ATV

Category: Lajme

  • Ndërron jetë kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës

    Ndërron jetë kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës

    Ka humbur jetën Bastri Dubova, kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës. Ai ishte pjesë e listës zgjedhore të Partisë Liberale Egjiptiane.

    Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie, Veton Berisha përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

    Postimi i plotë:

    Telegram Ngushëllimi!

    Në emër të Partisë Liberale Egjiptiane, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për ndarjen nga jeta të z.Bastri Dubova , aktivist kombëtarë, anëtar i Lëvizjes Egjiptiane, anëtar i Partisë Liberale Egjiptiane, si dhe pjesë e listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit!

    Bastri Dubova është shpallur Qytetar nderi në Komunën e Obiliqit nga kryetari i kësaj komune z. Xhafer Gashi, falë punës dhe angazhimit të tij rreth në të mirë të qytetarëve të Obiliqit!

    Mikun tonë do ta kujtojmë përgjithmonë si një aktivist i palodhur, burrë fisnik e bujar!

    Humbja e tij është e madhe për familjen, miqtë dhe për gjithë komunitetin tonë Egjiptian.

    Kontributi dhe angazhimi i tij do të mbetën gjithmonë të çmuara dhe të paharruara.

    Njoftojmë se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot më datë 16.12.2025 në fshatin Medvec Komuna e Lipjanit duke filluar nga ora 12:00h!

    Partia Liberale Egjiptiane, sot do i ANULOJ të gjitha aktivitetet zgjedhore në kujtim të punës dhe veprës së të ndjerit z. Dubova!

    P.S. Fotografia më poshtë është fotografia e fundit e z.Dubkva, e cila është realizuar më 14.12.2025, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    U prehtë në paqe!

    Me pikëllim të thellë

    Partia Liberale Egjiptiane- PLE

  • Moti sot i vranët dhe me intervale me diell, temperatura deri në – 6

    Moti sot i vranët dhe me intervale me diell, temperatura deri në – 6

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Temperaturat minimale do të jenë deri në – 6.

    “Mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale: – 6 deri -3C. Temperaturat maksimale: 5-8°C. Era: nga juglindja me shpejtësi 1-3m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • Pesë të mitur në mesin e gjashtë të arrestuarve në Obiliq për dëmtim varrezash

    Pesë të mitur në mesin e gjashtë të arrestuarve në Obiliq për dëmtim varrezash

    Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë në Obiliq janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për veprën dëmtim i varrezave apo kufomave.

    Sipas PK-së, rasti ka ndodhur me datën 13.12.2025 në Plemetin të Obiliqit.

    “Puna e hetuesve policor ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e gjashtë personave të dyshuar (prej tyre 5 të mitur) për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit kanë qenë të përfshirë në rast.

    Personat e dyshuar me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • KQZ-ja mblidhet sërish sot, ky është rendi ditës

    KQZ-ja mblidhet sërish sot, ky është rendi ditës

    Komisioni Qendror Zgjedhor do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Mbledhja do të nis në ora 14:00.

    Në kuadër të kësaj mbledhje do të shqyrtohet dhe miratohet rekomandimi lidhur me qendrat e votimit jashtë Kosovës me numër të vogël të votuesve.

    Rendi i plotë i Ditës:

    Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së;

    Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbaleve të mbledhjes Nr. 81, 82, 83, 84, 85/2025

    Aktivitetet e Zyrës:

    2.1. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për akreditimin e organizatave vëzhguese, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025, Grupi I;

    Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit lidhur me qendrat e votimit jashtë Kosovës me numër të vogël të votuesve

    Këshillat e KQZ

    4.1.Këshilli për Operacione Zgjedhore:

    5.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i vendimit lidhur me moskërkimin e dëshmisë për personat e moshës mbi 75 vjeç, të cilët aplikojnë për regjistrim si votues me nevoja të veçanta, për votim përmes Ekipit

    Lëvizës në ditën e zgjedhjeve;

    5.2. Këshilli për Çështje Ligjore;

    5.2.1. Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesave për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal sipas komunave në Han të Elezit;

    5.3. Këshillimi për Personel

    2.31. Shqyrtimi dhe miratimi i plotësimit të planit të rekrutimit të stafit të përkohshëm për organizim të

    Zgjedhjeve të Parakohshme të datës 28 dhjetor 2025;

    Të ndryshme.

