ATV

Category: Lajme

  • Bruno Fernandes po e mendon largimin nga Man United

    Bruno Fernandes po e mendon largimin nga Man United

    Ylli portugez Bruno Fernandes po mendon që të largohet nga gjiganti anglez Manchester United.

    Sipas raportimeve të mediave britanike Fernandes po synon të gjejë një klub të ri pas Kupës së Botës,dhe se destinacioni mund të jetë Liga e Arabisë Saudite ku klube nga ky kampionat janë vënën në ndjekje të portugezit.

    Përndryshe burime të “The Sun”bëjnë të ditur se Bruno ka humbur durimin me situatën aktuale tek “Djajtë e Kuq”,dhe se edhe largimi i trajnerit Ruben Amorim e ka bërë edhe më të komplikuar situatën e Fernandes tek United.

    Ndërkohë që Fernandes shton se klubi i ka kërkuar që të largohej,dhe thotë se do të dëshironte të ikte do të merrte leje nga klubi

    Kujtojmë që Bruno Fernandes ka kontratë me Man United deri në qershor të vitit 2027,me opsion zgjatjeje edhe për një vit tjetër.

  • Evropa “në alarm” nga moti i keq: 13 viktima nga acari – Franca dhe Anglia mbyllin edhe shkollat

    Evropa “në alarm” nga moti i keq: 13 viktima nga acari – Franca dhe Anglia mbyllin edhe shkollat

    Evropa Veriore vijon të përballet me motin e keq, me erëra me intensitet uragani dhe stuhi të fuqishme, që kanë shkaktuar të paktën 13 viktima, kaos në udhëtime, mbyllje shkollash dhe ndërprerje të energjisë elektrike për qindra mijëra banorë.

    Në Mbretërinë e Bashkuar, stuhia Goretti goditi rëndë Cornwall-in dhe pjesë të Uellsit, me erëra që arritën deri në 160 km/orë. Rreth 50 fluturime u anuluan, duke bllokuar mijëra pasagjerë. Dhjetëra mijëra familje mbetën pa energji elektrike. Një burrë në të 50-at humbi jetën në qytetin Helston, nga rrëzimi i një peme. Agjencia kombëtare e motit Met Office paralajmëroi për rrezik nga bora dhe akulli në pjesën më të madhe të vendit, veçanërisht në Skoci dhe Anglinë Veriore.

    Në Francë, stuhia Goretti shkaktoi ndërprerje të energjisë për rreth 320 mijë familje, kryesisht në Normandinë Veriore. Të shtunën, autoritetet njoftuan për rreth 100 mijë banesa pa energji elektrike. Në disa zona erërat arritën një shpejtësi deri në 216 km/orë, duke rrëzuar pemë dhe shkaktuar dëme kolosale në banesa. Shkollat mbetën të mbyllura në disa zona, ndërsa porte dhe rrugë u mbyllën përkohësisht.

    Gjermania Veriore u përball me ndërprerje energjie, transporti dhe komunikimi për shkak të stuhisë Elli, e cila solli reshje të dendura bore dhe erëra të forta. Shkollat u mbyllën në disa qytete, ndërsa trafiku hekurudhor në distanca të gjata u pezullua.

    Probleme serioze u raportuan edhe në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore. Trafiku ajror u ndërpre nga Çekia deri në Rusi, ku mbi 300 fluturime u anuluan në katër aeroportet që shërbejnë në Moskë. Autoritetet meteorologjike anëembanë kontinentit kanë lëshuar paralajmërime për erëra “me forcë uragani” dhe reshje të dendura bore, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.

  • Homazhe poetike pranë varreve të ujit

    Homazhe poetike pranë varreve të ujit

    Lulzim Tafa

    Rreth librit të fundit me poezi të Ismail Syles, “Ëndërr në zarf”, botimet Artini, Prishtinë, 2025

    Secili krijim letrar e ka një identitet të vetin, një lloj veçantie që e bën të duket më ndryshe nga krijimet e tjera. Janë së paku tri elemente që i japin vulë identitetit të kësaj vepre letrare: topika, tmerri dhe, normalisht pas tmerrit, trauma.

    Topika është vendi, Kosova (më saktë emblema e saj, Drenica), tmerri është lufta, respektivisht masakra, dhe e treta është trauma.

    Poezitë e Ismail Syles duken si balada, sepse seç kanë diçka prej atyre këngëve e vajeve popullore shqiptare; mbase e përbashkëta e tyre është toka, njerëzit, gjuha dhe historia. E përbashkëta është pikërisht kjo lloj traume që vjen si pasojë e tmerreve të masakrave që u bënë mbi popullatën civile të Kosovës, pa dallim pleq, gra e fëmijë. Kur nga këto veprime edhe Zoti trishtohet dhe Zotit i vjen keq, s’ka se si të mos ketë traumë poeti. Nuk është traumë e tipit fragmentar. Është traumë që ka një lidhje të vazhdueshme dhe që prek tragjeditë, nga një fëmijë i vrarë te një tjetër, nga një familje e shuar te një tjetër, e kështu për ta përgjithësuar në tërësi fatin e popullit shqiptar.

    E tërë poezia, e cila është një rrëfim për tragjeditë e ndodhura, ka për bazë realitetin e masakrave të kryera mbi njerëz të pafajshëm. E tërë përmbledhja është si një album ku poeti shpalos përjetimet e veta, duke u ndalur dhe duke i bërë jehonë një detaji të vetëm, që shpesh, për nga mënyra si e thotë poeti, lexuesin e lë pa frymë.

    Ai detaj mund të jetë një lodër fëmijësh, një kukull, një biçikletë apo një top me të cilin një fëmijë nuk do të luajë më kurrë, ngase vdekja e mori.

    Libri zbulon tri adresa/pjesë prej nga poeti e nis rrëfimin:

    · Pjesa e parë, Abria e Imer Deliut – Duart që bien erë, që është një shpalim tragjik i kujtesës, një lloj biografie poetike për të masakruarit e familjes Deliu.

    · Pjesa e dytë, Poklek – Bunari që bari s’e mbulon, pusi ku u hodhën trupat e të vrarëve, është rrëfim poetik për 53 viktimat e një masakre.

    · Pjesa e tretë, Homazh për gjësendet – Homazh për shqiptarët e zhdukur dhe të vrarë nga policia dhe ushtria serbe në vitet 1998–1999.

    Ndonëse rrëfimet ngjasojnë si me gojëdhëna, ato reflektojnë ngjarje të ndodhura në fund të shekullit njëzet. Janë vargje që të tmerrojnë me peshën e rëndë të dhunës, që të trishtojnë me mungesën e humanitetit të atyre që i bënë këto masakra dhe që të lënë pa frymë me egërsinë e treguar mbi njerëz të pafajshëm, madje edhe mbi fëmijë.

    Përjetimin, kujtesën e vet, poeti e bën art, e bën poezi përmes gjetjeve befasuese që të tronditin me simbole poetike e me figura të tjera:

    një e çarë në murin e shtëpisë / nuk e mbyllën kurrë / ndoshta shpirti i fundit ka dalë nga ajo vrimë…Kështu e përshkruan poeti dhomën ku ka ndodhur masakra.

    Ngjarjet godasin çdo pjesë të ndërgjegjes së poetit dhe, kur godasin poetin, ato e godasin ndërgjegjen njerëzore. Nuk thuhet kot se poetët janë ndërgjegjja njerëzore.

    Thuajse secila poezi mbaron me një figurë, me thënie të tipit aforistik e befasues, që mëton të mbahet në mend në kujtesën e lexuesit:

    çupën që nuk pati kohë të mësojë …

    që me thikë ia pret fijet jetës,

    me lehtësi siç thërret një rosë.

    (Ata, nuk i ndali as gjumi,

    as lodrat, as fustani i saj rozë.)…

    (Mu duk se Zoti po kërkonte falje)

    Në poezitë e Ismail Syles, në përgjithësi, ka gjetje të hatashme, të cilat aq sa të mahnitin me forcën shprehëse, po aq edhe të tronditin me tragjedinë që i mbështjell.

    Një nënë e kërkoi të bijën

    pesëmbëdhjetë vjet.

    Kur e gjeti,

    nuk kërkoi drejtësi…

    veç pak tokë për ta mbuluar.

    Secila poezi është një tablo që tregon shkatërrimin e një idili fshati dhe të një gëzimi fëmije nga tmerri i luftës.

    Çdo vit e kërkonte.

    Një biçikletë të kuqe.

