ATV

Category: Lajme

  • Shtyhet për 12 janar fillimi i mësimit në gjithë Kosovën, shkak vërshimet

    Shtyhet për 12 janar fillimi i mësimit në gjithë Kosovën, shkak vërshimet

    Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se fillimi i procesit mësimor shtyhet deri më 12 janar, shkaku i vërshimeve në vend.

    Nagavci ka deklaruar se orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

    “Si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim duke shkaktuar vërshime lokale, vështirësi në komunikacion, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafik, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë në nivel vendi, përkatësisht më 8 dhe 9 janar”, ka shkruar Nagavci.

    Ajo ka deklaruar se MAShTI është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur.

    “Për këtë arsye, procesi mësimor do të fillojë gjatë javës së ardhshme, ndërkohë që orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Ministria falënderon prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke ritheksuar se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor”, thuhet në postim.

  • I mituri nga Shqipëria zhduket në Kosovë, dyshohet se po lëviz me veturën që ia mori babait

    I mituri nga Shqipëria zhduket në Kosovë, dyshohet se po lëviz me veturën që ia mori babait

    Policia e Shtetit ka nisur një operacion kërkimi për gjetjen e një 14-vjeçari nga Hasi, i cili është larguar nga shtëpia me automjetin e babait të tij pa leje. Ngjarja është denoncuar zyrtarisht më datë 5 janar 2026 nga familjarët e të miturit.

    Sipas kallëzimit të bërë në Komisariatin e Policisë Has, i mituri i identifikuar me emrin Mariglen, ka marrë mjetin në pronësi të babait të tij, shtetasit Dirtan Dauti, dhe është drejtuar drejt kufirit me Kosovën.

    Gjurmët e para të 14-vjeçarit janë konstatuar në territorin e Kosovës. Raportohet se i mituri ka ndaluar në një pikë karburanti (“Petrol”) në dalje të qytetit të Pejës, në drejtim të Prishtinës, ku ka furnizuar mjetin me benzinë në vlerën e 79 eurove.

    Babai i të miturit u ka bërë apel publik dhe zyrtar strukturave të Policisë në Shqipëri dhe Kosovë për të mundësuar ndalimin dhe kthimin e sigurt të djalit në shtëpi.

    Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë bërë shpalljen në kërkim të 14-vjeçarit dhe po vijojnë kontrollet për gjetjen e tij.

    Materialet proceduriale janë dërguar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.

  • Kosova pajiset me sisteme raketore anti-tank OMTAS

    Kosova pajiset me sisteme raketore anti-tank OMTAS

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se sot është pranuar dërgesa e radhës e sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të cilat janë kontraktuar me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.

    Në një postim në Facebook, Maqedonci ka theksuar se OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i zhvilluar për neutralizimin e mjeteve të blinduara moderne, përfshirë tanke me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake.

    Ai ka sqaruar se rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për ushtrinë e Kosovës ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të kërcënimit.

    “Rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për ushtrinë tonë ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të kërcënimit, duke rritur fleksibilitetin operacional”, ka shkruar Maqedonci.

  • Juniku dhe Malisheva shpallin gjendje të jashtëzakonshme për shkak të vërshimeve

    Juniku dhe Malisheva shpallin gjendje të jashtëzakonshme për shkak të vërshimeve

    Situata me vërshimet dhe përmbytjet në Kosovë po rëndohet, ndërsa disa komuna kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

    Komuna e Junikut ka njoftuar se ka formuar shtabin emergjent dhe ka vendosur masa të veçanta për qytetarët. Në një njoftim zyrtar thuhet se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri më 12 janar 2026.

    “I lusim qytetarët për kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare. Ditët e humbura të mësimit do të kompensohen”, thuhet në njoftim.

    Pak më parë, edhe Komuna e Malishevës shpalli gjendje të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të territorit të saj.

    “Që nga orët e mesnatës, Komuna jonë po përballet me një situatë të rënduar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të territorit tonë. Si Kryetar i komunës, që nga momentet e para jam në terren bashkë me ekipet emergjente të shpëtimit, strukturat komunale, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke koordinuar veprimet për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve”, ka deklaruar kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati.

