ATV

Category: Lajme

  • Raporti i Ukrainës: Rusia ka humbur mbi 1 milion ushtarë që prej shkurtit 2022

    Raporti i Ukrainës: Rusia ka humbur mbi 1 milion ushtarë që prej shkurtit 2022

    Sipas raportit të përditshëm të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, të publikuar më sot bëhet e ditur se Rusia ka humbur rreth 1,201,230 ushtarë (të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur) që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë më 24 shkurt 2022.

    Kjo shifër përfshin 860 humbje vetëm gjatë 24 orëve të fundit.

    Raporti thekson gjithashtu humbje të mëdha në pajisje ushtarake ruse: 11,456 tanke, 23,801 automjete të blinduara luftarake, 71,274 automjete dhe cisterna karburanti, 35,435 sisteme artilerie, 1,579 sisteme raketore të lëshimit të shumëfishtë (MLRS), 1,263 sisteme mbrojtjeje ajrore, 434 avionë, 347 helikopterë, 94,797 dronë (UAV), 4,107 raketa kruiz, 28 anije dhe varka luftarake, si dhe 2 nëndetëse.

    Ndërkaq, më herët presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij për Krishtlindje theksoi unitetin kombëtar në kohë lufte.

    Sipas Zelenskyt, Ukraina kërkon paqe ndërsa Rusia vijon të kërkojë luftë.

    “Prej kohësh të lashta, ukrainasit kanë besuar se natën e Krishtlindjes qielli hapet. Dhe nëse u tregoni dëshirën tuaj, ajo patjetër do të realizohet. Sot, ne të gjithë kemi një ëndërr të përbashkët. Dhe shprehim një dëshirë të përbashkët për të gjithë,” u shpreh Zelensky.

  • Kurti i përgjigjet kritikave për shtesat 100-euroshe: Çdo herë i kemi ndarë para Vitit të Ri

    Kurti i përgjigjet kritikave për shtesat 100-euroshe: Çdo herë i kemi ndarë para Vitit të Ri

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kritikave për vendimin e Qeverisë në detyrë për të ndarë shtesa prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët në prag të zgjedhjeve, duke theksuar se kjo praktikë është e zakonshme dhe nuk përbën asgjë të re prej që ka ardhur në ekzekutiv.

    Ai ka thënë se çdo herë para festave i gëzojnë të moshuarit dhe fëmijët.

    “A kanë qenë ato shtesa edhe vitin e kaluar? A kanë qenë edhe para vitit të kaluar? Çdo herë para Vitit të Ri, kur kemi dimër e kemi festa, ne i gëzojmë të moshuarit dhe fëmijët. Nuk ka asgjë të re në këtë aspekt. E re është qeverisja jonë, e cila do të vazhdojë edhe mandatin e tretë”, ka deklaruar Kurti gjatë një vizite në stadiumin e futbollit në Shtime të enjten.

    Vendimi për të ndarë këto shtesa ka shkaktuar kritika, ku ish-opozita e ka cilësuar këtë lëvizje si “blerje votash”, pasi paratë po shpërndahen vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

    Të mërkurën (dje), Kurti njoftoi se pensionistët dhe fëmijët do t’i marrin 100 euro, të cilat do të ekzekutohen më 29 dhjetor – një ditë pasi të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

  • Arrestohet zjarrfikësi shqiptar, përdorte lokalin për të shitur drogë

    Arrestohet zjarrfikësi shqiptar, përdorte lokalin për të shitur drogë

    Një zjarrfikës në qytetin e Pogradecit është arrestuar nga policia pasi përdorte lokalin që kishte në administrim, për të shitur drogë.

    Në pranga ra 54-vjeçari, Luan Sulstarova, ndërsa në lokal u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis dhe një shumë parash që i posedonte i arrestuari.

    “Nga kontrolli në lokalin që administronte ky shtetas, në lagjen nr.1, Pogradec, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, një shumë parash e cila dyshohet të jetë siguruar nga ky aktivitet dhe 2 aparate celularë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”, tha policia, raporton A2.

    Menjëherë pas arrestimit, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të shërbimit zjarrfikës, Arben Cara, Sulstarova u pezullua nga puna. Mësohet se deri në përfundim të hetimeve dhe zbardhjes së plotë të rrethanave, zjarrfikësi do të jetë i pezulluar nga detyra.

  • KMDLNJ-ja kërkon hetim ndaj ZRrE-së: Faturat e rrymës përbëjnë abuzim të rëndë ekonomik

    KMDLNJ-ja kërkon hetim ndaj ZRrE-së: Faturat e rrymës përbëjnë abuzim të rëndë ekonomik

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) i ka cilësuar si abuzim të rëndë ekonomik ndaj qytetarëve të Kosovës faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor, ndërsa kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetojë punën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

    KMDLNJ-ja ka thënë se ka pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarët, të cilët raportojnë se faturat e dhjetorit janë mbi 70 për qind më të larta krahasuar me muajin paraprak. Në reagim thuhet se një rritje e tillë është e pabesueshme, e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme, sidomos duke marrë parasysh se temperaturat mes dy muajve nuk kanë pasur dallime të ndjeshme, çka përjashton rritjen e konsumit si arsye.

