ATV

Category: Lajme

  • KQZ: U numëruan 41 nga 92 kuti me votat me postë, javën tjetër ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta

    KQZ: U numëruan 41 nga 92 kuti me votat me postë, javën tjetër ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta

    Procesi i numërimit të fletëvotimeve të votimit me postë po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Reporteri.net se “nga fillimi i procesit (e shtunë, 3 janar, ora 16:00) dhe deri më tani (e diel, 4 janar, ora 16:00), janë numëruar 41 nga 92 kuti votimi, brenda të cilave janë vendosur pakot me fletëvotime që deri më tani janë sjellur në Kosovë”.

    “Fletëvotimet e numëruara u takojnë komunave: Deçan (4), Gjakovë (6), Gllogoc (2), Gjilan (7), Dragash (1), Istog (4), Kaçanik (2), Klinë (2), Fushë Kosovë (2), Kamenicë (3), Mitrovicë e Jugut (4), Lipjan (2) dhe Rahovec (2)”, tha ai.

    Elezi thotë se javën e ardhshme, “në numërim do të përfshihen edhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta”.

    “Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht. Numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860”, tha ai.

  • Tre skenarë për të ardhmen e Venezuelës pas arrestimit të Nikolas Maduros

    Tre skenarë për të ardhmen e Venezuelës pas arrestimit të Nikolas Maduros

    CNN ka prezantuar tre skenarë të mundshëm për të ardhmen e Venezuelës pas kapjes së presidentit Nicolás Maduro nga forcat speciale amerikane Delta Force.

    Arrestimi i liderit autoritar ndodhi gjatë orëve të para të ditës së sotme në rezidencën presidenciale në Caracas, kryeqytetin e vendit. Sipas raportimeve, Maduro pritet të transferohet në New York, ku do të përballet me akuza të rënda, përfshirë akuzat për narkoterrorizëm.

    Mediat amerikane tashmë po analizojnë pasojat që mund të ketë këtë veprim për skenën politike dhe institucionale të Venezuelës, duke identifikuar tre rrugë kryesore që mund të ndiqen:

    1. Tranzicioni kushtetues
    Në këtë skenar, pushteti do t’i kalonte formalisht zëvendëspresidentes Delcy Rodríguez. Sipas Kushtetutës venezuelase, ajo do të ishte e detyruar të organizonte zgjedhje të reja presidenciale brenda 30 ditëve. Ky skenar parashikon një kalim relativisht të qetë dhe ligjor të pushtetit, me institucionet shtetërore që ruajnë funksionimin e tyre normal.

    2. Shembja e regjimit dhe ardhja e opozitës në pushtet
    Skenari i dytë parashikon një ndryshim më radikal: rrëzimin e regjimit aktual dhe marrjen e pushtetit nga opozita. Kandidati më i mundshëm për të udhëhequr vendin në këtë rast është Edmundo González Urrutia, ish-kandidati presidencial i zgjedhjeve të vitit 2024, i cili aktualisht ndodhet në mërgim. Ai ka marrë mbështetjen e figurave ndërkombëtare të njohura, përfshirë fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado. Ky skenar mund të çojë në një ndryshim të shpejtë politik dhe në reforma të mëdha institucionale.

    3. Grusht shteti ushtarak
    Skenari i tretë parashikon përfshirjen e forcës ushtarake në ruajtjen e pushtetit. Ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino López, mund të marrë kontrollin e vendit me forcë, duke sfiduar çdo ndërhyrje të jashtme. Ai ka lëshuar tashmë mesazhe publike për kombët, duke premtuar rezistencë dhe mbrojtje të sovranitetit venezuelas, çka rrit mundësinë e një konfrontimi të brendshëm ose tensioni të thellë politik.

    Ekspertët paralajmërojnë se çdo rrugë që do të zgjidhet do të ketë pasoja të mëdha për stabilitetin e vendit, ekonominë e rrënuar dhe sektorin privat, i cili ka vuajtur rëndë gjatë viteve të fundit.

  • Deri në dy orë e gjysmë pritje për të dalë nga Kosova, Merdarja e Dheu i Bardhë më të ngarkuarat

    Deri në dy orë e gjysmë pritje për të dalë nga Kosova, Merdarja e Dheu i Bardhë më të ngarkuarat

    Deri në dy orë e gjysmë po shkojnë pritjet për të dalë nga pikëkalimi kufitari i Merdares, sipas përditësimit të fundit nga Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar.

    Situatë pak më e lehtësuar është te Dheu i Bardhë ku qytetarët që po lëshojnë vendin po presin deri në 40 minuta.

