ATV

Category: Lajme

  • Si po i thyen Mbreti Charles III traditat mbretërore me mesazhin e Krishtlindjes

    Si po i thyen Mbreti Charles III traditat mbretërore me mesazhin e Krishtlindjes

    Mbreti Charles III po i jep një frymë më moderne një tradite të gjatë mbretërore me mesazhin e tij të Krishtlindjes për vitin 2025, duke zgjedhur ta regjistrojë fjalimin vjetor nga “Faltorja e Zonjës” në Westminster Abbey dhe jo nga një rezidencë tradicionale mbretërore.

    Mesazhi i këtij viti që do të transmetohet në Ditën e Krishtlindjes në orën 15:00, është xhiruar në këtë hapësirë historike me rëndësi të veçantë fetare dhe kulturore, e cila nuk e ka pritur kurrë më parë një fjalim festiv të një monarku. Ky veprim shënon vetëm herën e dytë gjatë mbretërimit të tij që Charles mban fjalimin e Krishtlindjes jashtë një pallati apo prone mbretërore, pas regjistrimit të vitit të kaluar në Faltoren “Fitzrovia” në Londër.

    Duke dalë jashtë mureve të Pallatit “Buckingham” dhe rezidencave të tjera mbretërore, Charles po sinjalizon një qasje më personale dhe shpirtërore ndaj këtij mesazhi. Burime nga pallati thonë se zgjedhja e vendndodhjes pasqyron fokusin e tij te tema si pelegrinazhi, besimi dhe reflektimi, duke e lidhur ambientin me thelbin e fjalimit.

    Tradicionalisht, monarkët britanikë i kanë mbajtur mesazhet e Krishtlindjes nga rezidenca mbretërore si Pallati “Buckingham” apo “Sandringham”, një praktikë e vendosur prej dekadash që ka forcuar lidhjen mes kurorës dhe pronave historike të saj. Vendimi i Charles për të folur nga një hapësirë e shenjtë si Westminster Abbey thekson dëshirën e tij për ta lidhur monarkinë me narrativa më të gjera kulturore dhe fetare.

    Ky largim nga konvencioni vjen në një kohë kur roli i monarkut po vëzhgohet nga afër në një botë në ndryshim, me Charles që po e përdor gjithnjë e më shumë platformën e tij për të theksuar reflektimin personal, komunitetin dhe çështje që shkojnë përtej mureve të pallatit.

    Mesazhi i Krishtlindjes për vitin 2025 vazhdon një traditë mbretërore që filloi në vitin 1932 me Mbretin George V dhe që prej asaj kohe transmetohet çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Komonuelth.

  • Punëtorët e KEK-ut tregojn “surprizën” e protestës, kërkojnë pagë mesatare 1,100 euro

    Punëtorët e KEK-ut tregojn “surprizën” e protestës, kërkojnë pagë mesatare 1,100 euro

    Kryetari i Sindikatës së re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka zbuluar kërkesën kryesore të punëtorëve që protestuan të mërkurën, duke kërkuar një pagë mesatare prej 1,100 eurosh.

    Sipas tij, kjo shifër është përmendur më parë nga kryeshefi i KEK-ut, i cili kishte thënë se punëtorët e ndërmarrjes marrin pagë mesatare rreth kësaj vlere.

    Në fjalën e tij para punëtorëve, Llumnica ka theksuar se do të bazohen në fjalën e kryeshefit dhe do të kërkojnë pagë në këtë nivel.

    “Kryeshefi i KEK-ut jo vetëm se nuk është i interesuar t’i zgjidhë kërkesat e punëtorëve të KEK-ut, por po na thotë se i kemi pagat më të larta në Kosovë. Sigurisht se ai po i mendon shërbyesit civilë sikur ndërmarrjet publike, e aq më larg KEK-un që sot vdesin 1% të stafit. Kryeshefi i KEK-ut na tha se i kemi mbi 1,100 e disa euro të ardhura mujore. Ne Sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës e dimë që mesatarja e pagës bazë është rreth 750 euro. Kam thënë se e kam një surprizë, e ajo surprizë është mos t’ia shkelim fjalën kryeshefit, pra ne nga këtu kërkojmë 1,100 euro pagë mesatare. Për të mbetur kjo pagë 1,100 duhet të shtohen edhe 350 euro për secilin punëtor, në bazë të pagës mesatare. Prandaj nga këtu kjo kërkesë do të jetë legjitime dhe nuk do ta anashkalojmë asnjëherë deri në grevë.”

