ATV

Category: Lajme

  • “Krishtlindje të lumtura”, ambasada e SHBA-së uron Kosovën dhe botën

    “Krishtlindje të lumtura”, ambasada e SHBA-së uron Kosovën dhe botën

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, i ka dërguar urimet e saj të ngrohta të Krishtlindjeve të gjithë atyre që po festojnë në mbarë botën.

    Në një postim në rrjetet sociale, ambasada ka uruar Krishtlindje të lumtura.

    “Për të gjithë ata që po festojnë në Kosovë dhe në mbarë botën, u urojmë Krishtlindje shumë të lumtura!”, thuhet në urim.

    Krishtlindja festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit dhe mbetet simbol i besimit, shpresës dhe bashkimit ndër njerëz. /Telegrafi/

  • Vdes babai i Salih Mustafës, Specialja nuk i dha leje për ta vizituar sa ishte në gjendje të rëndë shëndetësore

    Vdes babai i Salih Mustafës, Specialja nuk i dha leje për ta vizituar sa ishte në gjendje të rëndë shëndetësore

    Babai i Salih Mustafës, Jahja Mustafa, ka ndërruar jetë.

    Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët për Paparacin.

    Jahja Mustafa kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Pavarësisht kësaj, Gjykata Speciale nuk e lejoi të vinte në Kosovë për ta vizituar.

    Madje, Organizata e Veteranëve të Luftës doli me reagim, duke theksuar se Calit iu refuzua kërkesa për vizitë.

    Megjithatë, nga Gjykata Speciale nuk kanë dhënë asnjë konfirmim.

    Në një përgjigje për Nacionalen, Specialja ka theksuar se Ligji ia lejon Mustafës të bëjë kërkesë, por deri më tash nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar.

    “Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u lejon të paraburgosurve të kërkojnë një vizitë në Kosovë për arsye bindëse humanitare. Deri më tani nuk ka asnjë dosje publike që trajton pyetjen tuaj nëse është bërë një kërkesë”, thuhet në përgjigje.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte njoftuar se Salih Mustafës, i dënuar nga Gjykata Speciale me 15 vite burgim, i është refuzuar kërkesa që ta vizitojë babanë që raportohet të jetë në gjendje kritike shëndetësore.

    “Refuzimi i kësaj kërkese është i pakuptimtë, johuman dhe në kundërshtim me parimet themelore të të drejtave të njeriut”, tha OVL-UÇK në reagimin e saj.

    Sipas kësaj organizate, Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për pasojë, nuk ekziston asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në proces gjyqësor.

    “Ju njoftojmë se OVL UÇK këtë shqetësim do ta ngrejë tek të gjitha institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë organizatat për të drejtat e njeriut, duke kërkuar reagim dhe përgjegjësi për këto shkelje të rënda”, u tha më tutje.

    “Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi”, u tha në reagimin e OVL-UÇK.

    Për këtë, reagoi edhe Vlora Çitaku nga PDK-ja.

    “Gjykata Speciale ia ka refuzuar kërkesën Calit për ta vizituar babanë e tij, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është padrejtësi speciale. Edhe më e rëndë është heshtja e institucioneve tona. Një heshtje e turpshme. Cali është i fortë. Ai e përballon. Nuk thyhet. Por ju që mbani pozita drejtuese në institucione, e që nuk veproni, do t’ju mbulojë turpi. Indiferenca juaj është bashkëfajësi. Të mjerë”, shkroi ajo.

    Gjykata Speciale ia kishte refuzuar edhe Hashim Thaçit kërkesën disa herë për të ardhur në Kosovë, që ta vizitojë babanë e sëmurë.

    Kurse, ish-eprorët e tjerë të UÇK-së nuk u lejuan të marrin pjesë në ceremoni mortore, por vetëm pasi mbyllej e pamja. Kjo ishte kritikuar ashpër në Kosovë.

  • Arrestohet burri që dyshohet se dhunoi një burrë në Podujevë

    Arrestohet burri që dyshohet se dhunoi një burrë në Podujevë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Podujevë, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të dhunimit ndaj një viktimës kosovar.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 19 dhjetor, rreth orës 18:00.

    I dyshuari është ndaluar nga njësitë policore dhe më pas është intervistuar nga hetuesit.

    Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet nga organet e drejtësisë.

  • Kurti uron Krishtlindjen

    Kurti uron Krishtlindjen

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka uruar Krishtlindjen duke thënë se kjo festë është kremtim dhe reflektim, urim dhe mirënjohje, besim dhe shpresë.