  • Shpenzohet rreth 17% më shumë rrymë në një muaj, ASK jep detaje

    Shpenzohet rreth 17% më shumë rrymë në një muaj, ASK jep detaje

    Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin e muajit tetor t për energjinë thekson se ka më pak thëngjill, e më shumë konsum të energjisë elektrike.

    Sipas këtyre të dhënave, prodhimi i thëngjillit ka rënë ndjeshëm krahasuar me muajin tetor të vitit të kaluar, ndërsa konsumi i energjisë elektrike është rritur.

    “ Gjatë muajit tetor të vitit 2025 energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 616.967 GWh kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 458.175 GWh apo 16.96% më i madh krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në komunikatën e ASK.

  • The Telegraph: Serbët që luftojnë për Putinin në Ukrainë po përgatiten për një luftë ballkanike

    The Telegraph: Serbët që luftojnë për Putinin në Ukrainë po përgatiten për një luftë ballkanike

    Një brez i ri nacionalistësh etnikë serb po përgatitet për një luftë në Bosnjë, ka zbuluar “The Telegraph”.

    Sipas mediumit, qindra militantë kanë udhëtuar në Ukrainë për të luftuar përkrah trupave ruse me besimin se “Nëna Rusi” do t’i shpërblejë duke i ndihmuar të rimarrin territoret e humbura serbe, “siç është Kosova”, transmeton Klankosova.tv.

    “The Telegraph” zbulon se nacionalistët, përfshirë veteranët nga Lufta e Bosnjës, po përdorin mediat sociale për të inkurajuar të rinjtë serbë që t’u bashkohen atyre në Rusi. Disa po ofrojnë 23,000 paund që ata të regjistrohen dhe të luftojnë në Ukrainë.

    Ekziston frika se sapo të kthehen në shtëpi në Bosnjë, ata do të nxisin një konflikt paramilitar, 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Bosnjës.

    Dario Ristiq ishte një rast i tillë. Nacionalisti serb, duke u lëkundur ngathët në një këmbë proteze dhe duke mbajtur provë të shtetësisë së tij të sapo fituar, u kthye në Bosnjë. Ai ishte plagosur ndërsa luftonte në Ukrainë me një njësi ruse të njohur si Arinjtë nga Permi.

    Ndërsa ishte në Ukrainë, Ristiq njihej me nofkën ironike të luftës “i shpejtë” dhe për kryerjen e sulmeve me snajper dhe dronë në qytete si Avdiivka.

    Ai i përsosi aftësitë e tij në mediat sociale në faqe të tilla si TikTok dhe rrjeti rus Vkontakte, duke siguruar mbështetje nga të rinjtë serbë të pakënaqur politikisht në vend duke i dhënë shkëlqim luftimeve në vijën e frontit dhe duke përhapur mesazhe nacionaliste.

    Sipas The Telegraph, në një video të Telegram të filmuar në Ukrainë, Ristiq u shfaq së bashku me një luftëtar tjetër serb i cili tha: “Sapo të mbarojmë me këta fashistë të NATO-s këtu, do të kthehemi për të rimarrë vendet tona të shenjta dhe atë që është e jona. Lavdi Zotit, lavdi Nënës Rusi – fitores!”

    Pavarësisht kufizimeve ligjore, Ristiq mbetet me ndikim në internet, me më shumë se 10,000 ndjekës. Analistët paralajmërojnë se edhe një numër i vogël i militantëve të tillë mund të destabilizojë shoqëritë e brishta të pasluftës.

    “Nuk keni nevojë për shumë individë të armatosur për të kërcënuar ekuilibrin e paqes”, tha analisti rajonal Srecko Latal, siç raportohet nga The Telegraph.

