ATV

Category: Lajme

  • Rrëzimi i kërkesës së Veselit për lirimin me kusht, si e arsyetoi vendimin Gjykata Supreme në Hagë?

    Rrëzimi i kërkesës së Veselit për lirimin me kusht, si e arsyetoi vendimin Gjykata Supreme në Hagë?

    Me dhjetëra, ndoshta edhe qindra kërkesa për lirimin nga paraburgimi të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë janë paraqitur deri më tani, por asnjëra nuk është miratuar.

    Shpresa e fundit për Kadri Veselin për lirimin me kusht është gjithashtu shuar, pasi Gjykata Supreme në Hagë i ka refuzuar kërkesën.

    Sipas vendimit të Supremes, ku në panel është edhe kryetarja e Gjykatës Speciale, nuk është konstatuar asnjë shkelje në vendimet e mëparshme që i kishin mohuar lirimin Veselit.

    “Paneli vëren se Z. Veseli nuk tregon për një shkelje thelbësore të një procedure specifike në Ligj ose në Rregullore. Siç është theksuar tashmë në Pikën 1, një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë duhet të pretendojë një shkelje thelbësore të procedurave të përcaktuara në Nenin 48(7)(b) të Ligjit. Megjithatë, dhe duke pasur parasysh se Mbrojtja argumenton konkretisht se Paneli i Apelit nuk i rivlerësoi siç duhet rreziqet sipas Nenit 41(6)(b) të Ligjit dhe në vend të kësaj u mbështet në gjetjet e mëparshme pa shqyrtuar nëse ato mbeten të mjaftueshme në këtë fazë të procedurës”, thuhet në vendim.

    Gjykata thekson se Kadri Veseli paraqet rrezik të ndërhyrjes në procedura dhe të tentojë të ndikojë në dëshmitarë, duke justifikuar kështu vazhdimin e paraburgimit.

    “Ndërsa Paneli pranon dhe pajtohet me Panelin e Apelit se një bazë specifike, siç është rreziku i pengimit, mund të zvogëlohet me kalimin e kohës, kjo nuk është automatike dhe varet nga rrethanat e çështjes. Nuk është e nevojshme, siç sugjeron Z. Veseli, që diçka e jashtëzakonshme të jetë e nevojshme për të treguar se rreziku nuk është zvogëluar. Ajo që është e nevojshme është që arsyet e vazhdueshme të justifikojnë paraburgimin e vazhdueshëm”, thuhet në vendim.

    Gjykata gjithashtu aludon në zbulimin e informatave konfidenciale nga Veseli, pavarësisht se gjykimi është në fazën përfundimtare.

    “Trupi kujton se Apeli iu referua sjelljes së mbështetur më parë si treguese të ekzistencës së rrezikut të pengimit, duke përfshirë zbulimin e supozuar të informacionit konfidencial. Duke vepruar kështu, Trupi i Apelit konsideroi se kjo sjellje ilustron gatishmërinë dhe aftësinë ‘e mundshme’ të Z. Veseli për të përhapur informacion konfidencial, dhe vuri në dukje se kjo kishte rezultuar në mbikëqyrje shtesë në Njësinë e Paraburgimit. Trupi i Apelit e konsideroi këtë të rëndësishme për vlerësimin e vazhdueshëm të rrezikut të pengimit dhe kujtoi se standardi i zbatueshëm kishte të bënte me mundësinë, në vend të pashmangshmërisë së një ngjarjeje në të ardhmen”, thuhet në vendim.

    Gjykata Supreme thekson se nuk ka asnjë shkelje në procedurë dhe se rreziqet për vazhdimin e paraburgimit janë të justifikuara:

    “Në dritën e sa më sipër, Trupi i Supremes konstaton se Trupi i Apelit nuk e ka keqzbatuar standardin përkatës në rrethanat e çështjes në përputhje me Nenin 41(6)(b) të Ligjit. Nuk ka asgjë në shqyrtimin e paraburgimit që sugjeron se procesi është ndërmarrë në një mënyrë kuazi-automatike. Ai vlerësoi siç duhet ekzistencën e vazhdueshme të rreziqeve përkatëse në kohën e shqyrtimit dhe ofroi arsye të mjaftueshme për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit të z. Veseli”, thuhet në vendim.

    Veseli ishte ankuar se nuk kishte asnjë provë që justifikonte vazhdimin e paraburgimit të tij, por paneli e konsideroi këtë argument të pabazuar:

    “Paneli vëren se parashtrimet e Z. Veseli, në lidhje me nëse provat që favorizojnë lirimin janë shqyrtuar mjaftueshëm, janë tërësisht të natyrës faktike. Për shembull, Z. Veseli argumenton se nuk është paraqitur asnjë provë. Megjithatë, Paneli i Apelit shqyrtoi sa vijon: (i) përfshirjen e mundshme të Z. Veseli në zbulimin e paautorizuar të provave; (ii) aftësinë e tij për të marrë informacion konfidencial duke pasur parasysh pozicionin e tij në Kosovë; (iii) dhe njohuritë e tij të shtuara për informacionin konfidencial në lidhje me dëshmitarët. Për më tepër, argumentet e tij përbëjnë një mospajtim me vlerësimin diskrecionar të fakteve nga Paneli i Apelit, i cili nuk mund të merret në konsideratë brenda procedurës për mbrojtjen e ligjshmërisë”, thuhet më tej.

