ATV

Category: Lajme

  • Policia e Kosovës me aksion në Leposaviq – sekuestrohen armë, municion dhe pajisje ushtarake

    Policia e Kosovës me aksion në Leposaviq – sekuestrohen armë, municion dhe pajisje ushtarake

    Policia në Veri të Mitrovicës, përkatësisht në Stacionin Policor Leposaviq, me datat 19.12.2025 dhe 20.12.2025, janë iniciuar dy (2) raste për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

    Rasti I

    Me datë 19.12.2025, rreth orës 22:07, zyrtarë policorë nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), gjatë patrullimit në fshatin Rvatska, Komuna e Leposaviqit, në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe sekuestruar:

    1 (një) armë gjuetie,

    1 (një) karabinë,

    1 (një) armë të llojit AK-47,

    240 (dyqind e dyzet) fishekë,

    1 (një) palë dylbi.

    Si rrjedhojë e procedurave hetimore, më datë 22.12.2025, zyrtarët policorë në objektet përcjellëse të shtëpisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe:

    1 (një) pushkë ajrore,

    mekanizëm për barut,

    1 (një) thikë ushtarake,

    1 (një) frotroll për revole.

    Lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit penal për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

    Aktualisht nuk ka persona të arrestuar dhe rasti është në procedurë hetimore.

    Rasti II

    Me datë 20.12.2025, rreth orës 06:45, Policia ka arrestuar personin R.R. (1965), pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në fshatin Veacev, Komuna e Leposaviqit, janë gjetur dhe sekuestruar:

    1 (një) pushkë gjuetie,

    1 (një) pushkë gjysmë automatike,

    1 (një) bombë dore,

    2 (dy) tromblona, fishekë të kalibrave të ndryshëm, pajisje të ndryshme ushtarake (çantë, xhaketë, thikë, etj).

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e posedimit të armëve të zjarrit, duke vepruar në funksion të ruajtjes së rendit, paqes dhe sigurisë së përgjithshme për të gjithë qytetarët pa dallim.

  • Kjo është gjendja në pikat kufitare

    Kjo është gjendja në pikat kufitare

    Tashmë disa ditë shumë bashkatdhetarë kanë mësyrë vendlindjen e tyre Kosovës.

    Kjo ka bërë që të krijohen pritje të gjata dhe kolona në disa pika kufitare.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, pritjet më të mëdha variojnë te “Dheu i Bardhë” nga 35-45 minuta, ndërsa kolonat janë deri në 150 metra.

    Sakaq, në pikat e tjera kufitare pritjet variojnë nga 3 deri në 15 minuta.

  • Listës Serbe i shqiptohet gjobë prej 20 mijë eurosh nga PZAP

    Listës Serbe i shqiptohet gjobë prej 20 mijë eurosh nga PZAP

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur me 20 mijë euro subjektin politik Lista Serbe, për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

    Sipas vendimit të PZAP-së, ankesa është paraqitur nga subjekti politik Kosovski Savez, i cili ka pretenduar se në komunën e Leposaviqit, në disa lokacione të ndryshme, Lista Serbe ka vendosur materiale propagandistike në kundërshtim me ligjin. Për këto pretendime, Lista Serbe nuk ka dorëzuar përgjigje ndaj ankesës.

    Paneli ka vlerësuar se ankesa është e bazuar, duke theksuar se ankuesi ka bashkëngjitur fotografi si dëshmi të vendosjes së materialeve promovuese. Sipas vendimit, materialet ishin vendosur në hapësira publike, përfshirë shtylla elektrike, parqe, stacione autobusi, mbikalime, trafo-stacione elektrike dhe rrugë publike.

    Në arsyetim thuhet se vendosja e materialeve promovuese pa leje të organeve kompetente përbën shkelje të legjislacionit zgjedhor. PZAP ka obliguar Listën Serbe që menjëherë t’i largojë posterët dhe materialet e tjera zgjedhore, duke paralajmëruar se moszbatimi i këtij vendimi mund të sjellë sanksione shtesë.

