ATV

Category: Lajme

  • Joseph: Ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO

    Joseph: Ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO

    Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin “Johns Hopkins”, ka vlerësuar se për Kosovën, aktualisht, anëtarësimi në NATO është çështje më e rëndësishme sesa integrimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

    Joseph mori pjesë në një seancë të Komitetit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ku u diskutua tema “Pika e Tensionit: Një Rrugë drejt Stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

    Ai u pyet nga kongresmeni demokrat, Bill Keating, për rolin e ndihmës së SHBA-së në stabilitetin rajonal dhe të ardhmen e Kosovës në BE dhe NATO.

    Duke iu përgjigjur, Joseph theksoi se ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO.

    “Një rrugë drejt NATO-s, qoftë edhe vetëm një rrugë, do ta përfundonte në mënyrë efektive bllokadën, sepse në atë moment Serbia nuk do të kishte alternativë tjetër. Fushata e saj e mosnjohjes, varësia nga Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të humbnin çdo peshë”.

    Profesori amerikan shtoi se mbështetja e vazhdueshme ekonomike dhe ushtarake e SHBA-së për Kosovën është thelbësore për interesat e Amerikës:

    “Duhet të kujtojmë se SHBA-ja dhe NATO-ja tashmë e kanë obligimin dhe përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e Kosovës nëpërmjet KFOR-it. Forcimi i sigurisë ekonomike dhe ushtarake të Kosovës përmes marrëdhënieve dypalëshe shërben drejtpërdrejt edhe interesave tona të sigurisë”.

  • Trump: Kam zgjidhur tetë luftëra, Ukraina do të jetë e nënta

    Trump: Kam zgjidhur tetë luftëra, Ukraina do të jetë e nënta

    Donald Trump ka folur me gazetarët përpara një takimi të kabinetit në Uashington.

    Ai tha se lufta në Ukrainë është një “rrëmujë” dhe jo një situatë e lehtë për t’u zgjidhur, shkruan Sky News.

    “Po përpiqemi ta zgjidhim këtë çështje. Kam zgjidhur tetë luftëra. Kjo do të jetë e nënta dhe njerëzit tanë janë në Rusi tani për të parë nëse mund ta zgjidhim.”

    “Nuk është një situatë e lehtë, më lejoni t’ju them. Çfarë rrëmuje”, shtoi Trump.

    Kjo vjen ndërsa Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në një vizitë shtetërore në Irlandë, tha në një aktivitet në Dublin se shpejtësia e negociatave të paqes – dhe interesi i SHBA-së në negociata – i kishin dhënë atij shkak për optimizëm.

    “Sipas fjalëve të mia, pak optimizëm u gjet për shkak të shpejtësisë së negociatave dhe nga ana amerikane, interesit të tyre për këtë”, tha presidenti i Ukrainës.

  • U arrestua dje në Bruksel, lirohet Federica Mogherini

    U arrestua dje në Bruksel, lirohet Federica Mogherini

    Federica Mogherini, ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së dhe aktualisht rektore e Kolegjit të Europës, e cila u ndalua më 2 dhjetor si pjesë e një hetimi belg për mashtrim, korrupsion në tendera, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ajo u lirua gjatë natës, bashkë me dy të ndaluar të tjerë, Stefano Sannino dhe një drejtues të Kolegjit pasi nuk konsideroheshin rrezik për arratisje.

    Hetimi lidhet me dyshimet se në vitin 2022 Shërbimi i Jashtëm i BE-së ka favorizuar padrejtësisht Kolegjin e Europës në një tender prej 654 mijë eurosh për krijimin e Akademisë Diplomatike të BE-së. Dyshohet se blerja paraprake nga Kolegji e një ndërtesë 3.2 milionë euro në Bryzh ishte pjesë e një përgatitjeje të paracaktuar për fitimin e tenderit.

    Lajmi vjen në një moment kur karriera e Mogherinit është e fokusuar në fushën akademike, pas posteve të larta politike në Itali dhe BE. Ajo ka qenë ministre e Jashtme e Italisë dhe më pas Përfaqësuese e Lartë e BE-së, e angazhuar në dosje të rëndësishme si kriza në Ukrainë dhe marrëveshja bërthamore me Iranin. Ndër vite, ajo ka përballuar kritika politike, por nuk ka qenë më parë e lidhur me skandale personale të natyrës korruptive.

