ATV

Category: Lajme

  • BE-ja arrin marrëveshje për heqjen graduale të gazit rus deri në vitin 2027

    BE-ja arrin marrëveshje për heqjen graduale të gazit rus deri në vitin 2027

    Përveç takimit të vazhdueshëm të ministrave të jashtëm të NATO-s, institucionet e BE-së kanë njoftuar në orët e para të mëngjesit se kanë rënë dakord për një marrëveshje që blloku të heqë plotësisht importet e gazit rus, të cilat nxisin pushtimin e Moskës.

    Përfaqësimi i shteteve anëtare, Këshilli Evropian, tha se arriti një marrëveshje me Parlamentin Evropian për të ndaluar të gjitha importet e gazit deri në shtator 2027.

    Afati mund të zgjatet me një muaj tjetër për shtetet anëtare që kanë vështirësi në arritjen e niveleve të kërkuara të magazinimit.

    Përdorimi i gazit rus ka rënë nga 45% e importeve të BE-së para fillimit të pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022, në rreth 12% në tetor.

    Hungaria, Franca dhe Belgjika janë ndër vendet e BE-së që ende marrin gaz rus.

  • Lista Serbe ka paralajmëruar konferencë të jashtëzakonshme për media

    Lista Serbe ka paralajmëruar konferencë të jashtëzakonshme për media

    Lista Serbe ka reaguar me rastin e mos verifikimit të saj nga ana e KQZ-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ajo tani ka të drejtë ankese, ashtu siç ka bërë edhe në ciklet e mëparshme zgjedhore – si në zgjedhjet e fundit lokale, ashtu edhe në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt të këtij viti.

    Ata kanë paralajmëruar se sot në orën 15:00, në hapësirat e partisë së tyre, do të mbajnë një konferencë të jashtëzakonshme për media, në të cilën, siç kanë thënë, do të flasin “për vendimin joligjor për t’ua penguar pjesëmarrjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 28 dhjetor”.

  • Krasniqi i VV-së u përgjigjet ambasadorëve që kritikuan moscertifikimin e Listës Serbe

    Krasniqi i VV-së u përgjigjet ambasadorëve që kritikuan moscertifikimin e Listës Serbe

    Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka reaguar pas deklaratave të ambasadorëve të cilët shprehën shqetësim për moscertifikim e Listës Serbe,

    Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi thekson se shqetësimi i vërtetë duhet të jetë “ngulfatja e ushtrimit të drejtës demokratike dhe pjesëmarrjes politike të komunitetit serb nga ana e Listës Serbe”, e cila sipas tij, përveç pjesëmarrjes në veprime kriminale dhe sulme kundër rendit kushtetues, kontrollon financat që vijnë nga Beogradi dhe i përdor për qëllime të dyshimta.

    Ai gjithashtu kritikoi heshtjen e ambasadorëve lidhur me bllokimin që opozita me Listën Serbe po i bën të drejtës demokratike të mërgatës për të votuar, duke e konsideruar këtë një pengesë serioze për procesin zgjedhor.

    “Të dashur ambasadorë. Shqetësimi i vërtetë do të duhej të ishte ngulfatja e ushtrimit të drejtës demokratike dhe pjesëmarrjes politike të komunitetetit serb nga ana e Listës Serbe, e cila përveç faktit që është pjesëmarrëse direkte në sulmet dhe veprimet kriminale dhe terroriste kundër rendit kushtetues, ajo gjithashtu kontrollon dhe menaxhon me financat e Vuçiqit në Kosovë duke shantazhuar qytetarët serb në Kosovë dhe duke i përdorur ato mjete për financimin e kriminelëve që kanë sulmuar përveç policisë së Republikës së Kosovës edhe vet pjesëtarët e KFOR, pra bashkëkombasit tuaj.

    Krasniqi ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të vëzhgojë nga afër këto zhvillime dhe të reagojë ndaj çdo shkeljeje të të drejtave demokratike dhe ndikimit të jashtëm në zgjedhjet e Kosovës.

