ATV

Category: Lajme

  • Moti sot: Mjegull, diell e vranësira

    Moti sot: Mjegull, diell e vranësira

    Ditën e mërkurë parashihet të mbretëroj mot i qëndrueshëm, kryesisht me diell. Kalojnë kohëpaskohe vransira, kryesisht të nivelit të lartë.

    Ultësirave, vazhdojnë kushtet për mjegull, që lokalisht mund të mbetet edhe pas mesdite. Temperaturat minimale zbresin në -2C e 1C, ndërsa maksimalet shkojnë deri në 11C e 12C, derisa pjesëve ku mjegulla mbetet më gjatë 4C e 9C. Dominojnë qetësitë. Ditën frynë erë e lehtë drejtimesht të ndryshme 1-3m/s.

    Ditën e enjtë mbetet mot kryesisht me diell, me temperatura maksimale që arrinë vlera deri në 12C e 14C. Të premtën dhe të shtunën ekzistojnë mundësi që vransira të ulëta, të shtrihen pjesëve të ulëta të vendit, ndërkohë që temperaturat pësojnë rënie graduale deri në 9C e 7C gjatë fundjave. Mundësi për mjegull ultësirave shfaqen ditën e diel, që edhe mund të qëndrojë më gjatë pas mesdite. Do të vazhdojnë të dominojnë qetësitë, ndërkohë që gjatë ditës frynë erë e lehtë, veriore e verilindore 2-4m/s.

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit, zyrtari i DASh-it po qëndron në Kosovë, shkon për vizitë në KQZ

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit, zyrtari i DASh-it po qëndron në Kosovë, shkon për vizitë në KQZ

    Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ditën e sotme ka pritur në takim, Lyn Debevoise, i cili është zëvendësdrejtor për Çështjet e Europës Qendrore Perëndimore në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Në njoftimin e KQZ’së, thuhet se Radoniqi, ka njoftuar Debevoise, për përgatitjet që janë duke u bërë lidhur me organizimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Njoftimi:

    Sot, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, priti në takim z. Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtor për Çështjet e Europës Qëndrore Perëndimore në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Gjatë këtij takimi, kryesuesi Radoniqi e njoftoi z. Debevoise për përgatitjet që KQZ është duke i zhvilluar në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Radoniqi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe proceseve demokratike në vendin tonë.

  • Lituania shpall gjendje të jashtëzakonshme: Balonat kontrabandiste nga Bjellorusia paralizojnë trafikun ajror

    Lituania shpall gjendje të jashtëzakonshme: Balonat kontrabandiste nga Bjellorusia paralizojnë trafikun ajror

    Lituania ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme të martën dhe i ka kërkuar parlamentit të autorizojë mbështetjen ushtarake për policinë dhe rojet kufitare, pasi një valë balonash kontrabandistësh nga Bjellorusia ndërpreu vazhdimisht trafikun ajror në muajt e fundit.

    Aeroporti i Vilniusit është mbyllur disa herë për shkak të balonave meteorologjikë, të cilat Lituania thotë se dërgohen nga kontrabandistë që transportojnë cigare dhe përbëjnë një “sulm hibrid” nga Bjellorusia, një aleat i ngushtë i Rusisë.

    “Gjendja e jashtëzakonshme shpallet jo vetëm për shkak të ndërprerjeve të aviacionit civil, por edhe për shkak të interesave të sigurisë kombëtare”, ka thënë ministri i Brendshëm, Vladislav Kondratoviq, në një takim qeveritar të transmetuar drejtpërdrejt të martën.

    Lituania
    Një valë balonash kontrabandistësh nga Bjellorusia ndërpreu vazhdimisht trafikun ajror në muajt e fundit (FOTO: AP)

    Bjellorusia ka mohuar përgjegjësinë për balonat dhe ka akuzuar Lituaninë për provokime, duke përfshirë dërgimin e një droni për të hedhur “material ekstremist”, gjë që Lituania e mohon.

    Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, ka thënë të martën se Lituania po i ekzagjeronte incidentet me balonat kontrabandistë dhe se Minsku zyrtar nuk donte një luftë me fqinjët e saj.