    Më në fund, e bleu babi.

    Por kur erdhi dita…

    ajo mbeti e pashaluar

    si një gëzim pa këmbë.

    (Biçikleta e kuqe)

    Kështu, secila poezi e Ismail Syles është një epitaf i veçantë poetik, është shkrim, poezi mbi gurët e varreve. Është kujtesë që nuk duhet ta fshijë kurrë rrjedha e historisë.

  • Përmbytjet në Kosovë, IHMK: Mbi 41 mm reshje në dy ditë

    Përmbytjet në Kosovë, IHMK: Mbi 41 mm reshje në dy ditë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjendja hidrometeorologjike në vend është rënduar ndjeshëm ditëve të fundit si pasojë e reshjeve intensive të shiut dhe shkrirjes së borës.

    Sipas IHMK-së, gjatë periudhës 8–10 janar, në territorin e Kosovës kanë rënë mesatarisht mbi 41 milimetra reshje për metër katror, ndërsa në disa rajone sasia e reshjeve ka qenë dukshëm më e lartë.

    Reshje të konsiderueshme janë regjistruar në rajonet e Dukagjinit dhe Anamoravës, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e niveleve të lumenjve.

    Kosova  edhe sot është përballur me reshje të shiut, teksa Instituti Meteorologjik i Kosovës ka paraparë që më vonë gjatë ditës, me uljen e temperaturave, të ketë edhe reshje bore.

    Njoftimi:

    Nga: 08/01/2026 e deri më datë 10/01/2026, 00:00, mesatarisht në territorin e Republikës së
    Kosovës kanë rënë.41.3 mm (l/m2 )

    Gjenda e niveleve në lumenj gjatë 24h:

    -Pellgu i Drinit të Bardhë: Shumica e rrjedhave, janë duke pësuar lëkundje, në varësi të reshjeve dhe shkrirjes së borës sidomos në viset malore, por krahasuar me ditët paraprake shumica prej
    tyre janë nën kuotat e tyre maksimale.

    -Pellgu i Ibrit: Shumica e lumenjve në ulje të lehtë, pos atyre me karakter malorë të cilët janë më
    të ndikuar nga reshjet e shiut dhe shkrirja e borës në viset më të larta.

    -Pellgu i Moravës së Binçës: Morava aktualisht është nën kuotën e sajë maksimale, por si pasojë
    e shkrirjes së shpejtë të borës dhe reshjeve të shiut, ka tendenca të ngritjes

    – Pellgu i Lepencit: Ka tendenca të ngritjes së niveleve dhe prurjeve, si pasojë e reshjeve të shiut
    dhe shkrirjes së borës.

  • Rritet niveli i lumit Vjosë duke shkuar në 6 metra, rrezikohet sërish dalja e tij nga shtrati

    Rritet niveli i lumit Vjosë duke shkuar në 6 metra, rrezikohet sërish dalja e tij nga shtrati

    Niveli i lumit Vjosë është rritur sërish mesditën e kësaj të shtune.

    Gjatë ditës së djeshme, por edhe në orët e para të ditës së sotme, niveli i Vjosës ka arritur kuotat 5.1–5.2 metra. Ndërkohë, në mbrëmjen e së shtunës, niveli i lumit ka shkuar në 6.0 metra.

    Sipas parashikimeve dhe informacioneve nga zonat e Përmetit dhe Gjirokastrës, prurjet e Vjosës janë në rritje të vazhdueshme.

    Kjo situatë bën që në orët në vijim të priten prurje edhe më të mëdha dhe rritje të mëtejshme të nivelit të lumit, duke rrezikuar sërish daljen e tij nga shtrati.

  • Rasti BKS, caktohet masa e sigurisë ndaj 39 të pandehurve në Prizren

    Rasti BKS, caktohet masa e sigurisë ndaj 39 të pandehurve në Prizren

    Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka caktuar masa sigurie ndaj 39 (tridhjetenëntë) të pandehurve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi, ka vendosur masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj katër (4) të pandehurve: S.M., V.B., F.S. dhe Y.Ç., masë e cila mund të zgjasë deri më 08 shkurt 2026.

