ATV

Category: Lajme

  • Trump urdhëron bllokadë totale të cisternave të naftës venezueliane

    Trump urdhëron bllokadë totale të cisternave të naftës venezueliane

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar bllokadë të plotë të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.

    Vendimi u bë publik përmes një postimi në rrjetin Truth Social, ku Trump deklaroi se qeveria e presidentit venezuelian Nicolás Maduro është shpallur organizatë e huaj terroriste.

    Trump akuzoi regjimin e Maduros për vjedhje të aseteve amerikane, terrorizëm, kontrabandë droge dhe trafikim të qenieve njerëzore, duke shtuar se nafta e vjedhur përdoret për të financuar aktivitete kriminale, përfshirë vrasje dhe rrëmbime.

    “Prandaj, sot po urdhëroj një bllokadë totale dhe të plotë të të gjitha cisternave të sanksionuara të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela”, shkroi ai, duke theksuar se vendi është “plotësisht i rrethuar nga armada më e madhe e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut”.

    Deklaratat e Trump vijnë një javë pasi SHBA-të sekuestruan një anije cisternë nafte në brigjet e Venezuelës.

    Shtëpia e Bardhë tha se anija, e quajtur Skipper, ishte e përfshirë në transport të paligjshëm të naftës dhe do të dërgohej në një port amerikan. Qeveria e Venezuelës e dënoi veprimin, me presidentin Maduro që akuzoi SHBA-të për “rrëmbim të ekuipazhit” dhe “vjedhje të anijes”.

  • Përmbyset një autobus në Iran, të paktën 13 të vdekur – mbi 12 të lënduar

    Përmbyset një autobus në Iran, të paktën 13 të vdekur – mbi 12 të lënduar

    Një autobus udhëtarësh është përmbysur, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e mbi një duzine të tjerëve në një autostradë në qendër të Iranit, raporton agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

    Autobusi po udhëtonte vonë të hënën nga Isfahani drejt qytetit verilindor Mashhad, kur goditi gardhin qendror të autostradës, kaloi në korsinë e kundërt dhe u përplas me një taksi para se të përmbysej, tha policia, raporton AP, transmeton Sinjali.

    Në aksident humbën jetën njëmbëdhjetë pasagjerë të autobusit dhe dy persona që ishin në taksi, ndërsa gjashtë gra dhe shtatë burra u shtruan në spital, raporton IRNA.

    Ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancat dhe njësitë e shpëtimit, u dërguan menjëherë në vendngjarje pas aksidentit.

    Irani ka një nga rekordet më të këqija të sigurisë rrugore në botë, me rreth 20,000 vdekje çdo vit. Ky numër i lartë i viktimave i atribuohet mosrespektimit të gjerë të ligjeve të trafikut, automjeteve të pasigurta dhe shërbimeve të pamjaftueshme të emergjencës në zonat e gjera rurale.

  • Osmani udhëton në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, Presidenca: Prioritet, diskutimi për heqjen e masave

    Osmani udhëton në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, Presidenca: Prioritet, diskutimi për heqjen e masave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe atyre nga Ballkani Perëndimor.

    Në këtë samit do të diskutohet partneriteti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit.

    Përgjatë samitit, Presidentja do të ketë takime me liderë të institucioneve të BE-së dhe do të ketë mundësi të bisedojë me liderë të tjerë pjesëmarrës lidhur me çështje me interes për Kosovën.

    Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të jenë prioritet gjatë diskutimeve.

    “Në agjendën e diskutimeve të Samitit përfshihen gjithashtu Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimi i integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet dhe reformat. Po ashtu, liderët do të diskutojnë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe kibernetike, si dhe menaxhimin e migracionit dhe sfidat e përbashkëta rajonale dhe evropiane.”, thuhet tutje në njoftimin e Presidencës.

  • Komisioni Evropian vendos për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës

    Komisioni Evropian vendos për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të martën se Komisioni Evropian ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës.

    Sipas tij, kjo është konfirmuar nga një letër prej drejtorit të përgjithshëm për zgjerim të BE-së, Gert Jan Koopman. Në një shkrim në Facebook, Bislimi ka thënë se bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.

