ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet 23-vjeçari në Lipjan, dyshohet për djegien e një veture

    Arrestohet 23-vjeçari në Lipjan, dyshohet për djegien e një veture

    Policia ka njoftuar se ka arrestuar një person për rastin e djegies së një veture në Lipjan, rast ky i ndodhur më 17 shtator.

    Sipas policisë, H.K, 23 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin dyshohet me bazë të jetë përfshirë në rast.

    “I arrestuar me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, ndërkohë që hetuesit e fazave të mëtejme të procesit hetimor”, thuhet në njoftim të policisë.

  • Policia me plan operativ për zgjedhjet e 28 dhjetorit, angazhon numër më të madh të zyrtarëve policorë

    Policia me plan operativ për zgjedhjet e 28 dhjetorit, angazhon numër më të madh të zyrtarëve policorë

    Policia e Kosovës ka hartuar urdhrin operativ policor dhe ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit, shkruan Reporteri.net.

    Në komunikatë thuhet se “Me qëllim që ky plan policor të realizohet sipas planifikimeve të parapara dhe me qëllim të ofrimit të sigurisë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, është paraparë të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës”.

    Plani dhe angazhimet policore në mbarëvajtje të procesit zgjedhor të datës 28 dhjetor 2025

    Prishtinë, më 17 dhjetor 2025

    Policia e Kosovës, sikurse në çdo proces zgjedhor, bazuar në ligjet pozitive të vendit dhe autorizimeve si institucion kyç për sigurinë publike, me kohë ka hartuar urdhrin operativ policor
    dhe ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me “Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat do të mbahen me datën 28 dhjetor 2025.

    Me qëllim që ky plan policor të realizohet sipas planifikimeve të parapara dhe me qëllim të ofrimit të sigurisë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, është paraparë të angazhohet një numër i
    mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

    Plani operativ përfshin katër faza:

    1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese,
    2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore,
    3) Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z),
    4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

    Faza e parë tani veçse është realizuar dhe jemi në fillim të zbatimit të fazës së dytë të angazhimit në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, për të vazhduar sipas planit me fazat
    tjera, deri në përfundim të procesit zgjedhor.

    Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ edhe në këtë proces zgjedhor është:

    – Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.
    – Ngritja e vigjilencës, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrës së numërimit të rezultateve.
    – Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

    Profesionalizëm / Integritet / Llogaridhënie

    – Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

    Sipas memorandumit të bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, Policia e Kosovës ka caktuar zyrtarë/hetues në drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit. Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë
    dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit si dhe të jetë transparente mbi punën dhe angazhimet e saja policore.

    Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.

  • Prokuroria dhe Policia në aksion: Kontrolle në 15 biznese në Prishtinë për shërbime estetike ilegale me botoks

    Prokuroria dhe Policia në aksion: Kontrolle në 15 biznese në Prishtinë për shërbime estetike ilegale me botoks

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, e njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, respektivisht Njësinë për Hetimin e Falsifikimit të Parasë dhe Dokumenteve Zyrtare, Inspektoratin Shëndetësor dhe Inspektoratin e Tregut, sot me datë 17.12.2025, është duke zhvilluar një aksion të gjerë.

    Ky aksion po realizohet në zbatim të Urdhrit për Kontroll dhe Sekuestrim të Përkohshëm të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, për kontrollin e 15 lokacioneve – bizneseve që të gjitha në Prishtinë dhe sekuestrimin e provave që dyshohet se kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me veprat penale në hetim, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare nga neni 414 të KPRK-së, Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësorë nga neni 256 të KPRK-së dhe Tregti e ndaluar nga neni 299 të KPRK-së, kjo për shkak të ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm se këto biznese, në kundërshtim me Ligjin për Produkte Medicinale, kanë ofruar shërbime estetike duke përdorur produktin medicinal Botoks edhe pse sipas ligjit, ofrimi i këtij shërbimi bëhet nga personeli i certifikuar.

    Po ashtu, bazuar në të dhënat zyrtare, rezulton se në Republikën e Kosovës, nuk ka operator ekonomik të licencuar për importin e këtij produkti medicinal dhe si i tillë, ky produkt mbi këto rrethana, trajtohet si ilegal.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë do të vazhdojë me përkushtim të plotë ndërmarrjen e masave ligjore ndaj çdo forme të veprimtarisë së kundërligjshme, me qëllim parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie negative në mbrojtje të interesit publik dhe shëndetit të qytetarëve.

  • Rusia godet një ndërtesë banimi në Zaporizhzhia – publikohen pamjet

    Rusia godet një ndërtesë banimi në Zaporizhzhia – publikohen pamjet

    Një sulm ajror rus ka goditur një ndërtesë banimi me shumë kate në qytetin e Zaporizhzhias, duke shkaktuar frikë dhe panik mes banorëve dhe duke dëmtuar infrastrukturën kritike të zonës.

