ATV

Category: Lajme

  • Kica Xhelili kandidate e LDK-së për deputete, tregon numrin që do ta ketë

    Kica Xhelili kandidate e LDK-së për deputete, tregon numrin që do ta ketë

    Doarsa Kica-Xhelili ka njoftuar se do të jetë kandidate e LDK-së për deputete.

    Ky vendim, sipas saj, nuk do të jetë i lehtë, jo për shkak të punës, por për shkak të gjendjes shëndetësore.

    Ajo po ashtu ka thënë se këtë herë ka zgjedhur të garoj me numrin 4, sepse thotë se vendin real ia përcakton votuesi.

    Postimi i plotë:

    Të dashurit e mi,

    Konfirmoj rikandidimin tim edhe për këtë mandat. Ky vendim nuk ishte i lehtë, jo për shkak të punës, por për shkak të gjendjes sime shëndetësore dhe sfidave të shtatzënisë, të cilat e bëjnë fushatën më të vështirë se kurrë.

    Në politikë kam mësuar se vendin ta jep besimi, jo zhurma. Pa zhurmë, ju më renditët njeriun e dytë më të votuar në LDK. Këtë herë kam zgjedhur të garoj me numrin KATËR (4), sepse besoj se vendin tim real ma përcaktoni ju: qetë, me votë, jo me kalkulime e zhurmë.

    Gjatë muajve të vështirë të shëndetit tim, kam dëgjuar shumëçka: fjalë për mungesën time, interpretime të pasinqerta, madje edhe insinuata që e shndërronin sfidën time njerëzore në arsyetim politik.

    Kam parë propagandë, linçime, faqe pa emër e pa fytyrë, dhe fatkeqësisht edhe ndonjë rrudhje krahësh nga njerëz që e dinin realitetin tim, por zgjodhën ta përdorin atë për të më portretizuar si të painteresuar.

    Më kanë kërkuar të reagoj e të sqaroj. Unë kam zgjedhur të hesht, jo nga dobësia, por sepse refuzoj t’u jap hapësirë atyre që ushqehen me helm. Por sot, duke rikandiduar, ua kam borxh të vërtetën atyre që më kanë mbështetur pa kushte: mungesa ime s’ka qenë kurrë mungesë interesi, por betejë personale për shëndetin tim dhe të fëmijës tim.

    Besoj se politika e vërtetë fillon aty ku mbaron egoja personale. Prandaj hyj në këtë garë me qetësi, me përulësi, dhe me bindjen se energjia jonë duhet të shkojë te armiku i përbashkët: sfidat që e mbajnë vendin peng, jo tek njëri–tjetri.

    Në këtë betejë, edhe pse fizikisht më larg se herëve të tjera, ju jeni forca që më çon përpara.

    Ju përqafoj!
    E juaja,
    Doarsa

  • Analisti Blerim Gashi i bashkohet Partisë GUXO

    Analisti Blerim Gashi i bashkohet Partisë GUXO

    Partisë GUXO i është bashkuar edhe analisti i njohur, Blerim Gashi.

    Lajmin e ka bërë të ditur, Faton Peci, kryetar i këtij subjekti që garon bashkë me Vetëvendosjen në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Një ditë më parë, këtij subjekti i është bashkuar edhe analisti i njohur, Viktor Buzhala.

    Postimi i plotë:

    Sot, rrugëtimit tonë politik i bashkohet Blerim Gashi, jurist dhe politolog, një emër i njohur i përballjes pa kompromis kundër propagandës dhe dezinformimit si dhe për qasjen e qartë, të argumentuar dhe profesionale në debatin publik e politik.

    Me përvojë të gjatë në hartimin e politikave publike dhe komunikimin strategjik, Blerim Gashi ka dëshmuar se guximi intelektual dhe integriteti personal janë themeli i qeverisjes së mirë. Angazhimi i tij për transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje qytetare e ka bërë një zë të besueshëm dhe të respektuar në hapësirën publike kosovare.

    Analizat e tij të drejtpërdrejta, shkrimet e guximshme dhe paraqitjet publike me qëndrime të qarta, kanë kontribuar në forcimin e kulturës demokratike dhe në promovimin e një shteti që u shërben qytetarëve, jo interesave të ngushta.

    Me Blerim Gashin në listën e koalicionit Vetëvendosje – Guxo – Alternativa – PShDK, bashkë me profesionistë të tjerë të dëshmuar, vazhdojmë punën e angazhimin tonë për qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore, në shërbim të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, me orientim të qartë drejt integrimit euroatlantik.

    Mirë se erdhe, Blerim!

