ATV

Category: Lajme

  • Ndalohet i dyshuari në Podujevë për kontrabandë të kafshëve nga Serbia

    Ndalohet i dyshuari në Podujevë për kontrabandë të kafshëve nga Serbia

    Një rast i kontrabandës me kafshë është zbuluar dje nga Policia e Kosovës në fshatin Dumnicë të Podujevës.

    Sipas Policisë së Kosovës, një person i dyshuar po kalonte kufirin në mënyrë të paautorizuar duke transportuar 21 krerë dele me një qerre.

    Në raport thuhet se, në momentin kur patrulla policore e ka vërejtur, i dyshuari ka tentuar të largohet duke marrë rrugë malore, por kafshët janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejshme.

    “Fsh. Dumnicë, Podujevë 09.12.2025 – 16:00. Është raportuar se një i dyshuar ishte duke kontrabanduar disa kafshë. Në momentin që i dyshuari ka parë policinë ka tentuar të ikë nëpër rrugë malore. Në qerre ishin 21 krerë kafshë (dele) të cilat janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Më tej thuhet se personi i përfshirë është paraqitur më pas në polici, ku pas inicimit të rastit është liruar me vendim të prokurorit. Procedura ndaj tij do të vazhdojë sipas procedurës së rregullt.

  • Hamza: Një prej vendimeve të para do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve të të gjitha kategorive

    Hamza: Një prej vendimeve të para do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve të të gjitha kategorive

    Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ka bërë një premtim për qytetarët. Ai i ka siguruar ata, që me ardhjen e tij në pushtet do të rriten pagat dhe pensionet, rritje të cilën e ka quajtur kualitative.

    Hamza ka treguar edhe se çka është e nevojshme për qytetarët në këtë aspekt.

    “Qytetarët duan parashikueshmëri, çdo përkrahje e qytetarëve është e mirëseardhur, është e mirë por ata duan parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri. Kjo nënkupton t’i duhet t’i rrisësh pagat, dhe pagat të jenë në kontinuitet, pensionet të jenë në kontinuitet, jo me iu dhënë një ndihmë të njëhershme dhe qytetari të mos e di kur i vjen tjetra dhe a ndodh tjetra. Përtej kësaj, kjo duhet të bëhet në kohë dhe me ligj, në procedurë ligjore, në kohë dhe me qenë të përhershme”, ka thënë Hamza në ATV.

    Ai ka treguar se për cilët kategori të pensioneve do të ketë rritje.

    “Prandaj, prej vendimeve të para ka me qenë rritja e pagave, rritja e pensioneve të të gjitha kategorive, edhe pensioneve bazike edhe atyre kontributdhënëse, edhe kategoritë e dala nga lufta, personat paraplegjikë, tetraplegjikë, viktimat e dhunës seksuale”, ka thënë Hamza.Ai ka thënë se për t’u arritur kjo duhet të rritet buxheti, për të cilin ka treguar se mund të zgjidhet.

    Hamza është kandidat i PDK-së për kryeministër për herë të dytë, pasi ai kishte kandiduar edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit. Nga rezultati i dalë prej atyre zgjedhjeve, nuk u arrit të formohet një qeveri.Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të sjellin rezultat të mirë për formimin e institucioneve, e më pas ai që do të fitojë këto zgjedhje dhe do të formojë qeverinë, pritet t’i realizoj premtimet e dhëna para dhe gjatë fushatës.

  • Publikoi foto me armë në rrjete sociale, Policia ia bastis shtëpinë një burri në Novobërdë

    Publikoi foto me armë në rrjete sociale, Policia ia bastis shtëpinë një burri në Novobërdë

    Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpinë e një burri në Novëbërdë, pasi i njëjti kishte publikuar foto me armë në rrjete sociale.

    Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore, shkruan Reporteri.net.

    “ARMËMBAJTJE PA LEJE – Fsh. Llabjan, Novobërdë 08.12.2025 – 18:20. Në konsultim me prokurorin është bastisur shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar për shkak se i njëjti kishte publikuar në rrjete sociale foto me armë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore. Me vendim të prokurorit rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh.

  • Koreja e Jugut me notë proteste pas inkursionit nga Kina dhe Rusia

    Koreja e Jugut me notë proteste pas inkursionit nga Kina dhe Rusia

    Koreja e Jugut tha se ka dorëzuar notë proteste te përfaqësuesit e Kinës dhe Rusisë më 10 dhjetor, një ditë pasi Seuli tha se aeroplanët ushtarakë të këtyre shteteve hynë në zonën e tij të mbrojtjes ajrore.

    Seuli tha se ankesa iu dorëzua atasheve të mbrojtjes të dy shteteve që gjenden në kryeqytetin e Koresë së Jugut, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Ushtria jonë do të vazhdojë të përgjigjet në mënyrë aktive ndaj aktiviteteve të aeroplanëve të shteteve fqinje brenda KADIZ-it, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha Lee Kwang-suk, drejtor i përgjithshëm i Byrosë të Politikave Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes të Seulit, duke iu referuar Zonës së Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Koresë.

    Koreja e Jugut tha të martën se kishte dislokuar “aeroplanë luftarakë për të ndërmarrë masa taktike në përgatitje të çdo situate” në përgjigje të inkursionit kinez dhe rus në KADIZ.

    Aeroplanët u detektuan para se të hynin në KADIZ, që përshkruhet si një zonë e gjerë ku shtetet monitorojnë avionët e tyre për arsye sigurie, por që nuk përbën hapësirën e tyre ajrore.

    Pekini më vonë konfirmoi se kishte organizuar stërvitje me ushtrinë e Rusisë në përputhje “me planet vjetore të bashkëpunimit”.

    Ndërkaq, Moska i përshkroi si stërvitje rutinë, duke shtuar se ato zgjatën tetë orë dhe disa aeroplanë të huaj luftarakë ndoqën aeroplanët rusë dhe kinezë.

    Që nga viti 2019, Kina dhe Rusia vazhdimisht kanë fluturuar aeroplanët e tyre ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut pa njoftim paraprak, duke thënë se po kryenin stërvitje të përbashkëta.

    Nëntorin e vitit të kaluar, Seuli ngriti në ajër aeroplanët pasi pesë aeroplanë ushtarakë kinezë dhe gjashtë rusë fluturuan përmes zonës së tij të mbrojtjes ajrore.

    Incidente të ngjashme kishin ndodhur edhe në qershor dhe dhjetor të vitit 2023 si dhe në maj dhe nëntor të vitit 2022./REL

  • Vuçiq: Do t’i propozoj Von der Leyenit që i gjithë Ballkani Perëndimor të hyjë së bashku në BE

    Vuçiq: Do t’i propozoj Von der Leyenit që i gjithë Ballkani Perëndimor të hyjë së bashku në BE

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se nesër do të ketë një takim të rëndësishëm me drejtuesit e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, në Bruksel, dhe ka shtuar se do t’u propozojë që i gjithë Ballkani Perëndimor të pranohet së bashku në BE.

    “Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në tërësi në BE është ideja më e mirë. Nëse dikush mbetet jashtë, çfarë do të bëni me ato vende? Dhe e di që të gjithë flasin për harmonizimin, por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhmen e rajonit, por për të ardhmen e Evropës. Që të na pranojnë të gjithëve së bashku, pa përjashtim, të gjithë do të ndihen më mirë, si shqiptarët ashtu edhe boshnjakët… Dëgjoj vetëm reagime pozitive për këtë ide dhe këtë do t’ia them Antonio Costas dhe Ursula von der Leyen”, ka thënë Vuçiqi në Forumin Beltalks – Bisedimet Ekonomike të Beogradit.

