ATV

Category: Lajme

  • Festat e fundvitit/ Presidenca ndan 4600 euro për dekorim

    Festat e fundvitit/ Presidenca ndan 4600 euro për dekorim

    Presidenca e Republikës së Kosovës ka ndarë 4600 euro e 1 cent, për dekorim për fundvit.

    Kontrata e kategorizuar si “Shërbime” iu dha kompanisë “Selmans Network”.

    Në ftesën tenderuese, çmimi i parashikuar i kontratës ishte 5 mijë euro.

    Por, vlera më e lartë e tenderëve të pranuar ishte 4600 euro.

    Kontrata u nënshkrua dje, teksa pritet të hyjë në fuqi së shpejti.

    Ajo nuk mund të nënkontraktohet teksa kohëzgjatja e saj është 3 muaj.

  • Osmani pret në takim Begajn: Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës

    Osmani pret në takim Begajn: Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

    Osmani ka thënë se me me Begajn biseduam për “bashkëpunimin tonë të pandalshëm” dhe nevojën që Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës.

    “Në prag të festave të fundvitit, i përcolla urimet më të përzemërta, me dëshirën që viti që vjen të sjellë edhe më shumë afërsi, më shumë bashkëpunim dhe hapa të suksesshëm drejt Bashkimit Evropian për dy shtetet tona”, ka shkruar Osmani.

  • Murati komenton premtimin e Bedri Hamzës për rritjen e pagave

    Murati komenton premtimin e Bedri Hamzës për rritjen e pagave

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i ka reaguar kryetarit të PDK-së Bedri Hamza i cili ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve me ardhjen e tij në Qeveri.

    Murati kujton se PDK-ja ishte ndër partitë që nuk e votoi Ligjin e Buxhetit për 2026-tën, e për çka thotë të ketë shpresuar se me ardhjen e Hamzës në krye të partisë do të reflektonin.

    Megjithëkëtë, Murati thotë se pavarësisht ndryshimit të emrit të kryetarit, PDK-ja nuk ndryshoi në sjellje.

    “Bedri Hamza paska premtu që ndër vendimet e para të tij ka me qenë rritja e pagave dhe pensioneve. Mirëpo siç e dini të gjithë, as PDK-ja nuk e votoi Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, duke e rrezikuar kështu kolapsimin financiar të shtetit. E për me i rritë pagat dhe pensionet, duhet me pasë buxhet të miratuar. Së paku tek buxheti kam pritur që PDK-ja me Bedri Hamzën në krye do të reflektonte e ta votonte, duke e dituar se ai vetë ka qenë ministër i financave dhe e din peshën e një ligji siç është buxheti. Por ja që pavarësisht ndryshimit të emrit të kryetarit, PDK-ja nuk ndryshoi gjë në sjellje, dhe për interesa partiake është në gjendje ta sjellë shtetin buzë kolapsit financiar”, ka shkruar Murati.

    LEXONI EDHE:

    Hamza: Një prej vendimeve të para do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve të të gjitha kategorive

  • FSK-ja përfundon kursin “Medik Luftarak”

    FSK-ja përfundon kursin “Medik Luftarak”

    Në Qendrën e Trajnimeve të Regjimentit të Mjekësisë të Komandës së Logjistikës, Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses kursin “Medik Luftarak/Cobat Medik” për pjesëtarët e Regjimentit të parë të Komandës së Forcave Tokësore.

    Ky trajnim, i zhvilluar sipas standardeve të NATO-s, ka për qëllim pajisjen e personelit ushtarak me njohuri dhe shkathtësi bazike dhe të avancuara mjekësore për të ofruar kujdes urgjent dhe efektiv në fushëbetejë.

    Në ceremoninë e certifikimit ishin të pranishëm zëvendëskomandanti i Logjistikës, kolonel Mehmet Lladrovci, komandanti i Regjimentit të Mjekësisë, kolonel Xhevdet Tahiraj, si dhe komandanti i Regjimentit të parë të KFT-së, nënkolonel Arben Abdyli.