    “Ajo që po thonë lituanezët sot është e pamundur dhe jorealiste”, ka thënë Lukashenko në një fjalim të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Belta.

    “Çështja po ekzagjerohet dhe po politizohet”, ka thënë ai.

  • Aeroplani gjerman devijoi rrugën për në Shkup: AShNA shpjegon pse nuk ateroi në Prishtinë

    Aeroplani gjerman devijoi rrugën për në Shkup: AShNA shpjegon pse nuk ateroi në Prishtinë

    Një aeroplan gjerman ushtarak nuk ka arritur të aterojë sot në Prishtinë, dhe është detyruar të devijojë drejt Shkupit.

    Lajmin e konfirmoi Driton Ujkani nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, i cili tha se kjo ka ndodhur për shkak se ai s’ka pasur personel të certifikuar për aterrim në dukshmëri të ulët.

    Ujkani shtoi se fluturimet e tjera po zhvillohen normalisht.

  • Nisin përgatitjet për protestën e OVL-UÇK në Shkup

    Nisin përgatitjet për protestën e OVL-UÇK në Shkup

    Kanë nisur përgatitjet për protestën e OVL-UÇK-së në Shkup, përmes së cilës do të kërkohet drejtësi për çlirimtarët.

    Lajmi është bërë i ditur nga një postim i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku u njoftua se sot është zhvilluar një takim me kryetarët e degëve.

    Gjatë takimit u diskutua për përgatitjet përfundimtare të protestës, e cila do të mbahet më 13 dhjetor në sheshin “Skënderbeu”, me fillim nga ora 13:00.

    OVL-UÇK u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen kësaj proteste, e cila është e pesta me radhë në mbështetje të ish-komandantëve të luftës të cilë po mbahen në Hagë tash e disa vjet.

  • Dosja e Prokurorisë për sulmin në Ibër Lepenc: Të akuzuarit vendosën eksploziv, njëri mblodhi edhe informata për Shërbimin Ushtarak të Serbisë

    Dosja e Prokurorisë për sulmin në Ibër Lepenc: Të akuzuarit vendosën eksploziv, njëri mblodhi edhe informata për Shërbimin Ushtarak të Serbisë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë që ka publikuar “Betimi për Drejtësi”, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

    Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

    Këtë, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepenc”.

    E kjo, në aktakuzë thuhet se kishte shkaktuar ndërprerje furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore te Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.

    Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

    Kështu, ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129. par.1 dhe neni 128, par.1, nënpar.1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.

    “Si armë të llojit kallashnikov A-47, një numër të granatave të dorës BRM 75 dhe zolla, 500 fishekë 7.9 mm dhe 363 fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikator të shumtë të armës AK 47 dhe pjesë te tyre, thika për armë të gjata, karikator pushke, mekanizëm për mbushjen e fishekëve të pushkës së gjuetisë MK-16, pushkë gjuetie, thike me këllëf, radiolidhje të shumta për përdorim ushtarak, maska, uniforma te shumta ushtarake të vendeve të ndryshme si ato të Serbisë, Rusisë dhe te shteteve tjera, helmeta dhe gjësende tjera te kundërligjshme”, përshkruhet në aktakuzë.

    Të gjitha këto, thuhet se janë sekuestruar nga Polica në vendin e ngjarjes.

    Me këtë, ata ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penlae “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

    Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

    Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.

    “Në kuadër te dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në terren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore të Kosovës në Jasenovik që gjendet në Komunën e Zubin Potokut”, përshkruhet tutje në aktakuzë.

    Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Me këto veprime, Prokuroria në aktakuzë vlerëson se tani i akuzuari seriozisht e ka dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, si dhe ushtarëve te KFOR-it.

    Kështu, ai akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 5 lidhur me par. 4 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

    Ndërsa, Igor Dimoviq, në pikën 4 të aktakuzës, akuzohet se nga data e pacaktuar deri më 30 nëntor 2024, rreth orës 6:30 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me konkretisht në shtëpinë e tij, me rastin e kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa unifiroma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes.

