ATV

Category: Lajme

  • Familja e Liridonës i hapi derën Tom Dodajt, ai nuk shkoi as për ngushëllime!

    Familja e Liridonës i hapi derën Tom Dodajt, ai nuk shkoi as për ngushëllime!

    Në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit, u shqyrtua rasti i Tom Dodajt, i akuzuar për shitjen e armës me të cilën u vra Liridona Ademaj, ngjarje për të cilën ai është dënuar më parë me pesë vjet burgim.

    Dodaj është ngarkuar me veprën penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

    Avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla, në një intervistë për IndeksOnlinen thotë se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë ishte i drejtë dhe ka marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit.

    Ai theksoi se, përkundër faktit që familja Ademaj tërhoqi kërkesën për kompensim material, dënimi i Dodajt është brenda kufijve të dënueshmërisë, të cilat variojnë nga 1 deri në 8 vjet.

    “Pesha e veprës penale dhe pasojat e saj kanë çuar në këtë dënim”, tha Syla. “Shitja e armës, në këtë rast, ka pasur pasoja të rënda dhe është e natyrshme që të shqiptohet një dënim i tillë, pasi nuk mund të krahasohet me shitje të thjeshta armësh”, tha Syla për IndeksOnline.

    Tutje, avokati Syla komentoi mungesën e vizitës së familjes nga ana e të akuzuarit.

    Ai shpjegoi se, pas seancës së shkallës së parë, familja Ademaj i kishte dhënë Dodajt mundësinë të kërkonte falje dhe të ndante dhimbjen me ata, por ai nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim.

    “Ne e kemi hapur derën për ngushëllime dhe e kemi ftuar të vijë për të kërkuar falje, por ai nuk ka ardhur”, theksoi avokati Syla.

    “Mungesa e kërkimit të faljes dhe të pendesës për veprën që ka shkaktuar ka bërë që lidhja me familjen të mbetet shumë e dobët dhe kjo nuk mund të merret si rrethanë lehtësuese për të.”, deklaroi ai.

    Në fund, avokati i familjes Ademaj shprehu besimin se Gjykata e Apelit do ta vërtetojë vendimin e shkallës së parë.

    Ai tha se, përkundër sjelljes së pafavorshme të të akuzuarit pas dënimit, familja Ademaj beson se vendimi është i drejtë dhe është marrë në përputhje me pasojat që ka shkaktuar vepra penale.

    “Ne e presim që vendimi të konfirmohet, pasi është një dënim i drejtë dhe i bazuar në rrethanat e rastit”, përfundoi Syla.

    Vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vazhdim.

  • Polonia synon të këmbejë avionët sovjetikë me dronët ukrainas

    Polonia synon të këmbejë avionët sovjetikë me dronët ukrainas

    Polonia planifikon t’ia japë pjesën e mbetur të aeroplanëve luftarakë MiG-29, të epokës sovjetike, Ukrainës në këmbim të teknologjisë për dronët, tha Ministria e Mbrojtjes më 10 dhjetor.

    Polonia ka zëvendësuar aeroplanët e saj të vjetër sovjetikë me avionë F-16 të prodhimit amerikan dhe FA-50, të prodhimit të Koresë së Jugut, dhe pret dorëzimin e 32 aeroplanëve F-35 që ka porositur në SHBA.

    “MiG-ët po arrijnë fundin e shërbimit të tyre, që do të thotë se do të tërhiqen nga ushtria polake dhe ne po diskutojmë për transferimin e tyre në palën ukrainase”, tha ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, për radion publike polake, Trojka.

    Sipas Kosiniak-Kamysz, ky këmbim mund të përfshijë po ashtu “transferimin e teknologjive, për shembull në fushën e dronëve dhe raketave nga Ukraina në Poloni”.

    Polonia, e cila i ka dhënë shumë nga avionët e saj MiG-29 Ukrainës pasi Moska nisi pushtimin e shtetit fqinj, ende ka edhe 14 avionë të tillë, sipas raporteve mediale.

    “Bisedimet po vazhdojnë, dhe jemi të vendosur t’i finalizojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Kosiniak-Kamysz.

    Ai shtoi se Polonia po përfiton tashmë nga ekspertiza ukrainase në trajnimin ushtarak për dronë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    “Ukrainasit janë më të mirët sa i përket dronëve në mesin e të gjitha vendeve me të cilat kemi marrëdhënie të mira”.

    Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është ndër mbështetëset më të fuqishme të Ukrainës, duke shërbyer si qendër për dërgesat ushtarake dhe humanitare drejt Kievit.

