ATV

Category: Lajme

  • Sarandë: Theret me thikë në ambientet e shkollës një 15-vjeçar

    Sarandë: Theret me thikë në ambientet e shkollës një 15-vjeçar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në një shkollë jopublike 9-vjeçare në Sarandë.

    Sipas njoftimit të Policisë, një i mitur 15-vjeçar është plagosur me thikë në ambientet e shkollës nga një nxënës tjetër, 13-vjeçar.

    “Sot, rreth orës 10:00, në ambientet e një shkolle jopublike 9-vjeçare në lagjen nr. 3, Sarandë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se një nxënës 13-vjeçar ka goditur me mjet prerës një të mitur, 15 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se vijon puna për shoqërimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, si dhe për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

  • Osmani takon Costan: Nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e plotë e masave

    Osmani takon Costan: Nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e plotë e masave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se në Bruksel u mirëprit nga Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa.

    Osmani ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë Bashkimi Evropian dhe se nuk ka arsye që të pengohet ose shtyhet heqja e plotë e masave.

    “Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian. Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura. Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Osmani në Facebook.

  • Ambasadori britanik i shkon në zyre Kurtit, shpreson për zgjedhje të qeta e formim të shpejtë të institucioneve

    Ambasadori britanik i shkon në zyre Kurtit, shpreson për zgjedhje të qeta e formim të shpejtë të institucioneve

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka njoftuar se ka zhvilluar sot takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

    Hargreaves ka zbuluar se me Kurtin kanë diskutuar për zgjedhjet, teksa ka shtuar se shpreson për një proces zgjedhor të qetë që do të mundësoj formimin e shpejtë të institucioneve në vitin 2026, shkruan Reporteri.net.

    Ata kanë folur edhe për dialogun, ku Hargreaves ka theksuar nevojën që Qeveria e re të rifillojë përparimin në këtë proces.

    “Sot u takova me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Diskutuam për fushatën zgjedhore dhe shpresat për një proces zgjedhor të qetë që mundëson formimin e shpejtë të institucioneve në vitin e ri. Kjo është thelbësore për përparimin urgjentisht të nevojshëm në fusha si buxheti kombëtar. Gjithashtu diskutuam nevojën që qeveria e ardhshme të rifillojë përparimin në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe integrimin evropian, si dhe masat aktive për të lehtësuar integrimin e mëtejshëm të komuniteteve jo-shumicë të Kosovës. Shpresoj që me qeverinë e ardhshme të mund ta thellojmë partneritetin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës”, ka shkruar Hargreaves.

  • Komisioni Evropian e konfirmon se ka hequr 50% të masave ndëshkuese ndaj Kosovës

    Komisioni Evropian e konfirmon se ka hequr 50% të masave ndëshkuese ndaj Kosovës

    Komisioni Evropian ka konfirmuar se do të lirohen rreth 50% e ndihmës financiare për Kosovën, në vlerë prej afërsisht 216 milionë euro.

    Sipas KE-së, ky vendim është marrë pas transferimit të qetë dhe të rregullt të pushtetit në katër komunat e veriut, pas zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura në dhjetor 2025.

    “Pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura në dhjetor 2025, ne do të lirojmë më tej rreth 50% të ndihmës financiare, në vlerë prej afërsisht 216 milionë euro. Kjo do të mundësojë: nënshkrimin e kontratave për 4 projekte (që gjithsej përfaqësojnë 34.6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe nisjen e zbatimit të tyre; si dhe përfundimin e programimit të të gjitha fondeve të mbetura IPA III të dedikuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit nga Komisioni në pranverën e vitit 2026, i cili do të mundësonte që projektet e para të nisin në gjysmën e dytë të vitit 2026)”, thuhet në konfirmimin e KE-së.

    Komisioni Evropian rikujton se kur Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, ato ishin përshkruar si të përkohshme, ndërsa kushtet për heqjen e tyre ishin të qarta.

  • Kremlini i hapur për diskutim mbi vendosjen e trupave evropiane në Ukrainë

    Kremlini i hapur për diskutim mbi vendosjen e trupave evropiane në Ukrainë

    Kremlini zyrtar ka bërë të ditur të mërkurën se qëndrimi i Rusisë lidhur me vendosjen e çfarëdo trupash evropiane në Ukrainë, sipas një marrëveshjeje të mundshme paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, është i njohur gjerësisht, megjithatë çështja mbetet e hapur për diskutim.

    Sipas raportimeve të gazetës “New York Times”, propozimet aktuale të SHBA-së parashikojnë që Ukraina të marrë një garanci sigurie nga Perëndimi, ndërsa një forcë ushtarake e udhëhequr nga Evropa do të ndihmonte vendin duke vepruar në Ukrainën Perëndimore, larg vijave të frontit.

    Kur u pyet për këto raporte, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk donte të jepte një koment të vazhdueshëm për median në lidhje me diplomacinë, por theksoi se qëndrimi i Rusisë kundër çdo vendosjeje të tillë është i qartë, megjithatë mbetet një temë për diskutim.