  • Erdogan i jep para dhe i puth dorën një vajze me Sindromën Down, pamjet bëhen virale

    Erdogan i jep para dhe i puth dorën një vajze me Sindromën Down, pamjet bëhen virale

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan është filmuar duke i dhuruar para në dorë një vajze me sindromën down.

    Momenti u regjistrua gjatë një aktiviteti publik për Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, që u mbajt më 3 dhjetor në Ankara.

    Bëhet e ditur se vajza sapo kishte mbaruar një garë atletike.

    Nga pamjet shihet që pas garës, ajo i afrohet presidentit turk i cili i dhuron para.

  • Gjergj Dedaj: PLK-ja mbështet Bedri Hamzën për kryeministër

    Gjergj Dedaj: PLK-ja mbështet Bedri Hamzën për kryeministër

    Lideri historik i Partisë Liberale të Kosovës, Gjergj Dedaj, ka mohuar zërat që ai është kandidat për deputet në ndonjërën prej partive politike.

    Ai ka thënë se vet personalisht dhe PLK-ja do ta mbështesin Bedri Hamzën për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    “Duke qenë se individ të caktuar bëjnë edhe montazhe fallco me foton time sikur gjoja jam takuar me ndonjërin lider politik për të biseduar për përfshirjen time në listat zgjedhore, apo disa mediume dhe analist të dështuar e servil partiak rrejshëm e lakojnë emrin tim, ndjejë obligim ta sqaroj të vërteten time për të cilën unë vendosi dhe e cila është e paluhatshme se nuk do të jam me asnjë kusht në asnjërën nga listat partiake për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025! Ç’është e vërteta unë dhe miqtë e mi, simpatizantët dhe votuesit liberal demokrat, do ta votojmë PDK sic e kemi bërë në të gjitha zgjedhjet dhe sfidat, që nga viti 2007, dhe do ta mbështesim Bedri Hamzën si kandidat meritor, dinjitoz dhe i nevojshëm për kryeministër të Kosovës! Beteja ime politike vazhdon dhe do mbetet aktive për ta mposhtur regjimin populist të LVV dhe aty ku mundëm për të dhënë kontribut modest, për riparimin e partneritetit me SHBA, BE dhe NATO-n, si dhe për forcimin e perspektivës Europiane dhe integrimin Euroatlantik të shtetit të Kosovës!”, ka shkruar Dedaj në “Facebook”.

  • Gruaja në Dragash s’e lë burrin të hyjë në shtëpi, policia jep detaje

    Gruaja në Dragash s’e lë burrin të hyjë në shtëpi, policia jep detaje

    Një ngjarje e pazakont ka ndodhur në Komunën e Dragashit.

    Policia ka njoftuar se një grua nuk e ka ka lejuar bashkëshortin e saj të hyjë në shtëpinë e tij.

    “DHUNË NË FAMILJE- Dragash 06.12.2025-NN. Është raportuar se para një muaji ankuesi m/k ka shkuar në shtëpinë e tij, por bashkëshortja e tij e dyshuara f/k nuk e ka lejuar. Palët janë intervistuar, dhe me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullte”

  • Ngacmoi një femër në Prizren, arrestohet shtetasi i Shqipërisë

    Ngacmoi një femër në Prizren, arrestohet shtetasi i Shqipërisë

    Një shtetas i Shqipërisë është arrestuar në Prizren për ngacmim.

    Ai është dërguar në mbajtje.

    “Prizren 06.12.2025-21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë pasi që, i njëjti ka ngacmuar viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, raporton policia e Kosovës.

  • Alpinisti lë të dashurën vetëm në malin më të lartë të Austrisë, ajo ngriu për vdekje

    Alpinisti lë të dashurën vetëm në malin më të lartë të Austrisë, ajo ngriu për vdekje

    Autoritetet austriake kanë identifikuar 33-vjeçaren, Kerstin Gurtner si gruan që ngriu për vdekje në malin më të lartë të Austrisë, Grossglockne, dhe partneri i saj, 39-vjeçari Thomas Plamberger, tani akuzohet për vrasje të paqëllimshme, raportuan mediat lokale.

    Gurtner, e cila e përshkroi veten në internet si një adhuruese e dimrit dhe maleve, ishte një alpiniste e papërvojë.

    Partneri i saj, Plamberger, një alpiniste me përvojë, dyshohet se e çoi atë në një ngjitje të rrezikshme nate në një lartësi prej 3,657 metrash në temperatura nën zero, për të cilat ajo nuk ishte e përgatitur. Trupi i saj u gjet më pak se 45 metra larg majës.

    Zyra e prokurorit publik të Innsbruck beson se Plamberger, si organizator i ngjitjes, ishte përgjegjës për sigurinë e saj.

