ATV

Category: Lajme

  • Qarkullimi i e-mailave të rreme, Policia e Kosovës del me apel: Mos bini pre, janë të falsifikuara

    Qarkullimi i e-mailave të rreme, Policia e Kosovës del me apel: Mos bini pre, janë të falsifikuara

    Policia e Kosovës ka reaguar pas qarkullimit dhe shpërndarjes së e-maileve kinse në emër të policisë dhe të emërtuara si thirrje gjyqësore. Policia thotë se nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës por e-maile të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

    “Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në reagimin e policisë.

    Policia e Kosovës gjithashtu ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

  • Qëllohet me armë zjarri një personazh i njohur i TikTok-ut në Durrës

    Qëllohet me armë zjarri një personazh i njohur i TikTok-ut në Durrës

    Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e kaluar në qytetin e Durrësit, ku është plagosur me armë zjarri personazhi i njohur i rrjetit social TikTok, Fabion Kuçi, i njohur ndryshe si GUCCI.

    Incidenti ka ndodhur në lagjen nr. 9, e njohur si Lagjja e Re. Pas ngjarjes, i plagosuri është transportuar menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

    Policia ka bërë me dije se autori i dyshuar është identifikuar dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe arrestimin e tij. Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

    Fabion Kuçi rezulton me precedentë penalë jashtë vendit, ku më herët ka qenë i dënuar në Angli për vepra të ndryshme penale, duke vuajtur edhe dënim me burg. Ai ishte rikthyer në Shqipëri vetëm disa muaj më parë dhe ishte bërë mjaft aktiv në TikTok, ku shpesh përfshihej në debate dhe përplasje virtuale me figura të tjera si Kozak Braçi dhe Xhemal Ujka (Fire).

    Autoritetet po mbledhin dëshmi dhe prova, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes në Lagjen e Re të bashkëpunojnë me policinë për ndriçimin e plotë të saj.

  • Draft-konkluzat e BE-së: Kosovës i kërkohet Asociacioni, reforma, përparim në dialog…

    Draft-konkluzat e BE-së: Kosovës i kërkohet Asociacioni, reforma, përparim në dialog…

    Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian miraton të martën konkluzionet sa i përket procesit të zgjerimit të bllokut evropian, ndërsa në pjesën për Kosovën, vendit i bëhet thirrje që ta përshpejtojë hapin në rrugën drejt reformave.

    Ndër kërkesat tjera është zbatimi i marrëveshjeve të arritura me Serbinë, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, përfshirë nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Kosova është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ndonëse ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022.

    Në raportin me draft-konkluza që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, përmendet se nevoja për reforma vërehet më së shumti në forcim të administratës publike dhe sundim të ligjit, përfshirë konsolidimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e lirive themelore, sidomos lirinë e shprehjes, sektor në të cilin nuk është shënuar përparim.

    Përparim thuhet të ketë pasur në luftën kundër krimit të organizuar.

    Kosova lavdërohet për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit dhe më pas ato lokale më vonë gjatë vitit, marrë parasysh pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në to.

    Lidhur me këtë, në draftin e konkluzave përmendet që marrë parasysh transferimin e rregullt të pushtetit në katër komunat me shumicë serbë në veri të vendit, Këshilli përsërit dhe pret heqjen e të gjitha masave ndëshkuese që kanë mbetur.

    Bashkimi Evropian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

    Blloku evropian ka nisur heqjen graduale të tyre, por zyrtarët në Kosovë insistojnë se vazhdimi i tyre është vendim i padrejtë, meqë të gjitha kërkesat për heqjen e tyre tashmë janë plotësuar.

    Në mesin e tyre situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.

    REL ka marrë vesh nga burimet e tij se për çështjen e moslargimit të të gjitha masave kundër Kosovës është diskutuar në Bruksel javën e kaluar dhe që Franca e Italia janë mbështetëse të idesë që të largohen vetëm 50 për qind e tyre.