    “Krishtlindja është kremtim dhe reflektim, urim dhe mirënjohje, besim dhe shpresë. Të dashur besimtarë të krishterë, urime këtë datë të shënuar dhe paçi një ditë të gëzuar e të begatë me më të dashurit tuaj. Uroj që mirësia e Zotit t’ju përcjellë gjithmonë dhe dashuria për tjetrin t’ju shtohet përherë”, ka shkruar Kurti në urimin e tij.

  • Lista Serbe gjobitet edhe me 30 mijë euro nga PZAP-i

    Lista Serbe gjobitet edhe me 30 mijë euro nga PZAP-i

    Paneli Zgjedhor për Ankesat dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim lidhur me ankesën e subjektit politik Kosovski Savez, me seli në Leposaviq, kundër subjektit politik Lista Serbe, me seli në veri të Mitrovicës.

    Kjo ankesë lidhej me shkeljen e Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Në vendimin e datës 24 dhjetor 2025,PZAP-i pranoi ankesën e subjektit Kosovski Savez dhe konstatoi se subjekti Lista Serbe ka shkelur Kodin e Mirësjelljes dhe detyrimet e tyre ndaj kandidatëve gjatë fushatës zgjedhore.

    Për këtë arsye, Lista Serbe është gjobitur me 30,000 euro dhe është urdhëruar që menjëherë të largojë nga hapësirat publike të gjitha posterat dhe materialet zgjedhore që lidhen me këtë shkelje.

    Ky vendim vjen pas një ankese të dorëzuar më 23 dhjetor 2025, ku subjekti Kosovski Savez pretendonte se Lista Serbe kishte vendosur materiale promovuese në rrugën “24 Nëntori” në Leposaviq, duke shkelur rregullat e fushatës zgjedhore.

    PZAP-i thekson rëndësinë e respektimit të Kodit të Mirësjelljes për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm.

    Theksojmë se Lista Serbe u gjobit nga PZAP-i me 20 mijë euro edhe gjatë së martës (23 dhjetor).

  • Trump uron Krishtlindjet: Zoti e bekoftë Amerikën

    Trump uron Krishtlindjet: Zoti e bekoftë Amerikën

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka uruar të gjithë qytetarët për Krishtlindje përmes rrjetit të tij social, Truth Social, duke kombinuar urimet festive me përmendjen e aspekteve që ai i konsideron si arritjet më të rëndësishme të mandatit të tij.

    “Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, përfshirë edhe fundërrinën e së majtës radikale që po bën gjithçka që mundet për të shkatërruar vendin tonë, por po dështon plotësisht në këtë drejtim”, shkroi presidenti republikan, para se të rendiste sukseset e tij.

    Trump theksoi se gjatë mandatit të tij nuk ka më kufij të hapur, nuk ka burra që konkurronin në sportet e grave, dhe nuk ka zbatim të dobët të ligjit.

    Ai shtoi se ajo që ka arritur është një treg aksionesh rekord, shifrat më të ulëta të krimit në dekada, asnjë inflacion, dhe një GDP prej 4.3, dy pikë më mirë se sa pritej.

    “Tarifat na kanë dhënë triliona dollarë dhe prosperitet, dhe sigurinë kombëtare më të fortë që kemi pasur ndonjëherë. Ne jemi të respektuar përsëri, ndoshta si kurrë më parë. Zoti e bekoftë Amerikën!!! Presidenti DJT,” përfundoi Trump postimin, duke i kombinuar urimet për festat me një reflektim mbi arritjet e tij në politikën kombëtare dhe ekonomike.

  • Ambasadori britanik uron qytetarët për Krishtlindje: Kohë gëzimi, bashkimi dhe shprese

    Ambasadori britanik uron qytetarët për Krishtlindje: Kohë gëzimi, bashkimi dhe shprese

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar festën e Krishtlindjes për të gjithë qytetarët që e festojnë sot.

    Duke publikuar një portret familjar pranë pemës së Krishtlindjes, Hargreaves ka shprehur urimet e tij për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    “Nga familja ime, juve dhe familjes suaj, ju urojmë një Krishtlindje të Gëzuar të gjithëve në Kosovë që festojnë sot. Kjo kohë është një kohë gëzimi, bashkimi dhe shprese. ‘Drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e ka mposhtur atë’,” shkroi ai.

  • Horoskopi sot – Çfarë parashikojnë yjet për ju?