    “KMDLNJ-ja vlerëson se kjo situatë përbën abuzim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e familjeve kosovare, duke thelluar varfërinë dhe pasigurinë sociale”, thuhet në reagim.

    Organizata ka akuzuar ZRRE-në se, që nga themelimi i saj, ka vepruar vazhdimisht në dëm të qytetarëve dhe paguesve të rregullt të energjisë elektrike, duke fryrë faturat në kundërshtim me ligjin. Sipas KMDLNJ-së, këtë e dëshmon edhe një vendim gjyqësor që ka konstatuar diskriminim të qytetarëve në baza etnike dhe politike, pa pasuar kompensim për dëmet e shkaktuara.

    Po ashtu, KMDLNJ-ja vlerëson se mbështetja institucionale që Qeveria e Kosovës i ka dhënë ZRRE-së e bën atë bashkëpërgjegjëse për situatën aktuale, duke e identifikuar si pjesë të procesit të varfërimit të qytetarëve.

    Në reagim shprehet shqetësim edhe për blerjen e energjisë elektrike me çmime të larta, kryesisht nga tregtarë serbë dhe grekë, si dhe për dyshime të bazuara për korrupsion që, sipas KMDLNJ-së, përfshijnë ambasadorin Martin Berishaj dhe ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    “Këto praktika ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët fundorë. Licencimi i operatorëve për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike nxit dyshime serioze për korrupsion institucional të mirëplanifikuar”, thuhet në reagim, duke veçuar si alarmante dhënien e monopolit të tenderëve për shitblerje të energjisë një shtetasi serb, Vuk Hamoviq.

    KMDLNJ-ja ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë punën e ZRRE-së që nga fillimi i veprimtarisë së saj, dhënien e licencave monopolizuese, proceset e licencimit me baza nepotiste e politike, vendosjet politike në pozita kyçe si dhe të gjitha kontratat për blerje dhe shitje të energjisë elektrike.

    Po ashtu, organizata ka paralajmëruar se një rritje e re e çmimit të energjisë elektrike, e paraparë të shqyrtohet nga ZRRE-ja në mars 2026, do ta përkeqësonte edhe më tej gjendjen ekonomike të familjeve kosovare, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve dhe shërbimeve. KMDLNJ-ja ka ftuar qytetarët që të kundërshtojnë çdo rritje të çmimit të rrymës, pavarësisht se cila qeveri është në pushtet.

  • Reshjet e borës, Durmishi thotë se të gjithë operatorët janë aktivizuar për mirëmbajtjen e rrugëve

    Reshjet e borës, Durmishi thotë se të gjithë operatorët janë aktivizuar për mirëmbajtjen e rrugëve

    Me fillimin e reshjeve të borës, operatorët e mirëmbajtjes rrugore janë aktivizuar për kriposjen dhe pastrimin e rrugëve në të gjithë vendin, ka njoftuar ushtruesi i detyrës së Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    “Me fillimin e reshjeve të borës, janë aktivizuar operatorët e mirëmbajtjes për kriposjen dhe pastrimin e rrugëve dhe janë vënë në gjendje gatishmërie,” ka deklaruar Durmishi.

    Ai ka theksuar se institucionet janë të përgatitura për sezonin dimëror dhe se synimi është që qarkullimi të mos pengohet nga kushtet atmosferike.

    “Siç kemi theksuar, jemi të përgatitur që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme gjatë sezonit dimëror,” ka shtuar ai.

    Megjithatë, ushtruesi i detyrës së ministrit ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, për shkak të kushteve të vështira në rrugë.

    “Kujdesi i shtuar në komunikacion mbetet i domosdoshëm,” ka përfunduar Durmishi./Telegrafi/

  • OBSh: Një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Evropë lidhen me alkoolin

    OBSh: Një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Evropë lidhen me alkoolin

    Sipas një raporti të Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Evropë lidhen drejtpërdrejt me konsumin e alkoolit.

    OBSH e cilëson këtë një problem serioz të shëndetit publik, pasi alkooli dëmton gjykimin dhe koordinimin, duke rritur rrezikun për aksidente, dhunë dhe dëmtime të tjera.

    Të dhënat tregojnë se ndikimi i alkoolit është i përhapur në të gjitha vendet europiane dhe prek të gjitha grupmoshat. Megjithatë, të rinjtë dhe burrat rezultojnë të prekur në mënyrë disproporcionale nga vdekjet dhe lëndimet e lidhura me alkoolin.

    Masat parandaluese të rekomanduara nga OBSH

    OBSH nënvizon nevojën për ndërhyrje të forta dhe të qëndrueshme, mes tyre:

    Kufizime më të rrepta për disponueshmërinë dhe shitjen e alkoolit;

    Fushata informuese dhe ndërgjegjësuese për rreziqet e konsumit;

    Ndërhyrje të synuara për grupet me rrezik të lartë;

    Forcim të kontrollit rrugor dhe zbatimit të ligjit kundër drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit.