    Sipas raporteve të para, ende nuk ka informacione të sakta për numrin e viktimave apo të lënduarve, ndërsa ekipet e shpëtimit janë dërguar menjëherë në vendngjarje për të kontrolluar situatën dhe për të ofruar ndihmë emergjente. Autoritetet bëjnë me dije se një objekt i rëndësishëm infrastrukture është dëmtuar gjatë sulmit.

    Incidenti ka shkaktuar shqetësime serioze për sigurinë e banorëve dhe funksionimin e shërbimeve të nevojshme, përfshirë furnizimin me ujë, energji elektrike dhe transportin publik, ndërsa dëmet në infrastrukturë mund të kenë pasoja afatgjata për jetën e përditshme të komunitetit.

    Autoritetet vazhdojnë hetimet dhe monitorimin e situatës, ndërsa ekipet emergjente po punojnë për të siguruar zonën dhe për të ndihmuar banorët e prekur. Bashkia dhe organizatat humanitare po përgatiten për të ofruar ndihmë shtesë, duke përfshirë strehim dhe furnizime bazë për familjet e dëmtuara.

    Qytetarët janë këshilluar të qëndrojnë larg zonave të prekura dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për sigurinë e tyre.

  • Dhunoi bashkëjetuesen shtatzënë, arrestohet në Serbi 24-vjeçari shqiptar

    Dhunoi bashkëjetuesen shtatzënë, arrestohet në Serbi 24-vjeçari shqiptar

    Policia e Shtetit ka finalizuar një operacion ndërkombëtar, i koduar “The Wanted”, duke arrestuar në Serbi një 24-vjeçar shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

    I riu akuzohet për dhunën e rëndë ndaj bashkëjetueses së tij shtatzënë, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2025.

    Në muajin mars të së njëjtit vit, Gjykata e Dibrës i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

    Shtetasi shqiptar u arrestua provizorisht në Serbi, ndërsa vijon procedura për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

    “Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave policore, me qëllim ekstradimin e 24-vjeçarit, në Shqipëri.”, thuhet tutje në njoftim.

  • Fushata 12-ditore për zgjedhjet e 28 dhjetorit: Çfarë u lejohet partive politike?

    Fushata 12-ditore për zgjedhjet e 28 dhjetorit: Çfarë u lejohet partive politike?

    Subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit kanë nisur sot, 17 dhjetor, fushatën elektorale, e cila do të përfundojë më 28 dhjetor në orën 06:59.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur të drejtat e subjekteve politike gjatë kësaj periudhe.

    “Gjatë kësaj periudhe, subjektet politike kanë të drejtë të: Organizojnë tubime, ngjarje politike, debate, konferenca për media dhe aktivitete të ngjashme; Publikojnë dhe shpërndajnë afishe, reklama dhe materiale të tjera zgjedhore; Zhvillojnë fushatë përmes televizionit, radios, mediave të shkruara, rrjeteve telefonike, sistemit postar dhe mjeteve të tjera reklamuese, në përputhje me Kodin e Mirësjelljes, rregullat e KQZ-së dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

    Kosova do të votojë më 28 dhjetor në procesin e katërt zgjedhor që zhvillohet gjatë vitit 2025, duke përfshirë edhe zgjedhjet lokale.

  • Anulohet vendimi për shkarkimin e U.D. të kryeprokurorit Besim Kelmendi

    Anulohet vendimi për shkarkimin e U.D. të kryeprokurorit Besim Kelmendi

    Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, dhe ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK.nr.1056/2025), të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm. Lënda i është kthyer KPK-së për rishqyrtim dhe rivendosje.

    Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se ankesa ishte e bazuar, sipas nenit 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

    Sipas Gjykatës Supreme, vendimi për shkarkim ishte marrë mbi pretendime se U.D. Kryeprokurori, përmes deklarimeve në Këshill dhe media, kishte shprehur qëndrim të njëanshëm, që sipas KPK-së kishin denigruar pozitën e tij dhe kishin cenuar besimin e sistemit prokurorial dhe të publikut. Gjykata Supreme ka vlerësuar se këto pretendime nuk e justifikonin vendimin e KPK-së dhe se ai ishte marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe Kodin e Etikës Profesionale për Prokurorë.

    “Vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar. Pra është procedurë e pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

    Ky vendim i Gjykatës Supreme rikthen lëndën në KPK për rishqyrtim, duke lënë të hapur mundësinë e rivendosjes së çështjes në përputhje me ligjin.