  • Ambasada e Italisë shpreh “keqardhje” për moscertifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Ambasada e Italisë shpreh “keqardhje” për moscertifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Edhe ambasada e Italisë në Prishtinë ka shprehur keqardhje lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 28 dhjetorit.

    Në reagimin e saj, Ambasada thekson “rëndësinë e sigurimit të një procesi zgjedhor plotësisht demokratik, ku të gjitha forcat politike të kenë mundësi të marrin pjesë në mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.”

    Kjo është hera e tretë që KQZ-ja nuk e certifikon fillimisht këtë parti, pasi ngjashëm veproi edhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Në të dy rastet e mëhershme, PZAP-ja ia kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së.

  • Ish-ministri Latifi merr një detyrë të re në Universitetin e Prishtinës

    Ish-ministri Latifi merr një detyrë të re në Universitetin e Prishtinës

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është zgjedhur drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës, në Universitetin e Prishtinës.

    Lajmin e ka bërë të ditur vet UP-ja, duke thënë se kjo qendër do të ofrojë mbështetje në edukim dhe hulumtim për të gjitha degët kirurgjike dhe do të trajtojë çështje të rëndësishme si diplomacia mjekësore dhe teknologjitë e avancuara.

    “Qendra pritet të angazhojë profesionistë mjekësorë dhe inxhinierë nga vendi dhe bota, me qëllim ofrimin e mundësive për bashkëpunim dhe zhvillimin e programeve të avancuara të trajnimit” thuhet në njoftimin e UP-së.

    Mes të tjerash, nga Universiteti i Prishtinës bëjnë me dije se tashmë është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet UP-së dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, që parasheh mënyrën se si do të funksionojë kjo qendër.

    Ky është njoftimi i plotë i Universitetit të Prishtinës:

    Prof. Rifat Latifi është zgjedhur drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës. Ai është gjithashtu themelues dhe president emeritus i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe ideator i QKSTK-së.

    Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës në UP do të ofrojë mbështetje në edukim dhe hulumtim për të gjitha degët kirurgjike dhe do të trajtojë çështje të rëndësishme si diplomacia mjekësore dhe teknologjitë e avancuara. Qendra pritet të angazhojë profesionistë mjekësorë dhe inxhinierë nga vendi dhe bota, me qëllim ofrimin e mundësive për bashkëpunim dhe zhvillimin e programeve të avancuara të trajnimit.

    Objektivat kryesorë të QKSTK-së përfshijnë krijimin e programeve gjithëpërfshirëse, përmirësimin e aftësive kërkimore dhe integrimin e teknologjive të avancuara. Qendra do të shërbejë gjithashtu si platformë edhe për publikimet e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe do të zhvillojë bashkëpunime me universitete e institucione ndërkombëtare.

    Përfshirja e laboratorëve të simulimit, programeve të telemjekësisë dhe përgjithësisht një qasjeje multidisiplinare ndaj trajtimit të traumës dhe urgjencës, do të jetë thelbësore në punën e QKSTK-së. Në këtë kuadër, QKSTK-ja do të prodhojë edhe literaturë shkencore dhe do të mbështesë diplomacinë mjekësore dhe shëndetin global.

    Drejtori i sapozgjedhur i Qendrës, prof. Latifi, theksoi se ajo do të jetë një institucion kryesor për arsimim, kërkim dhe avancim teknologjik në fushën e kirurgjisë, duke përfshirë mjekësinë kirurgjikale, traumën dhe urgjencën.

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, shprehu kënaqësinë e tij për emërimin e prof. Rifat Latifit në funksionin e drejtorit të QKSTK-së në UP.

    Prof. Hajrullahu theksoi se QKSTK-ja, si qendra e parë e këtij lloji në rajonin e Ballkanit, do të ofrojë mundësi të reja për studentët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrimin e teknologjive moderne për të avancuar standardet e kujdesit shëndetësor në Kosovë e përtej.