    Ndërsa, në Jarinje pritjet janë thuajse të zakonshme deri në 10 minuta.

  • Ish-ambasadori kosovar tregon se çfarë mund të përfitojë Kosova pas kapjes së Maduros nga SHBA

    Ish-ambasadori kosovar tregon se çfarë mund të përfitojë Kosova pas kapjes së Maduros nga SHBA

    Ish-ambasadori kosovar, Avni Arifi, ka shkruar për sulmin e sotëm të SHBA-së dhe kapjen e liderit autoritar venezuelas, Nicolas Maduro.

    Arifi ka thënë se ky zhvillim është humbje strategjike për Rusinë dhe Kinën, se do të ketë impakt në rritjen e ofertës globale për naftën dhe sipas tij do të jetë një shans shumë i madh për Kosovën për të paktën katër njohje.

    Sipas tij, pas kapjes së Maduros, Venezuela do të mund ta njohë shumë shpejt Kosovën, Saint Lucia, Trindidad Tobago dhe do të rikthehet njohja nga Dominica.

    ADVERTISING

    Saint Lucia e ka njohur Kosovën në vitin 2011, derisa sipas pretendimeve të Serbisë ky shtet e ka tërhequr njohjen.

    Postimi i plotë:

    Sulmi i Donald Trump dhe SHBA-së ndaj Venezuela është tepër me rëndësi

    Kjo nenkupton:

    • humbje strategjike për Rusinë dhe Kinën,

    • rritje e ofertës globale të naftës,

    • dhe mbi të gjitha hapje e një shansi të madh për Kosovën që të siguroj të paktën katër njohje.

    Në një periudhë shumë të shkurtër, Kosova mund të njihet nga:

    • Venezuela – pas rënies së Maduros,

    • Saint Lucia,

    • Trinidad and Tobago,

    • dhe rikthimin e njohjes nga Dominica.

    Këto shtete kanë qenë për vite të tëra të shantazhuara politikisht dhe ekonomikisht nga regjimi i Maduros dhe instrument i fuqishëm i Serbisë dhe Rusisë në Rajon. Një Asad më pak për botën, një armik i fuqishëm për Kosovën pavarësishtë distancës. Gëzuar 2026. Boll mbarë filloj në këtë rrafsh.

  • Rama: Kush hyn me veturë në Prishtinë do ta paguajë 1 euro

    Rama: Kush hyn me veturë në Prishtinë do ta paguajë 1 euro

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë për RTV21 ka folur për projektet dhe ndryshimet që pritet të bëhen në kryeqytet gjatë vitit 2026.

    Ai theksoi se Komuna po shqyrton masa të reja për menaxhimin e trafikut dhe qarkullimit të automjeteve, përfshirë edhe vendosjen e një pagese për hyrjen në qytet.

    “Kush hyn me veturë në Prishtinë do ta paguajë 1 euro. Tash i kemi në përfundim këto ditë edhe emërimin, edhe finalizimin e projektit për unazën e brendshme.Jemi duke analizuar edhe mundësinë për një taksë për të gjitha automjetet që nuk janë të Prishtinës, pra për makinat që vijnë nga jashtë dhe hyjnë në Prishtinë.”, tha ndër tjera Rama.

  • Rriten tarifat e ujit për qytetarët në gjithë Kosovën

    Rriten tarifat e ujit për qytetarët në gjithë Kosovën

    Qytetarët e Kosovës do të fillojnë nga 1 janari të paguajnë faturat e ujit sipas tarifave të reja të vendosura nga Autoriteti i Rregullatorit për Shërbimet e Ujit.

    Sipas vendimeve të publikuara nga ky Autoritet për kompanitë rajonale të ujësjellësit, tarifat për konsumatorët shtëpiakë janë rritur në të gjithë vendin. Në kryeqytet tarifa për metër kub ka shkuar nga 45 centë në rreth 63 centë.

    Në Prizren, tarifa është ngritur nga 40 në 56 centë, në Pejë nga 28 në 39 centë, në Mitrovicë nga 39 në 53 centë, në Gjakovë nga 39 në 52 centë, në Ferizaj nga 39 në 53 centë, dhe në Gjilan nga 39 në 54 centë.

    Autoriteti i Rregullatorit për Ujin ka shpjeguar se tarifat janë llogaritur duke marrë për bazë kërkesën për të ardhura dhe duke e pjesëtuar me vëllimin e ujit të shitur.