    Kelmendi ishte shkarkuar më 20 nëntor nga Këshilli Prokurorial, me pesë vota pro edhe pse KPK-ja ka 10 anëtarë. Vendimi ishte marrë pas dëshmisë së tij të dhënë për masakrën e Reçakut. Kelmendi i pati mohuar raportimet se ka qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të rastit të Reçakut.

  • U paralajmëruan temperatura ekstreme për fundvit, reagon Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës

    U paralajmëruan temperatura ekstreme për fundvit, reagon Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka reaguar pas parashikimit të motit që një ditë më parë bëri menaxheri i Departamentit Meteorologjik në Ofruesi e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (KANS), Sherif Gosalci.

    Sipas reagimit të publikuar në Facebook, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës është i vetmi institucion i autorizuar që mund të bëjë njoftime të tilla, bazuar në Ligjin Nr. 06/L-035 për Veprimtarinë Hidrometeorologjike, veçanërisht Nenin 13 për Sistemin e paralajmërimit të hershëm për ngjarjet e jashtëzakonshme hidrometeorologjike dhe Nenin 28 për lëshimin e informacionit të përgjithshëm meteorologjik dhe hidrologjik.

    “Neni 9, pika 2, mes tjerash thuhet: Parashikimi zyrtar i motit dhe paralajmërimi i hershëm i fatkeqësive të mundshme natyrore me origjinë hidrometeorologjike për Republikën e Kosovës jepet nga IHMK dhe janë ekskluzivitet i IHMK-së. Andaj çdo subjekt apo individ tjetër që bën njoftim, parashikim apo paralajmërim për motin, fillimisht është i jashtëligjshëm e më pas jo profesional dhe shkencërisht i pa drejtë”, theksohet në reagim.

    Sipas IHMK-së, standardet e parashikimit të motit përfshijnë rregullat globale të Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM) për të dhënat, terminologjinë dhe saktësinë, me besueshmëri të lartë (80%+) për parashikimet afatshkurtra (1-3 ditë) dhe një saktësi në rënie për periudha më të gjata, duke përdorur kode dhe kritere të standardizuara.

    “Shërbimet Hidrometeorologjike Nacionale janë institucionet kompetente për vrojtime dhe paralajmërime të hershme të motit. Matja e elementëve kryesorë atmosferikë si temperatura, presioni, era, lagështia, reshjet dhe mbulesa e reve realizohet duke përdorur mjete si satelitë, radarë dhe sensorë tokësor. Parashikuesit më pas i analizojnë këto kushte aktuale me modele moti dhe modele historike për të parashikuar gjendjet e ardhshme, duke lëshuar alarme (vëzhgime, paralajmërime, këshilla) bazuar në nivelet e besimit dhe pragjet specifike të rrezikut”, thuhet ndër të tjera në reagim.

  • Ndalohet kontrabanda e etiketave të markave të njohura në Han të Elezit, kapen rreth 4 mijë e 500 copë

    Ndalohet kontrabanda e etiketave të markave të njohura në Han të Elezit, kapen rreth 4 mijë e 500 copë

    Në Pikën Kufitare Han i Elezit, gjatë kryerjes së kontrolleve të rregullta kufitare, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një udhëtar për kontroll të detajuar.

    Pas verifikimit të bagazhit të tij, është zbuluar një sasi e konsiderueshme mallrash të ndryshme, përfshirë veshje, etiketa dhe aksesorë metalikë, në sasi prej rreth 4.500 copë, të cilat mbajnë shenja dalluese të markave të njohura tregtare, nën dyshimin se shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale.

    Etiketat dhe aksesorët me shenja të mbrojtura tregtare ndalohen pasi ato mund të përdoren për t’u vendosur në produkte jo origjinale, duke i paraqitur ato në treg si mallra të markave të njohura.

    “Ky veprim dëmton drejtpërdrejt të drejtat e mbajtësve të markave, mashtron konsumatorët dhe cenon konkurrencën e ndershme në treg. Edhe në rastet kur etiketat importohen veçmas nga produktet, ato konsiderohen rrezik për keqpërdorim dhe përfshirje në zinxhirin e falsifikimit”, bëhet e ditur nga Dogana e Kosovës.

    Mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse, ndërsa ndaj personit është iniciuar procedurë kundërvajtëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Arrestohet burri që u denoncua se ushtroi dhunë ndaj një gruaje dhe një burri

    Arrestohet burri që u denoncua se ushtroi dhunë ndaj një gruaje dhe një burri

    Një person është arrestuar të martën në Skenderaj për dhunë në familje.

    Policia bën të ditur në raportin 24-orësh se ai dyshohet se ka sulmuar fizikisht një grua dhe një burrë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari pas inicimit të rastit është dërguar në mbajtje.