    Rektori shfaqi bindjen se nën udhëheqjen e prof. Rifat Latifit, QKSTK-ja do të kontribuojë për zhvillimin e mjekësisë kirurgjikale dhe do të inkurajojë kërkimin shkencor dhe inovacionin për të përballuar sfidat e ardhshme në fushën e shëndetësisë. Profesori Hajrullahu gjithashtu bëri thirrje për mbështetje nga institucionet e ndryshme për të realizuar qëllimet ambicioze të kësaj qendre, duke e vendosur Kosovën si lider në arsimin dhe shëndetin kirurgjik. „Qendra jonë do të jetë një platformë për edukim, hulumtim dhe zhvillim profesional, për të krijuar një të ardhme më të mirë për profesionistët e kujdesit shëndetësor në Kosovë”, tha rektori Harullahu.

    Në përfundim, prof. Latifi shprehu bindjen se QKSTK-ja është një nga iniciativat më ambicioze në fushën e shëndetësisë dhe edukimit kirurgjik në Kosovë, prandaj i duhet mbështetje serioze nga shteti i Kosovës për të realizuar potencialin e saj në vend e në tërë rajonin.

    Në shtator të vitit 2025, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës nënshkruan memorandum mirëkuptimi me të cilin parashihet në detaje se si do të funksionojë Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës.

  • Kosova nikoqire e javës së CEFTA-s

    Kosova nikoqire e javës së CEFTA-s

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Sekretariatin e CEFTA-s, sot organizon “Javën e CEFTA-s’ 2025 -Tregtim i Përbashkët, Drejt Evropës”.

    Në ‘Javën e CEFTA-s’ do të paraqiten disa nga rezultatet e periudhës së kaluar dhe planet e Kryesuesit të ri të radhës, përveç ofrimit të një perspektive më të gjerë të BE-së.

    Në ceremoninë e hapjes do të flasin; Rozeta Hajdari, ministre në detyrë, e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Valentina Sujerti, drejtoreshë nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (online), Amer Kapetanoviq, sekretar i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Matij Zakonjsek, drejtor nga Komuniteti i Transportit dhe Pranvera Kastrati Drejtoreshë në Sekretariatin e CEFTA-s.

    Po ashtu do të ketë diskutim të nivelit të lartë i dedikuar eksplorimit të rolit të CEFTA-s dhe marrëveshjeve rajonale tregtare në një epokë të pasigurisë së shtuar dhe të modeleve dhe aleancave tregtare që po ndryshojnë.

    Sesioni hapës do të vendosë drejtimin për “Javën CEFTA 2025”, duke trajtuar se si marrëveshjet rajonale tregtare si CEFTA kontribuojnë në qëndrueshmërinë ekonomike, konkurrueshmërinë dhe konvergjencën me BE-në në një kohë të paqëndrueshmërisë globale.

    Pjesëmarrësit do të eksplorojnë rolin strategjik të CEFTA-s brenda Tregut të Përbashkët Rajonal 2.0 dhe përshtatjen e tij me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

    Diskutimi do të nxjerrë në pah arritjet kryesore në integrimin rajonal tregtar të CEFTA-s, sfidat e reja nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, tensionet gjeopolitike dhe politikat tregtare të nxitura nga klima, si dhe kontributin e CEFTA-s në ndërtimin e një mjedisi tregtar të parashikueshëm dhe të bazuar në rregulla, të ngritur mbi standardet e BE-së.

    Panelistë do të jenë: Pranvera Kastrati, drejtoreshë e CEFTA-s, Rozeta Hajdari, ministre në deryrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kryesuese e CEFTA-s në detyrë, Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Kryesuese e ardhshme e CEFTA 2026, Stasa Kosarac, Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike (TBC), Zoran Dimitrovski, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Nik Gjeloshaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Jagoda Lazareviq, ministre e Punëve të Brendshme dhe të Jashtme (TBC).