    Por, duket se përparim në këtë drejtim nuk do të ketë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.

    Në raport, BE-ja përmend se procesi i zgjerimit ka rëndësi gjeostrategjike dhe është proces që kontribuon në paqen evropiane, sigurinë dhe stabilitetin e shekullit 21.

    Këshilli u bën thirrje të gjithë partnerëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe këtë momentum për t’i marrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta përshpejtuar përparimin në rrugën drejt BE-së.

    Përveç përgatitjeve të nevojshme nga ana e vendeve kandidate, në raport përmendet edhe nevoja e përgatitjeve të vetë bllokut për të akomoduar anëtarë të rinj.

    Sa u përket vendeve të Ballkanit, përmendet rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal.

    “Këshilli inkurajon fuqishëm partnerët që t’i zgjidhin të gjitha mospajtimet bilaterale dhe çështjet që datojnë prej së kaluarës, në linjë me ligjin ndërkombëtar”, përmendet mes tjerash në raport.

    Pritjet për dialogun Kosovë – Serbi

    Në raportin me draft-konkluza, Këshilli përmend mbështetjen e plotë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Aty përmendet që të dyja palët mund të humbin mundësi të mëdha në mungesë të përparimit në normalizim.

    Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel prej vitit 2011, i kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

    “Përparimi në rrugët e tyre respektive evropiane varet nga përpjekjet për t’i zbatuar plotësisht të gjitha zotimet që dalin nga Marrëveshja për normalizim e vitit 2023 dhe të gjitha marrëveshjet tjera, pa vonesa dhe parakushte”.

    Mes tjerash përmendet edhe nevoja që Kosova të zbatojë marrëveshjen për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe të veprojë në përputhje me zotimet për “një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë” në përputhje me Nenin 7, siç e parasheh Marrëveshja për normalizim dhe aneksi i saj.

    Pritje ka që edhe çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia, përfshirë ato të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe edukimit, të zgjidhen në përputhje me zotimet e dialogut dhe të punohet në riintegrim të serbëve të Kosovës, nisur prej pjesëmarrjes së tyre në të gjitha nivelet institucionale.

    Në njërën pikë të draft-konkluzave, në pjesën për Kosovën, vendi duartrokitet që është në linjë me politikën e Jashtme të BE-së, duke dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

  • Turqia rrëzon një dron që iu afrua nga Deti i Zi

    Turqia rrëzon një dron që iu afrua nga Deti i Zi

    Turqia rrëzoi një dron që iu afrua hapësirës së saj ajrore nga Deti i Zi, tha ministria e mbrojtjes.

    Incidenti vjen pas paralajmërimit të Turqisë javën e kaluar për përshkallëzim në Detin e Zi, pas sulmeve ruse ndaj porteve ukrainase që dëmtuan tre anije mallrash në pronësi turke.

    Në një deklaratë, ministria tha se avionë luftarakë F-16 turq dhe të NATO-s u vunë në gatishmëri për të siguruar hapësirën ajrore turke pas zbulimit të dronit, raporton Reuters.

    U përcaktua se droni ishte jashtë kontrollit dhe u rrëzua në një zonë të sigurt, shtoi ministria në deklaratën e së hënës, pa dhënë hollësi për llojin apo origjinën e tij.

    Sulmet ndaj porteve ukrainase ndodhën disa ditë pasi Moska kërcënoi se do ta “shkëpuste Ukrainën nga deti”, pas sulmeve të Kievit që dëmtuan tre cisterna të “flotës hije” që po shkonin drejt Rusisë për të eksportuar naftën e saj në Detin e Zi.

  • Paralajmërohet borë për fundvit dhe temperatura deri -20°C në Kosovë

    Paralajmërohet borë për fundvit dhe temperatura deri -20°C në Kosovë

    Nën ndikimin e vazhdueshëm të presionit të lartë atmosferik, vendi ynë do të përballet edhe në ditët në vijim me mjegull të dendur dhe persistente, e cila pritet të reduktojë ndjeshëm dukshmërinë, sidomos gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes.

    Menaxheri i departamentit meteorologjik në KANS, Sherif Gosalci ka thënë se sipas parashikimeve aktuale, moti do të nisë të ndryshojë në pjesën e dytë të javës që vjen, kur pritet një depërtim i masave më të ftohta ajrore. Ky ndryshim do të shoqërohet me reshje bore në shumë zona të vendit, duke krijuar kushte për një fundvit të bardhë.

    Sipas Gosalcit, zhvillimet aktuale preliminare sinjalizojnë edhe një valë të fortë acari, me rënie të ndjeshme të temperaturave. Në disa rajone, termometri mund të zbresë deri në -20°C, duke sjellë temperatura me karakteristika polare.

    “Nën ndikimimin e presionit të lartë atmosferik, mjegulla do të vazhdojë edhe ditëve në vijim të jetë persistente në vendin tonë dhe më gjerë.

    Mot i ndryshueshëm dhe me reshje bore pritet në pjesën e dytë të javës që vjen.

    Zhvillimet aktuale preliminare, na paralajmërojnë për një ndërrim të motmoteve me reshje bore dhe acar që mund të përshkohet me temperatura polare edhe deri – 20°C!”, ka shkruar Gosalci.

  • Arrestohen dy burra e një grua në Pejë, u kapën duke shitur drogë

    Arrestohen dy burra e një grua në Pejë, u kapën duke shitur drogë

    Tre persona janë kapur në flagrancë në Pejë duke shitur substanca narkotike.

    Ngjarja ka ndodhur pasditen e së hënës, ndërsa bëhet fjalë për dy burra dhe një grua.

    “Lidhur me rastin janë kontrolluar tri lokacione të të dyshuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar 2.2 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, 0.4 gram substancë narkotike e llojit kokainë, 760 €, 150 franga Zvicrrane, 100 $, 100 Kruna suedeze, dy telefona mobil, dy vetura, disa kartela bankare dhe një mulli”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

    Me vendim të prokurorit dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

  • Dy raste të vrasjeve në tentativë, njëra në Prishtinë e tjetra në Partesh

    Dy raste të vrasjeve në tentativë, njëra në Prishtinë e tjetra në Partesh

    Dy raste të sulmit në tentativë janë regjistruar nga Policia të hënën në Prishtinë dhe Partesh.

    Sipas njoftimit të lëshuar nga autoritetet, dy persona të panjohur kanë hyrë në oborrin e viktimës dhe kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të shtëpisë, ku disa predha kanë depërtuar brenda dhe kanë dëmtuar disa mobile shtëpiake.

    Në vendin e ngjarjes thuhet se janë gjetur dhe sekuestruar 27 gëzhoja.

    Teksa për rastin në Partesh është thënë se pas një mosmarrëveshjeje, dy persona janë përfshirë në konflikt fizik, me ç’rast edhe kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

    “Në vendin e ngjarjes si provë materiale është sekuestruar një kaçavidë që dyshohet të jetë përdorur në rast”, thuhet në njoftimin policor.

    Dy të dyshuarit janë dërguar në spital dhe gjenden nën masën  e ndalimit policor dhe nën mbikëqyrje e zyrtarëve policorë.

  • Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë, brenda 10 muajve mbi 1 mijë e 300 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë, brenda 10 muajve mbi 1 mijë e 300 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë periudhës janar–tetor 2025 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 341 shkurorëzime, duke treguar një nivel të konsiderueshëm të çifteve që i kanë dhënë fund martesës së tyre.

    Vetëm gjatë muajit tetor janë regjistruar 158 raste të shkurorëzimeve të ndodhura në Kosovë. Krahasuar me muajin shtator, ky numër paraqet një rritje prej 18.8 për qind të çifteve të shkurorëzuara.

    “Sa u përket shkurorëzimeve të ndodhura në Kosovë për muajin tetor janë 158 raste, krahasuar me muajin shtator kemi rritje të numrit të çifteve të shkurorëzuara për 18.8 %”, thuhet në raportin e ASK-së.

  • Ambasada e SHBA-së uron Majoren Luljeta Mehmeti–Quigley për diplomimin në Akademinë e FBI-së

    Ambasada e SHBA-së uron Majoren Luljeta Mehmeti–Quigley për diplomimin në Akademinë e FBI-së

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka uruar Majoren e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti–Quigley, për diplomimin e saj në sesionin e 296-të të Akademisë Kombëtare të FBI-së në Quantico, Virxhinia.

    Përmes një njoftimi, Ambasada ka bërë të ditur se Majorja Mehmeti–Quigley është bërë oficerja e dhjetë nga Kosova që përfundon këtë program prestigjioz, i cili konsiderohet ndër trajnimet më elitare për zyrtarët e zbatimit të ligjit në nivel global.

    Ambasada theksoi se ky sukses është mbështetur përmes programeve DOJ-ICITAP dhe FBI LEGATT Sofia, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.

    Akademia Kombëtare e FBI-së, e themeluar në vitin 1935, ka trajnuar deri më sot mbi 53 mijë profesionistë të sigurisë nga e gjithë bota.

    Në mesazhin e saj, Ambasada e SHBA-së ka shprehur urime për Majoren Mehmeti–Quigley dhe ka ritheksuar përkushtimin për ndërtimin e institucioneve të sigurisë më të sigurta dhe më të forta në Kosovë.

  • Çifti heroik u vranë kur tentuan të ndalonin terroristin, vdiqën të përqafuar

    Çifti heroik u vranë kur tentuan të ndalonin terroristin, vdiqën të përqafuar

    Historitë nga sulmi terrorist në plazhin Bondi të Sidneit, që la 15 të vdekur, vazhdojnë të prekin zemrat e njerëzve. Vëmendja është fokusohet së fundmi në një çift që u përpoq të çarmatoste terroristin 50-vjeçar, Shaheen Akram, por që përfunduan të vrarë të përqafuar në trotuar.

    Në një video, 69-vjeçari hebre rus Boris Gurman duket se ka shtyrë Akramin ndërsa ai doli nga makina me një flamur të ISIS-it në xhamin e përparmë dhe i mori armën. Megjithatë, përpjekja e tij dështoi, pasi terroristi 50-vjeçar qëlloi dhe vrau si Borisin ashtu edhe gruan e tij 61-vjeçare, Sofian. Fillimisht, çifti u raportua i zhdukur pas sulmit të së dielës, me policinë që bëri thirrje për informacion.

    Sipas mediave australiane, çifti heroik jetonte në Bondi të Australisë dhe kishte një djalë në të 30-at. Burime familjare bëjnë me dije se Boris dhe Sofia po përgatiteshin të festonin 35-vjetorin e martesës së tyre në janar. “Boris dhe Sofia kishin jetuar në Bondi për vite me radhë, duke e dashur komunitetin dhe jetën që kishin ndërtuar atje. Ata ishin njerëz të sjellshëm, të fortë dhe bujarë, të përkushtuar ndaj familjes së tyre. Mungesa e tyre lë një boshllëk që nuk mund të mbushet”, tha familja Gurman në një deklaratë.

    Në lidhje me aktin e vetëmohimit që ata demonstruan të dielën, të afërmit theksojnë se “kjo konfirmoi se çfarë lloj njerëzish ishin: ata ishin ata që instinktivisht zgjedhin të ndihmojnë, edhe kur ekziston rreziku më i madh. Edhe pse asgjë nuk mund ta lehtësojë dhimbjen e humbjes, ne jemi jashtëzakonisht krenarë për guximin dhe humanitetin e tyre”.