  • ‘Nestle’ tërheq globalisht disa produkte formulash për bebe, shkak frika nga toksinat

    ‘Nestle’ tërheq globalisht disa produkte formulash për bebe, shkak frika nga toksinat

    Brendi “Nestle”, ka tërhequr nga tregu disa nga produktet e qumështit formulë për bebe, për shkak të shqetësimeve se përmbajnë toksina që mund të shkaktojnë helmim.

    Gjigandi i ushqimit e pijeve ka bërë të ditur se specifikisht bëhet fjale për produktet SMA të qumështit formulë për bebe, që nuk janë të sigurta për t’i ushqyer bebet, ka raportuar BBC.

    Sipas “Nestle”, këto produkte janë shitur nëpër gjithë botën dhe potencialisht përmbajnë cereulide, toksinë që prodhohet nga një baktere helmuese e ushqimit, e cila mund të shkaktojë simptoma të tilla si, të vjellat dhe dhimbje stomaku.

    Kompania ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë raportim të problemeve ne lidhje me produktet, por i ka tërhequr nga tregu si masë parandalimi.

    “Siguria dhe mirëqenia e bebeve është prioritet absolut i yni. Sinqerisht kërkojmë falje për çdo shqetësim e pakënaqësi që u shkaktuar prindërve, kujdestarëve dhe klientëve”, thuhet në deklaratën e “Nestle”.

    Kompania ka konfirmuar për BBC-në se tërheqja e produkteve si masë parandaluese është bërë në mbarë botën. Produktet e prekura janë shitur në disa shtete evropiane, si Franca, Gjermania, Austria, Danimarka, Italia dhe Suedia.

    “Nestle” ka premtuar rimbursim të mjeteve për klientët e prekur nga kjo çështje dhe ka deklaruar gjithashtu se problemi është shkaktuar nga një përbërës që sigurohet nga furnitorët.

    Përfaqësuesit e selisë së “Nestles” në Francë, kanë deklaruar gjithashtu se kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për tërheqjen e produkteve të caktuara  nga tregu si masë parandalimi, përfshirë formulat “Guigoz” dhe “Nidal”.

    Në Gjermani, këto formula quhen “Beba” dhe “Alfamino”.

  • Moti i keq shkakton devijimin e fluturimeve në Aeroportin e Tiranës, paralajmërohen vonesa

    Moti i keq shkakton devijimin e fluturimeve në Aeroportin e Tiranës, paralajmërohen vonesa

    Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës në Shqipëri, Belinda Balluku, ka njoftuar se për shkak të motit të keq, dy avionë që duhet të uleshin në Aeroportin e Rinasit, janë devijuar drejt Barit.

    Komentet Balluku i bëri përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, duke sqaruar se devijimi u bë për shkak të pamundësisë për të vijuar uljen në mënyrë të sigurt.

    Ajo po ashtu paralajmëron se edhe ditën e sotme mund të ketë vonesa në disa fluturime për shkak të kushteve atmosferike.

    Sipas ministres, Albcontrol po ndjek situatën nga afër për të garantuar ofrimin e sigurt të shërbimeve të lundrimit ajror.

    Njoftimi i Ballukut:

    Gjatë 24 orëve të fundit, për shkak të fenomeneve meteorologjike mbi dhe në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, dy nga fluturimet në ardhje të datës 5, në orët e mbrëmjes, kanë devijuar drejt Barit, për shkak të pamundësisë për të vijuar uljen në mënyrë të sigurt.

    Edhe gjatë ditës së sotme kanë pasur fenomene meteorologjike të lokalizuara në zona në afërsi të aeroportit. Stafet e Albcontrol kanë akomoduar të gjitha kërkesat e pilotëve për të shmangur këto fenomene gjatë fazave të fluturimit. Për shkak të këtyre devijimeve të shkaktuara nga kushtet e motit, mund të ketë vonesa në fluturimet e sotme.

    Albcontrol po e ndjek situatën nga afër për të garantuar ofrimin e sigurt të shërbimeve të lundrimit ajror. 