     

  • Dogana e Kosovës sekuestron 380 fishekë në një lokal në Prishtinë

    Dogana e Kosovës sekuestron 380 fishekë në një lokal në Prishtinë

    Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se janë sekuestruar 380 fishekë në një lokal në Prishtinë.

    Ngjarja ka ndodhur me datën 23 dhjetor 2025, ku Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë realizuar një kontroll operativ në një lokal afarist, në kuadër të veprimeve të rregullta për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës.

    “Gjatë kontrollit në lokal dhe në një automjet të ndërlidhur me rastin, janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 350 fishekë 9 mm për armë të shkurtër (pistoletë) dhe 30 fishekë kalibri 70 mm për armë gjuetie, për të cilat dyshohet se janë mbajtur në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

    Rasti është njoftuar tek Prokuroria kompetente dhe i është dorëzuar Policisë së Kosovës për hetim të mëtejshëm sipas procedurave ligjore.

  • Komandanti i KFOR-it: Situata në Kosovë është e qetë, por ende e brishtë

    Komandanti i KFOR-it: Situata në Kosovë është e qetë, por ende e brishtë

    Komandanti i KFOR-it, gjenerali Oskan Ulutaş, deklaroi se situata e sigurisë në Kosovë është aktualisht e qetë, por ende e brishtë dhe e ndjeshme ndaj rritjes së shpejtë të tensioneve.

    Prioriteti kryesor i misionit të KFOR-it, sipas tij, është sigurimi i një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.

    Gjenerali Ulutaş kujtoi se pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 2023, NATO-ja shpërndau deri në 1.000 ushtarë shtesë, që përbën forcimin më të madh të misionit të KFOR-it në 10 vitet e fundit.

    Sot, KFOR-i ka mbi 5.000 ushtarë dhe, sipas tij, mbetet vigjilent, i gatshëm dhe i përgatitur të reagojë paanshëm në çdo moment.

    KFOR-i mban një prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën, përfshirë komunat veriore me shumicë serbe. Personeli shtesë është vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe pranë manastirit në Deçan, gjë që, sipas komandantit Ulutaş, është pjesë e praktikës së zakonshme për testimin e procedurave dhe ruajtjen e standardeve të larta operacionale.

    Ulutaş theksoi në RTK2 se KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e EULEX-it, si dhe me komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë UNMIK-un dhe korin diplomatik, në interes të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.

    Dialogu si çelësi i stabilitetit afatgjatë

    Sipas komandantit të KFOR-it, stabiliteti i qëndrueshëm i rajonit nuk mund të arrihet me mjete ushtarake, por përmes rrugëve politike. NATO-ja, përmes misionit të KFOR-it, kontribuon ndjeshëm në siguri, por rruga drejt paqes afatgjatë shihet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    “Dekadat e paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen”, theksoi Ulutaş, duke shtuar se prania e KFOR-it krijon hapësirë për dialog politik dhe nga të dyja palët pritet pjesëmarrje me mirëbesim, zbatim i marrëveshjeve ekzistuese dhe gatishmëri për kompromis.

    Gjenerali Ulutaş vlerëson bashkëpunimin e KFOR-it me Ushtrinë e Serbisë si të mirë dhe profesional. Ai theksoi se kryhen patrullime të sinkronizuara rregullisht përgjatë vijës administrative përkatëse, dhe komunikimi me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë është i rregullt dhe transparent.

    Ky bashkëpunim, sipas tij, forcon besimin reciprok, parandalon keqkuptime dhe kontribuon në stabilitetin rajonal.

    Duke iu referuar shqetësimeve të një pjese të komunitetit serb se KFOR-i nuk siguron mbrojtje të mjaftueshme, Ulutaş theksoi se KFOR-i zbaton mandatin e tij në mënyrë transparente dhe në interes të të gjitha komuniteteve. Ai shtoi se akuzat për paanshmëri janë të pasakta dhe mund të shkaktojnë keqkuptime të rrezikshme.

