ATV

Category: Lajme

  • Abdixhiku për Sadriun: Kontributi i tij do mbetet pjesë e pandashme e trashëgimisë politike

    Abdixhiku për Sadriun: Kontributi i tij do mbetet pjesë e pandashme e trashëgimisë politike

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka shprehur ngushëllime familjes Sadriu, me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar, Ali Sadriu.

    Përmes një telegrami, Abdixhiku tha se humbja e Sadriut është e rëndë jo vetëm për familjen e tij, por edhe për LDK-në e shtetin e Kosovës në tërësi.

    “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të babait e familjarit tuaj Ali Sadriu, veprimtarit të shquar institucional, deputetit shumëmandatësh, ish-ministrit dhe njërit prej personaliteteve të rëndësishme të jetës politike të Kosovës. Humbja e tij është e rëndë jo vetëm për familjen tuaj, por për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për shtetin e Kosovës në tërësi. Ali Sadriu ishte një njeri i urtë i politikës, shembull i përkushtimit institucional, i maturisë në vendimmarrje dhe i përgjegjësisë publike. Ai i shërbeu vendit me dije, ndershmëri dhe përkushtim të rrallë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës”, ka shkruar kreu i LDK-së.

    Ndër të tjera, ai tha se i ndjeri kishte mëshiruar vlerat themelore të LDK-së: moderimin, dialogun, përgjegjësinë shtetërore dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

    “Si deputet, ministër, drejtues institucional dhe kryetar i Degës së LDK-së në Shtime, Ali Sadriu mishëroi vlerat themelore të LDK-së: moderimin, dialogun, përgjegjësinë shtetërore dhe shërbimin ndaj qytetarëve. Ai ishte një politikan i respektuar, një profesionist i palëkundur dhe një familjar shembullor, që fitoi besimin dhe vlerësimin e gjerë të shoqërisë sonë”.

    Në ndërkohë, Abdixhiku shtoi se vlerat, kontributi dhe integriteti i Sadriut do të mbeten pjesë e pandashme e trashëgimisë politike.

    “Vepra, kontributi dhe integriteti i tij do të mbeten pjesë e pandashme e trashëgimisë politike dhe institucionale të Republikës së Kosovës dhe frymëzim për brezat që vijnë. Në këto çaste dhimbjeje, në emrin tim personal dhe në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sadriu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me Ali Sadriun. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për veprën dhe jetën e veprimtarit, Ali Sadriu!”, ka shkruar ai.

  • Vërshimet nga reshjet e shiut, Idrizi: Ndërhyrjet në lumenj dhe kanale kanë ulur ndjeshëm rrezikun në Vushtrri

    Vërshimet nga reshjet e shiut, Idrizi: Ndërhyrjet në lumenj dhe kanale kanë ulur ndjeshëm rrezikun në Vushtrri

    Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa zona të vendit, duke sjellë dëme materiale në disa komuna.

    Megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara kur Komuna e Vushtrrisë ishte ndër më të goditurat, këtë herë ka pasur më pak raportime për vërshime në këtë komunë.

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se situata aktuale është rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme që janë bërë gjatë mandatit të tij në shtretërit e lumenjve, përroskave dhe kanaleve kulluese.

    Sipas Idrizit, në fillim të mandatit gjendja e këtyre shtretërve nuk ka qenë e mirë, pasi për një periudhë të gjatë nuk ishte bërë pothuajse asnjë mirëmbajtje.

    “Në fillim të mandatit, gjendja e shtretërve të lumenjve, por edhe e përroskave dhe kanaleve kulluese në të gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë nuk ka qenë e mirë. Për një periudhë të gjatë nuk është bërë pothuajse asgjë për mirëmbajtjen e tyre, gjë që ka sjellë bllokimin e shtretërve me dhe, mbeturina dhe shkurre. Si pasojë e kësaj gjendjeje, Komuna e Vushtrrisë ndër vite është përballur vazhdimisht me vërshime, duke rrezikuar pronën, infrastrukturën publike dhe sigurinë e qytetarëve, veçanërisht vërshimet e vitit 2021 që shkaktuan dëme milionëshe”, ka thënë Idrizi.

    Ai theksoi se menjëherë pas marrjes së mandatit, ndër prioritetet kryesore të komunës ka qenë identifikimi i zonave më problematike dhe ndërhyrja konkrete në to.