  • Nuk shkoi në seancë gjyqësore, avokati Bajraktari për Hajdarin: Nëse përsëritet, gjykata duhet të lëshoj masa

    Nuk shkoi në seancë gjyqësore, avokati Bajraktari për Hajdarin: Nëse përsëritet, gjykata duhet të lëshoj masa

    Avokati, Ardian Bajraktari teksa ka komentuar mospjesëmarrjen e ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në seancën gjyqësore në rastin ku skandalit me “Rezerva shtetërore”, ka thënë se shpërfillja e institucioneve të drejtësisë nuk do të duhet të ndodhte nga askush e për më tepër nga institucionet.

    Megjithatë, Bajraktari në një intervistë dhënë për Ekonomia Online tha se duhet të  analizohen arsyet e mungesës mirëpo nëse rastin përsëritet atëherë Gjykata duhet të shqyrtojë masa ndëshkuese.

    “Natyrisht duhet parë dhe analizuar rrethanat e rastit konkret, cila ka qenë arsyeja nëse ka pasur pse nuk është paraqitur në të kundërtën natyrisht çdo palë në procedura veçmas kur bëhet fjalë për të pandehurën e ka detyrim me u paraqit në seancë. Mbetet të shihet nëse ka pasur rrethana të arsyeshme që ta njoftoj gjykatën në mënyrë që procesi të zhvillohet. Siç është njoftuar opinioni sot ka pasur të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, natyrisht si rregull sipas dispozitave sipas kodit të procedurës penale në rastin konkret të pandehurit do të mund të deklaroheshin në lidhje me fajësinë ose pafajësinë e tyre, mirëpo vlerësoj që duhet me pasë rrethana që e kanë pamundësu, natyrisht në të kundërtën gjykata duhet me shiku mundësinë nëse kjo bëhet e përsëritur që të lëshoj masa të tjera përmes të cilave natyrisht e bëjnë të domosdoshme prezencën e tyre në procedurë”, tha ai.

    Avokati e ka nënvizuar se çdo qytetarë e ka detyrim t’iu përgjigjet ftesave që dërgohen nga organet e zbatimit të ligjit.

    “Natyrisht ka qenë një qasje që nuk do të duhej me qenë sipas bindjes time. Shpërfillja e institucioneve të drejtësisë nuk do të duhej me ardh në shprehje nga askush e aq më tepër nga institucionet e veçmas siç është rasti krerët e institucioneve e rasti konkret çështja e kryeministrit. Vlen të theksohet që sipas dispozitave të ligjit në fuqi çdo qytetarë e ka detyrim me ju përgjigj ftesave të organeve të zbatimi të ligjit, çoftë të prokurorisë apo të gjykatës sipas rastit konkret”, tha Bajraktari.

    Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e “Rezervave shtetërore” ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka dështuar të mbahet të martën për shkak të mungesës së saj.

    Mirëpo Hajdari nëpërmjet një shkrimi në “facebook” ka thënë se për seancën e sotme gjyqësore nuk ka pranuar ndonjë thirrje nga Gjykata, e nëse do ta merr një të tillë ajo thotë se do të paraqitet në seancë.

    “Të nderuar qytetarë, për seancën e sotme gjyqësore, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se, unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës! Në momentin që e pranojë thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore!”, ka shkruar Hajdari.

    Përveç Hajdarit, në këtë rast të akuzuar janë edhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

    Tashmë ekziston edhe aktakuza të cilën e ka ngritur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj ministres në detyrë Rozeta Hajdari, ish-zëvendëssekretarit Irfan Lipovica, drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore në këtë Ministri, Hafiz Gara dhe afaristit Ridvan Muharremi, e ku vlerësohet se  dëmi që iu shkaktua buxhetit të Kosovës në rastin e “Rezervave shtetërore” është afër 3 milionë euro.

    Aktakuzën e ngritur nga prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës së ngritur, buxheti është dëmtuar në lartësi prej 2,912,134.78 euro.

  • “Shvercerat” mbështesin protestën e 13 dhjetorit në Shkup: Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe për liri

    “Shvercerat” mbështesin protestën e 13 dhjetorit në Shkup: Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe për liri

    Tifo-grupi i KF Shkupit “Shvercerat” kanë njoftuar se do ta mbështesin protestën e 13 dhjetorit (e shtunë) në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në një njoftim nga ky tifo-grup thonë se “kjo nuk është betejë individuale e as politike, por betejë kombëtare”.