    Kosto sociale dhe ekonomike

    Raporti vë në dukje edhe kostot e larta sociale dhe ekonomike të keqpërdorimit të alkoolit. Lëndimet e lidhura me të rëndojnë sistemet shëndetësore, shërbimet e emergjencës, zbatimin e ligjit dhe shërbimet sociale.

    Në përfundim, OBSH bën thirrje për politika të koordinuara në nivel kombëtar dhe rajonal, me qëllim uljen e dëmeve dhe parandalimin e humbjes së jetëve të shmangshme nga incidentet e lidhura me alkoolin.

  • Gucati shpreh ngushëllime për vdekjen e babait të Calit: Dhimbja bëhet edhe më e rëndë që djali i tij s’u lejua ta vizitojë në momentet e fundit të jetës

    Gucati shpreh ngushëllime për vdekjen e babait të Calit: Dhimbja bëhet edhe më e rëndë që djali i tij s’u lejua ta vizitojë në momentet e fundit të jetës

    Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar për vdekjen e babait të Salih Mustafës, Jahja Musatafa.

    Ai theksoi se dhimbja është e madhe, pasi Cali nuk u lejua ta vizitojë.

    “Lajmi për vdekjen e Bacës Jahja Mustafa na preku thellë. Dhimbja bëhet edhe më e rëndë kur mendojmë se djali i tij, shoku dhe bashkëluftëtari ynë, po mbahet padrejtësisht nga Gjykata Speciale dhe nuk iu lejua mundësia ta vizitonte babain në momentet e fundit të jetës.

    Ngushëllime të thella për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur Bacën Jahja.

    Pusho në paqe, Bace!”, ka shkruar Gucati.

     

     

  • Rrëzohet një helikopter në malin e Kilimanxharos, pesë të vdekur

    Rrëzohet një helikopter në malin e Kilimanxharos, pesë të vdekur

    Pesë persona kanë humbur jetën pas një rrëzimi të helikopterit në malin më të lartë të Afrikës, Malin Kilimanxharo, në Tanzani.

    Aksidenti ndodhi të mërkurën në mbrëmje në një nga rrugët më të njohura për ngjitjen turistike, në atë që policia e përshkroi si një mision shpëtimi për të marrë pacientë në mal.

    Mes të vdekurve ishin dy të huaj, të cilët, sipas policisë, ishin nisur për evakuim mjekësor. Po ashtu, në aksident humbën jetën një mjek lokal, një udhërrëfyes turistik dhe piloti, raporton abcnews, transmeton Sinjali.

    Rrëzimi ndodhi midis Kampit Barafu dhe Majës Kibo në mal, në një lartësi mbi 4,000 metra (13,100 këmbë).

    Komandanti i policisë rajonale të Kilimanxharos, Simon Maigwa, tha për gazetarët se aeronavi i përkiste kompanisë Kilimanjaro Aviation, e cila ofron, ndër të tjera, shërbime evakuimi mjekësor. Kompania ende nuk ka bërë komente për aksidentin.

    Policia njoftoi se informacion i mëtejshëm do të jepet më vonë.

    Autoriteti i Aviacionit Civil të Tanzanisë tha të enjten se hetimet kanë filluar në përputhje me rregulloret ndërkombëtare të sigurisë, “për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e mundshëm të aksidentit”.

    Aksidentet ajrore në Malin Kilimanxharo janë të rralla, me incidentin e fundit të regjistruar në nëntor 2008, kur humbën jetën katër persona.

  • Tentim vrasja në Prishtinë – arrestohet pas nëntë muajsh i dyshuari

    Tentim vrasja në Prishtinë – arrestohet pas nëntë muajsh i dyshuari

    Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me një rast të vrasjes në tentativë në bashkëkryerje, Policia ka arrestuar një person të dyshuar mashkull kosovar në Prishtinë.

    Sipas njoftimit, rasti kishte ndodhur më 2 mars 2025, rreth orës 22:00, në rrugën “Fatime Sokoli”. Pas veprimeve hetimore, më 25 dhjetor 2025 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari.

    Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar tri qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë totale 4.3 gramë, si dhe gjashtë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 66.58 gramë.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./Telegrafi/

  • Ishin në kërkim, dy persona ndalohen në Aeroportin e Prishtinës për raste të vjedhjes

    Ishin në kërkim, dy persona ndalohen në Aeroportin e Prishtinës për raste të vjedhjes

    Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në dy raste të ndara që lidhen me vepra penale të vjedhjes.

    Në rastin e parë, është arrestuar një mashkull kosovar, i cili ishte në kërkim policor lidhur me një rast të vjedhjes së veturës, i ndodhur më 8 gusht 2025 në Gjermani.

    Pas arrestimit, vetura e vjedhur është sekuestruar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Në rastin e dytë, është ndaluar një femër kosovare, e cila ishte në kërkim policor për një rast vjedhjeje të ndodhur më 21 dhjetor 2025, rreth orës 09:30.

    Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

    Hetimet lidhur me të dy rastet janë duke vazhduar nga autoritetet kompetente. /Telegrafi/