ATV

Category: Lajme

  • Haxhiu mbron emërimin e kryeprokurorit Gashi: Akuzat për lidhje me VV-në, qesharake

    Haxhiu mbron emërimin e kryeprokurorit Gashi: Akuzat për lidhje me VV-në, qesharake

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka mbrojtur emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, Arian Gashi, pas kritikave dhe pretendimeve për afërsi të tij me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Haxhiu tha se Gashi nuk është emëruar pa përvojë apo jashtë sistemit prokurorial, ndërsa pretendimet për lidhje politike i cilësoi si përpjekje për të dëmtuar procesin e emërimit.

    “Gashi nuk ka ardhë nga rruga që bëhet kryeprokuror. Ai ka qenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, prandaj këto deklarata se ai është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje janë qesharake. Dhe nuk e di se nga kush kanë ardhë, por janë, si me thënë, përpjekje dashakeqe për të dëmtuar një proces që ju të gjithë e keni parë që është mbikëqyrë edhe nga organizatat kredibile të shoqërisë civile, dhe po ashtu dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Partnerët ndërkombëtarë e kanë përshëndetur këtë emërim, ndërsa sa i përket organizatave të shoqërisë civile më kanë bërë thirrje që sa më shpejt të emërohet Kryeprokurori i Shtetit, duke pasur parasysh që Kosova është më shumë se katër vite me U.D. Kryeprokuror të Shtetit”, tha ajo.

    Ushtruesja e detyrës së presidentes tha se nga kryeprokurori i ri pret angazhim maksimal në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kërcënimeve ndaj sigurisë së vendit.

    “Unë zotit Gashi i uroj sukses dhe punë të mbarë në detyrën e tij. Është shumë e rëndësishme ajo çfarë ia kam thënë në takim, në ditën kur e kam emëruar, që mandatin e tij, përgjegjësinë e tij ta ushtrojë me përgjegjësinë më të lartë institucionale, me integritet të lartë profesional e moral, dhe me përpjekje maksimale për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin në mënyrë që në Republikën e Kosovës të mos ketë zyrtarë të korruptuar që ndihen të paprekshëm, dhe të mos ketë përpjekje për të destabilizuar në çfarëdo forme ndonjë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës siç ka ndodhur, referuar sulmit në Banjskë apo në Ibër-Lepenc. Pra, është shumë e rëndësishme që detyrat të kryhen me profesionalizmin më të lartë. Ata që thonë që është në Vetëvendosje, le të vazhdojnë ta bëjnë”, tha ajo.

  • Ariana Musliu-Shoshi: Kurti e ka futur Kosovën në izolim, Serbia po forcon lidhjet me SHBA-në

    Ariana Musliu-Shoshi: Kurti e ka futur Kosovën në izolim, Serbia po forcon lidhjet me SHBA-në

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar qeverinë e kryeministrit Albin Kurti për, siç ka thënë ajo, dështimet në politikën e jashtme dhe dëmtimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas Musliu-Shoshit, Serbia po nis Dialogun Strategjik me SHBA-në, ndërsa Kosovës po i vendosen kushte për ta filluar një proces të tillë.

    Ajo ka vlerësuar se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e një qeverisjeje që, sipas saj, ka dëmtuar besimin me aleatin më të rëndësishëm strategjik të Kosovës dhe e ka futur vendin në izolim ndërkombëtar.

    Deputetja e PDK-së ka kërkuar që Qeveria të marrë përgjegjësi për situatën dhe të punojë për rikthimin e besimit me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët euroatlantikë, duke theksuar se interesi i Kosovës duhet të jetë gjithmonë mbi interesin partiak.

  • Haxhiu për seancën konstituive: Do të mbahet në javën e parë të gushtit

    Haxhiu për seancën konstituive: Do të mbahet në javën e parë të gushtit

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive do të mbahet në javën e parë të muajit gusht.

    Gjatë deklarimit të saj, Haxhiu dha edhe një premtim se së shpejti do të bëhet publike data dhe ora e mbajtjes së seancës.

    “Do të ketë seancë në javën e parë të gushtit. Ju premtoj që javën e ardhshme do të tregojmë datën dhe orën”, deklaroi Haxhiu.

    Më herët, Presidenca kishte njoftuar se Haxhiu ka vendosur që ta caktojë seancën konstituive afër fundit të afatit ligjor, i cili përfundon më 7 gusht.

    Sipas Presidencës, ky vendim është marrë me qëllim që t’u lihet kohë partive politike për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

  • Selmanaj: Albin Kurti brenda 48 orëve vuri nën kontroll Prokurorinë, Kuvendin dhe AKP-në

    Selmanaj: Albin Kurti brenda 48 orëve vuri nën kontroll Prokurorinë, Kuvendin dhe AKP-në

    Ish-deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se brenda vetëm dy ditësh, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka dëshmuar edhe një herë se synimi i tyre nuk është forcimi i institucioneve të pavarura, por nënshtrimi i plotë i tyre ndaj pushtetit politik.

