ATV

Category: Lajme

  • Policia arreston një shtetas turk të dyshuar për vrasje, ishte në kërkim nga Maqedonia e Veriut

    Policia arreston një shtetas turk të dyshuar për vrasje, ishte në kërkim nga Maqedonia e Veriut

    Policia e Kosovës ka vënë në pranga një person që ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, përkatësisht njësiti FAST, pas identifikimit të të dyshuarit.

    “Sot me datë 02.01.2026 rreth orës 00:30, zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet e Policisë Kufitare, kanë bërë identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, shtetas turk, i kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për veprën penale ‘Vrasje’ e ndodhur një ditë me herët në qytetin e Shkupit”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Me vendim të prokurorit kompetent, personi i arrestuar është dërguar në ndalim policor për një periudhë prej 48 orësh, gjatë së cilës do të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore në përputhje me ligjin.

  • Reagim i shpejtë i policisë, shpëtohet një qytetare nga lumi Ibër

    Reagim i shpejtë i policisë, shpëtohet një qytetare nga lumi Ibër

    Një grua është shpëtuar mbrëmë nga lumi Ibër falë reagimit të shpejtë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

    Rreth orës 22:00, policia u njoftua se një femër kishte rënë në lumin Ibër, në afërsi të urës së re në rrugën “Lah Nimani”.

    Njësitet policore intervenuan menjëherë dhe e gjetën qytetaren në shtratin e lumit, në gjendje të rënduar shëndetësore, duke arritur ta nxjerrin nga uji dhe ta shpëtojnë.

    Ajo u dërgua në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku gjendja e saj është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Sipas deklaratës së saj, rënia kishte ndodhur si pasojë e rrëshqitjes. Policia po heton rrethanat e rastit.

  • Rikthehen kolonat në pika kufitare, deri në 80 minuta pritje

    Rikthehen kolonat në pika kufitare, deri në 80 minuta pritje

    Janë krijuar sërish kolona në vendkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, mëngjesin e sotëm pritjet për dalje nga Kosova në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë arrijnë deri në 80 minuta.

    Në Merdarë, kolona e automjeteve është rreth 600 metra, ndërsa te Dheu i Bardhë rreth 400 metra.

    Në pikat tjera kufitare, pritjet mbeten normale, nga 3 deri në 5 minuta.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit akademikut Nexhat Daci

    Sot i jepet lamtumira e fundit akademikut Nexhat Daci

    Akademiku Nexhat Daci, do të varroset sot me nderime shtetërore në varrezat e Dragodanit.

    Familja ka publikuar agjendën zyrtare të ceremonive mortore.

    Homazhet do të mbahen nga ora 09:00 deri në 11:45 në hollin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa akademia përkujtimore nga ora 12:00 deri në 12:45 në sallën plenare.

    Varrimi do të bëhet nga ora 13:40 deri në 14:20.

    E pamja mbahet nga 3 deri më 5 janar në Hotel Sirius.

  • Vdes Daci, Kurti: Do të mbetet figurë me rëndësi në shtetndërtimin e Kosovës

    Vdes Daci, Kurti: Do të mbetet figurë me rëndësi në shtetndërtimin e Kosovës

    Pikëlluese ka ardhur lajmi se Nexhat Daci, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka ndërruar jetë në ditën e parë të vitit 2026.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e Dacit.

    “Ai ishte një nga figurat kryesore dhe më aktive në skenën politike në Kosovë mes viteve 2001 dhe 2011, kur si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj nga viti 2007, si themelues dhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë. Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 200”, shkroi Kurti.

    Daci, i lindur më 26 korrik 1944 në Tërnoc të Bujanocit, pati një karrierë të pasur akademike dhe shkencore, duke u zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe duke drejtuar këtë institucion dy herë.

    Daci, një nga figurat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës, la pas një trashëgimi të shquar si politikan, akademik dhe lider institucional.

  • Pas vdekjes së Dacit, Osmani: U angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi

    Pas vdekjes së Dacit, Osmani: U angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur trishtimin e saj për humbjen e ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci, duke e cilësuar atë si një personalitet të veçantë. Ajo theksoi se Daci dha një kontribut të madh në krijimin e shtetit të Kosovës me dijen, maturinë dhe vizionin e tij.

    “Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryeparlamentarit, akademikut dhe profesorit të nderuar Nexhat Daci. Ai ishte një personalitet i jashtëzakonshëm që bashkoi dijen shkencore me angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit”, ka shkruar Osmani.