    Llumnica ka akuzuar më tej menaxhmentin e KEK-ut për keqplanifikim dhe keqmenaxhim, duke theksuar se punëtorët janë ata që mbajnë prodhimin:

    “Kjo që po e bën menaxhmenti i KEK-ut po duket si për inat, po këta punëtorë janë të cilët e mbajnë prodhimin. Ne shpeshherë kemi punuar pa menaxhment fare. Na u është thënë se performanca është e dobët, jam i bindur se performanca ka qenë shembullore, por keqplanifikimi dhe keqmenaxhimi nuk janë faj i yni.”

    Protesta e fundit e punëtorëve vjen pas muajsh kërkesash të paplotësuara, duke nxitur shpalosjen e asaj që Llumnica e quajti “surpriza” për menaxhmentin.

  • Pesë të lënduar nga aksidenti në rrugën Mitrovicë–Leposaviq, përfshihet edhe një veturë e Policisë

    Pesë të lënduar nga aksidenti në rrugën Mitrovicë–Leposaviq, përfshihet edhe një veturë e Policisë

    Pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur më 24 dhjetor 2025 në rrugën nacionale Mitrovicë–Leposaviq, përkatësisht në fshatin Rudar, njofton Policia e Kosovës.

    Në këtë aksident janë përfshirë një veturë civile dhe një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës.

    Sipas raportit policor, në aksident kanë pësuar lëndime tre persona nga automjeti civil dhe dy zyrtarë policorë, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor dhe ndodhen nën kujdesin e stafit shëndetësor.

    Fillimisht, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jug. Po ashtu, në vendin e aksidentit kanë intervenuar zjarrfikësit dhe stafi mjekësor emergjent nga Mitrovica e Jugut.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

     

  • Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura pritet nga gjenerali Jashari

    Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura pritet nga gjenerali Jashari

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingji.

    Fillimisht, Gjeneral Jashari e falënderoi Gjeneral Kingjin për lidershipin e tij në udhëheqjen e FARSH-it, si dhe për mbështetjen dhe përkrahjen vëllazërore ndaj FSK-së. Po ashtu, u diskutuan zhvillimet aktuale në fushën e sigurisë dhe roli i FSK-së në garantimin e sigurisë së Kosovës, si një kontribuues i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal.

    Bëhet e ditur se gjatë takimit, të dy gjeneralët vlerësuan lart progresin e FSK-së në fushën e zhvillimit dhe modernizimit, si dhe performancën e trupave tona në ndërveprueshmëri gjatë aktiviteteve shumëkombëshe. Njëkohësisht, u theksua rëndësia e mbështetjes së FARSH-it për zhvillimin e mëtejmë të FSK-së, veçanërisht në fushat e arsimimit, stërvitjes dhe shkëmbimit të përvojave, duke avancuar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh.

    Në përmbyllje të takimit, gjeneralët ritheksuan se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet një prioritet strategjik kombëtar. Në këtë kontekst, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse u vlerësua si thelbësor për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

  • Shënohet rritje e të hyrave për 135 milionë euro, Llugaliu: 98% e të hyrave doganore nga deklarimi vullnetar

    Shënohet rritje e të hyrave për 135 milionë euro, Llugaliu: 98% e të hyrave doganore nga deklarimi vullnetar

    Me rastin e konferencës vjetore, Dogana e Kosovës ka njoftuar për punën dhe rezultatet e arritura gjatë vitit ku është bërë e  ditur se është shënuar rritje e të hyrave për 135 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar, raporton Ekonomia Online.

    Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, në fjalën e tij tha se 98 për qind e të hyrave doganore deklarohen vullnetarisht.

    “Dogana e Kosovës edhe këtë vit e mbyll me sukses punën në të gjitha fushat e misionit të saj. Sa i përket të hyrave, ne kemi pasur projeksione nga Qeveria në shumën prej 1 miliard e 897 milionë euro, ndërsa deri në ditën e fundit të këtij viti do të arrijmë të mbledhim 1 miliard e 968 milionë euro. Kjo shumë përbën 135 milionë euro më shumë se viti paraprak dhe tejkalon projeksionin për 70 milionë euro. Ne vlerësojmë se disa faktorë kanë ndikuar në këtë sukses, përfshirë rritjen ekonomike, por edhe gatishmërinë e bizneseve për t’u përmbajtur ligjeve sa i përket pagesës së tatimeve. Kjo është veçanërisht e theksuar duke pasur parasysh se 98 për qind e të hyrave realizohen përmes deklarimit vullnetar. Po ashtu, Dogana e Kosovës ka bërë përpjekje të vazhdueshme për kontrolle efektive në terren dhe për një luftë të qëndrueshme kundër informalitetit”, tha ai.