    Postimi i Besnik Bislimit:

    Gjatë ditës së sotme kam pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro.

    Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë.

  • Bedri Hamza viziton krerët e UÇK-së në Hagë: Kosova po i pret bijtë e saj me krenari

    Bedri Hamza viziton krerët e UÇK-së në Hagë: Kosova po i pret bijtë e saj me krenari

    Kandidati për kryeministër dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka vizituar në Hagë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

    Hamza ka theksuar se i ka gjetur ata në gjendje të mirë shëndetësore dhe me moral të lartë, duke e cilësuar procesin gjyqësor si të padrejtë dhe pranë përfundimit.

    Ai ka shprehur pritshmërinë që vendimi final të jetë i drejtë dhe ka deklaruar se Kosova po i pret ata “me krenari”.

  • Mali i Zi mbyll edhe pesë kapituj në negociatat me BE-në

    Mali i Zi mbyll edhe pesë kapituj në negociatat me BE-në

    Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi më 16 dhjetor në Bruksel se Mali i Zi kurrë nuk ka qenë më afër Bashkimit Evropian (BE).

    Ajo e tha këtë pasi Mali i Zi, në Konferencën Ndërqeveritare me BE-në të martën, mbylli pesë kapituj negociues në procesin e anëtarësimit në bllokun evropian.

    Bëhet fjalë për kapitujt: 3 – Liria e lëvizjes së kapitalit dhe e ofrimit të shërbimeve; 4 – Liria e lëvizjes së kapitalit; 6 – Ligji për tregti; 11 – Bujqësia dhe zhvillimi rural dhe 13 – Peshkimi.

    Kos përsëriti qëndrimin se Mali i Zi është udhëheqësi i procesit të integrimit dhe kandidati me rezultatet më të mira, gjë që, sipas saj, “u dëshmua sot me 12 kapituj të mbyllur” nga gjithsej 33.

    “Por, duhet të jemi të sinqertë: pjesa më e vështirë ende është përpara, sepse Mali i Zi ka njoftuar se dëshiron t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2026, dhe Komisioni Evropian ju mbështet. Për ta arritur këtë, duhet të vraponi shpejt”, tha Kos.

    Zyrtarja e lartë evropiane theksoi se Mali i Zi tani duhet t’i përshpejtojë reformat.

    “Çelësi do të jenë reformat në sundimin e ligjit. Prioritet janë emërimet, për të siguruar një gjyqësor të pavarur, ku gjyqtarët mund të marrin vendime lirshëm dhe pa presion politik. Kjo nënkupton gjithashtu vazhdimin e luftës së fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin”, tha Kos.

    Ajo përsëriti se Podgorica do ta ketë mbështetjen e BE-së “në çdo hap”.

    “Viti i ardhshëm do të jetë vendimtar dhe më shumë se kurrë Malit të Zi i nevojitet unitet kombëtar për të arritur qëllimin. Viti i ardhshëm mund të jetë edhe më i mirë”, u shpreh ajo.

    Kryeministri Millojko Spajiq deklaroi se Mali i Zi ka mbyllur më shumë se një të tretën e kapitujve në negociatat për anëtarësim në BE, duke e cilësuar këtë si një sukses të madh.

    Ai tha se BE-ja me Malin të Zi po fiton një anëtar të aftë të ecë krah për krah me disa shtete anëtare, edhe pse dikur ishte republika më e varfër e ish-Jugosllavisë.

    “Mali i Zi nuk do të jetë një barrë të madhe tatimore për qytetarët e BE-së”.

    Sipas tij, çdo ditë po dëshmohet se është një qëllim realist që Mali i Zi t’i mbyllë të gjitha kapitujt deri në fund të vitit 2026.

    “Ne po krijojmë kushtet që t’i përmbushim të gjitha deri në fund të vitit të ardhshëm”, tha Spajiq.