    “Qëndrimi i Rusisë, kundër çdo vendosjeje të tillë, është i qartë, por kjo është një temë për diskutim,” tha Peskov.

    Ai gjithashtu bëri të ditur se i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, nuk pritet ta vizitojë Moskën këtë javë.

    “Rusia pret që SHBA-ja ta informojë Moskën për rezultatet e bisedimeve me Ukrainën sapo të jenë gati,” shtoi Peskov.

  • Bloomberg: ShBA-ja përgatit sanksione të reja ndaj Rusisë nëse Putini refuzon marrëveshjen e paqes

    Bloomberg: ShBA-ja përgatit sanksione të reja ndaj Rusisë nëse Putini refuzon marrëveshjen e paqes

    Shtetet e Bashkuara po përgatitin një raund të ri sanksionesh kundër sektorit të energjisë së Rusisë për të rritur presionin mbi Moskën nëse Presidenti Vladimir Putin refuzon një marrëveshje paqeje me Ukrainën , raportoi sot Bloomberg News , duke cituar njerëz të njohur me çështjen.

    SHBA-të po shqyrtojnë mundësi të tilla si synimi i anijeve që i përkasin të ashtuquajturës flotë ruse në hije të cisternave që përdoren për të transportuar naftën e Moskës, si dhe aktorëve ekonomikë që lehtësojnë transaksionet, raporton botimi.

    Reuters nuk mundi ta konfirmonte menjëherë informacionin. Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

    Masat e reja mund të shpallen që këtë javë, sipas Bloomberg.

    Sekretari i Thesarit, Scott Bessant, e diskutoi masën kur u takua me një grup ambasadorësh evropianë në fillim të kësaj jave, shtoi agjencia e lajmeve.

    Nga ana e saj, presidenca ruse, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me botimin, deklaroi se nuk e kishte parë atë, por çdo sanksion do të dëmtonte përpjekjet për të riparuar marrëdhëniet ShBA-Rusi.

  • Arrestohet i dyshuari për dhunimin e të miturit në Ferizaj

    Arrestohet i dyshuari për dhunimin e të miturit në Ferizaj

    Një person është arrestuar lidhur me dhunimin e një të mituri në Ferizaj.

    Sipas njoftimit për media, i dyshuari është arrestuar të martën.

    Dje Policia e Kosovës bëri të ditur se në stacionin policor në Fushë-Kosovë është pranuar informacioni lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit të një të mituri.

    Bazuar në dyshimet e ngritura, i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale nga një person dhe dyshohet se është dhunuar nga ai në Ferizaj.

  • Vuçiq nuk merr pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor

    Vuçiq nuk merr pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do të marrë pjesë sot në samitin e liderëve BE-Ballkani Perëndimor.

    Vuçiq ka thënë se për herë të parë në 13 apo 14 vjetët e fundit, Serbia s’do të ketë asnjë përfaqësues në këtë samit. Sipas tij, ai po e bën këtë për hir të qytetarëve të Serbisë, pavarësisht se kjo do të kritikohet nga Brukseli.

    “Mendoj se po e mbroj Serbinë dhe interesat e saja. Serbia është në anën e saj, pavarësisht nëse kjo i pëlqen Ëashingtonit, Brukselit apo Moskës”, tha Vuçiq.

  • Rihapet shqyrtimi gjyqësor në rastin “Gylenistët”

    Rihapet shqyrtimi gjyqësor në rastin “Gylenistët”

    Është rihapur shqyrtimi gjyqësor në rastin “Gylenistët” me qëllim të grumbullimit disa provave materiale.

    Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, nuk e bëri të qartë se për cilat prova bëhet fjalë.

    Për këtë rast, Driton Gashi është dënuar më 2023 me katër vjet e tetë muaj burgim, porse në fund të vitit të shkuar, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim sa i përket pikës 1 të dispozitivit ndërsa e ka vërtetuar lirimin e dy të akuzuarve të tjerë.

    Nga aktakuza asokohe u patën liruar ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Ramadani, dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.

  • Gjykata pranon dëshminë e dhënë më herët të Antonijeviqit në rastin ‘Banjska’

    Gjykata pranon dëshminë e dhënë më herët të Antonijeviqit në rastin ‘Banjska’

    Në seancën gjyqësore për sulmin në Banjskë ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, trupi gjykues ka marrë vendim që dëshmia e dëshmitares Dragana Antonijeviq, e dhënë më herët, të merret parasysh pas mungesës së saj në seancë.

    Po ashtu, trupi gjykues ka vendosur të pranojë propozimin e palës mbrojtëse që në këtë proces gjyqësor të dëgjohet edhe një dëshmitar tjetër i propozuar nga mbrojtja. Prokurori i Shtetit, Naim Abazi, tha se dëshmitarja ishte thirrur rregullisht në këtë shqyrtim gjyqësor, por kishte refuzuar ta pranonte ftesën dhe kishte shprehur vullnetin për të mos dëshmuar, pa paraqitur arsye ligjore për këtë refuzim.

    Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, njoftoi se është aprovuar propozimi i mbrojtjes që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Millosh Radosalvoviq. Seanca e radhës është caktuar për më 16 janar.