    Selmanaj ka renditur edhe disa vendime që janë marrë.

    Zejnullah Gashi u dekretua Kryeprokuror, një veprim që kritikohet si vendosje e sistemit prokurorial nën ndikimin e pushtetit.

    Feride Podvorica u emërua ushtruese e detyrës së Sekretares së Kuvendit, duke u cilësuar si zgjerim i kontrollit mbi administratën parlamentare.

    Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), Nora Kelmendi, anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, u rendit kandidatja më e poentuar për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv.

    Postimi i tij i plotë:

    Vetëm brenda dy ditësh, Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje ka dëshmuar edhe një herë se synimi i tyre nuk është forcimi i institucioneve të pavarura, por nënshtrimi i plotë i tyre ndaj pushtetit politik.

    Brenda 48 orëve:

    – Sistemi prokurorial u vu nën ndikimin e pushtetit, me dekretimin e Zejnullah Gashit si Kryeprokuror.

    – Administrata e Kuvendit u vendos nën kontroll, përmes emërimit të Feride Podvoricës si ushtruese e detyrës së Sekretares së Kuvendit.

    – Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), si kandidatja më e poentuar për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv u rendit Nora Kelmendi, anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Kur këto zhvillime shihen së bashku, na forcojnë bindjen për tendencën e vazhdueshme për përqendrimin e ndikimit politik mbi çdo institucion shtetëror. E megjithatë, opozita vazhdon të heshtë.

    Në demokraci, heshtja përballë përqendrimit të pushtetit nuk është neutralitet. Ajo rrezikon të kthehet në miratim të heshtur.

    Nëse opozita nuk ngre zërin sot, nesër mund të jetë tepër vonë. Demokracia mbrohet me reagim, me përgjegjësi dhe me veprim, e asesi me heshtje.

  • Familja e kosovarit të burgosur në Serbi kërkon dokumente se Osman Selmani ishte refugjat gjatë luftës

    Familja e kosovarit të burgosur në Serbi kërkon dokumente se Osman Selmani ishte refugjat gjatë luftës

    Shtetasi kosovar, Osman Selmani, i cili ishte arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare Mutivodë kishte qenë duke u kthyer nga Medvegja në Prishtinë.

    Familjarë dhe miq të Osmanit kanë bërë apel për ndihmë teksa potencojnë se akuzat ndaj Selmanit për krime lufte janë të pabazuara pasi ‘gjatë periudhës prill–qershor 1999, kur pretendohet se kanë ndodhur ngjarjet për të cilat akuzohet, ai ishte refugjat në Kampin e Refugjatëve në Çegran Gostivar’.

    “Sipas të gjitha informacioneve që disponojmë, gjatë periudhës prill–qershor 1999, kur pretendohet se kanë ndodhur ngjarjet për të cilat akuzohet, Osman Selmani ishte refugjat në Kampin e Refugjatëve në Çegran Gostivar”, shkruhet në apel.

    Kujtojmë se Gjykata e Lartë në Serbi i ka caktuar Selmanit masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi ai u arrestua më 1 korrik në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës.

  • “Kapet” edhe administrata e Kuvendit, Haxhiu e bën u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm shoqen e saj

    “Kapet” edhe administrata e Kuvendit, Haxhiu e bën u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm shoqen e saj

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka vendosur njeriun e saj në krye të administratës së Kuvendit.

    Me anë të një vendimi, të cilin e ka nënshkruar dje, ajo e ka emëruar Feride Podvoricën ushtruese të detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit të Kosovës.

    Podvorica njihet se person shumë i afërt me Haxhiun.

    Paraprakisht, ajo kishte punuar për kohë të gjatë me Albulena Haxhiun në Ministria e Drejtësisë.

    Derisa ky dikaster drejtohej nga Albulena Haxhiu, Podvorica në këtë ministri kishte ushtruar pozita të rëndësishme.

    Fillimisht kishte ushtruar detyrën e zëvendësdrejtoreshës dhe më pas të ushtrueses së detyrës së Drejtoreshës së Departamentit Ligjor.

  • Gara shpejtësie në Prishtinë, Policia gjobit dy shoferë me nga 500 euro dhe mbesin pa leje për një vit

    Gara shpejtësie në Prishtinë, Policia gjobit dy shoferë me nga 500 euro dhe mbesin pa leje për një vit

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka ndërmarrë masa ndaj dy drejtuesve të automjeteve, të cilët janë kapur duke zhvilluar gara shpejtësie në rrugët e Prishtinës.