  • Kurti nuk komenton kritikat e SHBA-së për moscertifikim të Listës Serbe

    Kurti nuk komenton kritikat e SHBA-së për moscertifikim të Listës Serbe

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka komentuar kritikat e Ambasadës Amerikane në Kosovë karshi Lëvizjes Vetëvendosje pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

    Pas pjesëmarrjes së tij në konferencës së 10-të të Mjedrës në Kosovë të organizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”, kur u pyet nga gazetarët për kritikat karshi vendimit të partisë që ai udhëheqë për moscertifikimit të Listës Serbe, Kurti nuk foli para mediave.

    Gjatë ditës së sotme, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar ashpër pas moscerifikimit të Listës Serbe nga anëtarët e KQZ-së për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Ambasada e SHBA thotë se përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse.

    Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet se veprimet e tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së përfshirë rinisjen e dialogut strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare.

    “Përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin që Lista Srpska të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, thuhet në reagim.

    Për moscertifikim të Listës Serbe ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph i cili tha se procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë.

    Kujtojmë se dje në votimin ndaras për certifikimin e subjekteve politike, Lista Serbe nuk u certifikua nga anëtarët e KQZ-së ku mori 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.

  • KQZ mblidhet sot, në rend dite certifikimi i Nismës

    KQZ mblidhet sot, në rend dite certifikimi i Nismës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot nga ora 14:00.

    Në rend dite është certifikimi i Nismës Socialdemokrate.

    Kjo parti ka aplikuar për t’u certifikuar, mirëpo nuk e ka pasur listën e nënshkrimeve.

    “Në mesin e subjekteve politike që kanë aplikuar është dhe NISMA SOCIALDEMOKRATE – NISMA. Sipas njoftimit nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, ky subjekt politik i ka përmbushur të gjitha kriteret tjera, përveç listës së nënshkrimeve. Pas plotësimit të listës së nënshkrimeve, subjekti politik do t’i nënshtrohet certifikimit nga KQZ. Subjektit politik, i është dhënë afat për plotësim të listës së nënshkrimeve deri 3 dhjetor 2025, në orën 12:00.”

  • Ngrihet aktakuzë kundër Mogherinit për mashtrim dhe korrupsion

    Ngrihet aktakuzë kundër Mogherinit për mashtrim dhe korrupsion

    Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër ish-shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe dy persona të tjerë, për mashtrim në prokurime dhe për korrupsion, si dhe për konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.

    Ata u arrestuan të martën si pjesë e një hetimi të BE-së për mashtrim, por u liruan më vonë derisa hetimet të vazhdojnë, tha EPPO-ja, duke shtuar se nuk ka rrezik që ata të ikin, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    EPPO-ja i përshkroi dy të dyshuarit e tjerë si një punonjës të lartë të College of Europe në Bruzh dhe një zyrtar të lartë të Komisionit Evropian. Tri burime i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se një nga të ndaluarit ishte diplomati i lartë i BE-së, Stefano Sannino.

    “Të gjitha personat konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia të provohet nga gjykatat kompetente belge”, shtoi EPPO.Ata u arrestuan pas bastisjeve në shërbimin diplomatik të BE-së në Bruksel, në College of Europe – një universitet elitar në Bruzh që arsimon shumë zyrtarë të BE-së – si dhe në shtëpitë e të dyshuarve.

    Mogherini ka qenë përfaqësuese e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe drejtore e shërbimit diplomatik nga 2014 deri në 2019. Ajo u bë rektore e College of Europe në vitin 2020.

    Mogherini ishte përfaqësuese e lartë për punët e jashtme nga viti 2014 deri në vitin 2019. Ajo u emërua drejtoreshë e kolegjit pasuniversitar College of Europe më 2020.