    “Fillimisht është bërë identifikimi i zonave më problematike, e më pas kemi filluar me ndërhyrje konkrete, ku është bërë pastrimi, zgjerimi dhe në disa raste edhe betonimi i shtretërve të lumenjve. Po ashtu, është bërë hapja dhe zgjerimi i përroskave në të gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë, si dhe janë trajtuar kanalet kulluese që më herët kanë qenë të bllokuara”, tha Idrizi.

    Ai bëri të ditur se “janë trajtuar shtretërit e lumenjve Silnica, Tërstena, Podranqa, lumin që kalon nëpër fshatin Smrekonicë, lumin që vjen nga Sllakoci e kalon nëpër fshatrat Ceceli, Ropicë, Samadrexhë, Maxhunaj deri në lumin Silnica, por edhe lumenj të tjerë që kalojnë nëpër territorin e komunës”.

    Sipas tij, janë pastruar përroskat në fshatrat Stanoc i Epërm, Novolan, Pantinë, Akrashticë, Vërnicë, Bukosh, Druar, Dumnicë, etj, ndërkaq gjithashtu është bërë edhe hapja e kanaleve kulluese në tërë territorin e Komunës së Vushtrrisë”.

    Idrizi tha se kjo punë e vazhdueshme ka ndikuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e rrezikut nga vërshimet në komunë.

    “Gjendja aktuale është dukshëm më e qëndrueshme dhe më e menaxhueshme krahasuar me periudhat e mëparshme. Në shumicën e zonave janë reduktuar rreziqet nga vërshimet, falë ndërhyrjeve të realizuara dhe monitorimit të vazhdueshëm të situatës në terren. Megjithatë, mbetemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje që kërkon angazhim të përhershëm, prandaj do të vazhdojmë me investime, mirëmbajtje të rregullt dhe masa parandaluese për të garantuar siguri afatgjate për qytetarët tanë”, tha ndër të tjera Idrizi.

  • ShBA-të në proces të sekuestrimit të cisternës Olina në Karaibe

    ShBA-të në proces të sekuestrimit të cisternës Olina në Karaibe

    ShBA-të janë duke kryer sekuestrimin e një tjetër cisterne nafte, e cila sipas një zyrtari amerikan, ka lundruar më parë nga Venezuela.

    Anija, e quajtur “Olina”, po sekuestrohet pranë brigjeve të Trinidadit dhe kjo është hera e pestë që SHBA-të ndalojnë anije të tilla në vetëm disa javë.

    Sipas të dhënave nga Equasis, një platformë publike për transportin detar, cisterna “Olina” mbante flamur të rremë të Timorit Lindor dhe u kthye në rajon pas udhëtimit nga Venezuela, ku u ndalua të premten, siç njofton Reuters.

    “Sistemi i gjurmimit të vendndodhjes AIS të anijes ishte aktiv për herë të fundit 52 ditë më parë në Zonën Ekonomike Ekonomike të Venezuelës, në verilindje të Curacaos”, thotë kompania britanike e menaxhimit të riskut detar Vanguard.

    “Konfiskimi vjen pas një ndjekjeje të zgjatur të cisternave të lidhura me dërgesat e sanksionuara të naftës venezueliane në rajon.”

    Anija Olina u nis nga Venezuela javën e kaluar e ngarkuar plotësisht me naftë.

    Ajo ishte pjesë e një flotiljeje që u largua menjëherë pasi SHBA-të kapën Nicolas Maduron, presidentin e rrëzuar të Venezuelës, më 3 janar.

    Raportohet gjithashtu se ShBA-të vendosën sanksione ndaj cisternës në janar të vitit të kaluar, kur ajo u emërua Minerva M, transmeton Sinjali.

    Uashingtoni tha se kjo ishte për shkak se dyshohet se ishte pjesë e flotës në hije të cisternave të naftës.

  • SHBA-të kapin një cisternë nafte në Karaibe

    SHBA-të kapin një cisternë nafte në Karaibe

    SHBA-të janë në proces të sekuestrimit të një tjetër cisterne nafte.

    Duke cituar një zyrtar amerikan, thuhet se anija kishte lundruar më parë nga Venezuela.

    Anija, e quajtur cisterna Olina, po sekuestrohet pranë Trinidadit dhe është ndalimi i pestë i anijeve në javët e fundit.