    Kolonel Lladrovci theksoi se trajnime të tilla synojnë ngritjen e kapaciteteve operacionale, avancimin drejt anëtarësimit në NATO dhe forcimin e gatishmërisë për mbështetjen e operacioneve të paqes kudo që kërkohet.

    Trajnimi i “Medik Luftarak” synon të rrisë shanset e mbijetesës së të plagosurve përmes menaxhimit të traumave, kontrollit të gjakderdhjes, ruajtjes së rrugëve të frymëmarrjes, stabilizimit të gjendjes së pacientit dhe përgatitjes për evakuim mjekësor, duke siguruar ndërhyrje të koordinuar dhe të standardizuar sipas protokolleve taktike të kujdesit para-spitalor.

  • Zhduket liderja opozitare venezuelase, s’e merr personalisht Çmimin Nobel për Paqe

    Zhduket liderja opozitare venezuelase, s’e merr personalisht Çmimin Nobel për Paqe

    Liderja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, fitoi famë globale në tetor kur u shpall fituese e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2025.

    Megjithatë, befasues është lajmi se ajo nuk do të mund ta marrë personalisht çmimin në Oslo, njoftoi Instituti i Nobelit. The Guardian shkruan se vendndodhja e Machados nuk dihet dhe mbetet e panjohur për publikun për shkak të masave të sigurisë.

    Kryeopozitarja duhej ta pranonte çmimin në zyrat e Komitetit të Nobelit në Oslo, në prani të Mbretit Harald, Mbretëreshës Sonja dhe liderëve latinoamerikanë, përfshirë presidentin argjentinas Javier Milei dhe presidentin ekuadorian Daniel Noboa.

    “Për fat të keq, ajo nuk ndodhet në Norvegji dhe nuk do të qëndrojë në skenë në kohën kur fillon ceremonia”, thuhet në njoftim.

    Kur laureati nuk mund të marrë pjesë, zakonisht një anëtar i afërt i familjes merr çmimin dhe mbajë ligjëratën Nobel në vend të tij. Në këtë rast, çmimin do ta marrë vajza e saj.

    Kur fitoi çmimin në tetor, Machado ia dedikoi pjesërisht atë presidentit amerikan, Donald Trump.

  • Trafik droge Mali i Zi-Turqi- BE, detaje nga grupi kriminal “Rraja”

    Trafik droge Mali i Zi-Turqi- BE, detaje nga grupi kriminal “Rraja”

    Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me goditjen e grupit kriminal “Rraja” në fushën e trafikut të drogës.

    Raportohet se trafiku bëhej nga Shqipëria, në Mal të Zi, Turqi dhe vendet e Bashkimit Evropian.

    Ndërkohë përveç 7 personave të arrestuar, ku mes tyre është edhe Rexhep Rraja, djali i ish deputetit të PS, Rrahman Rraja, janë shpallur në kërkim edhe 4 persona të tjerë. Konkretisht, Ervis Shuli, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku.

    Të arrestuar gjatë aksionit të sotëm:

    1-Marvin Bushati

    2-Agim Nina alias Lorenc Selmani

    3-Sokol Qaja

    4-Gazmir Rraja

    5-Perparim Rraja

    6-Rexhep Rraja

    7-Zamir Aliaj

    Të arrestuar më herët:

    1-Islam Sefa

    2-Jani Çavo

    3-Aldo Gjini

    Në kërkim:

    1-Ervis Shuli

    Në kërkim për vepra tjera trafik droge me Gjermaninë për disa episode:

    1-Bujar Sefa

    2-Hajdar Sefa

    3-Vildan Baroku

    Kush është Rexhep Rraja

    Rexhep Rraja është i riu që u filmua teksa godiste me shkop bejsbolli dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Majën.

    Në dhunimin barbar të dy kushërinjve, ngjarje e ndodhur në vitin 2023, u përfshinë edhe anëtarë të fisit Rraja, si dy vëllezërit e deputetit socialist, Xhelal e Flamur Rraja, ku ky i fundit i drejtonte armën një prej të dhunuarve që ndodhej pa ndjenja në dyshemenë e lokalit ku ndodhi ngjarja e rëndë.