    Raporti gjithashtu thekson rolin e luftëtarëve veteranë të lidhur me rrjetet e inteligjencës ruse dhe përdorimin e kompanive të fshehta për të ndihmuar rekrutët të shmangin zbulimin. Gazetari investigativ Nino Bilajaq tha se atij iu ofruan rreth 29,000 dollarë paraprakisht dhe gati 3,200 dollarë në muaj për t’u bashkuar me forcat e Rusisë.

    Më parë, Rusia rriti përpjekjet për të rekrutuar mercenarë në Iran, raportoi Qendra e Ukrainës për Kundërshtimin e Dezinformimit, duke thënë se fletëpalosje që ofrojnë shërbim të paguar në ushtrinë ruse janë shfaqur në disa qytete, duke premtuar 20,000 dollarë paraprakisht dhe rreth 2,000 dollarë në muaj, me aplikantët të drejtuar në një kanal shumëgjuhësh Telegram të lançuar në nëntor 2025.

    Ekzistojnë gjithashtu frikëra se Republika Srpska mund të bëhet një vend stërvitjeje për njësitë paraushtarake të mbështetura nga Rusia, duke paraqitur një kërcënim për sigurinë evropiane.

    Dëshmitë nga gjyqi i sabotatorëve në Moldavi kanë zbuluar se Republika Srpska është përdorur kohët e fundit si një bazë stërvitjeje për luftë hibride kundër Perëndimit.

    Trajnimi ka përfshirë metoda për shndërrimin e protestave paqësore në trazira të dhunshme dhe përdorimin e dronëve për të prishur infrastrukturën civile dhe ushtarake, teknika që tashmë janë parë në të gjithë Evropën.

  • Kamala Harris mund të kandidojë për presidente të SHBA-së, sinjalizon fushatën për vitin 2028

    Kamala Harris mund të kandidojë për presidente të SHBA-së, sinjalizon fushatën për vitin 2028

    Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, ka dërguar sinjale të qarta se po përgatitet për një tjetër garë drejt Shtëpisë së Bardhë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, duke u bërë të qartë rivalëve të mundshëm se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga skena politike.

    Pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga disa drejtues të Partisë Demokratike dhe donatorë, të cilët dyshojnë në aftësinë e saj për të fituar zgjedhjet, Harris vijon të renditet në krye ose pranë kreut në shumicën e sondazheve paraprake demokrate. Ajo gëzon gjithashtu mbështetje të fortë mes votuesve me ngjyrë, një nga blloqet më vendimtare në garat paraprake presidenciale të demokratëve.

    Sipas burimeve për “Axios”, Harris ka nisur të përdorë një retorikë të re politike, e cila po shihet nga shumë demokratë si hapat e parë drejt një fushate presidenciale. Gjatë një fjalimi të mbajtur këtë javë përpara zyrtarëve demokratë, ajo sulmoi ashpër si republikanët ashtu edhe vetë establishmentin politik.

    “Të dyja partitë nuk kanë arritur të fitojnë besimin e publikut. Qeveria shihet si thelbësisht e paaftë për të përmbushur nevojat e popullit të saj. Njerëzit janë lodhur nga status quo-ja dhe janë gati të thyejnë rregullat për të detyruar ndryshimin”, tha Harris.

    Duke iu referuar ish-presidentit Donald Trump, Harris e cilësoi atë si “një simptomë” të një problemi shumë më të thellë në sistemin politik amerikan.

    Lëvizjet dhe mesazhet e fundit të Harris po interpretohen gjerësisht si përpjekje për të pozicionuar veten si figurë qendrore në garën demokrate të vitit 2028.

  • Andrew Gordon Anëtar i ri i KB Vëllaznimit

    Andrew Gordon Anëtar i ri i KB Vëllaznimit

    KB Vëllaznimi ka arritur me marrëveshje me qendrën amerikane Andreë Gordon.

    Gordon rikthehet në elitën e basketbollit kosovar,por kësaj rradhe tek skuadra gjakovare dhe i është bashkuar nga klubi britanik Caledonia Gladiators.

    Përndryshe KB Vëllaznimi ka publikuar transferimin e Gordon në një postim në rrjetin social Facebook,duke i uruar mirëseardhje mirëseardhje tek skuadra gjakovare.

    “Andreë Gordon qendra e re e skuadrës! Qendra e fuqishme amerikane – Andreë Gordon rikthehet në basketbollin kosovar, kësaj radhe si pjesë e Vëllaznimit tonë”

    Kujtojmë që Andreë Gordon ka luajtur më parë në elitën e basketbollit vendor,ku më herët kishte luajtur për skuadrën mitrovicase Trepça.

  • Personi që u dërgua pa shenja jete në QKMF-në e Suharekës është një 8 vjeçare

    Personi që u dërgua pa shenja jete në QKMF-në e Suharekës është një 8 vjeçare

    Një person është dërguar pa shenja jete në QKMF-në e Suharekës mbrëmë rreth orës 22:00.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se personi që u dërgua pa shenja jete në QKMF-në e Suharekës është një vajzë 8 vjeçare nga fshati Greiçec.

    Bytyqi tha se hetimet për rastin po vazhdojnë.

    “Me datën 14.12.2025, rreth orës 21:50 nga QKMF-Suharekë është raportuar se një fëmijë i gjinisë femërore rreth 8 vjeçare , nga fshati Greìçevcë, Suharekë është sjellë në repartin e Urgjencës pa shenja jete. Patrullat policoredhe hetuesit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë informuar nga mjeku kujdestar se fëmija, në momentin e pranimit në Urgjencë, nuk ka pasur shenja jete. Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori për Krime të Rënda dhe është iniciuar rasti “Hetim i vdekjes”. Trupi i pajetë, me urdhër të Prokurorit kompetent, është dërguar për obduksion”, tha zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

  • Vizita e Osmanit tek Peci nxit reagime: Avdullah Hoti flet për shkelje kushtetuese, Presidenca mohon favorizimet

    Vizita e Osmanit tek Peci nxit reagime: Avdullah Hoti flet për shkelje kushtetuese, Presidenca mohon favorizimet

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani paraditen e së hënës ka vizituar në zyre Kryetarin e ri të Mitrovicës, Faton Peci. Kjo vizitë e saj ka shkaktuar reagime. Avdullah Hoti i LDK-së ka thënë se shkuarja e saj në Mitrovicë është shkelje e hapur e rolit kushtetues.

    Sipas tij Presidentja Osmani s’po përfaqëson unitet, por favorizime e përçarje.

    “Kur Presidentja zgjedh kë të urojë sipas afërsisë partiake, Zyra e Presidentit shndërrohet në zyrë politike. Shkuarja në Mitrovicë për ta uruar ish-bashkëthemeluesin e partisë është shkelje e hapur e rolit kushtetues. Kjo Presidente nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje”, ka shkruar Hoti.

    Për vizitën e Osmanit në Mitrovicë ka reaguar edhe analisti Shenoll Muharremi. Për të kjo çfarë ka bërë Osmani është “turp”.

    Muharremi thotë se Osmani diçka të tillë se ka bërë për askënd dhe se kjo po tregon që ka hise në fitoren e Mitrovicës.

    Por, ndaj analistit kanë reaguar nga Presidenca e Republikës së Kosovës. Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina ka thënë se Osmani vizitë të tillë e ka bërë edhe në Dragash, komunë që udhëhiqet nga LDK-ja, në Ferizaj që udhëhiqet nga PDK-ja si dhe në Gjilan që udhëhiqet nga VV-ja.

    Sipas tij, narrativa se Presidentja paska “zgjedhur njërin e ka injoruar të tjerët”, është e pavërtetë dhe tendencioze.

    “Përpjekja për ta paraqitur këtë si shkelje të paanshmërisë kushtetuese është abuzim me terminologjinë kushtetuese. Presidentja e Republikës nuk e humb paanshmërinë duke kryer detyrën e saj përfaqësuese dhe institucionale”, ka shkruar mes tjerash Kupina në Facebook.

    Sa i përket deklaratës së Muharremit se Osmani ka hise në fitoren e Mitrovicës, Kupina ka thënë se këto janë “spekulime, pa asnjë provë, të cilat synojnë denigrimin e Presidentes”.