    Ajo po ashtu ka theksuar rolin e Dacit gjatë periudhës më të vështirë për Kosovën, sidomos gjatë viteve të nëntëdhjeta, ku ai kontribuoi aktivisht në kauzën për liri dhe pavarësi si një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Ibrahim Rugova. “Kontributi i tij shumëdimensional në ndihmën e shtetit, zhvillimin e arsimit të lartë dhe avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë,” përfundoi Osmani.

  • Vdes Nexhat Daci, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës

    Vdes Nexhat Daci, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës

    Ka ndërruar jetë politikani kosovar, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.

    I ndjeri ka shërbyer si Kryetar i Kuvendit dhe edhe si President në detyrë të Kosovës pas vdekjes së Rugovës në vitin 2006.

    Ai është themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe ka qenë aktiv në politikë edhe pas mandatit të tij si kryeparlamentar.

  • Aktakuzë për mashtrim e falsifikim: Dëmi në buxhet arrin mbi 7 milionë euro

    Aktakuzë për mashtrim e falsifikim: Dëmi në buxhet arrin mbi 7 milionë euro

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë, të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” si dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit – persona fizikë: N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B., I.E., si dhe persona juridikë: “A&F P. Sh.p.k”, “S. Sh.p.k” dhe “Sh.G Sh.p.k”, dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë mashtruar në procedurat e prokurimit publik me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

    Në aktakuzë thuhet se të pandehurit A.M. dhe N.D., në periudhën nga 2 prilli 2019 deri më 11 mars 2021, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT-it, kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit “Blerja e pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, të cilat favorizonin operatorin fitues dhe përjashtonin padrejtësisht operatorë të tjerë.

    Si pasojë e këtyre veprimeve, buxheti i shtetit dyshohet se është dëmtuar në vlerë prej 1,824,970 euro.

    Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M., në periudhën nga 26 tetori 2020 deri më 27 nëntor 2023, në cilësinë e personave zyrtarë në MASHT, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900 për qind më të larta se ato të tregut, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 2,148,282.35 euro.

    Gjithashtu, ata dyshohet se, në kundërshtim me kushtet e kontratës, kanë lejuar dorëzimin e produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia, në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, siç ishte përcaktuar fillimisht në kontratë.

    Si rezultat i këtyre veprimeve, sipas aktakuzës, dëmi i përgjithshëm i shkaktuar buxhetit të shtetit arrin në 3,626,243.80 euro.

  • Serbia arreston dy shtetas shqiptarë në Merdarë, u kapen mbi 30 kilogramë kokainë

    Serbia arreston dy shtetas shqiptarë në Merdarë, u kapen mbi 30 kilogramë kokainë

    Autoritetet serbe kanë arrestuar sot dy shtetas shqiptarë në pikën kufitare të Merdarës, nën dyshimin se po tentonin të transportonin mbi 30 kilogramë kokainë.

    Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP), e cila bëri të ditur se të arrestuarit janë persona me inicialet S.L., i lindur në vitin 2002, dhe B.U., i lindur në vitin 2000.

    Sipas autoriteteve, të dy të dyshuarit kanë deklaruar se janë shtetas të Republikës së Shqipërisë, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar procedurat ligjore përkatëse.

  • Parandalohet kontrabanda në Bllacë, sekuestrohen mbi 40 mijë fishekzjarre

    Parandalohet kontrabanda në Bllacë, sekuestrohen mbi 40 mijë fishekzjarre

    Përgjatë kontrollit të një automjeti me targa zvicerane në pikën kufitare të Bllacës, janë sekuestruar mbi 40 mijë copë fishekzjarre, duke parandaluar kështu futjen e paligjshme të tyre në Maqedoninë e Veriut.

    Në njoftimin e doganës thuhet se e gjithë hapsira e makinës ishte mbushur me mjete piroteknike, si dhe hetimet e mëtejshme treguan se fishekzjarret ishin blerë në Prishtinë dhe ishin të destinuara për kontrabandë në vend.

    Në lidhje me këtë rast është ngritur kallëzim penal ndaj një qytetari nga Gostivari për tregti të paligjshme me materie eksplozive sipas njoftimit të Drejtorisë së Doganave.

    “Theksojmë se përdorimi i piroteknikës ilegale përbën një kërcënim serioz për sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të rinjve. Drejtoria e Doganave do të vazhdojë me kontrolle të intensifikuara dhe aktivitete të koordinuara me institucionet kompetente me qëllim parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe mbrojtjen e sigurisë publike”, thuhet në njoftimin e Doganës së Maqedonisë së Veriut.