    KFOR-i ka rritur numrin e patrullave dhe aktiviteteve në terren dhe është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve dhe organizatat joqeveritare.

    E ardhmja e misionit të KFOR-it

    Duke folur për të ardhmen e misionit, Ulutaş theksoi se KFOR-i aktualisht është misioni më i madh i NATO-s dhe çdo vendim për tërheqjen e mundshme do të varet ekskluzivisht nga kushtet e sigurisë në terren dhe vendimet e Këshillit të Atlantikut të Veriut, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Në fund të intervistës, komandanti i KFOR-it nënvizoi se sfida e tij më e madhe profesionale, por edhe kënaqësia më e madhe, është përkushtimi i përditshëm i grave dhe burrave nën komandën e tij për shërbimin e paqes dhe sigurisë së të gjithë njerëzve në Kosovë.

  • Pse sulmet në zemër rriten gjatë sezonit festiv?

    Pse sulmet në zemër rriten gjatë sezonit festiv?

    Sezoni festiv zakonisht përjetohet si një periudhë gëzimi, pushimi dhe bashkimi familjar. Megjithatë, pas atmosferës festive fshihet një realitet shqetësues shëndetësor: rritja e ndjeshme e rasteve të sulmeve në zemër gjatë kësaj kohe. Ndryshimet në stilin e jetesës, niveli i lartë i stresit, ushqyerja e tepruar dhe kushtet klimatike dimërore krijojnë një kombinim faktorësh që e vë zemrën në rrezik.

    Në një artikull të publikuar në ABC7 thuhet se derisa kënaqemi me ushqim dhe alkool më të rëndë në këtë kohë të vitit, ekziston një rrezik i fshehur festash për të cilin duhet të jemi të vetëdijshëm.

    “…Në prag të Krishtlindjeve, shohim rreth 30% deri në 40% më shumë atake në zemër dhe midis 15% dhe 20% më shumë atake në zemër rreth Vitit të Ri…”, theksoi Dr.Kevin Arian nga “Dignity Health Northridge” (SHBA)!

    Për ta ulur rrezikun, këshilla e Dr.Kevin është: të bëhet e kundërta e asaj që njerëzit zakonisht bëjnë gjatë festave.

    “…Të jeni të kujdesshëm me alkoolin, të kufizohen ushqimet e rënda dhe të kripura, dhe të flihet mjaftueshëm. Gjumi është shumë i rëndësishëm. Flisni për shqetësimet tuaja me mjekun dhe mos i shtyni vizitat për pas festave…”, ka thënë ai.

    Vlen ta theksojmë se para disa javësh edhe “American Heart Association” u bëri thirrje njerëzve të jenë të vetëdijshëm dhe të zvogëlojnë rreziqet për sulmet vdekjeprurëse në zemër gjatë festave!

    Ndërkohë në artikullin e ABC7, po ashtu potencohet se festat mund të jenë gjithashtu një kohë pikëllimi, vetmie dhe izolimi, të cilat mund të çojnë në depresion, një tjetër kontribues i rëndësishëm në sëmundjet e zemrës.

  • Paralajmërohet bllokadë e rrugës afër kufirit Kosovë –Serbi, QKMK del me apel për qytetarët

    Paralajmërohet bllokadë e rrugës afër kufirit Kosovë –Serbi, QKMK del me apel për qytetarët

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka njoftuar se nesër, më 24 dhjetor është paralajmëruar një bllokadë e rrugës nga banorët lokalë në segmentin rrugor të fshatit Kastrat të Kurshumlisë të Serbisë.

    Nga QKMK, qytetarëve i është bërë thirrje që të shfrytëzojnë rrugë të tjera me qëllim të evitimit të pengesave në rrugë.