    Vuçiqi ka thënë se Serbia “tashmë ka bërë shumë gjëra”, por se “duhet të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së”.

    Ai ka thënë se nesër ka një “takim të madh dhe të rëndësishëm” me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po organizon një darkë ku presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe ai do të jenë mysafirët e saj.

  • Disa zona të Prishtinës mund të mbesin pa ujë shkaku i punimeve në rrjet

    Disa zona të Prishtinës mund të mbesin pa ujë shkaku i punimeve në rrjet

    KRU “Prishtina” njofton konsumatorët se gjatë ditës së sotme ekipet e mirëmbajtjes do të kryejnë punime teknike në disa lokacione të rëndësishme të rrjetit të ujësjellësit.

    Punimet do të zhvillohen në: Rrugën Bahri Kuqi, Hyzri Talla, Bislim Makolli, Faik Ukë Hoxha, Vahit Mustafa, Shyt Marevci, si dhe në Lagjen Taslixhe.

    Gjatë kohës së intervenimeve, qytetarët në këto zona mund të përjetojnë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë ose ulje të presionit të tij.

    KRU “Prishtina” kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve dhe siguron se punimet kryhen me qëllim të përmirësimit të shërbimeve dhe garantimit të furnizimit të qëndrueshëm me ujë.

  • Osmani ngushëllon për vdekjen e boksierit Nazif Gashi

    Osmani ngushëllon për vdekjen e boksierit Nazif Gashi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjarët e boksierit, Nazif Gashit për vdekjen e tij.

    Osmani ka thënë se Nazif Gashi ka qenë një prej emrave më të shquar në historinë e sportit të Kosovës dhe pjesëtar i gjeneratës së artë të boksit prishtinas.

    Derisa, ajo ka shtuar se kujtimi për Nazif Gashin do të mbetet i paharruar dhe inspirues për brezat që vijnë.

    “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Nazif Gashit, njërit prej emrave më të shquar në historinë e sportit të Kosovës dhe pjesëtar i gjeneratës së artë të boksit prishtinas. Si boksier i klubit “Prishtina”, u bë simbol i guximit, disiplinës dhe përkushtimit. Fitoret dhe paraqitjet e tij na bënë krenar dhe e shndërruan Prishtinën në njërin prej klubeve më të suksesshme të kohës. Kujtimi për Nazif Gashin do të mbetet i paharruar dhe inspirues për brezat që vijnë. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, Federatës së Boksit të Kosovës dhe gjithë komunitetit sportiv! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Nazif Gashin!”, ka ngushëlluar presidentja.

  • Dështon seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore, Rozeta Hajdari nuk u paraqit në gjykatë

    Dështon seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore, Rozeta Hajdari nuk u paraqit në gjykatë

    Në mungesë të kushteve ligjore, u anulua seanca e shqyrtimit fillestar për rezervat shtetërore.

    Në seancë mungoi kryefjala e këtij rasti, ministrja në detyrë i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, shkruan IndeksOnline.

    Sipas trupit gjykues, ftesa është dërguar përmes postës, por nuk ka konfirmim nga ana e saj se është pranuar, edhe pse gjykata konsideron se procedura është kryer sipas rregullit.

    Në sallë ishte prezent avokati i saj, Florent Latifaj, i cili e përfaqëson ministren në detyrë.

    Irfan Lipovica ka qenë i pranishëm në seancë.

    I akuzuari Hafiz Gara ka munguar fizikisht, por në gjykatë ka prezantuar përfaqësuesja e tij, Nazim Mehmeti.

    Edhe i akuzuari tjetër, Rivdan Muharremi po ashtu mungoi.

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën më 11 nëntor ndaj Hajdarit, Lipovicës, Garës dhe Muharremit.

    Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare”

    Ridvan Muharremi akuzohet për “ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Seanca e radhës do të mbahet më 13 janar, në orën 09:30.