    Megjithatë emri i Rexhep Rrajës dhe xhaxhait të tij, Xhelalit, është përfshirë edhe një ngjarje tjetër të dhunshme.

    I riu është akuzuar se ushtonte dhunë ndaj të dashurës së tij në atë kohë, Xhisiela Malokut dhe rasti u bë publik nga oficeri Emiljano Nuhu, i cili dëshmoi ngjarjen dhe ngriti akuza ndaj policisë për neglizhencë.

    Por kur ngjarja u bë publike, Emiljano Nuho pretendoi se Xhelal Rraja e kishte kërcënuar me armë që të mbyllte dosjen.

    Në hetimin e këtij rasti Prokuroria mori dhe raportin e mjekut ligjor ku rezultonte se Xhisiela Maloku kishte dëmtimin në trup.

    Më pas ajo e fundit tërhoqi denoncimet duke theksuar se e kishte bërë gjithçka nga xhelozia ndaj ish partnerit të saj.

    Rexhep Rraja u arrestua më 30 shtator 2018, për t’u liruar tre muaj më pas pasi fitoi lirinë me kusht.

  • Avionë luftarakë amerikanë i afrohen hapësirës ajrore të Venezuelës

    Avionë luftarakë amerikanë i afrohen hapësirës ajrore të Venezuelës

    Faqet publike të ndjekjes së fluturimeve treguan se dy avionë luftarakë amerikanë F/A-18 iu afruan hapësirës ajrore të Venezuelës rreth mesditës të martën, duke kryer një fluturim të zgjatur mbi Gjirin e Venezuelës teksa Washingtoni po shton presionin ndaj presidentit Nicolas Maduro.

    Të dhënat nga faqe si “Flightradar24” treguan se avionët kaluan ngushticën e gjirit dhe kryen më shumë se gjysmë ore manovra mbi Gjirin e Venezuelës, duke tërhequr vëmendje të madhe publike, pasi mijëra njerëz ndoqën në kohë reale pozicionin e tyre online.

    Një zyrtar i mbrojtjes i SHBA-së e konfirmoi misionin, duke thënë se Departamenti i Mbrojtjes “kryen operacione rutinë dhe të ligjshme në hapësirën ajrore ndërkombëtare, përfshirë edhe mbi Gjirin e Venezuelës”.

    “Ne do të vazhdojmë të fluturojmë në mënyrë të sigurt, profesionale dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të mbrojtur atdheun, për të monitoruar aktivitetet e paligjshme dhe për të mbështetur stabilitetin në gjithë Amerikën”, tha një zyrtar, duke folur nën kushte anonimiteti.

    Ky hap erdhi në mes të një përshkallëzimi të theksuar të tensioneve ushtarake dhe operacioneve amerikane që synojnë Venezuelën. Tensionet u rritën të shtunën e kaluar, pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se hapësira ajrore mbi dhe rreth Venezuelës do të konsiderohet e mbyllur në tërësi.

    SHBA-ja ka kryer të paktën 22 sulme si në Detin e Karaibeve, ashtu edhe në Oqeanin Paqësor Lindor ndaj anijeve të dyshuara për transport narkotikësh që nga shtatori, duke vrarë të paktën 87 persona. Javën e kaluar, Trump përsëriti paralajmërimin e tij se së shpejti do të fillojnë goditjet ndaj rrjeteve venezuelase të trafikut të drogës nga toka.

    Ndërsa administrata e Trumpit pretendon se po e shënjestron Venezuelën në kuadër të përpjekjeve për të luftuar trafikun e drogës në rajon, qeveria e Maduros kundërpërgjigjet duke thënë se Washingtoni po kërkon “të përvetësojë rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës përmes përdorimit vdekjeprurës të forcës ushtarake”, duke theksuar se përpjekjet kundër drogës janë vetëm justifikime për një tentativë të paligjshme për ta larguar Maduron nga pushteti.