    Me këto veprime, Dimoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

  • Aeroplani ushtarak gjerman s’po mund të aterojë në Prishtinë, devijon rrugën për në Shkup

    Aeroplani ushtarak gjerman s’po mund të aterojë në Prishtinë, devijon rrugën për në Shkup

    Një aeroplan ushtarak gjerman, i cili ishte nisur nga Berlini, nuk po mund të aterojë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

    Gjurmuesi i fluturimeve, “Flightradar24”, tregon se aeroplani i ushtrisë gjermane është nisur në orën 8:40 të mëngjesit.

    Sipas asaj që shihet, fluturakja ushtarake e ka devijuar rrugën për në Shkup.

  • IKD: Nga 444 të akuzuar për korrupsion më 2024 dhe 2025, vetëm 2.47% e tyre i takojnë profilit të lartë

    IKD: Nga 444 të akuzuar për korrupsion më 2024 dhe 2025, vetëm 2.47% e tyre i takojnë profilit të lartë

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, ku paraqiten të dhëna të reja lidhur me ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit gjatë vitit 2024 dhe nëntëmujorit të parë të vitit 2025, duke theksuar se rastet që përfshijë zyrtarë të profilit të lartë vazhdojnë të mbeten minimale.

    Sipas raportit, bazuar në monitorimin e IKD-së, nga gjithsej 444 persona të akuzuar për korrupsion në vitet 2024-2025, vetëm 11 prej tyre janë identifikuar si zyrtarë të profilit të lartë, që përbën vetëm 2.47%, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit, tha se nga 11 të akuzuarit për korrupsion të profilit të lartë, vetëm 3 prej tyre janë akuzuar duke mbajtur detyrën zyrtare, përkatësisht vetëm 27.2% janë akuzuar gjatë kohës sa kanë mbajtur detyrën zyrtare, ndërsa 72.7% e personave tjerë janë akuzuar vetëm pasi që janë larguar nga detyra zyrtare.

    Ai theksoi se gjatë nëntëmujtorit e parë të vitit 2025, nga 4 zyrtarët e akuzuar, vetëm njëri akuzohet si ish-zyrtar, ndërsa tre të tjerët janë akuzuar për pozitat që ende mbajnë.

    Sipas Shalës, situata qëndron ndryshe në vitin 2024 ku nga 7 të akuzuarit për korrupsion të profilit të lartë, asnjë prej tyre nuk është akuzuar gjatë kohës sa kanë mbajtur pozitën zyrtare, ashtu që të gjithë këta persona janë akuzuar si ish-zyrtarë.

    Ai tha se Prokurori i Shtetit më 2024 dhe 2025, ka pësuar regres në trajtimin e numrit të lëndëve, për shkak se gjatë periudhës përkatëse nuk ka mundur të kryejë lëndë aq sa ka pranuar. Ai tha se Prokurori i Shtetit ka ngritur 293 më 2024, kurse në nëntëmujorin e parë të 2025-ës ka ngritur 151 aktakuza.

    Sipas Shalës, ndjekja e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdon të jetë e kufizuar dhe e orientuar drejt zyrtarëve të niveleve të ulëta dhe të mesme. Për më tepër, rastet e profilit të lartë, ai tha se aktivizohen vetëm pasi zyrtarët humbasin fuqinë e tyre politike, që nënkupton se sistemi i drejtësisë heziton të veprojë ndaj personave me ndikim të madh institucional ose politik.

    Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën po organizon tryezë diskutimi me rastin e publikimit të raportit me titull: “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, aktivitet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2025”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile me moton “Bashkë kundër korrupsionit”.

  • Të enjten mbahet seanca e radhës për vrasjen e Auron Thaqit

    Të enjten mbahet seanca e radhës për vrasjen e Auron Thaqit

    Të enjten në Gjykatën Themelore të Prizrenit, do të mbahet seanca e radhës në rastin e vrasjes së Auron Thaqit.

    26-vjeçari dyshohet se humbi jetën pasi u godit me thikë nga një person, në qytetin e Prizrenit.

    Dyshohet se pasi u ther me thikë, Auroni u hodh në rrugë nga një veturë në lëvizje.

    Ai vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi nuk arriti tu mbijetonte plagëve të marra, në korrik të 2024-tës.