  • Liderët fetarë në Kosovë nënshkruajnë deklaratë kundër dhunës me bazë gjinore

    Liderët fetarë në Kosovë nënshkruajnë deklaratë kundër dhunës me bazë gjinore

    Në përmbyllje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Ambasada britanike në Prishtinë ka mbledhur së bashku udhëheqësit kryesorë fetarë të Kosovës për të nënshkruar Deklaratë të Përbashkët për Dhunën me Bazë Gjinore dhe Dinjitetin Njerëzor – një akt i vlerësuar si historik.

    Sipas njoftimit të ambasadës britanike, nën drejtimin e ambasadorit Jonathan Hargreaves, përfaqësues nga Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, komuniteti hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore u bashkuan në të njëjtën tavolinë për të sinjalizuar një qëndrim të qartë dhe të unifikuar: dhuna nuk ka vend në fe, familje apo shoqëri.

    Mbretëria e Bashkuar, e cila pozicionohet si kampione globale në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, theksoi se promovimi i barazisë dhe dinjitetit njerëzor është shtylla e paqes dhe prosperitetit.

    Ambasadori Hargreaves nënvizoi se në Kosovë këto vlera luajnë rol kyç në forcimin e kohezionit shoqëror dhe stabilitetit.

    Gjatë 16 ditëve të aktivizmit, siç thotë njoftimi, ambasada vendosi të punojë ngushtë me liderët fetarë, duke theksuar ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në formimin e normave dhe vlerave brenda komuniteteve.

    “Deklarata e nënshkruar përfaqëson një zotim të shkruar dhe një premtim publik për mbrojtjen e më të cenueshmëve dhe sfidimin e praktikave të dëmshme. Ajo dërgon një mesazh shprese se komunitetet fetare në Kosovë janë të bashkuara në thënien ‘mjaft’ ndaj dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftim.

  • Shtatë raste të dhunës në familje raportohen brenda 24 orëve në Polici

    Shtatë raste të dhunës në familje raportohen brenda 24 orëve në Polici

    Shtatë raste të dhunës në familje raportohen në Polici vetëm brenda 24 orëve, si dhe një raport shtesë për rastin e dhunës po ashtu në familje që ka ndodhur dy ditë më parë në Fushë Kosovë.

    Në secilin nga rastet, viktimat janë gra që janë sulmuar nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët, vëllai e djali.

    Rastet në raportin e Policisë së Kosovës:

    ·         Prishtinë 09.12.2025 – 11:00. Është raportuar se viktima femër kosovare, është shqetësuar  nga ish-bashkëshorti i saj. Sipas ankueses  i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Palët janë intervistuar, të njëjtit pas intervistimit janë liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.

    ·         Podujevë 08.12.2025 – 20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ai përmes telefonit kishte kanosur bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    ·         Prishtinë  09.12.2025 – 18:00. Është raportuar se bashkëshorti i viktimës ka shkaktuar dhunë në familje. I dyshuari është intervistuar, ishte nën ndikim të alkoolit dhe me vendim të prokurorit mbahet në ndalim policor deri në këndellje.

    Raport shtesë:

    Fushë Kosovë 08.12.2025 – 17:24. Më 09.12.2025 lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    ·         Gjakovë  08.12.2025 – 22:29. Është raportuar se viktima femër kosovare, ka pësuar dhunë nga ish-burri i  saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    ·         Malishevë 09.12.2025 – 13:00. Është raportuar se viktima femër kosovare, është sulmuar fizikisht nga ish-nusja e djalit të saj. Është intervistuar e dyshuara e cila më pas me vendim të prokurorit është liruar. Rasti vazhdon të trajtohet  në procedurë të rregullt.

    Mitrovicë 09.12.2025 – 15:00. Është raportuar se ankuesja femër kosovare, pas një mosmarrëveshje të çastit, vëllai i saj e ka sulmuar atë fizikisht. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Leposaviq  09.12.2025 – 13:00. Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar nga djali i saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.