    Ndërkaq, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se si rezultat i luftës kundër kontrabandës është rritur deklarimi vullnetar.

    “Siç u pa nga pasqyrat e raportit që u prezantuan nga drejtori, rezultatet tregojnë një sukses të vazhdueshëm. Sidomos gjatë pesë viteve të fundit, pothuajse në të gjitha vitet ka pasur tejkalim të projeksioneve krahasuar me atë që ishte planifikuar në fillim të vitit sa i përket të hyrave të mbledhura deri në fund të vitit. Kjo tregon një rritje të vazhdueshme të suksesit dhe nënkupton se edhe ne, si Ministri e Financave, duhet t’i rikalibrojmë projeksionet tona dhe t’i përshtatim me ritmin e ri të Doganës. Vlen të theksohet se 98 për qind e vlerës së mbledhur vjen nga deklarimet vullnetare, gjë që është shumë e rëndësishme, pasi vetëm 2 për qind vjen nga kontrollet shtesë. Kjo dëshmon se shumica e deklarimeve janë të sakta dhe se kjo ka ardhur si rezultat i luftës së pakompromis ndaj kontrabandës dhe rrugëve të tjera ilegale, si dhe rritjes së kontrollit”, tha Murati.

  • Venezuela akuzon ShBA-në për “shantazh” lidhur me sekuestrimin e cisternave të naftës

    Venezuela akuzon ShBA-në për “shantazh” lidhur me sekuestrimin e cisternave të naftës

    Venezuela ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “shantazhimin më të madh” gjatë një seance emergjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York.

    Sekuestrimi i dy cisternave të naftës venezuelase nga Washingtoni ishte “më keq se pirateria”, tha ambasadori venezuelas në OKB.

    Mbledhja emergjente e Këshillit të Sigurimit u thirr për të diskutuar rreth sekuestrimit të cisternave, e cila ndodhi pranë bregut të Venezuelës më herët gjatë këtij muaji, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë thënë se po ndjekin një cisternë të tretë venezuelase.

    Presidenti Trump ka akuzuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, se drejton një kartel droge dhe se bandat kanë vepruar me impunitet për një kohë të gjatë. Më 16 dhjetor, Trump urdhëroi një bllokadë detare ndaj të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Presidenti amerikan ka thënë se SHBA-ja do të mbajë ose shesë naftën bruto që gjendet në cisternat e sekuestruara, si dhe vetë anijet.

    SHBA-ja ka dislokuar 15,000 trupa dhe një varg anijesh, përfshirë aeroplanmbajtëse, shkatërruese me raketa të udhëzuara dhe anije sulmi amfibe, në Karaibe.

    Qëllimi i deklaruar i dislokimit – më i madhi në rajon që nga invazioni i SHBA-së në Panamë në 1989 – është të ndalojë rrjedhën e fentanylit dhe kokainës drejt SHBA-së.

    SHBA-ja gjithashtu ka targetuar më shumë se 20 anije në Paqësor dhe Karaibe gjatë muajve të fundit, duke vrarë të paktën 100 persona, si pjesë e fushatës së presidentit Trump kundër bandave që ai akuzon për transport të drogës në rajon.

    Disa ekspertë thonë se sulmet mund të shkelin ligjet që rregullojnë konfliktet e armatosura.

    Përfaqësuesi i Venezuelës në OKB tha se SHBA-ja po e bën vendin e tij subjekt të “shantazhit më të madh” në historinë e tij.

    Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të martën, Samuel Moncada tha: “Ne jemi përballë një fuqie që vepron jashtë ligjit ndërkombëtar, duke kërkuar që venezuelasit të lëshojnë vendin e tyre dhe ta dorëzojnë.”

    Duke iu referuar sekuestrimit të naftës venezuelase nga SHBA-ja, ai shtoi: “Po flasim për plaçkitje, grabitje dhe rikolonizim të Venezuelës. Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka juridiksion në Karaibe.”

    Duke folur për industrinë e naftës në Venezuelë, ai pyeti: “Çfarë lidhjeje ka kjo me drogën?”