    Mogherini e ka ndërmjetësuar për disa vite dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas EPPO-s, hetimi lidhet me “dyshime për mashtrim që ka të bëjë me trajnime të financuara nga BE për diplomatë të rinj”.

    Mogherini dhe Sannino, që të dy shtetas italianë, janë figura të njohura në qarqet diplomatike të Brukselit, dhe lajmi i për arrestimin e tyre shkaktoi tronditje në komunitetin e BE-së të martën./REL

  • Kërkohet shkarkimi i Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit nga KQZ-ja

    Kërkohet shkarkimi i Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit nga KQZ-ja

    Albert Krasniqi nga organizata Democracy Plus ka kërkuar shkarkimin e dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, pas reagimeve të fundit nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës lidhur me mos certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Krasniqi ka thënë se dy anëtarët e LVV-së në KQZ meritojnë të shkarkohen nga pozita e tyre, pas veprimeve të fundit.

    Sipas Krasniqit, dy anëtarët e VV-së në KQZ kanë shfaqur sjellje dhe mosnjohje elementare të ligjeve, duke synuar dëmtimin e procesit zgjedhor.

    “Mjafton të lexohen reagimet e fundit të shteteve mike të Kosovës për të kuptuar qartë se si po vlerësohen veprimet e tyre destruktive. Këta dy anëtarë po i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë integritetit të KQZ-së dhe besimit publik në procesin zgjedhor”, ka shkruar Krasniqi.

    “Anëtarët e KQZ-së betohen se do t’i kryejnë detyrat me ndershmëri, paanshmëri dhe profesionalizëm. Ligji parasheh se mandati i një anëtari mund të ndërpritet kur sjelljet apo veprimet e tij e dëmtojnë seriozisht statusin dhe integritetin e Komisionit. Një vendim i tillë merret me shumicën prej dy të tretave (2/3) të anëtarëve të KQZ-së.

    Dy anëtarët e emëruar nga LVV kanë shfaqur sjellje që ose tregojnë mosnjohje elementare të ligjeve, ose synim të ndërgjegjshëm për të dëmtuar procesin zgjedhor. Çdo njëra prej këtyre mjafton për t’i shkarkuar nga detyra – dhe rastet e grumbulluara deri më tani janë të shumta. Ndërsa anëtarët tjerë duhet të tregojnë më shumë guxim dhe t’i qëndrojnë prapa betimit të dhënë për paanshmëri dhe profesionalizëm”, thuhet në postimin e Krasniqit

  • “Nana ish kon kandidate më e mirë për deputete”, shakaja e Ukë Rugovës që nxiti reagimin e Abdixhikut

    “Nana ish kon kandidate më e mirë për deputete”, shakaja e Ukë Rugovës që nxiti reagimin e Abdixhikut

    Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, do të jetë në listën e LDK-së për deputet, ka bërë të ditur dje kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

    Ata zgjodhën ditëlindjen e ish-presidentit Rugova si datë simbolike për ta njoftuar këtë vendim.

    Abdixhiku për 81-vjetorin e lindjes së presidentit të ndjerë Rugova shkoi në familjen e tij ku u prit nga bashkëshortja Fanë Rugova.

    Në një fjalim të shkurtë para të pranishmëve, Fanë Rugova tha se i gëzohet vendimit të djalit të saj për të qenë në listën e deputetëve të LDK-së, ndërsa tha se shpreson që ai të jetë shtysa e partisë për të ecur përpara.

    “Sot më vjen mirë që edhe Uka bashkë që e keni gjet këtë ditë, me hy në mesin e deputetëve. Dëshiroj që Uka me qenë sepse është autoritativ dhe me qenë si shtysë i madh i juaji të ecni përpara me hapa të sigurt dhe konkretë për të mirën e LDK-së dhe të mirën e juve të gjithëve”, tha Fanë Rugova.

    Këtu Ukë Rugova bëri një shaka se me këtë fjalim, nëna e tij do të ishte kandidate më e mirë.

    “Nana ish kon kandidate më e mirë për deputete”, tha ai.

    “Ukë, unë jam tu e ndërru mendjen qitash. Fjalimin ma të mirë e pat”, reagoi Abdixhiku, i cili e falënderoi Fanë Rugovën për fjalët e saj.

  • Gjermania ofron pagë të lartë, por të rinjtë nuk duan shërbimin ushtarak

    Gjermania ofron pagë të lartë, por të rinjtë nuk duan shërbimin ushtarak

    A jeni gati të shërbeni në ushtri? Duke filluar nga viti i ardhshëm, të gjithë gjermanët e rinj të lindur në vitin 2008, dhe më pas çdo brez pasues që mbush moshën madhore, do të përballen me këtë pyetje. Në ditëlindjen e tyre të 18-të, ata do të duhet të plotësojnë një formular me të dhënat e tyre personale dhe t’i nënshtrohen një ekzaminimi mjekësor, ku autoritetet do të vlerësojnë aftësitë e tyre fizike dhe psikologjike.

    Pas kësaj, ata do të jenë në gjendje të vendosin nëse do të regjistrohen apo jo, pasi shërbimi i ri ushtarak i Gjermanisë është, të paktën për momentin, vullnetar. Megjithatë, ky veprim do të krijojë një regjistër zyrtar ushtarak të të gjithë rekrutëve të mundshëm, raporton El Pais.

    Ministria e Mbrojtjes shpjegon se vendi duhet të përgatitet për situata të mundshme krize.

    “Ne duhet të përgatitemi për një situatë tensioni ose mbrojtjeje, duhet të dimë se ku jetojnë dhe ku mund të gjenden, siç bëhej më parë, gjatë kohës së shërbimit të detyrueshëm ushtarak”, deklaron ministria.

    Ekzaminimi mjekësor do të futet gradualisht – fillimisht do të jetë vullnetar, dhe nga mesi i vitit 2027 është planifikuar të bëhet i detyrueshëm. Gjermania nuk është i vetmi vend evropian që po përgatitet për një kërcënim hipotetik lufte; Belgjika dhe Franca kanë njoftuar gjithashtu plane të ngjashme.

    Por si e shohin të rinjtë gjermanë mundësinë e shërbimit ushtarak?

    “Në asnjë rast nuk do ta bëja këtë, pavarësisht se sa shumë do të përpiqeshin të më rekrutonin. Dhe nëse do të më detyronin, do të përpiqesha të shpallesha i papërshtatshëm për arsye shëndetësore”, ka thënë 16-vjeçari Pavel Khanukaev. Miqtë e tij ndajnë të njëjtin mendim.

    Të mbledhur në një kafene në lagjen Mitte të Berlinit, ata bien dakord se nuk do të dalin kurrë vullnetarë dhe, nëse shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm, do të ngrenë zërin kundër kundërshtimit të ndërgjegjes. Përjashtim bën Adrian Carrillo, i cili së shpejti do të mbushë 16 vjeç. “Do ta bëja edhe nëse do të më detyronin. Kjo nuk do të thotë se do të shkoj direkt në luftë. Do të ishte vetëm për gjashtë muaj”, thotë ai.

    Miqtë e tij, 15-vjeçari Aljoscha Plath dhe 16-vjeçari Balduin Brussig, janë edhe më të hapur. “Do të doja të kërkoja që të më lejohej të refuzoja të mbaja armë. Kjo është e drejta ime. Kjo është ajo që thotë Neni 4 i Kushtetutës”, thekson Brussig, duke iu referuar nenit që përcakton se “askush nuk mund të detyrohet të kryejë shërbimin ushtarak me armë kundër ndërgjegjes së tij”. Në këtë rast, ata do të duhej të bënin shërbim alternativ në një institucion civil.