    E kërkesa për të ardhura përbëhet nga tri komponentë: shpenzimet operative, mirëmbajtja kapitale dhe kthimi në bazën rregullatore të aseteve.

  • KQZ: Të dhënat e fundit nga verifikimi i rezultateve të subjekteve politike dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

    KQZ: Të dhënat e fundit nga verifikimi i rezultateve të subjekteve politike dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se gjatë ditës së sotme në QKN e Prishtinës pritet të përfundojë verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularë e plotësuar në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.

    KQZ thekson se deri në orën 10:00 të ditës së sotme, në platformën për rezultate të KQZ-së janë procesuar 2,536 nga 2,557 vendvotime apo 99.18% e vendvotimeve, në të cilat u zhvillua procesi i rregullt i votimit më 28 dhjetor 2025.

    Në përgjithësi, procesi në QKN, nga 29 dhjetor 2025 deri më 2 janar 2026, është përmbyllur në 37 komuna: Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skenderaj, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Suharekë, Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj.

  • Trump: Kemi kapur presidentin e Venezuelës dhe gruan e tij

    Trump: Kemi kapur presidentin e Venezuelës dhe gruan e tij

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-të kanë kryer “sulme në shkallë të gjerë kundër Venezuelës” dhe kanë kapur udhëheqësin e saj, presidentin Nicolas Maduro dhe gruan e tij.

    Trump e njoftoi këtë në një deklaratë në rrjetin e tij social Truth Social.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolas Maduro, i cili, së bashku me gruan e tij, është kapur dhe është larguar me aeroplan nga vendi”, shkroi Trump.

    “Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-së. Detajet do të vijojnë më poshtë. Do të ketë një konferencë për shtyp sot në orën 11:00, në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! Presidenti DONALD J. TRUMP”, shtoi ai.

  • Iu dha lamtumira e fundit me ceremoni shtetërore, ish kryekuvendarit Nexhat Daci

    Iu dha lamtumira e fundit me ceremoni shtetërore, ish kryekuvendarit Nexhat Daci

    Ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, i është dhënë lamtumira e fundit.

    Daci është varrosur me ceremoni shtetërore në varrezat e lagjes Dragodan në Prishtinë, në praninë e krerëve të shtetit, udhëheqësve institucionalë, akademikëve, familjarëve dhe miqve.

    Gjatë ditës, në nderim të tij janë mbajtur homazhe në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ndërsa është organizuar edhe Akademi Përkujtimore.

    Në këtë akademi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar Nexhat Dacin për rolin e tij kyç në ndërtimin e shtetit dhe konsolidimin e demokracisë në Kosovë.

    Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar Dacin si shembull se si duhet zhvilluar beteja politike dhe si duhet funksionuar Kuvendi i Kosovës.

  • Lihet në burg 67-vjeçari për përdhunimin dhe lënien shtatzënë të 12 vjeçares në Pogradec

    Lihet në burg 67-vjeçari për përdhunimin dhe lënien shtatzënë të 12 vjeçares në Pogradec

    Gjykata lë në masën arrest me burg 67-vjeçarin Rushan Selko, i cili akuzohet se përdhunoi dhe la shtatzënë një 12-vieçare.

    Selko dyshohet se abuzoi seksualisht me fqinjën e tij të mitur në muajin gusht. Ngjarja e rëndë dyshohet se ndodhi në banesën e 67 vjeçarit në fshatin Piskupat në bashkinë e Pogradecit, raporton TopChannel.

    Gjatë kësaj periudhe, ai dyshohet se kërcënonte të miturën që të mos tregonte për atë çfarë kishte ndodhur ndërkohë rasti u zbulua nga prindërit e të miturës të cilët vunë re ndryshimet fizike të saj.

    Ekzaminimi mjekësor zbuloi se vajza ishte 22 javëshe shtatzënë dhe më pas ajo rrëfeu të gjithë ngjarjen e rëndë. Organi i akuzës ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për 67 vjeçarin çka është pranuar edhe nga gjykata.

    Seanca e zhvilluar me dyer të mbyllura ka zgjatur më tepër se dy orë. Burimet e Top Channel brenda seancës gjyqësore bëjnë me dije se 67 vjeçari nuk e ka pranuar që ka abuzuar seksualisht me të miturën.

    Ndërkohë, mësohet se vajzës i është marrë kampioni i fetusit për të kryer analizën e ADN-së për të vërtetuar atësinë e fëmijës. Pritet që pas 2-3 javësh të dalë përgjigja e analizës e cila do hedhë dritë mbi ngjarjen e rëndë.