    Pas identifikimit të kundërvajtësve, policia thotë se ka shqiptuar ndaj secilit prej tyre gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit të mjetit motorik për 12 muaj, si dhe 5 pikë negative.

    “Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të shmangin sjelljet që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëv”, thotë PK.

  • Përvëlohet Shqipëria, temperaturat arrijnë deri në 42 gradë Celsius

    Përvëlohet Shqipëria, temperaturat arrijnë deri në 42 gradë Celsius

    Shqipëria do të përjetojë sot një nga ditët më të nxehta të kësaj vere, me temperatura që në disa zona pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius.

    Sipas meteorologes së A2 CNN, Tanja Porja, mëngjesi ka nisur me temperatura më të larta se një ditë më parë, me një rritje prej rreth dy gradësh.

    “Në zonat malore temperaturat e mëngjesit variojnë nga 20 deri në 22 gradë, ndërsa në gjysmën perëndimore të vendit ato janë dukshëm më të larta. Berati e ka nisur ditën me 29-30 gradë, një vlerë shumë e lartë për orët e para të mëngjesit”, ka deklaruar Porja.

    Gjatë mesditës pritet shtim i vranësirave fillimisht në veri dhe verilindje, të cilat më pas do të shtrihen edhe në zonat qendrore e juglindore, por pa ndikuar ndjeshëm në uljen e temperaturave.

    “Temperaturat maksimale do të regjistrohen në pjesën veriore dhe qendrore të vendit. Shkodra pritet të kalojë 39 gradët, Kopliku do të shkojë mbi 41 gradë, ndërsa Lezha, Durrësi dhe Velipoja do të arrijnë rreth 39 gradë”, tha meteorologia.

  • Shaqir Totaj: Prizreni monitoron 24 orë me dronë zonat me rrezik nga zjarret

    Shaqir Totaj: Prizreni monitoron 24 orë me dronë zonat me rrezik nga zjarret

    Kryetari i Komunës së Prizrenit Shaqir totaj ka njoftuar se, përmes Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri, në bashkëpunim me Brigadën e Zjarrfikësve, Policinë e Kosovës, Parkun Kombëtar “Sharri” dhe Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, ka intensifikuar masat për parandalimin e zjarreve në territorin e komunës.

    Sipas njoftimit, zonat me rrezik të lartë monitorohen 24 orë në ditë me dronë të pajisur me kamera termike (termovizive), të cilët mundësojnë vëzhgim të vazhdueshëm si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës, edhe në kushte të vështira.

    Totaj, ka bërë të ditur se qëllimi i këtij monitorimi është mbrojtja e jetës së qytetarëve, pyjeve, tokave bujqësore dhe pasurisë publike, si dhe identifikimi dhe ndëshkimi i shkaktarëve të zjarreve.

    Zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale dhe dënohet me burgim nga tre deri në gjashtë vjet.

    Qytetarëve u bëhet thirrje të mos ndezin zjarre në natyrë, pyje apo fusha, të mos djegin mbeturina, bar të thatë ose mbetje bujqësore, të mos hedhin cigare të ndezura në ambiente të hapura dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente ose Policinë e Kosovës në rast se vërejnë zjarr apo persona që shkaktojnë zjarr.

    “Mbrojtja e natyrës është përgjegjësi e secilit prej nesh. Mos ndizni zjarr – mbroni jetën, pyjet dhe të ardhmen tonë”, thuhet tutje në njoftim.

  • Pejë, Klinë dhe Istog: Policia sekuestron tri armë, arrestohen të dyshuarit

    Pejë, Klinë dhe Istog: Policia sekuestron tri armë, arrestohen të dyshuarit

    Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të ndara të armëmbajtjes dhe përdorimit të armëve në rajonin e Pejës, Klinës dhe Istogut.

    Në Pejë, më 8 korrik 2026, një person është paraqitur i lënduar në Spitalin Rajonal, ku ka deklaruar se ishte sulmuar nga një person tjetër, i cili më pas ishte larguar në drejtim të panjohur.

    Pas hetimeve, Policia thotë se dje është arrestuar i dyshuari, i cili ka dorëzuar armën e dyshuar si mjet i përdorur në rast. Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Ndërkohë, në një pikë kontrolli në fshatin Dollc të Klinës, policia ka ndaluar një veturë dhe gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar një armë të tipit TT, një karikator dhe shtatë fishekë.

    I dyshuari është arrestuar, ndërsa pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.

    Rast tjetër është regjistruar në Istog, ku policia ka pranuar informatë se një person në një lokal posedonte armë.

    I dyshuari është arrestuar dhe gjatë kontrollit i është sekuestruar një armë e tipit Ekol, një karikator dhe pesë fishekë të kalibrit 9 mm.

    Edhe në këtë rast, pas intervistimit nga hetuesit dhe me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.