ATV

Category: Lajme

  • Kompanitë ndërkombëtare ende po shmangin hapësirën ajrore të Iranit dhe Irakut

    Kompanitë ndërkombëtare ende po shmangin hapësirën ajrore të Iranit dhe Irakut

    Kompanitë evropiane të aviacionit, përfshirë Wizz Air, Lufthansa dhe British Airways, të enjten vazhduan të shmangin hapësirën ajrore të Irakut dhe Iranit, pavarësisht se ajo u rihap, duke ridrejtuar fluturimet përmes Afganistanit dhe Azisë Qendrore.

    Irani të mërkurën mbylli përkohësisht hapësirën ajrore për shkak të shqetësimeve për një veprim ushtarak të mundshëm, gjë që çoi në anulimin dhe ridrejtimin e fluturimeve, shkruan reuters.

    Megjithëse hapësira ajrore u rihap pas gati pesë orësh, shumë operatorë, përfshirë Singapore Airlines dhe TUI, mbajtën rrugë alternative.

    Gjermania ka lëshuar një rekomandim për kompanitë ajrore që të mos hyjnë në hapësirën ajrore iraniane, ndërsa shumë operatorë kanë përshtatur operacionet e tyre.

    Wizz Air ka njoftuar se disa fluturime kërkojnë ndalesa shtesë për furnizim me karburant dhe ndërrim të ekuipazhit, ndërsa British Airways ka anuluar fluturimet për Bahrein deri më 16 janar.

    KLM, Finnair, Ryanair dhe Air France gjithashtu, nga masa paraprake, shmangin hapësirën ajrore iraniane dhe irakiane, duke paralajmëruar se situata e paqëndrueshme e sigurisë ende përbën rrezik për ndërprerje të reja në trafikun ajror.

  • Petkoviq i thotë Sorensenit se përparimi në dialogun me Kosovën “kushtëzohet” me Asociacionin

    Petkoviq i thotë Sorensenit se përparimi në dialogun me Kosovën “kushtëzohet” me Asociacionin

    Zyrtari serb Petar Petkoviq ia ka bërë të ditur të dërguarit të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, se përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku mes Serbisë dhe Kosovës varet nga gatishmëria e kësaj të fundit për ta themeluar një asociacion të komunave me shumë serbe, njoftoi Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

    Sorensen u takua me Petkoviqin në Beograd të premten, dy ditë pas vizitës në Prishtinë, në një përpjekje të re për të shënuar përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

    Petkoviq, i cili është drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, bisedoi me të dërguarin e bllokut për mundësitë për avancimin e dialogut të stagnuar.

    Petkoviq “ia përcolli një mesazh të qartë” Sorensenit se për çdo përparim i dukshëm në dialog “është e nevojshme të ndërmerren hapa konkretë për të themeluar” Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për të diskutuar draft-statutin e Asociacionit, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

    Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

    Ndër pikat e marrëveshjes është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Kosova nuk ka ndërmarrë hapa për ta përmbushur këtë kërkesë dhe edhe ajo i ka vënë kushte Serbisë.

    Gjatë vizitës së Sorensenit në Prishtinë të mërkurën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha vendi i tij është i gatshëm për normalizim të raporteve me Serbinë, por pati sërish kërkesa për të.

    Ai tha se, së pari, Serbia duhet t’ia dorëzojë Kosovës Millan Radoiçiqin – ish-nënkryetarin e Listës Serbe që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator të vitit 2023.

    Po ashtu, ai tha se Serbia duhet ta tërheq “letrën e ish-kryeministres [së Serbisë, Ana] Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara”.

    Sorensen tha në Prishtinë se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.

    Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të sulmit vdekjeprurës në Banjskë, ku mbeti i vrarë një rreshter policor kosovar dhe tre sulmues serbë.

    Kjo ishte vizita e parë e Sorensenit në këto dy vende qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

    Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.

    Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian./REL

  • Aksidenti fatal në Durrës – Arrestohet shoferi, 26-vjeçari i dehur lëvizte me shpejtësi të lartë

    Aksidenti fatal në Durrës – Arrestohet shoferi, 26-vjeçari i dehur lëvizte me shpejtësi të lartë

    Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmë, mbi aksidentin rrugor te ura e Dajlanit, me pasojë vdekjen e shtetases V. G., informojmë se shërbimet e Policisë Rrugore kryen menjëherë veprimet hetimore të nevojshme, me qëllim zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Në përfundim të këtyre veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit në të cilin ishte pasagjere shtetasja V. G., shtetasit A. Xh., 26 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

    Nga hetimet rezultoi se 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me barrierat anësore të urës dhe ka rënë nga ajo.

    26-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 2 këmbësorët e dëmtuar kanë marrë asistencën mjekësore të nevojshme dhe janë larguar në banesa.

    Në vijim të informacionit të dhënë pasditen e djeshme, mbi aksidentin në rrugën “Martin Camaj”, informojmë se në përfundim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. L., për veprën “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Shtetasi E. L., me automjetin që drejtonte, dyshohet se ka përplasur këmbësorin, shtetasin Y. K., i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

  • Gjykata veçon procedurën ndaj Sveçlës për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend

    Gjykata veçon procedurën ndaj Sveçlës për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend

    Gjykata ka vendosur ta veçojë procedurën penale ndaj ministrit të Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars 2018. Ndërkohë, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar për ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Drita Millaku.

    Ky vendim u mor pasi Sveçla nuk u paraqit as në seancën e sotme. Gjyqtari i rastit, Sabit Sadikaj, sqaroi se i pandehuri ka njoftuar për mungesën e tij përmes një emaili, ku shpjegon se ndodhet jashtë vendit. Ai shtoi se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore që seanca të vazhdojë me të pandehurit e tjerë.

    “Mungesën e ka arsyetuar, i ka dërguar gjykatës email që gjendet jashtë vendit. Pra janë plotësuar kushtet e seancës së shqyrtimit gjyqësor që të vazhdojë me të pandehurit e tjerë”, tha ai.

    Avokati i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Laur Preni, kërkoi nga gjykata që të ketë konsideratë dhe mirëkuptim për faktin se klienti i tij mban një detyrë me përgjegjësi të lartë shtetërore. Ai tha se për shkak të funksionit që ushtron, Sveçla jo gjithmonë mund të jetë prezent apo i gatshëm t’u përgjigjet ftesave të gjykatës.

    “Kërkoj nga gjykata që të ketë konsideratë dhe mirëkuptim për faktin se i mbrojturi im mban një detyrë me përgjegjësi të lartë si ministër në detyrë i Punëve të Brendshme dhe jo çdo herë mund të jetë prezent apo i gatshëm që t’u përgjigjet ftesave nga gjykata”, tha ai.

    Prokurori i rastit, Valdrin Krasniqi, deklaroi se Prokuroria nuk e kundërshton vendimin e gjykatës për veçimin e procedurës ndaj Sveçlës, duke vlerësuar se një vendim i tillë i kontribuon efikasitetit të procedimit të mëtejmë të kësaj çështjeje penale.

    “Nuk e kundërshtojmë vendimin e gjykatës, duke vlerësuar që kjo i kontribuon efikasitetit të procedimit të mëtejmë të kësaj çështjeje penale”.

    Ndërkaq, i pandehuri Salih Zyba e kundërshtoi veçimin e procedurës ndaj Sveçlës, duke shprehur qëndrimin se ndarja e çështjes nuk është e drejtë.

    Kundër këtij vendimi u shpreh edhe mbrojtja e Fitore Pacolli-Dalipit. Avokati i saj, Lavdrim Salihu, tha se në kuptim të provave rasti nuk mund të trajtohet si i ndarë, duke shtuar se ndarja e lëndës do të rezultonte në vështirësim të mbrojtjes efektive për palët. Ai theksoi se vepra penale nuk i afrohet parashkrimit as pas tetë vitesh dhe, sipas tij, parimi i efikasitetit nuk cenohet nga vazhdimi i përbashkët i procedurës.