    Horoskopi sot – Çfarë parashikojnë yjet për ju?

    Dashi – Kjo ditë ju gjen energjikë dhe me dëshirë për të marrë drejtimin e situatave. Në ambientin familjar mund të jeni figura që bashkon të tjerët, por kujdes të mos impononi mendimin tuaj. Në dashuri, nevojitet më shumë durim dhe dëgjim, sidomos nëse ka keqkuptime të vjetra. Një bisedë e sinqertë mund të sqarojë shumë. Në planin personal, ndiheni të motivuar për të menduar për hapa të rinj. Mbrëmja sjell qetësi dhe ndjenjë përmbushjeje.

    Demi – Sot ndiheni më të qetë dhe të fokusuar te gjërat që kanë vlerë të vërtetë për ju. Marrëdhëniet familjare dhe emocionale zënë vendin kryesor, duke ju dhënë siguri. Në dashuri kërkoni stabilitet dhe ngrohtësi, jo premtime boshe. Është një ditë e mirë për reflektim dhe për të vlerësuar çfarë keni arritur. Mos u mbyllni shumë në vetvete, sepse një ftesë apo bisedë e papritur mund t’ju gëzojë. Dita mbyllet me ndjesi rehatie.

    Binjakët – Mendja juaj është aktive dhe e mbushur me ide, por sot kërkohet më shumë qetësi se zakonisht. Një takim apo mesazh mund t’ju bëjë të rishikoni një mendim që e kishit të fiksuar. Në dashuri, komunikimi është çelësi për të shmangur keqinterpretimet. Mund të ndiheni pak të ndarë mes dëshirës për shoqëri dhe nevojës për vetmi. Ndiqni ritmin tuaj pa presion. Në mbrëmje ndiheni më të çliruar emocionalisht.

    Gaforrja – Kjo është një ditë e ndjeshme dhe e ngrohtë për ju, ku emocionet dalin natyrshëm në pah. Familja dhe njerëzit e afërt luajnë rol të rëndësishëm në humorin tuaj. Në dashuri, kërkoni siguri dhe përkushtim, duke shmangur dramat e panevojshme. Një kujtim nga e kaluara mund t’ju bëjë nostalgjikë, por edhe më të qartë për të ardhmen. Sot është mirë të tregoni ndjenjat pa frikë. Qetësia shpirtërore vjen gradualisht.

    Luani – Sot ndiheni në qendër të vëmendjes dhe kjo ju jep energji pozitive. Është një ditë e mirë për të forcuar lidhjet shoqërore dhe familjare. Në dashuri dëshironi vëmendje dhe vlerësim, por mos harroni ta jepni edhe ju. Një gjest i vogël mund të ketë ndikim të madh emocional. Vetëbesimi është i lartë, por shmangni krenarinë e tepruar. Dita mbyllet me ndjenjë kënaqësie personale.

    Virgjëresha – Sot keni nevojë për rregull dhe qartësi, sidomos në mendime. Një çështje që ju ka shqetësuar mund të marrë zgjidhje përmes një bisede të thjeshtë. Në dashuri, kërkoni sinqeritet dhe stabilitet emocional. Mos analizoni çdo detaj, sepse jo gjithçka ka nevojë për kontroll. Dita është e përshtatshme për të bërë paqe me veten. Ndiheni më të lehtësuar në mbrëmje.

    Peshorja – Balanca emocionale është tema kryesore e kësaj dite për ju. Mund të gjendeni mes dëshirës për harmoni dhe nevojës për të thënë të vërtetën. Në dashuri, kërkohet ndershmëri dhe mirëkuptim i ndërsjellë. Një vendim i vogël sot mund të ketë ndikim afatgjatë. Mos u shmangni përgjegjësive emocionale. Qetësia vjen kur jeni besnikë ndaj vetes.

    Akrepi – Emocionet janë të thella dhe intensive, duke ju bërë më të ndjeshëm se zakonisht. Sot është e rëndësishme të mos mbani gjithçka brenda vetes. Në dashuri, pasioni përzihet me nevojën për siguri emocionale. Një bisedë e hapur mund të forcojë ndjeshëm një lidhje. Intuita ju udhëheq drejt zgjedhjeve të duhura. Dita mbyllet me ndjenjë çlirimi.

    Shigjetari – Kjo ditë ju shtyn të mendoni për horizonte të reja dhe ndryshime të mundshme. Ndiheni më optimistë dhe të hapur ndaj njerëzve. Në dashuri kërkoni liri, por edhe mirëkuptim të ndërsjellë. Një ide apo plan mund të lindë spontanisht. Shmangni premtimet e nxituara. Energjia pozitive ju shoqëron deri në fund të ditës.

    Bricjapi – Sot ndiheni më reflektues dhe të fokusuar te ajo që ka rëndësi reale. Është një ditë e mirë për të vlerësuar arritjet dhe për të planifikuar me qetësi. Në dashuri, kërkoni stabilitet dhe ndershmëri. Një gjest i thjeshtë nga dikush i afërt ju prek më shumë seç prisni. Mos e ngarkoni veten me përgjegjësi të panevojshme. Dita mbyllet me ndjesi sigurie.

    Ujori – Kreativiteti dhe mendimi ndryshe ju dallojnë sot. Mund të surprizoni të tjerët me idetë ose qëndrimin tuaj. Në dashuri, kërkoni lidhje që ju japin hapësirë dhe mirëkuptim. Një bisedë e papritur mund t’ju ndryshojë humorin për mirë. Ndiqni instinktin, por mos harroni ndjeshmërinë e të tjerëve. Dita është e lehtë dhe frymëzuese.

    Peshqit – Intuita juaj është shumë e fortë dhe ju udhëheq në vendimet emocionale. Sot jeni më empatikë dhe të lidhur me ndjenjat e të tjerëve. Në dashuri, ëmbëlsia dhe kujdesi krijojnë afërsi të veçantë. Një moment qetësie ju ndihmon të riorganizoni mendimet. Mos u humbni në ëndrra pa bazë. Mbrëmja sjell ndjesi paqeje dhe butësie.

  • Papa Leo XIV mban Meshën e parë të Krishtlindjes që nga marrja e detyrës, përcjellë mesazh për dinjitet dhe dashuri

    Papa Leo XIV mban Meshën e parë të Krishtlindjes që nga marrja e detyrës, përcjellë mesazh për dinjitet dhe dashuri

    Papa Leoni XIV, në Meshën e tij të parë të Krishtlindjes, ka vendosur theksin te ekonomia dhe dinjiteti njerëzor, duke theksuar se Zoti dëshiron t’i çlirojë njerëzit “nga çdo skllavëri”.

    “Ndërsa një ekonomi e shtrembëruar na bën t’i trajtojmë njerëzit si mallra”, tha Papa Robert Francis Prevost, “Zoti e bën veten si ne, duke zbuluar dinjitetin e pafund të çdo personi. Ndërsa njeriu dëshiron të bëhet Zot për të dominuar të afërmin e tij, Zoti dëshiron të bëhet njeri për të na çliruar nga çdo skllavëri. A do të jetë e mjaftueshme kjo dashuri”, pyetja retorike e Papës, “për të ndryshuar historinë tonë?”

    Para fillimit të Meshës, Papa Leoni XIV zbuloi fytyrën e Jezusit Fëmijë në skenën e lindjes së Krishtit, e vendosur në një fron të vogël para Altarit të Rrëfimit në Bazilikën e Vatikanit.

    Gjesti i tij u pasua nga një homazh me lule nga fëmijë nga e gjithë bota, përfshirë Ukrainën.

    Sipas zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë, rreth 6,000 besimtarë ndoqën meshën brenda Bazilikës dhe rreth 5,000 të tjerë qëndruan jashtë, duke e ndjekur përmes ekraneve gjigante.

    Papa Leoni XIV gjithashtu përshëndeti besimtarët që qëndruan në shi jashtë Bazilikës së Shën Pjetrit para fillimit të Meshës së tij të parë si Papë në prag të Krishtlindjes: “Mirë se vini të gjithë, bienvenidos”, tha ai në shkallët e Bazilikës së Vatikanit.

  • Turqia arreston 115 anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik që po planifikonin sulme para festave të fundvitit

    Turqia arreston 115 anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik që po planifikonin sulme para festave të fundvitit

    Autoritetet turke arrestuan 115 persona të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik, të cilët planifikonin sulme gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

    Operacioni u zhvillua në Stamboll, ku policia bastisi 124 vende dhe arrestoi shumicën e të dyshuarve nga 137 që ishin në kërkim. Sipas prokurorisë, sulmet ishin synuar kryesisht ndaj jomuslimanëve gjatë festimeve.

    Policia tha se veprimi ishte pjesë e masave parandaluese për të mbrojtur qytetarët dhe festat e fundvitit.