    “Paneli vëren që në fillim se Z. Veseli nuk tregon për një shkelje të konsiderueshme të një procedure specifike në Ligj ose në Rregullore në parashtrimet e tij. Sipas Nenit 48(7)(b) të Ligjit, një palë që kërkon mbrojtje të ligjshmërisë duhet të identifikojë një shkelje të konsiderueshme të procedurave të përcaktuara në këtë Ligj dhe në Rregullore”, thuhet në vendim.

    Si rrjedhojë, Kadri Veseli do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.

  • Pasaportat më të fuqishme në botë, e Kosovës ngritet për disa vende krahasuar me vitin e kaluar

    Pasaportat më të fuqishme në botë, e Kosovës ngritet për disa vende krahasuar me vitin e kaluar

    Indeksi i Pasaportave Henley, një nga disa renditje që matin fuqinë e pasaportave, atë të Kosovës e rendit në vendin e 62 në botë.

    Kosovarët mund të udhëtojnë me të, pa vizë, në 81 vende.

    Pasaporta kosovare ka shënuar ngritje për disa vende në krahasim me vitin 2024, kur ndodhej në vendin e 68-të.

    Nga pasaportat e shteteve të rajonit, Kroacia është ngjitur në vendin e shtatë në pasaportat më të fuqishme në botë, sipas përditësimit të fundit të Indeksit të Pasaportave Henley nga dhjetori.

    Me 184 pikë, Kroacia është në të njëjtin grup me vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e vendosur atë në një rreth të ngushtë vendesh me një nivel shumë të lartë të lëvizshmërisë ndërkombëtare.

    Në vendin e parë, me 193 pikë, është ende Singapori, i cili e ka mbajtur fronin për vite me radhë falë lidhjeve të forta diplomatike dhe fuqisë ekonomike, e cila u lejon mbajtësve të pasaportave të tij qasje në pothuajse të gjithë botën pa vizë.

  • Përditësohen të dhënat: Kjo është situata në pikat kufitare të Kosovës

    Përditësohen të dhënat: Kjo është situata në pikat kufitare të Kosovës

    Për disa ditë më radhë, në pikëkalimet kufitare të Republikës së Kosovës u shtua fluksi i automjeteve, me mërgatën që ka nisur të vijë në atdhe.

    Por, të dhënat e fundit të përditësuara sot në orën 6 të mëngjesit pohojnë se të gjitha pikëkalimet kufitare janë të lira për qarkullim.

    Kolona nuk ka fare, teksa pritja është mesatarisht 3 deri në 5 minuta.

    Përjashtim bën pika kufitare e Merdarit, aty ku pritjet janë 10 minuta për të hyrë e 15 për të dalur nga kjo pikë.

    Kolona s’ka fare edhe në zonat e shënjuara për hyrje-dalje të kamionëve.

  • Goditet për vdekje një këmbësor në Graçanicë

    Goditet për vdekje një këmbësor në Graçanicë

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Graçanicë, ku një këmbësor ka humbur jetën pasi është goditur nga një veturë.

    Sipas raportit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 23.12.2025 rreth orës 23:30. Dyshohet se vozitësi, mashkull kosovar, nga pakujdesia ka goditur një këmbësor, po ashtu mashkull kosovar, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit Shemit të “Ilirëve”

    Sot i jepet lamtumira e fundit Shemit të “Ilirëve”

    Sot do t’i jepet lamtumira e fundit Shemsi Krasniqit, solisti i grupit të rock-folk-ut vendor “Ilirët”, i njohur më shumë si Shemi, i cili vdiq në moshën 64-vjeçare.

    Varrimi i tij do të bëhet në ora 14:00 në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan).

    ‘‘Kolegë e dashamirë, varrimi i Shemit bëhet nesër me 24 Dhjetor , në ora 14:00 me namazin e Ikindisë në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan) Prishtinë’’, thuhet në njoftim.

  • Të paktën dy të vdekur nga shpërthimi i zjarrit në një shtëpi pleqsh në Pensilvani

    Të paktën dy të vdekur nga shpërthimi i zjarrit në një shtëpi pleqsh në Pensilvani

    Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi dhe zjarri në një shtëpi të të moshuarve në Pensilvani, i cili shkaktoi shembjen e pjesshme të ndërtesës.

    Ekipet e emergjencës u thirrën në shtëpinë e të moshuarve Silver Lake në Bristol rreth orës 14:00 sipas kohës lokale (19:00 GMT) të martën, pasi u raportua për erë gazi. Autoritetet thanë se në momentin kur ekipet mbërritën në vendngjarje, ndërtesa shpërtheu, duke shkaktuar një zjarr të madh.