    “Rreth orës 2:00 të mëngjesit, i pandehuri e la të dashurën e tij të pambrojtur, të rraskapitur, hipotermike dhe të çorientuar rreth 50 metra poshtë majës së Grossglockner. Gruaja ngriu për vdekje. Meqenëse i pandehuri, ndryshe nga e dashura e tij, kishte tashmë shumë përvojë me turne alpine në lartësi të mëdha dhe e kishte planifikuar turin, ai u konsiderua si një guidë turistike përgjegjëse”, tha zyra e prokurorit në një deklaratë.

    Gjatë ngjitjes fatale, temperaturat ranë në rreth -20°C. Prokurorët thonë se Plamberger nuk kërkoi ndihmë edhe kur panë një helikopter policie aty pranë rreth orës 22:50. Hetuesit thonë se ai nuk bëri thirrjen e tij të parë emergjente deri në orën 1:35 të mëngjesit, pas së cilës e vuri telefonin në modalitetin e heshtur.

    Sipas aktakuzës, vetëm 30 minuta më vonë, ai e braktisi Gurtnerin në shpatin e akullt, pa përdorur batanijet e emergjencës që kishin me vete. Pamjet e kamerave të mbikëqyrjes e kapën atë duke zbritur vetëm në orën 2:30 të mëngjesit, larg vendit ku e kishte lënë partneren e tij. Ai nuk kontaktoi përsëri shërbimet e emergjencës deri një orë më vonë, në orën 3:30 të mëngjesit.

    Avokati i Plamberger, Kurt Jelinek, i mohon akuzat. Në një deklaratë për Daily Mail, ai e quajti vdekjen e Kerstin Gurtner një “aksident tragjik dhe fatal”.

    Gjyqi është planifikuar të fillojë në shkurt. Nëse dënohet për vrasje të paqëllimshme, Plamberger përballet me deri në tre vjet burg.

  • Ish-presidenti i KOK-ut aderon në PDK

    Ish-presidenti i KOK-ut aderon në PDK

    Ish-presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani ka aderuar në PDK.

    Lajmi e ka bërë të ditur vet kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza.

    Ai ka njoftuar se Hasani do të jetë në listën e PDK-së për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Postimi i plotë:

    Kosova sot ka nevojë për profesionistë që sjellin përvojë, qetësi dhe rezultate. Prandaj, me respekt e mirëprita Besim Hasanin në listën tonë për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Besimi bëri punë të jashtëzakonshme për anëtarësimin e Kosovës në familjen olimpike botërore, duke hapur një epokë të re për sportin tonë dhe për medaljet që erdhën më pas. Kontributi i tij është një shembull i vizionit dhe përkushtimit.

    Me njerëz të tillë, Kosova ecën përpara. Bashkë, me energji të re dhe besim të plotë, do ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë.

  • Përfundon regjistrimi i diasporës, mbi 70 mijë të regjistruar

    Përfundon regjistrimi i diasporës, mbi 70 mijë të regjistruar

    Të shtunën në mesnatë është përmbyllur procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Lajmi është njoftuar të dielën paradite nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar të dhënat nga procesi i regjistrimit, derisa vlerësimi i të gjitha aplikimeve pritet të përfundojë gjatë ditës.

    “Është përmbyllur periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas të dhënave preliminare, gjatë periudhës 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor) pëmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar mbi 84,700 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar rreth 71,900, ndërkaq janë refuzuar rreth 6,700. Në vlerësim e sipër janë rreth 5,900 aplikime”, njoftoi Elezi.

    Ai tregoi se pjesa më e madhe e votuesve të regjistruar kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës dhe vetëm një pjesë për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Repulikës së Kosovës.

    “Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 51,000 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe rreth 2,500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, rreth 18,000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, tregoi Elezi.

  • 24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit

    24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit

    Albin Kurti ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe ishte liruar më 7 dhjetor 2001 dhe kjo është bërë pas presionit të ndërkombëtarëve për të liruar të burgosurit politik të regjimit serb.

    Ai u arrestua më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri më 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit. Prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000, në burgun e Nishit.

    Procesi gjyqësore ndaj Kurtit filloi më 9 mars 2000 ndërkaq më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë” sipas nenit 116.
    Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit. Intervista e dhënë në burg është më 22 prill 2000.

    Prej nëntorit të vitit 2000 deri më 3 dhjetor të vitit 2001 ka qenë në burgun e Quprisë ndërkaq, prej 3 dhjetor 2001 deri më 7 dhjetor, sërish në burgun e Nishit.

    Përveç burgut në Serbi, Kurti është arrestuar disa herë edhe në Kosovë./Kosovapress