    “Shvercerat Shkup do ta mbështesin protestën e së shtunës ndaj Gjykatës Speciale me 13 dhjetor në sheshin Skenderbeu në Shkup. Jo vetëm se shumë anëtarë të shvercerave kanë qenë pjesë e lavdishme e UÇK-së, por se lufta e kësaj të fundit ka qenë sublime dhe një nga më të mëdhatë në qindvjeçarin e fundit. Kjo nuk është një betejë individuale e as politike, por një betejë kombëtare që na tangon të gjithë neve dhe jo vetëm ata që padrejtësisht sot mbahen në burg”.

    “Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri, luftë që ka pasur në fokus mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe qytetarëve të pafajshëm të cilët masakroheshin nga ushtria serbe. Ftojmë secilin anëtar të Shvercerave që të jetë pjesë e kësaj proteste, në atë mënyrë që të përçojmë mesazh të qartë se qëndrojmë përkrah njerëzve që zgjodhën lirinë e vendit si të vetmen alternativë”, thonë nga tifo-grupi “Shvercerat”.

  • KQZ i jep tender për zgjedhjet e 28 dhjetorit kompanisë që shtypi fletëvotimet me gabime në balotazh

    KQZ i jep tender për zgjedhjet e 28 dhjetorit kompanisë që shtypi fletëvotimet me gabime në balotazh

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërblyer sërish kompaninë sllovene, “Cetis d.d” dhe “Cetkos” l.l.C. e cila kishte fituar edhe tenderin në zgjedhjet e fundit, për shtypjen e fletëvotimeve dhe broshurave të kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2025.

    Kompania sllovene operon në formë konsorciumi me kompaninë vendore Cetis, ndërsa vlera totale e kontratës arrin në 275 mijë euro.

    Sipas njoftimit fitues të projektit janë grupi ekonomik “Cetis d.d” dhe “Cetkos” l.l.C.

  • Kina ekzekuton ish menaxherin e lartë që u dënua për marrje ryshfeti

    Kina ekzekuton ish menaxherin e lartë që u dënua për marrje ryshfeti

    Bai Tianhui, ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë së menaxhimit të aseteve financiare China Huarong International Holdings Ltd., u ekzekutua në Kinë pasi u dënua për pranim ryshfeti me vlerë 156 milionë dollarë.

    Ekzekutimi u krye në komunën Tianjin të Kinës veriore pas miratimit nga Gjykata Supreme e Popullit, sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve Xinhua.

    Vendimi i dhënë në maj 2024 e dënoi Bain me vdekje, urdhëroi konfiskimin e pasurive të tij personale dhe urdhëroi që të gjitha fitimet e tij të fituara në mënyrë të paligjshme të ktheheshin në thesarin e shtetit.

    Bai apeloi vendimin, por Gjykata e Lartë Popullore e Tianjinit e hodhi poshtë apelin e tij në shkurt të këtij viti.

    Pas një shqyrtimi, Gjykata e Lartë Popullore zbuloi se Bai abuzoi me pozicionin e tij midis viteve 2014 dhe 2018 për të marrë në mënyrë të paligjshme ryshfete me një total prej 1.108 miliardë juanësh (pothuajse 157 milionë dollarë).

    Gjykata Supreme Popullore vendosi që krimet e Bait ishin veçanërisht të rënda dhe miratoi vendimin e Gjykatës së Lartë Popullore të Tianjin-it që konfirmonte dënimin me vdekje.

    Bait iu lejua të takonte të afërmit e tij para ekzekutimit.

  • ​Auditori identifikon mangësi në procesin e ndërtimit të një objekti në SHSKUK

    ​Auditori identifikon mangësi në procesin e ndërtimit të një objekti në SHSKUK

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të pajtueshmërisë “Ndërtimi i objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për periudhën 2018 – qershor 2025.

    Sipas njoftimit, auditimi ka vlerësuar pajtueshmërinë e procesit të ndërtimit të objektit me rregullat dhe kërkesat ligjore që nga procesi i buxhetimit dhe planifikimit, procedurat e tenderimit deri te menaxhimi i fondeve dhe implementimi i kontratës.

    “Procesi i auditimit ka identifikuar mangësi në procesin e buxhetimit, tenderimit dhe menaxhimit të fondeve. Auditimi vë në pah mospërputhje në planifikimin buxhetor për ndërtimin e objektit për klinikat Hemato-Onkologji dhe Nefrologji, qasje të dyfishtë në hartimin e specifikave teknike, mospërputhje në mes të dokumentacionit teknik të projektit dhe paramasës, si dhe mangësi në procesin e vlerësimit të ofertës gjatë procesit të tenderimit dhe në procesin e menaxhimit të shpenzimeve”, thuhet në njoftim.

    Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se mangësitë e evidentuara nga auditimi reflektojnë nevojën për qasje më sistematike dhe respektim të plotë të kornizës ligjore në zbatimin e projekteve. Kjo do të mundësojë rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit në menaxhimin e fondeve publike.

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë pesë rekomandime për të përmirësuar dhe siguruar mbarëvajtjen e proceseve nga faza e planifikimit e deri te zbatimi i tyre

    Raportin e plotë të auditimit të pajtueshmerisë “Ndërtimi i Objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës e gjeni këtu.

  • Tragjedi në Marok – Shemben 2 ndërtesa, të paktën 19 viktima

    Tragjedi në Marok – Shemben 2 ndërtesa, të paktën 19 viktima

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur Marokun, ku dy ndërtesa janë shembur duke shkaktuar humbjen e jetëve të të paktën 19 personave. Autoritetet konfirmojnë se 16 të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënoja.

    Ndërtesat, ku jetonin gjithsej tetë familje, u rrëzuan papritur, duke zënë banorët brenda. Menjëherë pas shembjes, ekipet e emergjencës u mobilizuan në terren për të shpëtuar të mbijetuar që mund të jenë ende të bllokuar.

    Zyrtarët lokalë shprehin shqetësimin se bilanci i viktimave mund të rritet, pasi operacioni i kërkim-shpëtimit është ende në vazhdim dhe situata mbetet kritike.

    Autoritetet po hetojnë shkaqet e shembjes, ndërsa komuniteti lokal është tronditur nga tragjedia që ka goditur familjet e prekura.

  • Gjykata lëshon urdhërarrest për dy mërgimtarët që kërcënuan Xhemajl Rexhën

    Gjykata lëshon urdhërarrest për dy mërgimtarët që kërcënuan Xhemajl Rexhën

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest për dy mërgimtarët që kërcënuankryetarin e AGK-së, Xhemajl Rexhën.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 tetor 2025, në pikën e parë akuzohet Fitim Selmani. Aty thuhet se më 4 korrik 2025, i dëmtuari Xhemajl Rexha, ka lajmëruar në Polici se pas deklarimeve të tij publike lidhur me lirinë e mediave në Kosovë, në periudhën kohore maj-qershor 2025, në një publikim në “Gazeta Alfa” në rrjetin social Facebook, kishte pranuar komente kërcënuese me thirrje për vrasje.

    “Qeta njerëz me pas kush mi vra ish ish qliru Kosova, ky eshte kurd qe ka msu shqipen kqyrja likuren zez si derrit magjup i kurdistanit”, kështu sipas aktakuzës ishte shprehur i pandehuri Fitim Selmani nga profili i tij, në komente në rrjetin social në Facebook, duke i shkaktuar frikë dhe ankth të dëmtuarit Rexha.

    Me këtë, Selmani akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.

  • Trump do t’i detyrojë të gjithë turistët e huaj të japin pesë vjet histori të rrjeteve sociale para se të hyjnë në SHBA

    Trump do t’i detyrojë të gjithë turistët e huaj të japin pesë vjet histori të rrjeteve sociale para se të hyjnë në SHBA

    Administrata Trump do t’u kërkojë turistëve të huaj të dorëzojnë pesë vitet e fundit të historisë së tyre në mediat sociale për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

    Ky veprim drastik ishte përpjekja e fundit e presidentit Donald Trump për të shqyrtuar ata që hyjnë në vend, pasi javën e kaluar u njoftua një ngrirje e imigracionit nga 19 vende.

    Njoftimi “i detyrueshëm” u botua nga Doganat dhe Mbrojtja Kufitare të martën në Regjistrin Federal, transmeton Telegrafi.

    Të dhënat e mediave sociale do të kërkohen për çdo person që hyn në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania që nuk kërkojnë viza për udhëtim.

    Kjo vjen pas një njoftimi të qershorit nga Departamenti i Shtetit, që urdhëroi udhëtarët të bënin publike profilet e tyre në mediat sociale.

    Njerëzve që hyjnë në SHBA do t’u kërkohet gjithashtu të japin adresat e email-it, numrat e telefonit dhe informacionin mbi anëtarët e familjes së tyre për të arritur një kalim të sigurt.

    Njoftimi tha se publiku amerikan do të ketë 60 ditë për të dhënë komente.

    Me Kupën e Botës dhe Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara në 2026 dhe 2028, përkatësisht, do të ketë qindra mijëra udhëtarë të huaj që do të hyjnë në vend.