    Njoftim:

    Duke u bazuar në burimet e hapura-mediat online, më datë, 24 Dhjetor 2025, është paralajmëruar bllokadë e rrugës, nga banorët lokal në segmentin rrugor, në fshatin Kastrat të Kurshumlisë (SRB), nga ora 11.50 deri në ora 15.50.

    Ju inkurajojmë, që të shfrytëzoni rrugë tjera, me qëllim të evitimit të pengesave në rrugë.

    Për çdo informatë shtesë, ju lutem kontaktoni📞 në numrat e QKMK-së +38345198000, +38345198606 dhe 080050095.

  • Rrahje në Dumnicë të Podujevës, dërgohet në mbajtje një person

    Rrahje në Dumnicë të Podujevës, dërgohet në mbajtje një person

    Një person ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga dy persona të tjerë.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë thuhet se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 07:35 në fshatin Dumnicë të Podujevës.

    Tutje në raport thuhet se njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërsa tjetri nuk është hasur.

    “Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërsa tjetri nuk është hasur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

  • Rusia sulmoi Kievin herët në mëngjes, Polonia ngre avionët luftarakë për të mbrojtur hapësirën ajrore

    Rusia sulmoi Kievin herët në mëngjes, Polonia ngre avionët luftarakë për të mbrojtur hapësirën ajrore

    Rusia sulmoi infrastrukturën energjetike të Kievit dhe Ukrainës herët këtë mëngjes, duke shkaktuar ndërprerje emergjente të energjisë elektrike dhe duke e shtyrë Poloninë, anëtare të NATO-s, të ngrinte avionë luftarakë për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore, dy ditë pas përfundimit të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të në Miami.

    Bisedimet e paqes, të mbajtura gjatë fundjavës në Miami , përfshinë zyrtarë amerikanë, delegacione ukrainase dhe evropiane, si dhe kontakte të ndara me përfaqësues rusë. Në orën 08:20 u shpallën alarme për sulme ajrore në pjesën më të madhe të Ukrainës, sipas Forcave Ajrore të vendit.

    Mbeturinat ranë pranë një ndërtese banimi në lagjen Sviatosinsky të Kievit, duke thyer dritaret, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko nëpërmjet Telegramit.

    Ministria e Energjisë e Ukrainës tha se ndërprerje emergjente të energjisë elektrike kishin ndodhur në një numër rajonesh, përfshirë Kievin dhe zonën përreth, pasi Rusia sulmoi përsëri objektet e energjisë.

    Kompania shtetërore e energjisë e Ukrainës, Ukrenergo, raportoi një “sulm masiv me raketa dhe dronë” dhe tha se punimet e restaurimit do të fillonin sapo situata e sigurisë ta lejonte.

    Rusia ka goditur vazhdimisht rrjetin dhe objektet e energjisë të Ukrainës në luftën gati katërvjeçare, duke intensifikuar sulmet në dimër për të ndërprerë energjinë elektrike dhe ngrohjen, për të tendosur furnizimet dhe ekonominë, si dhe për të rritur presionin mbi Kievin.

    Polonia, një anëtare e NATO-s që kufizohet me Ukrainën perëndimore, njoftoi se avionë polakë dhe aleatë u vendosën për të mbrojtur hapësirën ajrore polake pasi sulmet ruse shënjestruan zona të Ukrainës perëndimore pranë kufirit.

    “Këto masa janë parandaluese dhe synojnë të sigurojnë dhe mbrojnë hapësirën ajrore”, tha Komanda Operacionale Polake nëpërmjet X.

  • Tentoi t’i japë ryshfet një polici, një shtetas i Shqipërisë përfundon në pranga

    Tentoi t’i japë ryshfet një polici, një shtetas i Shqipërisë përfundon në pranga

    Një shtetas i Shqipërisë, është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, pasi dyshohet se i kishte ofruar ryshfet një zyrtari policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti do të trajtohet nga organet kompetente.