    Sipas vendimit të gjykatës:

    S.M. dhe V.B. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale Keqpërdorimi i besimit në vazhdimësi dhe Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike.
    V.B., së bashku me të pandehur të tjerë, dyshohet edhe për veprën penale Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi.
    F.S. dyshohet për Falsifikim dokumentesh dhe Keqpërdorim të besimit në vazhdimësi.
    Y.Ç. dyshohet për Keqpërdorim të besimit në vazhdimësi.

    Ndërkohë, ndaj 35 të pandehurve të tjerë, të cilët dyshohen për Keqpërdorim të besimit në ndihmë, gjykata ka caktuar masën e paraqitjes së detyrueshme në stacion policor një herë në javë, si dhe ndalimin për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, përfshirë të dëmtuarën BKS dhe të pandehurit e tjerë. Këto masa vlejnë gjithashtu deri më 08 shkurt 2026.

    Gjykata ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtyre masave do të rezultojë me caktimin e paraburgimit edhe për këta të pandehur.

    Sipas vlerësimit të gjykatës, ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masave të sigurisë, pasi nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Caktimi i paraburgimit për katër të pandehurit është vlerësuar si i domosdoshëm për të parandaluar arratisjen, ndikimin në dëshmitarë apo pengimin e procedurës hetimore.

    Gjykata Themelore në Prizren ka sqaruar se vendimi është marrë në përputhje me nenin 162 të Kodit të Procedurës Penale, duke marrë parasysh edhe faktin se rasti konsiderohet çështje e ndërlikuar, pasi përfshin më shumë se 10 të pandehur, konkretisht 39.

  • Dy ura të dëmtuara nga vërshimet në Lipjan – Kryetari thotë se situata u përkeqësua gjatë ditës

    Dy ura të dëmtuara nga vërshimet në Lipjan – Kryetari thotë se situata u përkeqësua gjatë ditës

    Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka bërë të ditur se situata nga vërshimet në këtë komunë është përkeqësuar gjatë ditës së shtunë, megjithëse deri më sot nuk ka pasur vështirësi të mëdha.

    Ahmeti ka theksuar se dëmet kryesore janë regjistruar në dy ura, njëra në fshatin Sllamushë dhe tjetra në Gadime të Epërme, por se vështirësi ka edhe në lokalitete të tjera.

    Siç tha kryetari, të gjitha rrugët janë të kalueshme, por me vështirësi të theksuara, sidomos në rrugët regjionale, përfshirë aksin nga rrethrrotullimi i Prishtina Mall drejt Ferizajt, si dhe rrugën nga Lipjani në Magbule, përkatësisht drejt aeroportit.

    “Deri sot nuk kemi pasur vështirësi, sot janë shfaqur bukur shumë vërshime në shumë lokalitete dhe pjesë të lagjeve e fshatrave. Janë disa dëme që kanë ndodhur, kryesoret në dy ura, njëra në fshatin Sllamushë dhe tjetra në Gadime të Epërme. Ka vështirësi edhe në lokalitete të tjera. Ekipet tona janë në terren, në bashkëpunim me zjarrfikësit, stacionin policor dhe disa kompani private, duke provuar të hapin kanale të reja për ta orientuar rrjedhën e ujit.”

    “Rrugët janë të kalueshme, por me shumë vështirësi, më së shumti në rrugët regjionale, në rrugën prej Prishtina Mall, pra nga rrethrrotullimi për Ferizaj, si dhe rrugën që shkon prej Lipjanit në Magbule, përkatësisht drejt aeroportit.”

    Ai ka shtuar se ekipet komunale janë në terren dhe po veprojnë në bashkëpunim me zjarrfikësit, stacionin policor dhe kompani private, me qëllim të hapjes së kanaleve të reja për orientimin e rrjedhës së ujit.

    Ahmeti bëri të ditur se Komuna i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës me kërkesë që të pastrohet brezi rrugor dhe të hapen kanalet përkatëse, pasi këto rrugë janë nën menaxhimin dhe pronësinë e Ministrisë.

    “I kemi shkruar Ministrisë së Infrastrukturës që brezin rrugor ta pastrojnë, pra të hapin kanale, sepse përveç që janë në menaxhim nga Ministria, janë edhe në pronësi të saj. Në disa lokalitete tona ne kemi ndërhyrë gjatë verës,” ka thënë kryetari për Ekonomia Online.

    Ai theksoi se sot janë shfaqur shumë vështirësi, por se rrugët mbeten të menaxhueshme dhe nuk ka rrugë të mbyllura, megjithatë me vështirësi në qarkullim.