  • Këto janë 22 subjektet politike që u certifikuan dje nga KQZ-ja

    Këto janë 22 subjektet politike që u certifikuan dje nga KQZ-ja

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti dje mbledhjen e 87-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

    Në këtë mbledhje, KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 22 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Gjatë periudhës 7-ditore (24 nëntor – 30 nëntor 2025) 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur, kanë plotësuar online formularin e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Sipas vendimit të KQZ-së, këto janë subjektet politike të certifikuara:

    Partitë politike:

    LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK;
    PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK:
    KOSOVA DEMOKRATIK TÜRK PARTISI;
    INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS;
    NOVA DEMOKRATSKA STRANKA – NDS;
    Za Slobodu Pravdu i Opstanak;
    PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE;
    SOCIALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU;
    JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA;
    PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS;
    AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS;
    Kosovaki Nevi Romani Partia;
    FJALA;
    LËVIZJA PËRPARIMTARE E ROMËVE TË KOSOVËS (LPRK);
    KOSOVSKI SAVEZ;
    PARTIA BALLI KOMBËTAR DEMOKRAT SHQIPTAR (PBKDSH).
    Koalicionet:

    Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga 4 partitë politike: Lëvizja VETËVENDOSJE!, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).
    Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe
    Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”;
    Iniciativat qytetare:

    PSA; dhe
    Iniciativa Qytetare për Kosovë.
    Kandidat i pavarur:

    NEDŹMIDIN SEJDILAR.
    Në mesin e subjekteve politike që kanë aplikuar është dhe NISMA SOCIALDEMOKRATE – NISMA. Sipas njoftimit nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, ky subjekt politik i ka përmbushur të gjitha kriteret tjera, përveç listës së nënshkrimeve. Pas plotësimit të listës së nënshkrimeve, subjekti politik do t’i nënshtrohet certifikimit nga KQZ. Subjektit politik, i është dhënë afat për plotësim të listës së nënshkrimeve deri 3 dhjetor 2025, në orën 12:00.

    Ndërkaq, rekomandimi për certifikimin e partisë politike Srpska Lista, nuk mori votat e nevojshme për t’u certifikuar.

  • Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar

    Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar.

    Këta persona, përgjithësisht, kanë më shumë probleme shëndetësore, mundësi më të pakta ekonomike, edukim dhe arritje akademike më të ulëta. Kjo ndodh më së shumti për shkak të barrierave me të cilat ata përballen në jetën e tyre të përditshme, se sa si rrjedhojë ekskluzive e aftësisë së kufizuar.

    Aftësia e kufizuar nuk është thjesht një çështje e shëndetit publik, por gjithashtu e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të shoqërisë. Përpjekjet e OBSH-së për të mbështetur shtetet në aspekte të ndryshme, reflektohen në Planin e Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2014-2021, në Raportin Botëror për Aftësinë e Kufizuar, si dhe në Konventën e të Drejtave për Personat me Aftësi të Kufizuar.

    Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar 3 dhjetor, u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit

    Më 11 qershor 2019, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, lansoi Strategjinë për Aftësinë e Kufizuar në një linjë me angazhimet e tij, për të shndërruar Kombet e Bashkuara një organizatë gjithëpërfshirëse.

    Strategjia në fjalë, thekson nxitjen e një progresi transformues dhe të qëndrueshëm, riafirmon përmbushjen e plotë të çështjes së personave me aftësi të kufizuar, si pjesë integrale e pandashme e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

  • Turqia e gatshme të udhëheqë sigurinë e Detit të Zi

    Turqia e gatshme të udhëheqë sigurinë e Detit të Zi

    Turqia, në parim është e gatshme që me pjesëmarrjen e partnerëve të tjerë, të marrë përgjegjësinë dhe të udhëheqë sigurinë në Detin e Zi, në lidhje me garancitë e sigurisë që do të ofrohen bazuar në një marrëveshje paqeje të rënë dakord nga palët pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

    Sipas burimeve diplomatike turke, të informuara mbi sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, Turqia paralajmëron kundër rrezikut të zgjerimit të luftës drejt brigjeve të saj dhe përhapjes në të gjithë rajonin e Detit të Zi dhe thekson se nuk do të lejojë që siguria e Detit të Zi të kërcënohet jo vetëm nga aktorët përkatës, por nga asnjë vend në botë.

    Ndërsa Turqia mbështet fuqimisht procesin e negociatave që synojnë përfundimin e luftës ruso-ukrainase, ajo pohon se vetëm Rusia dhe Ukraina kanë të drejtë të marrin vendimin përfundimtar për çdo marrëveshje paqeje.

    Që nga fillimi i luftës, Turqia ka udhëhequr nisma në arritjen e marrëveshjeve për çështje të rëndësishme si Iniciativa e Drithërave të Detit të Zi dhe shkëmbimet e të burgosurve, si dhe i jep përparësi përfundimit të luftës.

    Ndërsa lufta i ka dëmtuar si Ukrainën ashtu edhe Rusinë në mënyra të ndryshme, Turqia, një nga vendet e pakta që mban lidhje me të dyja palët, është e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes në procesin që çon drejt paqes.

    Lidhur me garancitë e sigurisë që do të ofrohen bazuar në një marrëveshje paqeje të rënë dakord nga palët pas përfundimit të luftës, Turqia riafirmon gatishmërinë e saj në parim për të marrë përgjegjësi dhe për të udhëhequr hapësirën detare me pjesëmarrjen edhe të partnerëve të tjerë në Detin e Zi.

    Raportohet se me madhësinë dhe kapacitetin e saj Turqia luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Evropës.

    Vlen gjithashtu të përmendet se Turqia, ushtria e dytë më e madhe e NATO-s dhe kontribuesi i dytë më i madh në operacionet dhe misionet e NATO-s, eksporton produkte mbrojtëse me vlerë më shumë se 7 miliardë dollarë.

    Në industrinë turke të mbrojtjes, e cila e bën të mundur këtë, janë punësuar 100 mijë njerëz. /AA/

  • Pesë orë bisedime në Kremlin, nuk ka marrëveshje të paqës Rusi-Ukrainë

    Pesë orë bisedime në Kremlin, nuk ka marrëveshje të paqës Rusi-Ukrainë

    Pesë orë bisedime midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe negociatorit të lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, duket se nuk kanë arritur të sjellin ndonjë përparim në sigurimin e një marrëveshjeje paqeje – për Ukrainën.

    Një zëdhënës i Kremlinit tha se takimi në Moskë ishte “konstruktiv”, por pjesë të planit mbetën të papranueshme për Rusinë, shkruan BBC, transmeton IndeksOnline.

    I dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, morën pjesë në bisedime pas disa javësh diplomacie intensive që synonin përfundimin e luftës.

    Ekipi amerikan nuk ka komentuar takimin, që kur është larguar nga Moska.

    Më herët të martën, Putin tha se ndryshimet e propozuara nga Kievi dhe Evropa, në një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-ja, ishin të papranueshme, duke shtuar se nëse Evropa “dëshiron të shkojë në luftë dhe e fillon një të tillë, ne jemi gati tani”.

    Ukraina dhe aleatët e saj kanë lobuar te SHBA-ja për të ndryshuar draft-marrëveshjen e paqes, për të cilën Shtëpia e Bardhë është përpjekur të sigurojë një marrëveshje të shpejtë dhe Kremlini më parë ka lënë të kuptohet se është i hapur.

    Ky plan, i cili u pa gjerësisht si i favorshëm për Rusinë pasi u publikua në media në nëntor , ka pësuar disa ndryshime në javët e fundit.

    I pyetur në lidhje me propozimin pas takimit në Moskë, ndihmësi i lartë i Putinit, Yuri Ushakov, tha se Kremlini “u pajtua me disa pika… por disa gjëra i kritikuam”.

    Ai shtoi: “Nuk kemi dalë ende me një version kompromisi… Na pret shumë punë përpara.”

    Mosmarrëveshjet kryesore midis Moskës dhe Kievit mbeten, duke përfshirë edhe çështjen e Ukrainës që pranon të lëshojë territorin që vazhdon ta kontrollojë, si dhe garancitë e sigurisë të ofruara nga Evropa.