  • Seanca në Apel: Shiti armën me të cilën u vra Liridon Ademaj, Tom Dodaj kërkon ulje të dënimit

    Seanca në Apel: Shiti armën me të cilën u vra Liridon Ademaj, Tom Dodaj kërkon ulje të dënimit

    Sot në Gjykatën e Apelit, është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit Tom Dodaj, i cili akuzohet për shitjen e armës me të cilën u vra Liridon Ademaj, e për të cilin u dënua me pesë vjet burgim.

    Dodaj ngarkohet me vepren penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

    Ai e kishte pranuar fajësinë mbi këtë vepër, mirëpo nuk po pajtohet me lartësinë e dënimit.

    Lidhur me këtë ka folur avokati Agron Kuçi.

    “Ne kemi kërkuar ulje të lartësisë së dënimit. Dënimi prej pesë vitesh është goxha i lartë, marrë parasysh se klienti im, e ka pranuar fajësinë, dhe ka bashkëpunuar edhe me polici e prokurori”, deklaroi ai për Klankosova.tv.

    “Mendoj se ai edhe është viktimë në këtë rast dhe se nuk e ka ditur se për çfarë po bëhet fjalë”, deklaroi ai.

    “E kemi bo ankimimin dhe tani po presim. Besoj që kjo punë do të shkojë diku nja 2 a 3 muaj do të marrë kohë”, theksoi avokati për Klankosova.tv

    Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.

    Tom Dodaj është dënuar me 5 vjet burgim, nga shkalla e parë në janar të këtij viti.

    Por, ankesa u kundërshtua sot nga Leutrim Syla, avokat i palës mbrojtëse i cili ka kërkuar që dënimi të mbetet në fuqi.

  • Krasniqi: Përfshirja e Ukë Rugovës në listën e LDK-së e ka ‘pezmatuar’ Gërvallën – Rugovizmi është vizion politik i guximshëm

    Krasniqi: Përfshirja e Ukë Rugovës në listën e LDK-së e ka ‘pezmatuar’ Gërvallën – Rugovizmi është vizion politik i guximshëm

    Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thotë se përfshrija e djalit të Ibrahim Rugovës, në listën e deputetëve, e ka ‘pezmatuar’ kryepiplomaten Gërvalla, siç e quan ajo të dështuar.

    Krasniqi thotë se Rugovizimi është vizion politik i guximshëm, ku sipas saj Gërvalla nuk ka guxim sepse fshihet pas LVV-së dhe nuk guxon të garoj e vetme.

    Postimi i plotë:

    Lista e LDK-së për deputet e pasuruar me djalin e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës, Ukë Rugova e paska “pezmatuar” kryediplomaten e dështuar që po vajton dëshpërimisht para zgjedhjeve, duke e ditur saktë fuqinë që ka kjo listë e këta emra.
    Rugovizmi është vizion politik i guximshëm ndërsa znj. Gëvalla-Schwarz nuk ka guxim sepse fshihet pas LVV-së e nuk guxon të garoj e vetme.

  • Hajdari tha se s’ka pranuar thirrje, Gjykata: Ia kemi dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës

    Hajdari tha se s’ka pranuar thirrje, Gjykata: Ia kemi dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës

    Ka dështuar nisja e gjykimit në rastin e rezervave shtetërore pasi e akuzuara Rozeta Hajdari nuk ka shkuar atje. Përmes një postimi në Facebook, ministrja në detyrë ka thënë se nuk ka pranuar thirrje për seancë nga Gjykata.

    “Për seancën e sotme gjyqësore, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se, unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës! Në momentin që e pranojë thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore!’’, ka shkruar ajo.

    Mirëpo nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë thënë për Express se e kanë dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës.

    “Po Gjykata e ka dërgu ftesën me 19 nëntor përmes postës. Por, gjykata nuk e ka pranuar fletëkthimin nga posta se e pandehura Rozeta Hajdari e ka pranuar ftesën”, tha Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatë.