ATV

Category: Lajme

  • Sveçla lajmërohet nga Malisheva: Situata është stabile, ekipet po ia dalin me sukses

    Sveçla lajmërohet nga Malisheva: Situata është stabile, ekipet po ia dalin me sukses

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video nga Mirusha e Malishevës.

    Ai tha se gjendja është stabile.

    “Momentalisht gjendemi në fshatin Mirushë të Malishevës, ku po bëjmë inspektimin lidhur me situatën pas vërshimeve këtu por edhe gjithandej Republikës së Kosovës. Situata është stabile e përkundër vështirësive ekipet e ngarkuara për të menaxhuar situatën po ia dalin me sukses”, tha ai.

    Sveçla shkroi se institucionet janë të angazhuara në të gjitha zonat e prekura, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe ofrimit të ndihmës së nevojshme për qytetarët.

    “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për çdo rast nevoje.”

    Sveçla ka publikuar edhe numrat emergjentë:

    112 – Qendra e thirrjeve emergjente;

    192 – Policia e Kosovës;

    193 – Zjarrfikësit;

    194 – Ndihma e shpejtë.

  • Bora dhe akulli shkaktojnë probleme në Holandë, anulohen fluturimet

    Bora dhe akulli shkaktojnë probleme në Holandë, anulohen fluturimet

    Bora dhe akulli ende po shkaktojnë probleme me trafikun në Holanda, duke rezultuar në ndërprerjen e të gjitha shërbimeve të trenave dhe anulimin e qindra fluturimeve.

    Kompania hekurudhore holandeze NS tha se asnjë shërbim treni nuk mund të operojë, për shkak të problemeve të shkaktuara nga bora dhe temperaturat nën zero.

    Mediat e huaja shkruajnë se në aeroportin Skipole të Amsterdamit, linja ajrore KLM anuloi të paktën 300 fluturime që do të zhvilloheshin sot, në shenjë të problemeve të mëdha të shkaktuara nga moti dimëror në një nga qendrat kryesore të transportit të Evropës për të pestën ditë radhazi.

  • Reshjet e dendura shkaktojnë turbullura, “Hidroregjioni Jugor” del me njoftim

    Reshjet e dendura shkaktojnë turbullura, “Hidroregjioni Jugor” del me njoftim

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor SHA” ka bërë me dije se, për shkak të reshjeve të dendura atmosferike, burimet kryesore që furnizojnë me ujë qytetin e Prizrenit kanë filluar të turbullohen.

    Me këtë rast, ekziston mundësia e rritjes se mëtejshme të turbullirës, për shkak të reshjeve të pandërprera.

    “Për këtë arsye, ju bëjmë apel që të bëni rezervim të ujit të pijshëm, pasi në raste të caktuara mund të jemi të detyruar të bëjmë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë, me qëllim që të ruajmë sigurinë dhe cilësinë e tij për konsum” deklaron KRU-ja.

    Nga kjo kompani pohojnë se ekipet teknike janë në terren dhe po monitorojnë vazhdimisht gjendjen.

    Ky është njoftimi i plotë:

    Të nderuar konsumatorë,

    Ju njoftojmë se për shkak të reshjeve të dendura atmosferike, burimet kryesore që furnizojnë qytetin e Prizrenit kanë filluar të turbullohen dhe ekziston mundësia e rritjes së mëtejshme të turbullirës në orët dhe ditët në vijim.

    Për këtë arsye, ju bëjmë apel që të bëni rezervim të ujit të pijshëm, pasi në raste të caktuara mund të jemi të detyruar të bëjmë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë, me qëllim që të ruajmë sigurinë dhe cilësinë e tij për konsum.

    Ekipet teknike janë duke monitoruar gjendjen në mënyrë të vazhdueshme dhe po punojnë për stabilizimin e burimeve dhe normalizimin e situatës sa më shpejt që të jetë e mundur.

    Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj dhe ju lusim që:

    Të mos e përdorni ujin për pije deri në njoftimin e radhës

    Të rezervoni sasi të mjaftueshme uji për nevoja bazike familjare, sepse do të ketë ndërprerje herë pas here.

    Të prisni njoftimet tona të radhës për informacione shtesë.

    Faleminderit për mirëkuptimin tuaj!

  • Cilët janë deputetët e LDK-së që nuk u rizgjodhën

    Cilët janë deputetët e LDK-së që nuk u rizgjodhën

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar tashmë listat e kandidatëve që kanë fituar ulëse në Parlamentin e Kosovës. Sipas këtyre rezultateve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 14 ulëse, raporton Reporteri.net.

    Megjithatë, disa emra të njohur të partisë nuk arritën të rikthehen në Kuvend. Ndër ta është edhe ish-shefi i Grupit Parlamentar në legjislaturën e tetë, Arben Gashi, i cili mbetet jashtë strukturës së re parlamentare.

    Po ashtu, deputetë të tjerë që nuk arritën të zgjidhen në zgjedhjet e 28 dhjetorit janë: Krenar Xhaferi, Ekrem Hyseni, Fadil Hadërgjonaj, Alban Zogaj, Serbeze Mucaj Kabashi, Paris Guri dhe Arjeta Abazi.

    Kjo tregon se edhe pse LDK ka arritur të sigurojë një numër të konsiderueshëm ulësesh, shumë figura të njohura të partisë nuk do të jenë pjesë e Kuvendit të ardhshëm.

    Ulëse në Parlamentin e Kosovës për legjislaturën e dhjetë nga LDK kanë fituar: Lumir Abdixhiku – 86,683 vota, Hykmete Bajrami – 55,711 vota, Ukë Rugova – 48,289 vota, Avdullah Hoti – 43,413 vota, Doarsa Kica Xhelili – 43,030 vota, Kujtim Shala – 39,986 vota, Anton Quni – 31,032 vota, Armend Zemaj – 28,016 vota, Lutfi Haziri – 26,005 vota, Jehona Lushaku Sadriu – 20,938 vota, Janina Ymeri – 19,950 vota, Besian Mustafa – 18,951 vota, Adelina Thaqi Meta – 17,728 vota, Ermal Sadiku.

    LDK në këto zgjedhje ka shënuar rënie, duke marrë vetëm 13.31% tç votave ose 123 mijë e 706 vota.

  • OKB-ja thotë se veprimi i ShBA-së në Venezuelë minon të drejtën ndërkombëtare

    OKB-ja thotë se veprimi i ShBA-së në Venezuelë minon të drejtën ndërkombëtare

    Kombet e Bashkuara kanë thënë se janë “thellësisht të shqetësuara” për atë që do të ndodhë me Venezuelën pas kapjes së Presidentit Nicolas Maduro nga SHBA-të.

    “Është e qartë se operacioni minoi një parim themelor të së drejtës ndërkombëtare  që shtetet nuk duhet të kërcënojnë ose të përdorin forcë kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të asnjë shteti”, tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në një deklaratë të martën.

    Deklarata pranoi “regjistrin e tmerrshëm të të drejtave të njeriut” të qeverisë Maduro, por tha se ndërhyrja e SHBA-së mund të ketë pasoja të dëmshme si për Venezuelën ashtu edhe për pjesën tjetër të botës.

    “Kemi frikë se paqëndrueshmëria aktuale dhe militarizimi i mëtejshëm në vend që vjen si pasojë e ndërhyrjes së SHBA-së vetëm sa do ta përkeqësojnë situatën”, thuhet në deklaratë

    “E ardhmja e Venezuelës duhet të përcaktohet vetëm nga populli venezuelian, me respekt të plotë për të drejtat e tyre njerëzore, duke përfshirë të drejtën për vetëvendosje dhe sovranitetin mbi jetën dhe burimet e tyre”, tha ajo.

    Më 3 janar, Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se veprimi ushtarak i SHBA-së ndaj Venezuelës rezultoi në kapjen e Maduros dhe gruas së tij Cilia Flores, duke u zotuar gjithashtu të ushtrojë kontrollin amerikan mbi vendin për momentin, me trupa amerikane nëse është e nevojshme.

    Maduro dhe Flores po mbahen në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn dhe u sollën para gjykatësit amerikan Alvin Hellerstein në New York të hënën, ku dyshja u deklarua e pafajshme për akuzat federale të SHBA-së të lidhura me trafikun e drogës dhe bashkëpunimin e dyshuar me bandat e përcaktuara si organizata terroriste.

    Sakaq ish-nënpresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, u betua zyrtarisht dje si udhëheqëse e përkohshme e vendit.

  • Shiu “vërshon” Prishtinën, Drejtoria për Emergjenca paralajmëron: Nëse reshjet vazhdojnë, mund të ketë vështirësi shtesë

    Shiu “vërshon” Prishtinën, Drejtoria për Emergjenca paralajmëron: Nëse reshjet vazhdojnë, mund të ketë vështirësi shtesë

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Prishtinës ka njoftuar se, si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, ekipet e kryeqytetit kanë intervenuar në mbi 40 raste deri më tani.

    Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrjet janë realizuar në bashkëpunim të plotë me të gjitha strukturat relevante, ndërsa situata po monitorohet vazhdimisht në terren.

    “Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme, ekipet e Kryeqytetit kanë intervenuar në mbi 40 raste deri tani, në bashkëpunim të plotë me të gjitha strukturat relevante. Situata është nën monitorim të vazhdueshëm. Gjatë orëve në vijim, nëse intensiteti i reshjeve vazhdon, mund të paraqiten vështirësi shtesë, veçanërisht në zonat rurale të Prishtinas”, thuhet në njoftim.

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë masat e sigurisë, duke shmangur lëvizjen në zona të përmbytura dhe kalimin përmes ujërave të rrjedhshme.

    Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar që të mos parkojnë automjetet pranë përrenjve, lumenjve dhe nënkalimeve, të sigurojnë bodrumet dhe hapësirat e ulëta të objekteve, si dhe të raportojnë çdo situatë emergjente tek numrat zyrtarë.

    “Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca po koordinon të gjitha aktivitetet dhe menaxhimin e situatës në terren, në bashkëpunim me ekipet komunale dhe shërbimet përkatëse. Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe ju bëjmë thirrje për kujdes të shtuar”, thuhet tutje në njoftim.

    Për çdo rast emergjent, qytetarët mund të raportojnë në numrat pa pagesë:

    📞 0800 122 33
    📞 0800 122 44

  • Përditësohen të dhënat – Bie fluksi i mërgimtarëve, jo më shumë se 30 minuta pritje për të dalë nga Kosova

    Përditësohen të dhënat – Bie fluksi i mërgimtarëve, jo më shumë se 30 minuta pritje për të dalë nga Kosova

    30 minuta po zgjasin më së shumti pritjet e qytetarëve për të dalë nga Kosova.

    Kjo situatë është tek pika kufitar Dheu i Bardhë. Ndërkaq në pikat e tjera, pritjet s’janë më shumë se 15 minuta.

    Sa i përket hyrjeve në Kosovë, edhe aty pritjet janë të pakta, jo më shumë se pesë minuta.

  • Qeveria britanike planifikon rregulla të reja për drejtimin e automjeteve për personat mbi 70 vjeç

    Qeveria britanike planifikon rregulla të reja për drejtimin e automjeteve për personat mbi 70 vjeç

    Qeveria britanike thuhet se po konsideron testet e detyrueshme të shikimit për shoferët mbi 70 vjeç si pjesë e masave të reja për sigurinë rrugore.

    Testet për shoferët e moshuar mund të jenë gjithashtu pjesë e strategjisë më të gjerë për të reduktuar aksidentet dhe viktimat pa kufizuar pavarësinë e tyre.

    Plani i qeverisë, që do të publikohet të mërkurën, synon të ulë vdekjet dhe lëndimet serioze në rrugë me 65% deri në vitin 2035, dhe me 70% për fëmijët nën 16 vjeç.