    Në përgjigje, ambasadori i SHBA-së në OKB, Michael Waltz, tha në Këshillin e Sigurimit se SHBA-ja nuk e njeh Maduro-n si lider legjitim të Venezuelës.

    “Aftësia e Maduro-s për të shitur naftën e Venezuelës i mundëson pretendimet e tij mashtruese për pushtet dhe aktivitetet e tij narco-terroriste,” tha Waltz.

    Gjatë një vizite në një panair tregtar në Caracas, presidenti Maduro tha: “Këshilli i Sigurimit po i jep mbështetje të jashtëzakonshme Venezuelës.”

    Rusia dhe Kina akuzuan SHBA-në për intimidim dhe agresion.

    SHBA-ja po “shkatërron në mënyrë të paligjshme anijet civile në Detin Karaibe,” tha ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, duke paralajmëruar se vendet e tjera mund të jenë të ardhshme.

    Veprimet e SHBA-së kundër anijeve venezuelase, tha ai, janë “një model për aktet e ardhshme të forcës kundër shteteve të Amerikës Latine.”

    Ndërkohë, përfaqësuesi kinez në OKB, Sun Lei, bëri thirrje që SHBA-ja të “ndalojë menjëherë veprimet përkatëse dhe të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

  • Policia apelon për mospërdorim të mjeteve të rrezikshme për festat e fundvitit: Të festojmë pa incidente

    Policia apelon për mospërdorim të mjeteve të rrezikshme për festat e fundvitit: Të festojmë pa incidente

    Policia e Kosovës, përmes një komunikate, ka uruar qytetarët për festat e fundvitit dhe ka bërë thirrje për kujdes, në mënyrë që festimet të zhvillohen pa incidente.

    Në një videomesazh, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka thënë se Policia ka hartuar planet policore, porse kontribut të madh dhe të pamohueshëm në siguri dhe parandalim të incidenteve mund të japin qytetarët.

    “Tani jemi në prag të festave të fundvitit. Në emër të Policisë së Kosovës, ju urojmë festat me shpresën që ju dhe familjet tuaja të gëzoni shëndet dhe mbarësi në jetë. Ashtu si çdo vit, edhe këtë vit priten organizime të ndryshme, si në ambiente familjare, hapësira të jashtme, po ashtu edhe në sheshe dhe lokacione të mbyllura. Për t’i kaluar festat sa më qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës ka planifikuar me kohë planet policore, duke përfshirë masat e nevojshme dhe shtimin e prezencës policore. Megjithatë, një kontribut i madh dhe i pamohueshëm në ruajtjen e sigurisë mund të jepet edhe nga ju, qytetarë të dashur, duke festuar në mënyrë të qetë dhe të sigurt, pa përdorim të mjeteve të rrezikshme, dhe sidomos duke parandaluar përdorimin e tyre nga fëmijët. Le të festojmë dhe të kontribuojmë së bashku, që këto festa të kalojnë pa probleme dhe të qeta,” thuhet në mesazh.

  • Shkodër: Goditen 7 ambiente të kultivimit të bimëve narkotike, 22-vjeçari arrestohet në flagrancë

    Shkodër: Goditen 7 ambiente të kultivimit të bimëve narkotike, 22-vjeçari arrestohet në flagrancë

    Shërbimet e Drejtori së Vendore të Policisë Shkodër kanë finalizuar fazën e katërt të operacionit policor të koduar “Neonët 4”, duke goditur 7 ambiente të dyshuara për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave.

    Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrolleve intensive në ambiente të mbyllura u arrestua në flagrancë shtetasi Gj. B., 22 vjeç, banues në Laç, Vau i Dejës, i cili kishte marrë me qira një banesë në Velipojë dhe e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

    Gjithashtu, u ndalua R. V., 25 vjeç, banues në Shkodër, ndërsa dy punonjës të OSHEE-së, A. U., 50 vjeç dhe Gj. T., 59 vjeç, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

    Nga kontrolli i banesës së Gj. B., policia sekuestruar: 308 bimë të dyshuara kanabis, 85 gramë kanabis të tharë, 122 pajisje elektrike për kultivim, 4 celularë.

    Në banesën e shtetasit R. V. u sekuestruan: 3 llamba dhe 1 përforcues grushti.

    Gjithsej janë sekuestruar 300 bimë të dyshuara kanabis, një sasi kanabisi, 125 pajisje elektrike, 4 celularë dhe një përforcues grushti.

    Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër dhe me mbështetjen e Forcës Operacionale dhe grupit “Shqiponjat”. Kontrollimet intensive u fokusuan në evidentimin, kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike për shitje, si dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

    Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vazhdon punën intensive për goditjen e këtij aktiviteti kriminal.

  • Rusia synon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë

    Rusia synon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë

    Rusia planifikon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë në dekadën e ardhshme për të furnizuar programin e saj hapësinor hënor dhe një stacion të përbashkët kërkimor ruso-kinez, teksa fuqitë e mëdha po nxitojnë të eksplorojnë satelitin e vetëm natyror të Tokës.

    Që nga koha kur kozmonauti sovjetik, Yuri Gagarin, u bë njeriu i parë që shkoi në hapësirë më 1961, Rusia e ka paraqitur veten si një fuqi udhëheqëse në eksplorimin e hapësirës, por në dekadat e fundit ka mbetur prapa Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim, dhe gjithnjë më prapa edhe Kinës.

    Ambiciet e Rusisë pësuan një goditje të madhe në gusht të vitit 2023, kur misioni i saj pa ekuipazh Luna-25 u përplas me sipërfaqen e Hënës gjatë përpjekjes për t’u ulur, teksa miliarderi Elon Musk ka revolucionarizuar lëshimin e mjeteve hapësinore, gjë që dikur ishte një specialitet rus.

    Korporata shtetërore ruse e hapësirës, Roscosmos, njoftoi se planifikon të ndërtojë një central energjetik në Hënë deri në vitin 2036, duke shtuar se ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e industrisë hapësinore, Lavochkin Association për ta realizuar këtë projekt.

    Roscosmos tha se qëllimi i centralit është që të furnizojë me energji programin hënor të Rusisë, përfshirë automjetet robotike, një observator dhe infrastrukturën e Stacionit e Përbashkët Ndërkombëtar Kërkimor Ruso-Kinez, njofton rel.

    “Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një stacioni të përhershëm hënor dhe kalimin nga misionet që zhvillohen vetëm një herë në një program afatgjatë të eksplorimit të Hënës”, tha Roscosmos.

    Roscosmos nuk tregoi në mënyrë eksplicite nëse centrali do të ishte bërthamor, por njoftoi se ndër pjesëmarrësit në projekt janë korporata shtetërore ruse e energjisë bërthamore Rosatom dhe Instituti Kurchatov, që është instituti kryesor i Rusisë për kërkime bërthamore.

    Kreu i Roscosmos, Dmitry Bakanov, tha në muajin qershor se një nga synimet e korporatës është të ndërtojë një central bërthamor në Hënë dhe të eksplorojë Venerën, që njihet si “planeti motër” i Tokës.

    Hëna, e cila ndodhet 384.400 kilometra larg nga Toka, ndikon në stabilizimin e lëkundjes së Tokës rreth boshtit të saj, duke siguruar një klimë më të qëndrueshme. Ajo po ashtu shkakton baticat dhe zbaticat në oqeanet e botës.

  • Ndërpritet seanca fillestare për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, kërkohet përjashtimi i prokurorit

    Ndërpritet seanca fillestare për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, kërkohet përjashtimi i prokurorit

    Seanca fillestare për tre të akuzuarit në rastin e sulmit në kanalin Ibër Lepenc në Zubin Potok është ndërprerë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas kërkesave të paraqitura nga palët mbrojtëse për përjashtimin e prokurorit të rastit.

    Kërkesat u parashtruan me arsyetimin se gjatë fazës hetimore nuk janë ndërmarrë veprime të plota për mbledhjen dhe administrimin e provave të propozuara nga mbrojtja.

    Sipas gjykatës, seanca është ndërprerë derisa të merret vendim nga Kryeprokurori kompetent lidhur me kërkesën për përjashtim të prokurorit publik, Bekim Kodraliu.

    Avokati Nebojsha Vllajiq, mbrojtës i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, deklaroi se ka vërejtje serioze ndaj mënyrës së veprimit të prokurorisë dhe se ka kërkuar zyrtarisht përjashtimin e prokurorit.

    Ai tha se kërkesa për mbledhje të provave ishte parashtruar që më 6 dhjetor 2024, vetëm disa ditë pas arrestimit të të akuzuarit, por sipas tij asnjë nga provat e propozuara nuk është administruar.

    Vllajiq theksoi se janë marrë vetëm disa incizime nga një kamerë dhe se ato janë paraqitur në mënyrë selektive, pa sqaruar kohën, e cila sipas tij është element thelbësor për rastin. Ai shtoi se mosveprimi i prokurorisë ka sjellë humbjen e disa provave përgjithmonë.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, avokati Millosh Deleviq, u bashkua me kërkesën e kolegut të tij, duke deklaruar se edhe ai kishte kërkuar që në dhjetor të vitit 2024 dëgjimin e katër dëshmitarëve dhe mbledhjen e incizimeve nga disa objekte, përfshirë banka dhe stacioni policor në Zubin Potok, por se deri më tani prokuroria nuk ka vepruar sipas këtyre kërkesave.

    “Më duhet t’i bashkangjitem kolegut, pasi edhe unë më 11 dhjetor 2024 ia kam parashtruar kërkesën që të dëgjohen katër dëshmitarë. Kam kërkuar që të mblidhen video-incizime nga kamerat e dy objekteve, nga banka KEP në Zubin Potok dhe nga stacioni policor në Zubin Potok, një orë pas sulmit. Deri në ditën e sotme, prokurori special nuk ka vepruar sipas kërkesës. Në mënyrë të pakthyeshme e ka dëmtuar të drejtën në mbrojtje të Dragisha Viqentijeviqit. Kërkojmë që të ndërpritet kjo seancë deri sa kryeprokurori të deklarohet për këtë kërkesë”, tha ai.

    Ndërkaq, avokatja Jelena Krivokapiq, mbrojtëse e të akuzuarit Igor Dimoviq, tha se rasti i klientit të saj është i ndryshëm dhe se mbrojtja nuk ka vërejtje ndaj prokurorisë, duke shtuar se dokumentacioni është pranuar dhe se nuk mund të deklarohet për shkelje në këtë pjesë.

    Prokurori Bekim Kodraliu, duke iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes, tha se hetimi është zhvilluar në mënyrë profesionale dhe të koordinuar. Ai theksoi se provat e propozuara janë analizuar dhe se për komunikimet telefonike janë bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar me autoritetet serbe, por se nuk është pranuar përgjigje. Kodraliu shtoi se ligji përcakton qartë bazat mbi të cilat mund të kërkohet përjashtimi i prokurorit dhe se, sipas tij, këto baza nuk janë përmbushur në këtë rast.

    “Unë i dëgjova me vëmendje kërkesat e palës mbrojtëse. E di që ndoshta nuk ju pëlqen hetimi që unë kam zhvilluar në këtë rast, por i njoftoj palët që hetimi ka qenë profesional dhe ka qenë i koordinuar në mënyrë të përsosur. Provat që i kanë propozuar i kam analizuar dhe i dëgjova edhe sot. Komunikimet telefonike, të pandehurit Jovan kanë qenë në komunikim përmes telekomit të Serbisë dhe ne autoriteteve serbe u kemi drejtuar dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar, por nuk kemi pranuar përgjigje. Kolegu Vllajiq ka qenë prokuror në sistemin jugosllav dhe besoj që e di se kur mund të kërkohet ndërrimi i prokurorit në një rast penal. Kërkesa për përjashtim është nëse pala e dëmtuar apo familjari me të pandehurin, kujdestari ligjor apo prindi i të pandehurit ose i dëmtuari, nëse ka marrë pjesë si gjyqtar dhe nëse kam konflikt interesi. Këto janë bazat që prokurori duhet të largohet nga procedura. Këto janë pesë bazat ligjore mbi të cilat mund të kërkohet përjashtimi”, tha ai.

    Gjyqtari i çështjes, Vesel Ismaili, deklaroi se me paraqitjen e kërkesës për përjashtim, ligji obligon ndërprerjen e çdo veprimi procedural deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

    Ai njoftoi se seanca e sotme ndërpritet dhe se gjykata do të presë vendimin e kryeprokurorit special lidhur me kërkesën e parashtruar.

    “Nuk i kontestoj fare, por kjo i bie në kompetencë të prokurorit. Neve na obligon dispozita që, me rastin e paraqitjes së kërkesës për përjashtim, qoftë të gjyqtarit apo të prokurorit, menjëherë duhet të ndërpritet çdo veprim procedural në një çështje juridiko-penale, deri sa të shqyrtohet dhe të merret vendim. Seanca e sotme ndërpritet dhe presim vendimin e kryeprokurorit special”, tha ai.