ATV

Category: Lajme

  • Reshjet e dendura të shiut, shembet rruga një fshat të Klinës

    Reshjet e dendura të shiut, shembet rruga një fshat të Klinës

    Si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, një rrugë në fshatin Krushevë e Vogël, në komunën e Klinës, është shembur.

    Shembja ka vështirësuar qarkullimin për banorët e zonës dhe ka shkaktuar shqetësim për sigurinë e tyre.

    Mediat lokale kanë publikuar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet dëmtimi i madh i rrugës si pasojë e vërshimeve, ndërsa autoritetet pritet të dalin me njoftime zyrtare lidhur me situatën dhe masat që do të ndërmerren.

  • Qëlloi me armë në drejtim të një lokali në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

    Qëlloi me armë në drejtim të një lokali në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

    jë person është arrestuar nga Policia e Kosovës pas një incidenti ku dyshohet se ka shtënë me një armë të gjatë në drejtim të një lokali në kryeqytet.

    Ankuesi, një mashkull kosovar, ka njoftuar policinë se kamerat e sigurisë kanë kapur momentin e të shtënave.

    Ai kishte marrë edhe një mesazh kërcënues në telefonin e tij para incidentit.

    Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka konfiskuar armën që dyshohet të jetë përdorur në rast.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe hetimet për këtë rast vazhdojnë. /Telegrafi/

  • IKShPK-ja del me këshilla për qytetarët pas reshjeve të shiut

    IKShPK-ja del me këshilla për qytetarët pas reshjeve të shiut

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar tek qytetarët për kujdes të shtuar pas reshjeve të shtuara të shiut në disa zona të vendit, duke theksuar ndikimin e mundshëm të tyre në shëndetin publik.

    Sipas njoftimit të IKSHPK-së aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit.

    Megjithatë Instituti shprehet se qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur, për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik, rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt.

    Instituti gjithashtu paralajmëron për kujdes me ushqimin.

    “Ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut”, thuhet në njoftim.

    Grupet më të ndjeshme, përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, duhet të shmangin lëvizjet e panevojshme.

    “Rekomandohet që grupet më të ndjeshme të shmangin lëvizjet e panevojshme”, njofton IKPSHK.

    IKSHPK fton qytetarët të tregojnë kujdes për shëndetin e tyre dhe të ndjekin këshillat e institucioneve për të parandaluar rreziqet shëndetësore. /Telegrafi/

  • KEDS ndërpren energjinë elektrike në Drenas për shkak se shiu ka rrezikuar nënstacionin

    KEDS ndërpren energjinë elektrike në Drenas për shkak se shiu ka rrezikuar nënstacionin

    Si shkak i reshjeve të shiut KEDS ka njoftuar se është rrezikuar edhe nënstacioni në Drenas, e ku për shkaqe sigurie është ndërpre furnizimi me energji elektrike.

    NJOFTIMI I KEDS:

    🚨NJOFTIM – DRENAS🚨

    Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV, është ndërmarrë masa për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në zonën e Drenasit, për arsye sigurie.

    Uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik.

    Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Zjarrfikësit, janë njoftuar dhe janë në koordinim.

    Ekipet e KEDS janë në terren dhe po punojnë intensivisht për menaxhimin e situatës dhe rikthimin e furnizimit sapo të krijohen kushte të sigurta.

    Ju falënderojmë për mirëkuptimin.📢Do t’ju mbajmë të informuar me njoftime të tjera.

  • Shefi i Pentagonit: Rreth 200 trupa amerikane hynë në Karakas për të kapur Maduron

    Shefi i Pentagonit: Rreth 200 trupa amerikane hynë në Karakas për të kapur Maduron

    Rreth 200 personel ushtarak amerikan hynë në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, si pjesë e operacionit për të kapur udhëheqësin e majtë Nicolas Maduro.

    Kjo, siç shkruajnë mediat e huaja është bërë e ditur të hënën nga shefi i Pentagonit, Pete Hegseth.

    Kujtojmë se forcat amerikane kapën Maduron dhe gruan e tij gjatë fundjavës, duke i dhënë fund 12 viteve të sundimit gjithnjë e më autoritar nga udhëheqësi i krahut të majtë.

    Bëhet fjalë për njeriun të cilin Uashingtoni e akuzoi për drejtimin e një karteli droge dhe e shënjestroi me një shpërblim prej 50 milionë dollarësh.

    “Gati 200 nga amerikanët tanë më të mirë shkuan në qendër të Karakasit… dhe kapën një individ të akuzuar të kërkuar nga drejtësia amerikane, në mbështetje të zbatimit të ligjit, pa asnjë amerikan të vrarë”, tha Hegseth në një fjalim para marinarëve dhe ndërtuesve të anijeve amerikane në Virxhinia.

    Kjo ishte hera e parë që një zyrtar amerikan kishte dhënë një shifër për forcat amerikane që hynë me helikopter në Karakas si pjesë e operacionit mahnitës, i cili përfshinte gjithashtu më shumë se 150 fluturake ushtarake në role të ndryshme, duke përfshirë edhe goditjen e mbrojtjes venezueliane.

    Maduro, një socialist i vetëshpallur, e udhëhoqi Venezuelën me grusht të hekurt dhe e mbajti pushtetin përmes një sërë zgjedhjesh që u konsideruan gjerësisht si të manipuluara.

    Ai dhe gruaja e tij, Cilia Flores, deklaruan të pafajshëm në një gjykatë të Nju Jorkut të hënën.

  • Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca paralajmëron qytetarët e Prishtinës për rrezik nga përmbytjet

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca paralajmëron qytetarët e Prishtinës për rrezik nga përmbytjet

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka dalë me një paralajmërim për qytetarët, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në territorin e kryeqytetit.

    Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, në Prishtinë janë regjistruar mbi 25 milimetra reshje shiu për metër katror, ndërsa parashikimet tregojnë se reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim, me intensitet dhe intervale të ndryshme.

    “Këto kushte atmosferike mund të shkaktojnë vështirësi në qarkullimin rrugor, mbingarkesë të sistemeve të kanalizimit dhe ujërave atmosferike, si dhe grumbullim të ujit në zona të caktuara urbane dhe nënkalime”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca.

    Po ashtu, sipas këtij paralajmërimi, ekziston rrezik i shtuar për rrëshqitje lokale të dheut në zonat më të ndjeshme të kryeqytetit.

    Drejtoria u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat ku ka grumbullim të ujit, të shmangin kalimin nëpër nënkalime apo rrugë të përmbytura dhe të raportojnë me kohë çdo problem që mund të paraqesë rrezik për sigurinë publike.

    “Institucionet përkatëse të Kryeqytetit janë në gatishmëri të shtuar për monitorimin e situatës dhe për ndërhyrje sipas nevojës,” thuhet më tej në njoftim.

    Autoritetet u kanë rekomanduar qytetarëve që për informata të mëtejme të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve kompetente.

  • 27 vjet nga zënia rob e 8 ushtarëve serbë nga UÇK-ja

    27 vjet nga zënia rob e 8 ushtarëve serbë nga UÇK-ja

    ona Operative e Shalës e UÇK-së, më 6 janar të vitit 1999, kishin zënë rob tetë ushtarë serbë, të cilët më 13 janar u zëvendësuan më nëntë ushtarë të UÇK-së.

    Në një video të publikuar nga arkivi i agjencisë së lajmeve AP, shihen tetë ushtarë serbë të cilën u zunë rob në vitin 1999 në fshatin Bare të Shalës së Bajgores nga ushtarët e UÇK-së.

    Në videon në fjalë flet njeri nga të zënit rob, i cili me një anglishte të çalë tregon që trajtimi i tyre është krejtësisht normal. Ai thotë se ata as nuk u rrahën, apo sulmuan nga ushtarët e UÇK-së.

    Sipas tij, ushtarëve serbë të zënë rob u është dhënë edhe ushqim si dhe veshmbathje.

    Përndryshe, ushtarët u morën peng pas luftimeve në territorin e mbajtur nga UÇK-ja në veri të Prishtinës.

  • Një burrë gjendet i vdekur në oborrin e shtëpisë në Fushë Kosovë

    Një burrë gjendet i vdekur në oborrin e shtëpisë në Fushë Kosovë

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në oborrin e shtëpisë së tij, në Fushë Kosovë.

    Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

    HETIM MBI VDEKJEN

    Fushë Kosovë / 05.01.2025 – 12:50. Është raportuar se viktima mashkull kosovar në oborrin e shtëpisë së tij është gjetur pa shenja jete, ku vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku në vendin e ngjarjes. Rrethanat e rastit ende nuk dihen. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Venezuela urdhëron arrestimin e mbështetësve të sulmit amerikan

    Venezuela urdhëron arrestimin e mbështetësve të sulmit amerikan

    Gjendja e jashtëzakonshme e vendosur nga qeveria venezueliane që nga sulmi i ShBA-së që rrëzoi presidentin Nicolas Maduro urdhëron policinë që “të fillojë menjëherë kërkimin dhe kapjen kombëtare të të gjithë atyre që janë të përfshirë në promovimin ose mbështetjen e sulmit të armatosur nga Shtetet e Bashkuara”, sipas një teksti të dekretit të publikuar të hënën.Dekreti ka qenë në fuqi që nga e shtuna, por u publikua i plotë të hënën, raporton Reuters.

    Ndërkohë Nicolas Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores janë deklaruar të pafajshëm në seancën e djeshme dëgjimore, e cila zgjati rreth 30 minuta.

  • Çfarë do të thotë kapja e Maduros për Rusinë?

    Çfarë do të thotë kapja e Maduros për Rusinë?

    Për Kremlinin, rezultati më i dukshëm i kapjes nga Shtetet e Bashkuara të Nicolas Maduros të Venezuelës është se kjo përbën një goditje ndaj ndikimit rajonal të Rusisë dhe ndaj krenarisë së Vladimir Putinit: një aleat i rëndësishëm i cili në maj kishte nënshkruar një marrëveshje të “partneritetit strategjik” me presdientin rus, papritur u rrëzua nga pushteti dhe ndodhet në një burg në Qytetin e Nju Jorkut.Kapja e Maduros ndodhi pak më shumë se një vit pas rënies së Bashar al-Assadit, udhëheqësit sirian i cili i kishte siguruar Rusisë një pozicion të fortë në Lindjen e Mesme në këmbim të mbështetjes vendimtare në luftën kundër kundërshtarëve të tij – një tjetër goditje e madhe për përpjekjet e Putinit për të ringjallur praninë e Moskës në botë pas tërheqjes që pasoi shembjen e Bashkimit Sovjetik.

    Jo vetëm kaq, por bastisja e SHBA-së në Venezuelë më 3 janar arriti brenda pak orësh diçka që Rusia nuk ka mundur ta bëjë në gati katër vjet që kur Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës dhe që shihej si një nga qëllimet e tij kryesore: largimin e një udhëheqësi shteti.Por, përqendrimi i Rusisë në luftën kundër Ukrainës nënkupton se mbrojtja e Maduros nuk do të ishte realiste edhe nëse Moska do të donte ta bënte këtë, dhe dobia e Venezuelës për Rusinë ka rënë, të paktën në aspektin ekonomik, për shkak të sanksioneve dhe faktorëve të tjerë që kanë ulur prodhimin e naftës, një sektor ku Rusia ka interesa të mëdha.

    Për Rusinë ka edhe anë pozitive. Moska mund ta përdorë operacionin amerikan si dëshmi se Uashingtoni kërkon t’u imponojë vullnetin e tij vendeve të tjera dhe shkel të drejtën ndërkombëtare kur i leverdis – një argument që për disa është bindës, pavarësisht luftës së Moskës kundër Ukrainës.Në një deklaratë më 3 janar, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ishte “jashtëzakonisht e shqetësuar” për atë që e cilësoi si “akt të armatosur agresioni kundër Venezuelës” dhe i bëri thirrje SHBA-së “të lirojë presidentin e zgjedhur ligjërisht të një shteti sovran, dhe bashkëshorten e tij”.

    Por, ajo që është edhe më e rëndësishme për Kremlinin sesa forcimi i këtij portretizimi të SHBA-së, thonë analistët, është shpresa se veprimet e Uashingtonit në Venezuelë dhe përqendrimi i presidentit amerikan, Donald Trump, në hemisferën perëndimore do t’i japin Moskës më shumë hapësirë manovrimi – si moralisht ashtu edhe ushtarakisht – për të vepruar, sipas dëshirës, në atë që e konsideron sferën e vet të ndikimit, veçanërisht në Ukrainë.“Pavarësisht nga vendimet që merr Vladimir Putini në Ukrainë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë që disa veprime të dënohen vetëm mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare”, i tha Radios Evropa e Lirë analistja politike me seli në Berlin, Alexandra Sitenko, e cila është eksperte për raportet e Rusisë me Amerikën Latine dhe rajone të tjera.

    “Çfarë bëjnë fuqitë e mëdha”Perceptimi i gjerë se operacioni amerikan e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare “nuk është aspak i keq për narrativin më të gjerë rus”, tha Mark Galeotti, analist për Rusinë dhe profesor nderi në Shkollën e Studimeve Sllave dhe Evropës Lindore të Kolegjin e Londrës, në podkastin e tij më 4 janar.

    “Tek e fundit, këndvështrimi i Putinit në thelb është ajo se çfarë bëjnë fuqitë e mëdha dhe fuqitë e mëdha kanë sfera ndikimi. Dhe, nëse do t’i lejojmë Amerikës të ketë sferën e saj të ndikimit në Amerikën Latine, atëherë për rrjedhojë ne duhet të lejohemi të kemi sferën tonën sllave”, tha Galeotti.Ndërkaq Sam Greene, profesor në Institutin e Rusisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës shtoi: “Çdo zhgënjim nga fakti që Maduro u largua nga Uashingtoni do të zbutet nga një premtim për bashkëdominim global, në të cilin Moska do të fitonte të drejtën të bënte të njëjtën gjë në fqinjësinë e saj”.