    Në vitin 2024, rreth 24% e shoferëve të vrarë në aksidente ishin mbi 70 vjeç, ndërsa kjo grupmoshë përbënte 12% të të gjitha viktimave të aksidenteve.

    Ministrja e transportit, Lilian Greenwood, tha se drejtimi i makinës është i rëndësishëm për mirëqenien dhe pavarësinë e të moshuarve, por siguria e të gjithëve në rrugë është prioritet.

    Strategjia mund të përfshijë gjithashtu penalizime më të rënda për shoferët që nuk mbajnë rripin e sigurimit ose nuk kanë sigurim automjeti, me gjoba që mund të arrijnë deri në £600 (rreth 702 €).

  • Vjen reagimi i Zagrebit zyrtar pasi Vuçiq përmendi sërish “aleancën ushtarake midis Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë”

    Vjen reagimi i Zagrebit zyrtar pasi Vuçiq përmendi sërish “aleancën ushtarake midis Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë”

    Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozhinoviq, ka bërë një reagim, pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq akuzoi vendin e tij një ditë më parë se po udhëheq një aleancë ushtarake me Kosovën dhe Shqipërinë kundër Serbisë.

    Siç kujtojnë mediat kroate, të hënën, Vuçiq akuzoi Kroacinë se po punon së bashku me Kosovën dhe Shqipërinë “për shkatërrimin e tij dhe se kjo përfaqëson një kërcënim ushtarak”.

    Vuçiq tha se duhet të jetë e qartë për të gjithë se kjo “nuk është një aleancë kundër Austrisë”, kështu që ai “ka detyrimin t’ua shpjegojë këtë serbëve”.

    “Në Beograd, ne e kuptojmë shumë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar midis Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës. Ajo nuk u krijua kundër askujt tjetër, por kundër popullit serb”, ka pretenduar Vuçiq, duke njoftuar “forcimin e aftësive ushtarake të Serbisë”.

    Dhe duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me deklaratat e Vuçiqit, zëvendëspresidenti kroat bëri thirrje për paqe dhe bashkëpunim në fqinjësi.

    “ Kroacia ka rrugën e vet, ajo rrugë është e qartë. Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe gjithçka që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare – e bën në mënyrë transparente. Sa i përket marrëdhënieve në këtë rajon dhe në fqinjësi, në këtë ditë mund t’ju them vetëm se, megjithëse festojmë Krishtlindjet sipas kalendarëve të ndryshëm, mendoj se mesazhet e paqes dhe bashkëpunimit janë diçka që duhet ta kemi të përbashkët”, ka thënë Bozhinoviq pasi mori pjesë në pritjen tradicionale ceremoniale të organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb (SNV) me rastin e festimit të Krishtlindjeve Ortodokse.

    Siç vënë në pah mediat kroate, ministrat e mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan një deklaratë mbi forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje në mars të vitit të kaluar.

    Deklarata, e cila është e hapur edhe për vendet e tjera, thekson rëndësinë e përgjigjeve të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal.

    Dokumenti promovon aftësitë mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, duke forcuar ndërveprimin përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, duke luftuar kërcënimet hibride dhe duke mbështetur plotësisht integrimin euroatlantik, tha në atë kohë Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.

  • Rruga Graboc i Epërm – Drenas e pakalueshme për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica

    Rruga Graboc i Epërm – Drenas e pakalueshme për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica

    Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët për situatën e vështirë në rrugën që lidh fshatin Graboc i Epërm me Drenasin, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica në segmentin rrugor Guri i Plakës.

    “Rruga është e pakalueshme dhe qarkullimi është i rrezikuar”, thuhet në njoftimin e komunës, ku qytetarët ftohen të përdorin rrugë alternative deri në përmirësimin e gjendjes.

    Institucionet përkatëse janë në terren dhe po e monitorojnë situatën, duke ndërmarrë të gjitha masat për të mbajtur nën kontroll rrezikun për qytetarët.

    “Luten qytetarët të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në përmirësimin e gjendjes”, theksohet në njoftim.

    Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në këtë situatë.