    Nga Qeveria e Malit të Zi më herët kanë përsëritur disa herë plani që 21 kapitujt e mbetur të mbyllen gjatë vitit 2026, në mënyrë që shteti të anëtarësohet në BE më 2028.

    Më herët nga Qeveria ishte bërë e ditur se janë përmbushur të gjitha kushtet për mbylljen e Kapitullit 31, i cili lidhet me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, por vendimi për mbylljen e tij ishte shtyrë më herët me kërkesë të Kroacisë.

    Kroacia bllokoi mbylljen e këtij kapitulli pasi Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2024 miratoi Rezolutën për gjenocidin në Jasenovac, me iniciativë të partive proruse dhe proserbe në shumicën qeverisëse, lider i të cilave është kryetari aktual i parlamentit, Andrija Mandiq, çka Zagrebi zyrtar e vlerësoi si provokim.

    Mali i Zi i ka nisur negociatat për anëtarësim në BE në qershor të vitit 2012.

  • Dhunimi i 13-vjeçarit nga Fushë Kosova – I dyshuar një 17-vjeçar, stafi i shkollës e denoncoi rastin

    Dhunimi i 13-vjeçarit nga Fushë Kosova – I dyshuar një 17-vjeçar, stafi i shkollës e denoncoi rastin

    Një rast i rëndë dyshohet se ka ndodhur në territorin e Ferizajt, ku një i mitur dyshohet të jetë dhunuar, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetime intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më datë 15 dhjetor 2025, rreth orës 11:00, stacioni policor në Fushë Kosovë ka pranuar informacion lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit seksual ndaj një të mituri.

    Reporteri merr vesh se i dyshuari për rastin është një 17-vjeçar nga Ferizaj dhe se rasti është raportuar nga shkolla ku vijon mësimet 13-vjeçari nga Fushë Kosova.

    Ky është njoftimi i plotë i Policisë:

    Më datë 15.12.2025, rreth orës 11:00, policia e stacionit policor në Fushë Kosovë, ka pranuar informacionin lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri.

    Dyshimet e ngritura sugjerojnë se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt.

    Specialist të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

    Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës,

    policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij.

  • Nga 7 janari “Fontana di Trevi” në Romë do të jetë me pagesë

    Nga 7 janari “Fontana di Trevi” në Romë do të jetë me pagesë

    Duke filluar nga 7 janari, turistët do të duhet të paguajnë një tarifë hyrjeje për të hyrë në Shatërvanin Trevi në Romë. Kostoja do të jetë dy euro.

    Megjithatë, banorët e kryeqytetit do të vazhdojnë ta vizitojnë monumentin falas. Pagesa mund të bëhet edhe me kartë krediti.

    Sipas mediave italiane ky veprim mund të sjellë 20 milionë euro në arkën e qytetit. Numri i vizitorëve ka qenë i kufizuar për rreth një vit, me një maksimum prej 400 personash të lejuar në zonë. Duke filluar nga janari, do të ngrihen dy korsi, njëra për qytetarët romanë dhe tjetra për turistët.

    I mbështetur nga Alessandro Onorato, Këshilltar për Turizmin dhe nga administrata e qytetit, vendimi synon të mbrojë shatërvanin më të madh të Romës, i cili vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti tërhoqi mbi 5.3 milionë vizitorë, më shumë se Panteoni në të gjithë vitin 2024 (4,086,947 hyrje). Të ardhurat e gjeneruara nga shitja e biletave duhet të përdoren për të përmirësuar ofertat dhe shërbimet turistike.

  • AIP kërkon nga partitë mbrojtjen e të dhënave personale

    AIP kërkon nga partitë mbrojtjen e të dhënave personale

    Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga partitë politike që përpunimi i të dhënave personale me qëllim të promovimit të kandidatëve, komunikimit me votuesit apo organizimit të aktiviteteve politike, duhet të bëhet mbi baza të qarta ligjore duke respektuar parimin e drejtësisë, proporcionalitetit dhe transparencës.