    Kryetari Ahmeti njoftoi gjithashtu se janë formuar tri ekipe për vlerësimin e dëmeve, një për infrastrukturë, një për ekonomi familjare dhe një për bujqësi, të cilat janë në funksion.

    “Funksionojnë ekipet tona për vlerësimin e dëmeve, janë tri ekipe – një në infrastrukturë, një në ekonomi familjare dhe një në bujqësi. Të gjitha janë në funksion, por pas ndalimit të reshjeve dhe stabilizimit të motit do të dalim në terren për të nxjerrë vlerësimet e sakta për dëmet.”

    Në fund, Ahmeti u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të jenë në komunikim të vazhdueshëm me shërbimet emergjente komunale.

  • Hyseni për situatën në Gjilan: Është intervenuar në disa pika problematike

    Hyseni për situatën në Gjilan: Është intervenuar në disa pika problematike

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se ekipet emergjente kanë intervenuar në segmentet rrugore të cilat u bënë më vështirë të kalueshme si shkak i reshjeve të shiut.

    “Për shkak të reshjeve dhe situatës së krijuar në disa segmente rrugore, bashkë me ekipet komunale jemi në terren dhe po e përcjellim nga afër gjendjen në gjithë territorin e Gjilanit. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, në koordinim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ka intervenuar në disa pika problematike dhe po vazhdon monitorimin e vazhdueshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe funksionimin normal të qarkullimit”, ka shkruar Hyseni.

    Ndërkohë që u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes gjatë lëvizjes.

    “U bëj thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes dhe, aty ku është e nevojshme, të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në stabilizimin e plotë të situatës”, bëri thirrje Hyseni.

  • KRU “Prishtina”: Furnizimi me ujë të pijshëm në Drenas pritet të stabilizohet në mbrëmje

    KRU “Prishtina”: Furnizimi me ujë të pijshëm në Drenas pritet të stabilizohet në mbrëmje

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se pas rënies së nivelit të turbullirës në kanalin Ibër–Lepenc ka filluar procesi i trajtimit të ujit në impiantin e Bivolakut.

    KRU “Prishtina”  njofton se për konsumatorët e Drenasit, trajtimi i ujit në ITU Drenas pritet të nisë gjatë ditës.

    “Sipas vlerësimeve, furnizimi me ujë të pijshëm do të fillojë gjatë ditës, ndërsa pritet të stabilizohet në orët e mbrëmjes”, thuhet në njoftim.

    KRU “Prishtina” falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe durim gjatë procesit të rikthimit të furnizimit normal me ujë.

  • Lladrovci njofton se vërshimet kanë bllokuar disa rrugë në Drenas: Ekipet janë në terren, mos lëvizni pa arsye

    Lladrovci njofton se vërshimet kanë bllokuar disa rrugë në Drenas: Ekipet janë në terren, mos lëvizni pa arsye

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrvoci, ka njoftuar se vërshimet kanë bllokuar sërish disa rrugë në këtë komune. Ai ka kërkuar nga qytetarët që të mos lëvizin pa arsye, dhe ka njoftuar edhe se, ekipet emergjente janë terren.

    Kryetar i Drenasit, ka treguar se cilat rrugë janë të bllokuara si pasojë e vërshimeve.

    Postimi:

    Vërshimet bllokojnë sërish disa rrugë në Komunën e Drenasit

    Aktualisht, nga vërshimet, janë të pakalueshme rrugët si vijon:

    Drenas – Guri i Plakës,

    Drenas – Kroi i Mbretit

    Shtrubullovë – Korroticë e Ulët, dhe

    Rruga nga Komorani 1 në drejtim të Komoranit 3.

    Rruga nga Komorani për Skenderaj në drejtimin të Drenasit zhvillohet me vështirësi dhe ka kolona të gjata.

    Qytetarë të nderuar,

    Kërkojmë nga ju të mos lëvizni pa arsye, të respektoni shiritat e ndalimit të kalimit, shprehni solidaritet dhe nëse keni mundësi ndihmoni për të tejkaluar gjendjen.

    Ekipet emergjente janë në terren dhe bashkë me Policinë e Kosovës dhe AME-në, po bëjnë të pamundurën për lehtësimin e gjendjes.