    Katër miqtë jetojnë në pjesë të ndryshme të Berlinit dhe ndjekin shkolla të ndryshme, por ata bien dakord për një gjë – pothuajse asnjë nga bashkëmoshatarët e tyre nuk dëshiron të bëhet vullnetar. “Të gjithëve u duket keq”, thotë Carrillo, dhe Plath shton: “Unë njoh vetëm një person që do ta bënte nëse do të ishte e detyrueshme”.

    Një pagë prej 2600 eurosh si nxitje?

    Khanukaev është një nga organizatorët e një greve shkollore kundër futjes së mundshme të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, e cila u njoftua për 5 dhjetor. “Është një temë që më preokupon pothuajse çdo ditë në shkollë dhe patëm diskutime ku hasa dikë që mbronte shërbimin e detyrueshëm ushtarak, kështu që supozoj se ai do të ishte i gatshëm ta bënte atë vullnetarisht”, komenton ai.

    Mes tensioneve në rritje me Rusinë për shkak të luftës në Ukrainë, Gjermania është zotuar të ndërtojë ushtrinë më të fortë në Evropë dhe ka nevojë për të rinj për ta bërë këtë. Kancelari Friedrich Merz theksoi javën e kaluar se paqja dhe liria “nuk janë falas” dhe se mbrojtja është përgjegjësi e të gjithë shoqërisë. Për të tërhequr të rinjtë, atyre po u ofrohet një pagë mujore prej të paktën 2,600 eurosh bruto.

    Megjithatë, për këtë grup miqsh, paratë nuk janë motivim. “Nuk ka rëndësi se sa para më ofrojnë, unë gjithmonë do të jem kundër tyre. Nuk mund të promovosh luftë. Është thjesht moralisht e gabuar”, kritikon Khanukaev.

    Miku i tij Brussig ndan shqetësimin: “Çfarë do të bësh me paratë nëse, për shembull, në rast lufte, vdes? Për fat të mirë, ne nuk jemi në luftë për momentin, por nëse njerëzve u kërkohet të regjistrohen më shumë, kjo krijon ndjesinë se lufta po afron dhe se na presin kohë të vështira. Dhe kjo është paksa e frikshme.”

    Carrillo beson se shërbimi ushtarak po promovohet “si një mënyrë që njerëzit më të varfër të regjistrohen”, gjë që ai nuk mendon se është e drejtë. “Nëse strategjia është të tërheqë njerëz nga prejardhje të varfra për të shkuar në front, kjo më duket shumë e ligë dhe e papërgjegjshme”, pajtohet Khanukaev. Qëllimi i qeverisë është të rrisë numrin e ushtarëve aktivë nga 183,000 që është aktualisht në të paktën 255,000 deri në vitin 2035, dhe të dyfishojë numrin e rezervistëve nga 100,000 në 200,000.

    Shërbimi ushtarak ka hapur gjithashtu një debat në familjet me origjinë të huaj. Sipas të dhënave nga viti 2022, kishte rreth 341,000 burra me pasaporta gjermane të lindur në vitin 2008 që jetonin në Gjermani, nga të cilët rreth një e gjashta kishin edhe një ose më shumë shtetësi të tjera.

  • Bie në prangat e Policisë personi që dyshohet se vrau biznesmenin në Elbasan

    Bie në prangat e Policisë personi që dyshohet se vrau biznesmenin në Elbasan

    Policia ka vënë në pranga një tjetër person të dyshuar për përfshirje në ekzekutimin e biznesmenit në Elbasan, ngjarje që tronditi qytetin pak ditë më parë.

    Arrestimi është kryer në Përrenjas, ku u kap 33-vjeçari Nevzat Spaho, person me precedentë penalë, i cili, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ka qenë ekzekutori me armë i viktimës.

    Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se lokalizimi dhe kapja e Spahos është rezultat i disa orëve ndjekjeje dhe verifikimesh nga strukturat e Policisë së Shtetit, që po punojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

    Arrestimi i tij pritet të hedhë më shumë dritë mbi motivin e vrasjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.

    Ndërkohë, vijojnë kontrollet dhe hetimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në ekzekutim.