    Anija Olina, e cila sipas bazës së të dhënave publike të transportit detar Equasis mbante flamurin e rremë të Timorit Lindor, kishte lundruar më parë nga Venezuela dhe ishte kthyer në rajon kur u sekuestrua të premten, raporton Reuters, duke cituar një burim transporti detar të njohur me çështjen.

    “Sistemi i gjurmimit të vendndodhjes AIS të anijes ishte aktiv për herë të fundit 52 ditë më parë në Zonën Ekonomike Ekonomike të Venezuelës, në verilindje të Curacaos”, thotë kompania britanike e menaxhimit të riskut detar Vanguard.

    “Konfiskimi vjen pas një ndjekjeje të zgjatur të cisternave të lidhura me dërgesat e sanksionuara të naftës venezueliane në rajon.”

    Anija Olina u nis nga Venezuela javën e kaluar e ngarkuar plotësisht me naftë.

    Ajo ishte pjesë e një flotiljeje që u largua menjëherë pasi SHBA-të kapën Nicolas Maduron, presidentin e rrëzuar të Venezuelës, më 3 janar.

    Reuters raporton gjithashtu se SHBA-të vendosën sanksione ndaj cisternës në janar të vitit të kaluar, kur ajo u emërua Minerva M.

    Uashingtoni tha se kjo ishte për shkak se dyshohet se ishte pjesë e flotës në hije të cisternave të naftës.

  • Sulmet ruse intesifikohen, Klitschko thirrje qytetarëve: Largohuni nga qyteti

    Sulmet ruse intesifikohen, Klitschko thirrje qytetarëve: Largohuni nga qyteti

    Pas sulmit rus të mbrëmshëm, qyteti i Kievit po përballet me ndërprerje të rënda në infrastrukturën kyçe, duke lënë gjysmën e ndërtesave të tij të banimit, pothuajse 6,000, pa ngrohje. Qyteti po përjeton gjithashtu ndërprerje të furnizimit me ujë, raporton Ukrainska Pravda.

    Kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se sulmi i kombinuar i mbrëmshëm ishte më i rëndi në infrastrukturën kyçe të kryeqytetit.

    “Punonjësit e komunitetit kanë lidhur objektet publike – veçanërisht spitalet dhe maternitetet – me dhomat e lëvizshme të bojlerëve. Së bashku me punonjësit e energjisë, ata po punojnë për të rivendosur energjinë elektrike dhe ngrohjen në shtëpitë e banorëve të Kievit”, tha Klitschko.

    Ai gjithashtu u bëri thirrje banorëve të largohen përkohësisht nga qyteti nëse kanë mundësi dhe të shkojnë në vende ku ka burime alternative të energjisë elektrike dhe ngrohjes. “Shërbimet e qytetit po punojnë në kushte emergjence. Fatkeqësisht, parashikohen kushte të rënda moti për ditët në vijim”, shtoi kryebashkiaku.

    Sulmi filloi në mbrëmjen e 8 janarit, kur një dron goditi çatinë e një pallati apartamentesh në lagjen Desniyskyi. Katër persona u konfirmuan të vdekur në sulm, ndërsa dëmtimi i rrjetit elektrik shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike për më shumë se 500,000 klientë në Kiev dhe zonën përreth, dhe disa shërbime treni pasagjerësh u vonuan.

    Qyteti i Kievit vazhdon të marrë masa emergjente për të rivendosur energjinë elektrike dhe ngrohjen, ndërsa banorëve u këshillohet të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të qytetit.

  • Lideri i Iranit: Trumpi të fokusohet në problemet e vendit të tij

    Lideri i Iranit: Trumpi të fokusohet në problemet e vendit të tij

    Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të fokusohet “në problemet e vendit të tij”.

    Në adresimin e parë publik sot, që kur protestat masive filluan në Iran, Khamenei ka thënë se Republika Islamike nuk do të zmbrapset përballë atyre që duan ta shkatërrojnë vendin.

    “Ka disa nxitës që duan t’ia bëjnë qejfin presidentit amerikan duke shkatërruan pronën publike. Një popull iranian i bashkuar do t’i mposhtë të gjithë armiqtë. I bëj thirrje urgjente Trumpit që të fokusohet në problemet e vendit të tij”, ka thënë ai.

    Trumpi ka përsëritur të enjten kërcënimin për ta sulmuar Iranin nëse forcat e sigurisë vrasin protestues.