    Pesë persona ende rezultojnë të zhdukur, por zyrtarët thanë se nuk janë të sigurt nëse këta persona ndodheshin brenda ndërtesës, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Ekipet e shpëtimit nxorën banorët përmes dritareve, shkallëve dhe ashensorëve, duke i bartur drejt sigurisë, ka deklaruar për gazetarët shefi i zjarrfikësve, Kevin Dippolito. “Ishte një polic që fjalë për fjalë i hodhi dy persona mbi shpatulla dhe vrapoi me ta drejt stafit mjekësor”, tha ai.

    Sipas Dippolitos, disa persona ishin bllokuar në bodrumin e ndërtesës së shembur, por u arrit të shpëtoheshin.

    “Ne ende jemi në fazën e shpëtimit. Nuk kemi kaluar në fazën e rikuperimit,” u shpreh ai.

    Ekipet e emergjencës po vazhdojnë punën për të shpëtuar persona të mundshëm që mund të jenë ende të bllokuar brenda ndërtesës, tha shefi i zjarrfikësve.

    Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, tha se numri i saktë i të plagosurve ende nuk dihet, ndërsa shkaku i shpërthimit mbetet nën hetime.

    Pamje dhe video të publikuara në rrjetet sociale nga mediat lokale tregojnë një ndërtesë pjesërisht të shembur, nga e cila dalin flakë të mëdha.

    Shapiro vlerësoi ndihmën e autoriteteve nga e gjithë zona që u mobilizuan për të ofruar asistencë, si dhe banorët që jetojnë pranë shtëpisë së të moshuarve, duke i quajtur ata “të jashtëzakonshëm”.

    “Patëm banorë që dolën nga shtëpitë e tyre duke ofruar ndihmë,” tha ai. “Kjo është mënyra e Pensilvanisë: fqinjët që ndihmojnë fqinjët në një moment nevoje.”

  • Moti sot: Kryesisht i vranët dhe herë pas here me reshje shiu

    Moti sot: Kryesisht i vranët dhe herë pas here me reshje shiu

    Sot parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe herë pas here me reshje lokale shiu, kryesisht të përqëndruara gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe mëngjesit.

    Vonë në mbrëmje, pritet intensifikim i reshjeve në shkallë vendi, ku rreth mesnatës, reshjet mund të paraqiten në formë të borës në verilindje të vendit.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 13-35 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 2 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale prej 6 deri në 9°C.

  • Sot nis gjyqi ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit

    Sot nis gjyqi ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit

    Sot do të nis gjyqi ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Seanca fillestare ndaj vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq do të mbahet në orën 09:30 të 24 dhjetorit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Më 9 dhjetor, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj tre të pandehurve për shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varragë.

    Prokuroria i ngarkon të pandehurit me veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, “kryerjes së veprës terroriste”, “armëmbajtjes pa leje” dhe “spiunazhit”.

    Prokuroria thotë se të akuzuarit, së bashku me persona ende të panjohur, kanë vepruar me qëllim të frikësimit të popullsisë dhe rrezikimit të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit. Eksplozivi, i vendosur përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni dhe i aktivizuar me fitil zjarrpërcjellës, ka shkaktuar një shpërthim të fuqishëm duke dëmtuar rëndë strukturën e kanalit.

    Si pasojë, është ndërprerë furnizimi me ujë për disa komuna në veri dhe qendër të Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike. Dëmet materiale llogariten në 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

  • Punëtorët e KEK-ut protestojnë sërish sot, paralajmërojnë një “surprizë”

    Punëtorët e KEK-ut protestojnë sërish sot, paralajmërojnë një “surprizë”

    Kryesia e Sindikatës së Re të KEK-ut ka njoftuar se sot, duke filluar nga ora 11:00, do të organizohet një protestë para zyrave qendrore të KEK-ut në Prishtinë.

    Në njoftim theksohet se kërkesat e punëtorëve janë tashmë të njohura, por menaxhmenti dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë një përgjigje konkrete dhe serioze.

    Kryesia e sindikatës ka vendosur unanimisht organizimin e protestës për realizimin e këtyre kërkesave.

    “Gjatë protestës do të prezantohet një SURPRIZË lidhur me shumën e kërkesës për rritjen e pagave, e cila do të bëhet publike në vetë protestën. Pa punëtor nuk ka energji. Pa dinjitet nuk ka KEK. Ftojmë punëtorët e KEK-ut, mediat dhe qytetarët që të jenë pjesë e kësaj proteste,” thuhet në njoftim.

  • Në ditën e shtatë të fushatës, NISMA ua dedikon mërgimtarëve

    Në ditën e shtatë të fushatës, NISMA ua dedikon mërgimtarëve

    Kryetari i NISMËS Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi me votimin e numrin 122 “qahet rrethimi”.

    Sipas Limajt, votimi i numrit 122, është veprim i guximshëm në të mirë të vendit.

    Ky takoi edhe mërgimtarë, të cilët sipas tij do t’i ndihmojnë në misionin për ta qarë rrethimin.

    Madje këta vazhdojnë t’i drejtohen Limajt me nofkën e luftës.

    Diasporës me mesazh, iu drejtua edhe kandidatja Arbreshë Krasniqi.

    NISMA Socialdemokrate garon me 110 kandidatë.