    “E kundërshtoj për shkak se në kuptim të provave, nuk mund t’i cilësojmë si raste të ndara, duke shtuar këtu faktin se një ndarje e serisë së lëndës do të rezultonte në vështirësim të një mbrojtjeje efektive për palët. Konsideroj se për shkak se vepra penale nuk arrin parashkrimin edhe për 8 vite, nuk cenohet parimi i efikasitetit në procedurë”, tha ai.

    I pandehuri Salih Zyba kërkoi që seanca të shtyhet, duke arsyetuar se mbrojtja nuk i posedon të gjitha shkresat e lëndës.

  • Kurti zhvillon takim me ambasadorët e akredituar në Kosovë

    Kurti zhvillon takim me ambasadorët e akredituar në Kosovë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, mirëpriti sot në takim ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë.

    Në kuadër të komunikimit të rregullt dhe zhvillimeve të fundit, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, i njoftuan për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, ligje këto të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe veprimet afirmative, që institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre dy ligjeve.

    “Faza e parë e zbatimit, e cila nis sot, parasheh një periudhë informimi mbi zbatimin e dispozitave ligjore. Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese, të cilat ofrojnë udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi. Paralelisht do të organizohen sesioneve informuese me qytetarë, fushatë informimi përmes medieve, linja telefonike informuese, etj.  Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”,thuhet në njoftim.

    Po ashtu kryeministri informoi ambasadorët e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate. Kryeministri tha se ky proces integruese do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë.

    “Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke u shprehur se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve”, thuhet tutje në njoftim.

  • KQZ publikon raportet e paaudituara financiare të fushatës së 93 subjekteve politike

    KQZ publikon raportet e paaudituara financiare të fushatës së 93 subjekteve politike

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat janë mbajtur më 12 tetor 2025.

    Përmes një njoftimi bëhet e ditur se sipas këtij ligji, është detyrim ligjor për subjektet politike që garojnë në zgjedhje të dorëzojnë në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) raportin financiar të fushatës zgjedhore jo më vonë se 30 ditë kalendarike pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ.

    “Raportet e deklarimit financiar të fushatës për subjektet politike, janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Subjekte Politike > Raportet financiare të fushatave zgjedhore, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/raportet-financiare-te-fushatave-zgjedhore-te-audituara/“, thuhet në njoftim.

    Tutje thuhet se duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, kanë sqaruar se këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit.

  • Operacion i gjerë në burgun e Dubravës, të pranishëm edhe njësiti special K9

    Operacion i gjerë në burgun e Dubravës, të pranishëm edhe njësiti special K9

    Në Qendrën Korrektuese të Dubravës, zyrtarët korrektues, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar një operacion të gjerë bastisjeje me qëllim parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjen e sigurisë brenda institucionit.

    Sipas një njoftimi bëhet e ditur se gjatë operacionit janë kontrolluar të gjitha hapësirat e brendshme, përfshirë dhomat e të burgosurve, si dhe hapësirat e jashtme, salla e sportit dhe ambientet e tjera përcjellëse.

    “Në aksion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë korrektues nga institucione të tjera, si dhe njësiti special K9. Pas përfundimit të bastisjes nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Gjatë kontrollit janë larguar sende të tepërta nga dhomat e të burgosurve dhe hapësirat e përbashkëta”, thuhet në njoftim.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës falënderon të burgosurit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë këtij aksioni, i cili ka për synim ruajtjen e sigurisë dhe krijimin e një ambienti korrektues të qetë dhe të sigurt. /Telegrafi/

  • Edhe kjo ndodh në Dubai: Së shpejti taksi ajrore

    Edhe kjo ndodh në Dubai: Së shpejti taksi ajrore

    Taksitë ajrore elektrike të zhvilluara nga Joby Aviation do të fillojnë operacionet komerciale në Dubai deri në fund të këtij viti, tha të premten Mattar al-Tayer, kryetar i Autoritetit të Rrugëve dhe Transportit të Dubait.

    Joby Aviation kreu fluturimin e parë provë të taksisë së saj ajrore elektrike në emirat në qershor 2025, një moment i rëndësishëm në përpjekjet e Dubait për t’i futur ato në rrjetin e tij ekzistues të transportit.

    Joby Aerial Taxi, avioni kryesor elektrik për ngritje dhe ulje vertikale i zhvilluar nga kompania me seli në Kaliforni, mund të fluturojë në distanca deri në 160 kilometra me shpejtësi deri në 320 km/orë.

    Me zero emetime, taksia ajrore e Joby-t është projektuar të jetë miqësore me mjedisin dhe mjaftueshëm e qetë për përdorim komercial në zona urbane me popullsi të dendur.

    Në fillim të vitit 2024, Joby nënshkroi një kontratë me Autoritetin e Rrugëve dhe Transportit të Dubait, e cila i dha kompanisë të drejtat ekskluzive për të operuar taksi ajrore në qytet për gjashtë vitet e ardhshme.

  • Gjykimi për gazin lotsjellës, Pacolli e Zyba konfirmojnë pjesëmarrjen, Sveçla s’përgjigjet

    Gjykimi për gazin lotsjellës, Pacolli e Zyba konfirmojnë pjesëmarrjen, Sveçla s’përgjigjet

    Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe Salih Zyba e kanë konfirmuar se do të paraqiten në seancën gjyqësore që do të mbahet sot.

    Pacolli, Zyba së bashku me ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, akuzohen për “hedhje të gazit lotsjellës” në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018.

    Ndërkohë Sveçla nuk u është përgjigjur thirrjeve të Kohës lidhur me pyetjen nëse do të marrë pjesë në seancën e sotme.
    Në seancën e mbajtur më 31 tetor, gjyqtari Sabit Sadikaj pati paralajmëruar se kushdo që do të mungojë në seancë, ndaj tij do të lëshohet urdhërarrest, me kërkesë eventuale për paraburgim.

    “Secila palë që mungon, ndaj asaj pale të lëshohet urdhërarrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit eventual”, pati thënë gjyqtari Sadikaj.

    Seanca pritet të nisë në orën 13:20.

    Sipas aktakuzës së ngritur për rastin, më 21 mars të 2018-s, nga ora 12:10 e deri në 15:40, të tre të akuzuarit kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, ku ka qenë duke u mbajtur seancë plenare lidhur me votimin e demarkacionit me Malin e Zi. Në aktakuzë thuhet po ashtu se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët janë detyruar që ta lirojnë sallën e Kuvendit, me ç’rast është pamundësuar vazhdimin e seancës. Gazi lotsjellës është përdorur gjatë seancës së jashtëzakonshme.

  • ZKA fillon auditimin mbi sigurinë e nxënësve në shkollat publike

    ZKA fillon auditimin mbi sigurinë e nxënësve në shkollat publike

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar fillimin e auditimit të performancës me temën “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”, i cili do të përqendrohet në klasat VI-XII për periudhën 2022-2025, në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026.

    Sipas ZKA-së, ky auditim synon vlerësimin e sigurisë dhe përshtatshmërisë së ambientit shkollor, si dhe të mekanizmave që institucionet përgjegjëse kanë vendosur për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe monitorimin e incidenteve të dhunës në shkolla.

    “Qëllimi ynë është të sigurojmë që nxënësit të kenë një ambient të sigurt dhe të përshtatshëm për zhvillimin e tyre akademik dhe personal”, ka bërë të ditur ZKA.

    Fushëveprim i auditimit përfshin Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Inspektoratin e Arsimit, si dhe Drejtoritë e Arsimit në komunat e Prishtinës, Ferizajt dhe Gjakovës.

    Po ashtu, në auditim mund të përfshihen edhe Policia e Kosovës dhe drejtoritë e saj rajonale, si dhe Qendrat për Punë Sociale të tri komunave të përfshira.

    ZKA ka theksuar se auditimi do të ndihmojë në identifikimin e sfidave dhe dobësive në menaxhimin e sigurisë në shkolla dhe do të ofrojë rekomandime për përmirësim të mekanizmave ekzistues, në funksion të mbrojtjes së nxënësve dhe zhvillimit të një ambienti arsimor më të sigurt. /Telegrafi/