ATV

Category: Lajme

  • Rasti “Banjska” në fazën përfundimtare, kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit

    Rasti “Banjska” në fazën përfundimtare, kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit

    Procesi gjyqësor për rastin e sulmit terrorist në Banjskë ndodhet në fazën përfundimtare dhe pritet që së shpejti të shpallet aktgjykimi.

    Gjatë vitit të kaluar, në këtë proces kanë dëshmuar mbi dhjetë dëshmitarë, përfshirë edhe zyrtarë policorë që ishin pjesë e njësisë së Policisë së Kosovës e cila u sulmua nga grupi i armatosur serb.

    Në mesin e dëshmitarëve ka qenë edhe zyrtari policor Alban Rashiti, i cili përfaqësohet nga avokati Naim Rudari. Ky i fundit, në një deklaratë për KosovaPress, ka thënë se procesi mbetet sfidues për shkak se nuk është aplikuar gjykimi në mungesë, megjithatë sipas tij ekzistojnë prova të mjaftueshme që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.

    Sulmi terrorist ndodhi më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku Policia e Kosovës u përball me një grup të armatosur. Nga ky sulm mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku nga Vushtrria, ndërsa u plagos zyrtari policor Alban Rashiti dhe u lënduan edhe Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

    Prokuroria Speciale e Kosovës, më 11 shtator 2024, ngriti aktakuzë ndaj 42 personave, ku si i akuzuar kryesor figuron Milan Radoiçiq, i cilësuar si udhëheqës i grupit terrorist. Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen për veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, ndërsa disa prej tyre edhe për financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.

    Aktualisht, në këtë rast po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët kanë mohuar akuzat para trupit gjykues.

    Avokati Rudari ka bërë të ditur se ka parashtruar kallëzim penal ndaj dy dëshmitarëve, për të cilët pretendon se kanë dëshmuar rrejshëm, si dhe ndaj pronarit dhe drejtorit të hotelit “Rajska Banja”, që ndodhet në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi.

    Sipas tij, disa dëshmitarë kanë ndryshuar deklaratat e dhëna në fazën parapenale, duke hezituar të dëshmojnë në gjykatë, ndonëse më herët kishin pohuar se kanë ndihmuar anëtarët e grupit të armatosur, përfshirë ndërrimin e rrobave dhe largimin e tyre nga hoteli drejt rrugëve alternative dhe pikave kufitare.

    Rudari thekson se tani pritet dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes, ndërsa më pas do të procedohet me provat materiale, përfshirë video-incizime të shumta, dhe me marrjen në pyetje të të akuzuarve, para se të jepet fjala përfundimtare dhe të shpallet aktgjykimi.

    Edhe Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se ka prova të mjaftueshme për këtë rast dhe se gjatë vitit 2026 pritet epilogu i shkallës së parë.

    “Ka mjaftueshëm prova, pasi të akuzuarit janë arrestuar në ditën e sulmit, të armatosur dhe të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje. Gjykata ka sfida në sigurimin e dëshmitarëve shtetas serbë, por besojmë se rasti do të marrë epilogun e parë gjatë këtij viti”, ka deklaruar Alija.

    Serbia, ndërkohë, ende nuk ka dorëzuar personat e përfshirë në sulmin e Banjskës, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga autoritetet e Kosovës dhe disa aleatë ndërkombëtarë.

    Pas përfundimit të operacionit policor, Policia e Kosovës kishte ekspozuar sasinë e madhe të armatimit të konfiskuar në Banjskë, përfshirë artileri të rënda, automjete të blinduara, pajisje komunikimi, granat-hedhës, kamera, dokumente dhe simbole nacionaliste.

  • Mbi 7 mijë lindje gjatë vitit 2025, bie numri i prerjeve cezariane

    Mbi 7 mijë lindje gjatë vitit 2025, bie numri i prerjeve cezariane

    Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Zef Ndrejaj, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 në këtë klinikë janë realizuar gjithsej 7,101 lindje. Sipas tij, nga ky numër, 5,511 lindje janë kryer me rrugë normale, ndërsa 1,510 me prerje cezariane.

    Ndrejaj theksoi se gjatë vitit janë lindur 3,338 foshnja meshkuj dhe 3,102 femra, ndërsa janë regjistruar edhe 174 lindje binjakësh dhe 7 raste të lindjeve trinjakësh. Ai vuri në dukje se ka pasur rënie të lindjeve me prerje cezariane, duke shtuar se gjatë vitit 2025 janë kryer gjithsej 2,917 lindje me këtë metodë.

    Sa i përket trendit të përgjithshëm të lindjeve, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë tha se nuk ka rënie të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar, duke marrë parasysh faktin se një numër i konsiderueshëm i lindjeve realizohet edhe në spitalet rajonale dhe klinikat private.

    Në aspektin e stafit, Ndrejaj bëri të ditur se klinika ka rreth 293 punonjës. Ai pranoi se ka mungesë të lehtë të infermierëve në raport me numrin e pacientëve, por shtoi se është hapur një konkurs dhe pritet të pranohen infermierë të rinj. Ndërkohë, sipas tij, numri i mjekëve është i mjaftueshëm dhe nuk ka pasur largime të stafit drejt vendeve të tjera.

    Duke folur për ankesat e pacientëve, Ndrejaj tha se gjatë tri viteve të fundit gjendja në klinikë është përmirësuar dukshëm, si në aspektin infrastrukturor ashtu edhe në pajisje. Sipas tij, janë rinovuar pothuajse tërësisht katër reparte, janë shtuar shërbimet dhe janë funksionalizuar shërbime të reja si mjekësia fetale, amniocenteza dhe IVF-ja.

    Ai po ashtu foli edhe për rastet që referohen nga klinikat private, duke theksuar se disa prej tyre vijnë në gjendje të komplikuar, gjë që e vështirëson punën e stafit. Megjithatë, Ndrejaj tha se falë profesionalizmit të ekipit mjekësor, shumica e rasteve trajtohen me sukses. Sipas tij, disa raste referohen për shkak të mungesës së pajisjeve ose kushteve të nevojshme në klinikat private, por Klinika e Gjinekologjisë në QKUK është e përgatitur të merret me të gjitha rastet që paraqiten. /Indeksonline

  • Zvicra shpall 9 janarin ditë zie pas zjarrit vdekjeprurës

    Zvicra shpall 9 janarin ditë zie pas zjarrit vdekjeprurës

    Pas zjarrit të natës së Vitit të Ri në Crans-Montana, Zvicra e ka shpallur të premten, 9 janar, ditë zie.

    Në orën 14:00, kambanat e kishave do të bien në të gjithë vendin ndërsa fillon një ceremoni mortore në vendpushimin e famshëm, shkruan Le Nouvelliste .

    Në të njëjtën kohë, është planifikuar një minutë heshtje.

    “Në këtë moment uniteti, çdo person në Zvicër do të jetë në gjendje të reflektojë personalisht mbi viktimat e katastrofës”, tha presidenti i konfederatës, Guy Parmelin.

    Ai konfirmoi se vetë do të marrë pjesë në ceremoninë në Crans-Montana, së bashku me një delegacion nga Këshilli Federal dhe autoritetet e kantonit Valais.

    Parmelin shtoi se ende nuk ka informacion se cilat delegacione të huaja do të jenë të pranishme.

    Pas zjarrit, shumë krerë shtetesh dhe qeverish të huaja e telefonuan personalisht për t’i ofruar mbështetje konkrete, përfshirë dërgimin e ekspertëve mjekësorë.

  • Aksidentohet vetura e policisë dhe një taksi në Prishtinë, katër persona të lënduar

    Aksidentohet vetura e policisë dhe një taksi në Prishtinë, katër persona të lënduar

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pak pas mesnatës në Prishtinë, tek udhëkryqi i konvikteve.

    Në këtë aksident janë përfshirë një veturë e Policisë së Kosovës dhe një veturë taksi.

    Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes, shihet se të dyja veturat kanë pësuar dëme të mëdha materiale.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për kryeqytetin, Enis Pllana.

    Pllana bëri të ditur se katër persona janë lënduar.

    “Rreth orës 00:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku melëndime në rrugën “Xhevë Lladrovci në Prishtinë. Në aksident janmë përfshirë dy vetura, si pasojë lëndime kanë pësuar katër persona, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor”, ka thënë Pllana.

    Ai ka shtuar se me rastin po merret trafiku i kryeqytetit.

  • Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Këtë javë në Kosovë do të dominohet nga moti i vranët, i shoqëruar herë pas here me reshje shiu dhe bore.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se vranësirat do të jenë prezente gjatë gjithë javës, ndërsa në disa zona priten edhe riga shiu si dhe fjolla bore.

    Sipas parashikimeve, temperaturat minimale dhe maksimale do të mbeten mbi zero deri të mërkurën, me përjashtim të zonave malore ku mund të shfaqen ngrica të lehta. Nga dita e enjte pritet një rënie e ndjeshme e temperaturave, të cilat do të zbresin nën 0 gradë Celsius.

    Parashikimi i motit nga IHMK për periudhën 05–09 janar 2026:

    E hënë: Mot kryesisht i vranët me riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1 deri në 3°C, ndërsa maksimalet nga 7 deri në 10°C. Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1–6 m/s.

    E martë: Mot i vranët dhe reshje shiu. Temperaturat minimale 2–4°C, ndërsa maksimalet 5–8°C. Era nga juglindja me shpejtësi 1–6 m/s.

    E mërkurë: Kryesisht vranët, me riga shiu vende-vende. Temperaturat minimale 1–3°C, maksimalet 4–6°C. Era nga juglindja me intensitet 1–8 m/s.

    E enjte: Mot i vranët me mundësi për reshje bore. Temperaturat minimale do të zbresin nga -5 deri në -2°C, ndërsa maksimalet nga -1 deri në 1°C. Era nga juglindja, 1–7 m/s.

    E premte: Mot kryesisht i vranët. Temperaturat minimale -8 deri -5°C, maksimalet -2 deri në 2°C. Era e lehtë deri mesatare nga jugperëndimi.
    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, veçanërisht pjesëmarrësve në trafik, për shkak të ngricave që pritet të jenë më të theksuara në fundjavë.

  • Kolona të gjata në pikat kufitare: Pritje deri në 2 orë për dalje nga Kosova

    Kolona të gjata në pikat kufitare: Pritje deri në 2 orë për dalje nga Kosova

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat lidhur me situatën në pikat kufitare të Kosovës.

    Sipas informacionit të fundit, pritjet për dalje nga Kosova janë të gjata, me disa pika kufitare që raportojnë kohë të konsiderueshme pritjeje.

    Në Merdarë dhe Dheu i Bardhë, qytetarët po përballen me pritje deri në 2 orë, ndërsa në Jarinje, situata është më e lehtë me pritje vetëm 5 minuta.

    Përditësimet e tjera do të vijnë gjatë ditës për të informuar qytetarët për ndryshimet e mundshme.

  • Edhe 25 kuti pa numëruar, VV prin me mbi 72% të votave me postë

    Edhe 25 kuti pa numëruar, VV prin me mbi 72% të votave me postë

    Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve janë numëruar 72.83 për qind e votave me postë. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tani janë numëruar 67 nga gjithsej 92 kuti të votimit me postë.

    Në këto rezultate prin Lëvizja Vetëvendosje me 72.56 për qind të votave, apo gjithsej 13,917 vota.

    Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.62% ose 2,036 vota ndërsa Partia Demokratike e Kosovës zë vendin e tretë me 8.19% që përfaqësojnë 1,571 vota.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e katërta me 4.73% apo 908 vota.

    Ndryshe sipas një njoftimi nga KQZ, nga fillimi i procesit të numërimit (e shtunë, 3 janar, ora 16:00) e deri të dielën në orën 16:00, ishin numëruar 41 nga gjithsej 92 kuti të votimit me postë, brenda të cilave ndodhen pakot me fletëvotime që deri tani janë sjellë në Kosovë.

    Fletëvotimet e numëruara u takojnë komunave: Deçan (4 kuti), Gjakovë (6), Gllogoc (2), Gjilan (7), Dragash (1), Istog (4), Kaçanik (2), Klinë (2), Fushë Kosovë (2), Kamenicë (3), Mitrovicë e Jugut (4), Lipjan (2) dhe Rahovec (2).

  • Pse ShBA-ja është e interesuar për naftën e Venezuelës?

    Pse ShBA-ja është e interesuar për naftën e Venezuelës?

    Presidenti Donald Trump të shtunën tha se SHBA-ja do të marrë kontrollin mbi rezervat masive të naftës së Venezuelës dhe do të angazhojë kompani amerikane për të investuar miliarda dollarë në rindërtimin e industrisë së naftës, e cila është shkatërruar gati tërësisht.

    Venezuela ka rreth 303 miliardë fuçi naftë të papërpunuar, që përbën rreth një të pestën e rezervave globale sipas Administratës Amerikane të Informacionit të Energjisë (EIA).

    Një rinovim i drejtuar nga SHBA-ja mund ta bëjë Venezuelën një furnizues shumë më të madh të naftës, duke krijuar mundësi për kompanitë perëndimore të naftës dhe duke shërbyer si një burim i ri prodhimi.

    Kjo mund të ndihmojë edhe në mbajtjen nën kontroll të çmimeve globale, edhe pse çmimet më të ulëta mund të mos motivojnë disa kompani amerikane të prodhojnë naftë.

    Nafta që ka Venezuela — e rëndë dhe me squfur të lartë — kërkon pajisje speciale dhe aftësi teknike të avancuara për t’u përpunuar.

    SHBA-ja, prodhuesi më i madh i naftës në botë, ka naftë të lehtë dhe të mirë, që shkon mirë për benzinë, por jo për shumë produkte të tjera. Nafta e rëndë dhe squfur të lartë nga Venezuela është e domosdoshme për disa produkte të rafinerive, përfshirë diesel, asfalt dhe karburante për fabrika dhe pajisje të rënda.

    Shfrytëzimi i naftës venezueliane mund të jetë veçanërisht i dobishëm për SHBA-në: vendi është afër dhe nafta është relativisht e lirë.

    Venezuela ka rezervën më të madhe të provuar të naftës në botë, por potenciali i saj është shumë më i madh se prodhimi aktual: vendi prodhon vetëm rreth 1 milion fuçi naftë në ditë, që përbën vetëm 0.8% të prodhimit global.

    Sanksionet ndërkombëtare ndaj qeverisë venezueliane dhe kriza e thellë ekonomike kanë kontribuar në rënien e industrisë së naftës, por edhe mungesa e investimeve dhe mirëmbajtjes ka pasur ndikim, sipas EIA-s.

  • Plagosen dy persona në Podujevë

    Plagosen dy persona në Podujevë

    Dy persona janë plagosur në Podujevë mbrëmjen e së dielës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Ajo ka njoftuar se policia për këtë rast ka arrestuar dy të dyshuar.

    “Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se dy persona janë lënduar. Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë policia ka nisur një hetim rreth këtij rasti”, ka bërë të ditur Ahmeti.

    Sipas Ahmetit, rasti është cilësuar si “vrasje në tentativë”.

  • Numërohen mbi 60% të votave me postë, VV po prin bindshëm me mbi 72%

    Numërohen mbi 60% të votave me postë, VV po prin bindshëm me mbi 72%

    Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendsoje po prin e para në rezultatet e votimit me postë.

    Me mbi 61 për qind të votave të numëruara deri më tani, VV ka siguruar 72.55% të votave, ose 11,786 vota.

    Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.84% të votave, përkatësisht 1,761 vota. Pas saj vjen Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 8.00% apo 1,299 vota.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5.30% të votave me postë, duke siguruar 861 vota.

    Sipas KQZ-së, deri në momentin e publikimit janë numëruar 57 nga 92 kuti të votimit me postë, apo 61.96% e totalit.