    Protestat mbrëmjen e së enjten kanë qenë masive në shumë qytete iraniane, ndërsa u raportua se për disa orë nuk ka pasur internet.

  • Treni godet veturën në Fushë Kosovë, tre të lënduar

    Treni godet veturën në Fushë Kosovë, tre të lënduar

    Tre persona kanë marrë lëndime trupore një aksident i cili ka ndodhur sot rreth orës 13:50 mes trenit dhe një veture në fshatin Grabovc të Poshtëm.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

    Ahmeti tha se me rastin po merret Njësiti i Trafikut Rajonal.

    “Rreth orës 13:50 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku në fshatin Grabovc i poshtëm. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një tren dhe një automjet . Si pasojë e aksidentit, tre persona kanë marrë lëndime trupore . Me rastin po merret Njësiti i Trafikut Rajonal”, ka thënë Ahmeti.

  • Për 7 ditë, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave trajtoi 51 raste

    Për 7 ditë, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave trajtoi 51 raste

    Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 51 raste për shtatë ditë.

    Në një komunikatë, Zyra për Komunikim Publik e Kryeprokurorit të Shtetit janë listuar rastet ku prijnë rastet me dhunë në familje.

    Gjatë periudhës njëjavore të punës në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, nga 51 rastet, 48 janë raste të dhunës në familje, 2 raste sulm seksual dhe 1 rast për trafikun.

  • Nisin riparimet e dëmeve në pronat publike në Klinë

    Nisin riparimet e dëmeve në pronat publike në Klinë

    Klina është një ndër komunat më të prekura nga vërshimet e kësaj jave.

    Përveç dëmeve nëpër objekte banimi, toka bujqësore e biznese, shiu i rrëmbyeshëm dëmtoi edhe urën në Gjurgjevik ku tashmë janë vendosur shiritat.

    Sipas, Kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, i cili gjatë të premtes doli në terren për t’i parë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, tha se kompania e kontraktuar nga komuna është në terren dhe po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për riparimin e dëmeve në pronat publike.

  • Hoti flet pas gjetjeve mortore në Gjakovë: Po presim përfundimin e ekzaminimeve dhe identifikimit përmes ADN-së

    Hoti flet pas gjetjeve mortore në Gjakovë: Po presim përfundimin e ekzaminimeve dhe identifikimit përmes ADN-së

    Çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998–1999 vazhdon të mbetet një nga temat më të pazgjidhura pasluftës.

    Të enjten, në Gjakovë, janë gjetur mbetje mortore të cilat dyshohet se i përkasin së paku një personi që figuron në listën e personave të zhdukur gjatë luftës.

    Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ka bërë të ditur për Front Online se aktiviteti i zhvilluar ditën e djeshme ka qenë i planifikuar dhe lidhet kryesisht me rastet për konfirmim të identitetit.

    “Ajo që ka ndodh dje, ka qenë zhvarrim i mbetjeve mortore të një personi, që më shumë ndërlidhet me rastet për konfirmim identiteti. Ka qenë aktivitet i planifikuar, që është realizuar dje. Presim përfundimin e ekzaminimeve dhe identifikimit përmes ADN-së, për hollësitë tjera që fillimisht do t’i bëhen të ditura familjeve”, tha ai.

    Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, tha për Front Online se gjatë këtij viti pritet të zhvillohen gërmime në tri lokacione të reja, përfshirë vazhdimin e gërmimeve në Rahovec.

    Sipas tij, lokacionet janë identifikuar në bazë të analizave të dokumenteve të pranuara nga Tribunali i Hagës.

    “Aktualisht edhe tri lokacione i kemi, për të cilat tanimë janë siguruar urdhëresat, përfshirë vazhdimin e gërmimeve në Rahovec. Lokacionet tjera dalin si rezultat i analizave që po bëhen në dokumentet që tashmë kemi pranuar nga Tribunali i Hagës”, tha Hoti.

    Në fund, Hoti bëri të ditur se numri aktual i personave të zhdukur në Kosovë është 1 570, por kjo shifër pritet të ulet pas përfundimit të analizave të ADN-së për gjetjet e vitit 2025.

    “1570 mbetet numri i personave të zhdukur, ky numër do te zvogëlohet edhe për shkak të gjetjeve të vitit 2025, por që nuk kemi pranuar ende raportet e ADN-së”, tha ai për Front Online.

    Zbulohen mbetje mortore në Gjakovë, dyshohet se i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës