiuesit.

    Sektori i IT-së dhe shërbimeve të informacionit besohet se do të përfitojë veçanërisht nga zhvillimet, me kërkesën që pritet të çojë në rreth 110,000 vende të reja pune.

    Ndërkohë, rreth 120,000 vende pune mund të humbasin në sektorë të tillë si shërbimet e korporatave. /Telegrafi/

  • Sami Kurteshi ironizon: 28 dhjetorin e kemi caktu na – mërgimtarët me shumicë votojnë për VV-në

    Sami Kurteshi ironizon: 28 dhjetorin e kemi caktu na – mërgimtarët me shumicë votojnë për VV-në

    Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi ka thënë me ironi se Lëvizja Vetëvendosje e ka caktuar krye në vete datën e zgjedhjeve.

    Gjatë një replike që pati me përfaqësuesin e PDK-së në KQZ, Kurteshi tha me ironi se Vetëvendosje e ka menduar që mërgimtarët do të votojnë me shumicë për Vetëvendosjen dhe kësisoj e ka caktuar vetë datën e zgjedhjeve.

    “Na, Vetëvendosja e kemi caktu 28 dhjetorin, sepse kemi mendu që vijnë mërgimtarët, sepse mërgimtarët me shumicë votojnë për Vetëvendosjen”, tha Kurteshi.

    Pastaj, Kurteshi u shpreh se datën e zgjedhjeve nuk e ka vendosur as LVV-ja, as PDK-ja, por dikush tjetër – duke hamendësuar te presidentja Vjosa Osmani.

  • Alokohen mjetet financiare për pagesën e transportuesve publikë dhe privatë

    Alokohen mjetet financiare për pagesën e transportuesve publikë dhe privatë

    Janë alokuar 2.7 milionë euro, të nevojshme për pagesën e operatorëve të transportit publik, sipas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për të hyrat vetanake.

    Kështu ka njoftuar sot ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

    “Kjo pjesë është proceduar veçmas nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurove e projekteve kapitale në mënyrë që të kryhet sot me prioritet, sepse kapitalet duke qenë në shumë linja marrin kohë më gjatë dhe nuk ishte e mundur të kryheshin sot”, ka shkruar ai.

    “Vendimi i marrë nga Komuna e Prishtinës të enjten në mbrëmje për të hyrat vetanake, sipas legjislacionit në fuqi fillimisht duhej të kalonte verifikimin e ligjshmërisë, proces ky që bëhet nga ana e MAPL-së. Në rastet kur vendimi ka të bëjë me çështje financiare/buxhetore, ligjshmëria duhet të verifikohet edhe nga MFPT-ja. Ky proces, pra verifikimi i ligjshmërisë është kryer dje në afat rekord nga të dyja Ministritë, edhe nga MAPL edhe nga MFPT, ashtu siç u pata premtuar në takim përfaqësuesve të sindikatave të transportuesve publikë”.

    Ai thotë se ky proces nuk ishte i mundur deri para ditës së djeshme, sepse e premtja dhe fundjava nuk ishin ditë pune.

    Ndryshe, transportuesit publikë dhe ata privatë kanë protestuar qysh nga 24 nëntori, duke ndaluar çdo lloj transporti të tyre.

  • Ish-presidenti i Hondurasit lirohet nga burgu në SHBA pas faljes nga Trump

    Ish-presidenti i Hondurasit lirohet nga burgu në SHBA pas faljes nga Trump

    Juan Orlando Hernández, ish-Presidenti i Hondurasit, është liruar nga një burg amerikan, sipas të dhënave online të të burgosurve federalë, pasi ai mori një falje nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për akuzat për drogë.

    Mediat e huaja bëjnë të ditur se të dhënat tregojnë se Hernández u lirua nga objekti i sigurisë së lartë i USP Hazelton në Virxhinian Perëndimore të hënën.

    Hernández u shpall fajtor në mars të vitit 2024 për komplot për të importuar kokainë në SHBA dhe për posedim mitralozësh. Ai u dënua me 45 vjet burg.

    Presidenti amerikan tha në një postim në rrjetet sociale se Hernández ishte “trajtuar shumë ashpër dhe padrejtësisht”, duke njoftuar masën të premten, shkruan A2 CNN.

    Duke shkruar në mediat e saj sociale të martën, gruaja e Hernández, Ana García de Hernández, falënderoi Trump për faljen dhe tha se burri i saj tani ishte një njeri i lirë.

    Hernández, një anëtar i Partisë Kombëtare të Hondurasit i cili shërbeu si president i vendit nga viti 2014 deri në vitin 2022, u ekstradua në SHBA në prill 2022 për t’u gjykuar për drejtimin e një komploti të dhunshëm të trafikut të drogës dhe ndihmën në kontrabandën e qindra ton kokainë në SHBA.

    Gjatë gjyqit të tij, prokurorët në Nju Jork thanë se Hernández e drejtoi vendin e Amerikës Qendrore si një “narko-shtet” dhe pranoi miliona dollarë ryshfete nga trafikantët e drogës për t’i mbrojtur ata nga ligji.

    Ai u urdhërua gjithashtu të paguante një gjobë prej 8 milionë dollarësh (6 milionë paund) si pjesë e dënimit të tij, shkruan A2 CNN.

    Trump shpjegoi arsyetimin e tij për faljen ndërsa fliste me gazetarët në Air Force One të dielën.

  • Rusia pretendon se ka marrë edhe dy qytete ukrainase

    Rusia pretendon se ka marrë edhe dy qytete ukrainase

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka vizituar një qendër komanduese ushtarake, ku është informuar nga drejtuesit më të lartë të ushtrisë ruse për zhvillimet e fundit në frontin e Ukrainës. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

    Sipas pamjeve të publikuara nga Kremlini, Putin u prit nga kreu i Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, në një pikë të përbashkët komanduese të forcave ruse.

    Aty, Gerasimov raportoi se trupat ruse kishin marrë nën kontroll qytetet Pokrovsk në rajonin e Donetskut, si dhe Vovchansk në rajonin e Kharkivit.

  • IPK suspendon dy policë për dy raste kanosjeje

    IPK suspendon dy policë për dy raste kanosjeje

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes Departamentit të Hetimeve, ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë lidhur me dy raste të ndara të dyshuara për kanosje.

    Sipas IPK-së, rasti i parë lidhet me një zyrtar policor me detyrë në Njësinë e Trafikut Rrugor në Prishtinë, i cili dyshohet se jashtë detyrës zyrtare ka qenë i përfshirë në një incident kanosjeje.

    Ndërsa rasti i dytë, i raportuar në Fushë Kosovë, përfshin një zyrtar policor me detyrë në Stacionin Policor të Fushë Kosovës, i cili dyshohet gjithashtu për përfshirje jashtë detyrës në një rast të kanosjes.

    IPK ka bërë të ditur se rekomandimi për suspendim është dhënë në interes të hetimit, ndërsa rastet do të trajtohen në procedurë të rregullt në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, me dyshimin për veprën penale “Kanosje”.

  • KQZ s’mund t’i dërgojë fletëvotimet në diasporë para 21 dhjetorit

    KQZ s’mund t’i dërgojë fletëvotimet në diasporë para 21 dhjetorit

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka bërë të ditur se fletëvotimet për votuesit jashtë Kosovës, nuk mund të nisen më herët se 21 dhjetori.

    Kështu bëri të ditur ai në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    “Ne, në kontakt me operatorët ekonomikë, qoftë me postën e shpejtë, qoftë me postën e Telekomin e Kosovës, është që në kuadër të aktiviteteve të tanishme të planit operacional, është se para datës 21 dhjetor nuk mundemi me i dërgu fletëvotimet tek votuesit jashtë Kosovës”, u shpreh Buzhala.

    Me këtë fakt, nuk u pajtua aspak anëtari i KQZ-së nga radhët e VV-së, Alban Krasniqi.

    Ai shprehet i bindur se procesi zgjedhor në diasporë po tentohet të dështojë ende pa filluar.

    “Ne me vetëdije po duam me çu përpara një buxhet prej 4 milionë euro, për të cilën e dimë që nuk do të ketë efektin e tij, me mjetet që parashikojmë t’i shfrytëzojmë”, tha ai.

    Pos tjerash, Krasniqi tha se fletëvotimet në mërgatë, medoemos do duhej të arrinin më 12 dhjetor, dhe mosrealizimin e kësaj, ai e quan mohim të drejtës së votës së diasporës.