    Në seancën e kaluar kishte dëshmuar ekspertja e mjekësisë ligjore, Bergita Curri, e cila kishte bërë raportin e autopsisë së trupit të të ndjerit.

    Paa trupit gjykues, ajo kishte deklaruar se plaga vdekjeprurëse që shkaktoi vdekjen e Auron Thaqit është plaga në regjionin e përparmë të kërllokullës apo kofshës së djathtë.

    Curri theksoi se gjakderdhja e shkaktuar nga kjo plagë ka çuar në vdekjen e tashmë e të ndjerit

    Krahas kësaj plage, ekspertja mjeko-ligjore, gjatë dëshmisë së saj tha se Auron Thaqi kishte edhe një plagë tjerë në shpinë e cila nuk kishte depërtuar në asnjë strukturë përveç lëkurës dhe indit nën lëkuror.

    “Nga të gjeturat gjatë ekzaminimit të trupit në autopsi ku përveç dëmtimit në regjionin femoral të djathtë është evidentuar edhe një plagë shpuese në pjesë e sipërme të shpatullës së majtë. Nga ekzaminimi i organeve të brendshme dhe vitale nuk është gjetur asnjë shkaktar tjetër përveç gjakderdhjes dhe shokut hemoragjik… Plaga vdekjeprurëse ka qenë plaga në regjionin e përparmë të kofshës së djathtë, ndërsa plaga e përshkuar në pikën dy tek ekzaminimi i jashtëm ka qenë tërësisht e parrezikshme”, kishte deklaruar ajo.

  • Trump: Udhëheqësit evropianë janë të dobët, nuk dinë çfarë të bëjnë

    Trump: Udhëheqësit evropianë janë të dobët, nuk dinë çfarë të bëjnë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nisur një tjetër seri kritikash ndaj udhëheqësve evropianë, të cilët i quajti “të dobët” dhe të paaftë për t’u përballur me sfidat aktuale. “Mendoj se janë të dobët. Besoj se ata duan të jenë politikisht korrekt. Mendoj se nuk dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk di çfarë të bëjë”, deklaroi ai në një intervistë për Politico.

    Sipas Trump, në pozicionin më të fortë negociues ndodhet Rusia, të cilën e përshkroi si “një vend shumë më i madh” dhe theksoi se lufta në Ukrainë “nuk duhej të kishte ndodhur kurrë”.

    Duke folur më tej për udhëheqësit e kontinentit, ai tha se i njeh mirë shumicën prej tyre dhe se mes tyre ka udhëheqës të mirë, të këqij, inteligjentë e madje edhe “disa vërtetë budallenj”. Megjithatë, sipas tij, “Evropa nuk po bën një punë të mirë në shumë aspekte”. Në lidhje me Ukrainën, Trump akuzoi vendet evropiane se “flasin shumë dhe nuk prodhojnë”, ndërsa lufta vazhdon pa fund.

    Në të njëjtën intervistë, Trump u rikthye të komentonte edhe situatën në Ukrainë dhe marrëdhëniet me presidentin Volodymyr Zelensky. Sipas tij, Ukraina po humbet territor të rëndësishëm dhe Zelensky duhet të pranojë realitetin. “Duhet të vihet në lëvizje dhe të fillojë t’i pranojë gjërat, sepse po humbet konfliktin”, u shpreh ai. Trump theksoi se humbjet territoriale kanë nisur shumë përpara mandatit të tij.

    “Kanë humbur një brez të tërë bregdetar, një brez të madh. Kanë humbur shumë territor, dhe territor të mirë. Nuk mund të quhet fitore”.

    Ai po ashtu deklaroi se ka ardhur koha që në Ukrainë të mbahen zgjedhje.

    “Po, mendoj se është momenti. Ka kaluar shumë kohë. Nuk po shkon veçanërisht mirë. Populli ukrainas duhet ta ketë këtë mundësi”, tha Trump, duke shtuar se Zelensky mund të fitonte, por se vendi nuk ka mbajtur zgjedhje prej shumë kohësh. “Flasin për demokraci, por vjen një pikë ku nuk është më demokraci”, përfundoi ai.