  • KQZ: Sot pritet të përmbyllet numërimi i votave kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara

    KQZ: Sot pritet të përmbyllet numërimi i votave kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara

    Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë për Express se sot pritet të përfundojë numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me aftësi të kufizuara.

    “Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025. Procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme. Deri më tani (e martë, 6 janar 2026, ora 16:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 49 nga 57 vendvotimet, në të cilat më 28 dhjetor u mundësua votimi me kusht.”

    Ai tha se kanë qenë 9900 votues të regjistruar për të votuar me kusht dhe 2860 votues me aftësi të kufizuara.

    “Sipas të dhënave, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.”

    Ai tha se në platformën e KQZ-së për rezultate ka filluar të shfaqen edhe mandatet e fituara nga subjektet politike, sipas dinamikës së numërimit të fletëvotimeve.

  • Arrestohen në Aeroportin e Tiranës gjashtë kinezë dhe një bjelloruse

    Arrestohen në Aeroportin e Tiranës gjashtë kinezë dhe një bjelloruse

    Kontrollet e policisë kufitare në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë, në PKK – Rinas, kanë çuar në goditjen e 6 rasteve të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe 1 rasti kontrabande.

    Si rezultat i verifikimeve, u arrestuan në flagrancë 6 shtetas kinezë, të dyshuar për përdorim të dokumenteve të falsifikuara. Në pranga ranë M. B., 29 vjeç, X. Zh., 66 vjeç, Zh. W., 52 vjeç, H. J., 45 vjeç, W. Zh., 38 vjeç dhe G. H., 43 vjeçe. Ata akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave, kryer në bashkëpunim”.

    Gjatë kontrollit, këta shtetas paraqitën pasaporta të Hong-Kongut, për të cilat shërbimet e policisë kufitare dyshuan se ishin të falsifikuara. Nga ekzaminimi laboratorik u konfirmua se dokumentet ishin false, duke çuar në sekuestrimin e 6 pasaportave.

    Ndërkohë, një tjetër rast u evidentua në hyrje të vendit. Shtetasja A. W., 45 vjeçe, me shtetësi bjelloruse, e cila udhëtonte në itinerarin Treviso–Tiranë, u ndalua për kontroll të thelluar për shkak të dyshimeve mbi qëllimin e udhëtimit. Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve iu gjetën dhe sekuestruan mallra për qëllime estetike, si botox dhe fillera, për të cilat kërkohen kushte të posaçme transporti dhe licencë e veçantë posedimi dhe përdorimi, dokumente që ajo nuk i dispononte.

    Në vijim, shtetasja bjelloruse u arrestua në flagrancë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuara”.

  • Numërohen 90% e votave me kusht, kjo është renditja e partive politike

    Numërohen 90% e votave me kusht, kjo është renditja e partive politike

    Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon me numërimin e votave me kusht të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Derisa janë numëruar 90% e votave, Lëvizja Vetëvendosje prin me 50.31% apo 3 mijë e 997 vota, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.20% apo 1605 vota.

    E treta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.51% apo 835 vota.

    Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga votat me kusht ka marrë 5.855 apo 465 vota.

    Bazuar nw dinamiken e numërimit të votave që po ndodh në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, sonte pritet që të përfundoj edhe numërimi i votave me kusht.

  • Samiti i “Koalicionit të Vullnetmirëve” për Ukrainën në Paris, Rama pritet nga Macron në Pallatin Élysée

    Samiti i “Koalicionit të Vullnetmirëve” për Ukrainën në Paris, Rama pritet nga Macron në Pallatin Élysée

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pritur nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée, pak para nisjes së samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën.

    Bashkë me liderë të tjerë të evropianë dhe përfaqësues nga SHBA, Rama do të jetë i pranishëm në diskutimet që do të mbahet ditën e sotme në Paris.

    Në samitin do të marrin pjesë i dërguar special amerikan, Steve Witkoff dhe këshilltari i Trump, Jared Kushner.

    Udhëheqësit e 35 shteteve do diskutojnë mbi garancinë e sigurisë për Ukrainën dhe Kievi është entuziast për të siguruar angazhime konkrete në rast se Rusia sulmon sërish.