    Ka prova se Rusia ka kërkuar një marrëveshje të tillë që shumë kohë përpara se të niste luftën e saj kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.Gjatë një mosmarrëveshjeje në të cilën Rusia ndihmoi në mbrojtjen e Maduros përballë përpjekjeve të një udhëheqësi opozitar të mbështetur nga SHBA-ja për ta rrëzuar atë, “rusët… po sinjalizonin shumë fuqishëm se donin disi të bënin një marrëveshje shumë të çuditshme këmbimi mes Venezuelës dhe Ukrainës”, i tha një komiteti të Kongresit në tetor të vitit 2019 Fiona Hill, e cila ishte këshilltarja kryesore për Rusinë dhe Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Trumpit nga prilli i vitit 2017 deri në korrik të vitit 2019.
    Thelbi i mesazhit rus ishte: “Ju doni që ne të largohemi nga oborri juaj. Epo, ne kemi versionin tonë të kësaj. Ju jeni në oborrin tonë në Ukrainë”, u shpreh hill.Faktori Ukrainë

    Këtë herë, qasja e Rusisë dhe reagimi i saj relativisht i zbehtë ndaj kapjes së Maduros janë pjesë e një sërë zhvillimesh që tregojnë “se deri në çfarë mase dëshira e Rusisë për ta nënshtruar Ukrainën e dikton pjesën tjetër të politikës së saj të jashtme”, shkroi në X, Hanna Notte, drejtoreshë për Euroazinë në Qendrën James Martin për Studime të Mospërhapjes.“Putini shmangu bashkëpunimin me [ish-presidentin amerikan Joe] Biden në përpjekje për ta detyruar atë të heqë dorë nga Ukraina. Gjatë vitit të kaluar, ai është përpjekur të jetë në anën e mirë të Trumpit, këtë herë për ta joshur që të marrë anën e Rusisë kundër Ukrainës”, shkroi Notte.

    “Qoftë duke ushtruar presion apo duke lavdëruar një udhëheqës amerikan, qëllimi përfundimtar i Rusisë mbeti i njëjtë: të krijojë një përçarje mes SHBA-së dhe Ukrainës”.Përderisa toni dhe përmbajtja e diplomacisë mbi Ukrainën mund të ndryshojnë shpejt, deri tani nuk ka pasur ndonjë sinjal të një ndryshimi të madh në qëndrimin e SHBA-së që nga kapja e Maduros, e cila ndodhi ndërsa zhvilloheshin një sërë rundesh bisedimesh mes SHBA-së, Ukrainës, Evropës dhe Rusisë në konfigurime të ndryshme, teksa administrata e Trumpit po synon të ndërmjetësojë përfundimin e luftës.

    Në një konferencë për media disa orë pas operacionit në Karakas, Trump tha se nuk ishte “i kënaqur me Putinin. Ai po vret shumë njerëz”.Më 4 janar, ai përsëriti përfundimin e CIA-s dhe tha se nuk besonte se Ukraina kishte shënjestruar një nga rezidencat e Putinit në një sulm me dron muajin e kaluar, pasi më parë dukej se kishte pranuar pretendimin që, sipas tij, presidenti rus kishte shprehur në një bisedë telefonike.

    “A do të thotë fokusi mbi Venezuelën dhe hemisferën perëndimore se Shtetet e Bashkuara do të shpërqendrohen?”, pyeti Galeotti.Përgjigja e tij: “Sigurisht që mund të lindin pyetje se si pretendimi se do të drejtojë Venezuelën mund të vihet në praktikë. Por, nga ana tjetër, një superfuqi mund të ecë dhe të përtypë njëherësh çamçakëz. Nuk mendoj se kjo do të ketë ndonjë ndikim të veçantë mbi atë që ndodh me Ukrainën”.

    Greene sugjeroi se nëse Kremlini shpreson për një marrëveshje të gjerë midis fuqive të mëdha dhe liri të plotë për të vepruar në Ukrainë, ai do të zhgënjehet.“Përveç nëse u jepet në mënyrë të menjëhershme një e drejtë e plotë për të vepruar në Ukrainë, Moska do ta konsiderojë këtë si hipokrizi tipike amerikane, gjë që ka të ngjarë të prishë koalicionin e supozuar të hegjemonisë globale midis Putinit, Trumpit dhe [presidentit kinez] Xi [Jinping]”, shkroi ai./RadioEvropaeLirë