    “Agjencia kërkon nga Subjektet Politike që përpunimi i të dhënave personale me qëllim të promovimit të kandidatëve, komunikimit me votuesit apo organizimit të aktiviteteve politike, duhet të bëhet mbi baza të qarta ligjore duke respektuar parimin e drejtësisë, proporcionalitetit dhe transparencës. Subjektet politike mbajnë përgjegjësi të plotë për garantimin e përpunimit të sigurt dhe të ligjshëm të të dhënave personale të qytetarëve. Në këtë drejtim, subjektet politike obligohen të sigurojnë që:

    – Të sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj;

    -Të mos përdoren të dhënat e kontaktit të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike, të mbajtura nga institucionet, apo të mbledhura për qëllime të tjera jo-politike, për komunikim ose marketing politik.

    -Të respektohet e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përpunimin e të dhënave të tyre, për qëllim marketingut politik dhe të sigurohet ndërprerja e menjëhershme e komunikimit pas paraqitjes së kundërshtimit.

    -Të shmangen format e profilizimit e votuesve për qëllim të marketingut politik ose përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç në rastet kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe kur janë ndërmarrë masat mbrojtëse. Në rastet kur përdoren teknologji që mund të shkaktojnë rrezik të lartë për të drejtat e individëve, kërkohet kryerja e Vlerësimit të Ndikimit mbi Mbrojtjen e të Dhënave (VNMDh) sipas udhëzimeve të AIP.

    -Të sigurohet transparencë e plotë ndaj qytetarëve lidhur me qëllimet, arsyetimin ligjor dhe mënyrat e përpunimit të të dhënave personale dhe të publikohen politika të privatësisë të qarta, të përditësuara, dhe të qasshme gjatë gjithë periudhës zgjedhore.

    “Agjencia për Informim dhe Privatësi do të ofrojë mbështetje profesionale për subjektet politike për të siguruar se procesi zgjedhor do të zhvillohet në përputhje me standardet për mbrojtjen e të dhënave personale.”

  • Brigitte Macron kërkon falje pas përdorimit të fjalës fyese për feministet franceze

    Brigitte Macron kërkon falje pas përdorimit të fjalës fyese për feministet franceze

    Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron, kërkoi pjesërisht falje pasi u filmua duke quajtur protestuese feministe “k***a të pista”, një incident që shkaktoi reagime të shumta.

    Macron përdori këtë fjalë gjatë një shfaqjeje në Paris nga komediani Ary Abittan, i cili më parë ishte akuzuar për përdhunim.

    Në një intervistë për mediat Brut, 72-vjeçarja tha: “Më vjen keq nëse kam lënduar gratë viktima, të sulmit seksual”.

    Megjithatë, ajo insistoi se komentet ishin “private” dhe tha se nuk mund t’i tërhiqte: “Është e vërtetë, unë jam gruaja e presidentit, por jam edhe vetvetja. Dhe kështu, kur jam në privatësi, mund të shfrenohem në një mënyrë që nuk është plotësisht e përshtatshme”, shtoi ajo.

    Në video të publikuar javën e kaluar nga revista franceze Public, Abittan i tha Macron se ishte “i frikësuar” pas protestave të natës së mëparshme.

    Ajo iu përgjigj duke qeshur: “Nëse ka ndonjë k***ë të marrë, do t’i nxjerrim jashtë”.

    Aktivistët feministë nga kolektivi #NousToutes kishin ndërprerë shfaqjen e Abittan më 7 dhjetor, duke mbajtur maska me fytyrën e tij dhe fjalën “përdhunues” dhe duke brohoritur “Abittan përdhunues”.

    Abittan ishte akuzuar për përdhunim në fund të vitit 2021 nga një grua me të cilën kishte pasur lidhje. Pas një hetimi tre-vjeçar, prokurorët hodhën poshtë çështjen, dhe një gjykatë apelimi e mbajti këtë vendim në janar. Abittan ka mohuar çdo shkelje dhe ka thënë se akti ishte i mirëpritur dhe konsensual.

    Videoja me komentet e Macron shkaktoi reagime të konsiderueshme dhe kritikë nga disa ligjvënës francezë, grupime feministe dhe figura të njohura të industrisë së filmit.