ATV

Category: Lajme

  • Zhduket një 16-vjeçare në Hajvali, policia nis hetimet

    Zhduket një 16-vjeçare në Hajvali, policia nis hetimet

    Një 16-vjeçare është zhdukur në Hajvali të Prishtinës mëngjesin e së hënës.

    Rastin e zhdukjes e ka raportuar në polici nëna e saj.

    “Ankuesja femër kosovare, raporton se vajza e saj 16-vjeçare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin policor.

    Ky rast është duke u hetuar nga organet e rendit.

  • 62 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    62 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë është shënuar një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 19 aksidente me të lënduar dhe 42 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 1833 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 18 persona, prej të cilëve 10 i ka dërguar në mbajtje.

  • Presidenti Begaj vazhdon vizitën në Kosovë

    Presidenti Begaj vazhdon vizitën në Kosovë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, sot, për të dytën ditë me radhë po vazhdon vizitën dyditore në Kosovë.

    Presidenti Begaj, dëtën e parë të vizitës së tij në Kosovë, është pritur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi e shumë personalitete të tjera.

    Sipas agjendës, presidenti Begaj do të marrë pjesë në përvjetorin e 50 të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 9 dhe 10 dhjetor 2025, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës po angazhohet me kapacitetet e saj për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë gjithë kohës së vizitës.

    Për të siguruar mbarëvajtjen e lëvizjes sipas itinerarit zyrtar dhe zhvillimin e aktiviteteve të parashikuara në agjendë, Policia e Kosovës do të realizojë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurtra kohore, në disa segmente rrugore.

  • Vdes një person në Pejë, ra nga një lartësi prej 3 metrash derisa po punonte në një shtëpi

    Vdes një person në Pejë, ra nga një lartësi prej 3 metrash derisa po punonte në një shtëpi

    Një person ka humbur jetën gjatë punimeve në një shtëpi në fshatin Graboc të Pejës.

    Ngjarja ka ndodhur të martën rreth orës 10:40, kur viktima raportohet të jetë rrëzuar nga një lartësi prej rreth tre metrash.

    Policia ka njoftuar se për shkak të lëndimeve të rënda të pësuara, personi nuk ka arritur të mbijetojë.

    Ndërkohë, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Autoritetet kanë hapur rastin si “Hetim i vdekjes” dhe kanë njoftuar se po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit.

  • Japonia ngre avionë luftarakë pas patrullimeve të përbashkëta ruso-kineze, rriten tensionet

    Japonia ngre avionë luftarakë pas patrullimeve të përbashkëta ruso-kineze, rriten tensionet

    Japonia ka ngritur në ajër avionë luftarakë për të monitoruar forcat ajrore ruse dhe kineze, të cilat po kryenin patrullime të përbashkëta mbi hapësirën ajrore përreth vendit.

    Lajmi u konfirmua mbrëmjen e djeshme (9 dhjetor) nga Ministria japoneze e Mbrojtjes, në një kohë kur tensionet mes Tokios dhe Pekinit janë në rritje.

    Sipas ministrisë, dy bombardues strategjikë rusë Tu-95 me kapacitet bërthamor fluturuan nga Deti i Japonisë drejt Detit të Kinës Lindore, ku u bashkuan me dy bombardues kinezë H-6 për të kryer një patrullim të gjatë në Oqeanin Paqësor.

    Më pas, katër avionë luftarakë kinezë J-16 iu bashkuan formacionit, ndërsa ai kaloi mes ishujve japonezë Okinawa dhe Miyako, në një korridor ajror që konsiderohet ujëra ndërkombëtare.

    Japonia raportoi gjithashtu aktivitet paralel të forcave ajrore ruse në Detin e Japonisë, ku u identifikuan një avion paralajmërues A-50 dhe dy avionë luftarakë Su-30.

    Ministri japonez i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, deklaroi në një postim në X se operacionet e përbashkëta ruso-kineze “kishin qartësisht qëllim të demonstronin forcë kundër vendit tonë, gjë që përbën një shqetësim serioz për sigurinë kombëtare”. Ai shtoi se avionët japonezë zbatuan në mënyrë rigoroze masat e identifikimit të mbrojtjes ajrore.

    Ndërkohë, agjencitë ruse të lajmeve raportuan se patrullimi i përbashkët pranë Japonisë zgjati tetë orë, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes së Moskës. Ushtria e Koresë së Jugut njoftoi po ashtu se shtatë avionë rusë dhe dy kinezë kishin hyrë në zonën e saj të mbrojtjes ajrore të martën.

    Të dielën, Japonia akuzoi avionët luftarakë kinezë, të nisur nga aeroplanmbajtëse, se kishin drejtuar radarët e tyre ndaj avionëve japonezë një ditë më parë — një pretendim që Pekini e mohoi.

    Përshkallëzimi i veprimeve ushtarake të Kinës pranë Japonisë vjen pas deklaratës së kryeministres japoneze Sanae Takaichi muajin e kaluar, e cila tha se Tokio mund të përgjigjet ndaj çdo veprimi ushtarak kinez kundër Tajvanit që do të rrezikonte sigurinë e Japonisë.

    Në vitet e fundit, Kina dhe Rusia kanë forcuar ndjeshëm bashkëpunimin e tyre ushtarak, duke zhvilluar operacione dhe stërvitje të përbashkëta, përfshirë një ushtrim kundër raketave në territorin rus dhe manovra detare me zjarr të vërtetë në Detin e Kinës Jugore.

  • Mbretëria e Bashkuar vendos sanksione për mediat dhe platformat ruse, përhapnin dezinformim

    Mbretëria e Bashkuar vendos sanksione për mediat dhe platformat ruse, përhapnin dezinformim

    Mbretëria e Bashkuar njoftoi sanksione kundër mediave dhe platformave ruse të martën, ndërsa ministrja e jashtme e vendit paralajmëroi se vendet perëndimore duhet të rrisin përpjekjet për të luftuar luftën e informacionit nga “shtetet e huaja me qëllime të këqija”.

    Ministrja e Jashtme, Yvette Cooper, tha se Britania po vendos sanksione ndaj kanalit të mikroblogimit në Telegram, Rybar, Fondacionit për Mbështetjen dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Bashkëkombësve që Jetojnë Jashtë – i përshkruar nga inteligjenca estoneze si një organizatë mbuluese e agjencisë së spiunazhit GRU të Rusisë – si dhe Qendrës për Ekspertizë Gjeopolitike, një institut kërkimor i drejtuar nga shkrimtari rus i së djathtës ekstreme, Aleksandr Dugin.

    Dy kompani me seli në Kinë gjithashtu u sanksionuan “për aktivitetet e tyre të gjera dhe të pakontrolluara kibernetike kundër Britanisë dhe aleatëve të saj,” tha Cooper.

    Në një fjalim në Ministrinë e Jashtme në Londër, Cooper tha se Britania dhe aleatët e saj po përballen me “kërcënime hibride” në rritje, të dizajnuara për të dobësuar infrastrukturën kombëtare, për të minuar interesat dhe për të ndërhyrë në demokracitë e vendeve.

    “Duhet ta quajmë këtë ashtu siç është: luftoni informacionin e Rusisë. Dhe ne po mbrojmë veten,” tha ajo.

    Ajo shtoi se kërcënimet përfshijnë sulme si sabotimi, si dhe fushata dezinformimi “që mbizotërojnë në rrjetet sociale me AI gjenerative dhe video të manipuluara,” të krijuara për të minuar mbështetjen perëndimore për rezistencën e Ukrainës ndaj pushtimit të plotë rus.

    Zyrtarët britanikë kanë identifikuar faqe interneti të rreme dhe reklama politike gjatë zgjedhjeve të fundit në Moldavi, si dhe faqe lajmesh që postonin video me pretendime të rreme për Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe bashkëshorten e tij, të krijuara për të minuar mbështetjen për Ukrainën.

    Cooper mbajti fjalimin e saj për të shënuar 100-vjetorin e nënshkrimit të Traktateve të Lokarnos, një grup marrëveshjesh midis vendeve evropiane që forcuan paqen pas Luftës së Parë Botërore. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në një kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump ka përmbysur aleancat e vjetra dhe ka hedhur dyshime mbi angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s.

    Cooper, e cila u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në Uashington të hënën, tha se ato bisedime “ishin jashtëzakonisht të qarta për forcën e angazhimit të SHBA-së ndaj NATO-s.”

  • Një grua rrah ish-vjehrrën në Malishevë

    Një grua rrah ish-vjehrrën në Malishevë

    Një grua ka sulmuar fizikisht ish-vjehrrën në Malishevë, ka bërë të ditur Policia në raportin 24-orësh të mërkurën.

    Viktima, një femër kosovare, ka raportuar se është goditur nga ish-nusja, me të cilën dyshohet se ka pasur mosmarrëveshje familjare.

    Policia ka intervistuar të dyshuarën, e cila më pas është liruar me vendim të prokurorit të rastit.

    Rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.

  • Viktima raportoi fajde, arrestohet i dyshuari që e frikësoi

    Viktima raportoi fajde, arrestohet i dyshuari që e frikësoi

    Policia në Prishtinë ka arrestuar një të dyshuar mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka frikësuar një qytetar në lidhje me një rast të fajdesë që viktima e kishte raportuar më herët.

    Sipas njoftimit policor, frikësimi dyshohet të ketë ndodhur gjatë zhvillimit të procedurës penale, ndërsa viktima ka njoftuar menjëherë autoritetet.

    I dyshuari është shoqëruar për intervistim dhe, me vendim të prokurorit të rastit, është dërguar në mbajtje.

  • Arrestohet një person në Graçanicë, dyshohet për keqpërdorim të pasurisë së huaj

    Arrestohet një person në Graçanicë, dyshohet për keqpërdorim të pasurisë së huaj

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Graçanicë, i dyshuar për keqpërdorim të pasurisë së huaj, pas një denoncimi të bërë nga një grua kosovare më 9 dhjetor 2025.

    Sipas raportit policor, ankuesja së bashku me djalin e saj është paraqitur në stacionin policor duke raportuar se i dyshuari mashkull kosovar e kishte mashtruar djalin e saj, përcjell Telegrafi.

    “Ankuesja femër kosovare së bashku me djalin e saj, është paraqitur në stacion policor dhe ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka mashtruar djalin e saj duke e bindur të tërheq para nga banka në vlerë 1485 € për t’i dhënë të dyshuarit”, bën të ditur policia.

    I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit të rastit, është dërguar në mbajtje. Hetimet po vazhdojnë.

  • Zjarri në banesën në Breg të Diellit – lëndohet një banor

    Zjarri në banesën në Breg të Diellit – lëndohet një banor

    Një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një zjarri të rënë në një kompleks banesore, në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

    “Sot rreth orës 07:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në lagjen ‘Bregu i diellit’ në Prishtinë, ku nga zjarri është përfshirë një banesë.

    Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kurse një person ka pranuar tretman mjekësor. Aktualisht policia dhe zjarrfikësit janë duke u marrë me rastin” deklaroi Pllana.