ATV

Category: Lajme

  • ​Sulmi terrorist në Banjskë, të akuzuarit dalin para gjykatës

    ​Sulmi terrorist në Banjskë, të akuzuarit dalin para gjykatës

    Nën masa të larta të sigurisë u sjellë në gjykatore të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët akuzohen për sulmin terrorist në Banjskë në shtatorin e vitit 2023.

    Në sallë ndodhen edhe zyrtarët policorë që u lënduan në këtë sulm e që janë Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

    Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

    Seancën në rastin Banjska po e udhëheq kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni. Ndërsa, deri tani këtë gjykim e ka udhëhequr gjyqtari, Arben Hoti por me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit Hoti u zëvendësua me Arrnin.

    Arrni është edhe kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    Gjykimi në rastin e sulmin terrorist Bansjka ka nisur rishtazi për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, ndërsa edhe sot dy të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë ndërsa, Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor për veprat të cilat i vihen në barrë me aktakuzën e Prokurorisë. /Kp/

  • Produkte farmaceutike të padeklaruara janë zbuluar në Doganë, me vlerë rreth 49 mijë euro

    Produkte farmaceutike të padeklaruara janë zbuluar në Doganë, me vlerë rreth 49 mijë euro

    Në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë është paraqitur për kontroll një dërgesë mallrash, ku gjatë verifikimit dokumentar dhe ekzaminimit fizik janë konstatuar mospërputhje mes përshkrimit të deklaruar dhe gjendjes faktike të mallit.

    Sipas doganës, mallrat ishin deklaruar si lëndë e parë për prodhim, mirëpo gjatë ekzaminimit të detajuar, përfshirë kontrollin e origjinës, sasisë, formës së paraqitjes dhe karakteristikave të tjera, është konstatuar se bëhej fjalë për produkte farmaceutike të gatshme, të paketuara për shitje me pakicë.

    Me këtë veprim, dyshohet se është tentuar shmangia e pagesës së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), si dhe nuk është paraqitur dokumentacioni përkatës, përfshirë certifikatën e nevojshme për importimin e produkteve farmaceutike të gatshme.

    Vlera totale e mallrave të sekuestruara arrin rreth 49 mijë euro.

  • Pse 9.99 € dhe jo 10 euro? Sekreti i çmimeve që ndikon drejtpërdrejt në trurin tonë

    Pse 9.99 € dhe jo 10 euro? Sekreti i çmimeve që ndikon drejtpërdrejt në trurin tonë

    Çmimi 9.99 euro, i përdorur gjerësisht në tregje dhe dyqane në mbarë botën, nuk është aspak i rastësishëm. Sipas ekspertëve të neuromarketingut, kjo strategji ka rrënjë që nga shekulli i 19-të në Amerikë dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon mendja e njeriut.

    Studiuesja e neuromarketingut, Dea Balaj, në emisionin “LIBERO” shpjegoi se arsyeja kryesore pse 9.99 perceptohet më lirë sesa 10 euro lidhet me mënyrën se si truri lexon dhe përpunon informacionin.

    “…Ne lexojmë nga majtas në të djathtë dhe në momentin që shohim shifrën 9 si numrin e parë, truri e regjistron vlerën e produktit si rreth 9 euro, jo 10, pavarësisht se diferenca është vetëm 1 cent”, theksoi Balaj.

    Sipas saj, truri në mënyrë biologjike e përpunon çmimin brenda mikrosekondave dhe e merr shifrën e parë si bazë orientimi.

    “Në momentin që shohim numrin 10, aktivizohet ajo që quhet ‘dhimbja e pagesës më të madhe’, sepse 10 perceptohet si një prag psikologjik më i lartë sesa 9”, shtoi ajo

    Kjo teknikë, e njohur si “çmimi psikologjik”, përdoret gjerësisht në marketing për të nxitur blerjen dhe për të ulur ndjesinë e shpenzimit te konsumatori, duke dëshmuar se edhe një cent mund të bëjë diferencë të madhe në vendimmarrjen tonë.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Dea Balaj, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Pse konsumatorët blejnë produkte që nuk u nevojiten? Neuromarketingu jep përgjigjen

    Pse konsumatorët blejnë produkte që nuk u nevojiten? Neuromarketingu jep përgjigjen

    Shpeshherë konsumatorët gjenden përballë blerjeve impulsive, duke marrë produkte që nuk janë domosdoshmërisht të nevojshme. Sipas ekspertëve të neuromarketingut, arsyeja nuk lidhet vetëm me fuqinë blerëse apo nevojat reale, por me mënyrën se si funksionon truri i njeriut.

    Studiuesja e neuromarketingut, Dea Balaj, në emisionin “LIBERO” theksoi se blerja nuk është kurrë thjesht një akt ekonomik apo racional: “Në narrativën e neuromarketingut, blerja është e ndërthurur me emocione të shumta dhe truri reagon ndaj stimuluesve përreth”, u shpreh ajo.

    Sipas Balajt, procesi i blerjes është i rrënjosur thellë në mekanizmat bazë të trurit: “Është e ndërtuar në ADN-në e trurit që shkëmbimi i produkteve apo blerja e gjërave të shërbejë më shumë si një akt për të dëshmuar statusin, klasën sociale apo mbijetesën, sesa si një nevojë reale,” shtoi ajo.

    Kjo qasje shpjegon pse marketingu emocional, dizajni i produkteve dhe mesazhet vizuale kanë një ndikim kaq të madh në vendimet e konsumatorëve, duke i shtyrë ata të blejnë edhe atë që nuk u nevojitet realisht.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Dea Balaj, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Sulmi në Prekaz, “shumë shpejt” aktakuzë per vrasjen e Jasharëve

    Sulmi në Prekaz, “shumë shpejt” aktakuzë per vrasjen e Jasharëve

    Së shpejti do të ngritet aktakuzë në mungesë ndaj të dyshuarve për vrasjen e Adem Jasharit dhe familjes së tij.

    ATV ka mësuar se Prokuroria Speciale aktin akuzues do të ngrisë ndaj zinxhirit komandues, pikërisht në përvjetorin e 28 të ngjarjes.

    Pas ngritjes së aktakuzës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pritet që së shpejti edhe tëfillojë gjykimi për këtë rast.

    Në ndërkohë, nga ky institucion, kanë folur edhe për aktakuzën tjetër me rëndësi, për masakrën e Reçakut.

    Për më shumë ndiqni kronikën e plotë të përgatitur nga gazetari i ATV-së, Arian Hajdaraj:

     

  • Sfidat e zhvillimit dhe të integrimit

    Sfidat e zhvillimit dhe të integrimit

    AKADEMIK. PROF. DR. ANASTAS ANGJELI

    E ardhmja ekonomike e Shqipërisë dhe e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor do të vendoset nga mënyra se si të rinjtë e sotëm do të kenë mundësi reale të krijojnë, të punësohen dhe të qëndrojnë këtu, në vendet tona, duke përfituar nga rruga drejt Bashkimit Europian e jo vetëm duke ëndërruar të ardhmen diku tjetër. Kjo kërkon një vizion për integrimin e të rinjve tanë në ekonominë moderne.

    1-SITUATA E TË RINJVE SOT: PËRBALLJA ME PAPUNËSINË DHE SFIDËN E INTEGRIMIT

    Ekonomia shqiptare në vitin 2024-2025 ruajti një dinamizëm të mirë zhvillimi, me rritje GDP në rreth 4%, e nxitur nga kërkesa e fortë e brendshme dhe turizmi, i cili mbetet një sektor kyç. Inflacioni ra nën synimin e Bankës Qendrore, ndërsa konsolidimi fiskal u përshpejtua, gjë që tregon një qasje më të përgjegjshme ndaj financave publike. Megjithatë, të ardhurat qeveritare si përqindje e GDP-së mbeten ende relativisht të ulëta dhe përmbushja e investimeve publike ndonjëherë nuk arrihet në shkallën e planifikuar. Pavarësisht progresit të bërë, vendi ynë po përballet me një krizë të thellë demografike dhe sociale, e cila tashmë ka prekur gjerë edhe të rinjtë. Kjo është reflektuar qartë në rënien e numrit të nxënësve që përfundojnë arsimin e mesëm dhe në emigracionin masiv të të rinjve. Pra, paralelisht me rritjen makroekonomike, edhe situata e të rinjve është në dinamikë të vazhdueshme. Papunësia e të rinjve në Shqipëri ka arritur në 19% në 2024, niveli më i ulët në gati një dekadë, ndërkohë që mesatarja e BE-së është 11,2%. Brenda kësaj përqindjeje, norma e të rinjve NEET (jo në arsim, punësim ose trajnim) është rreth 22,2% të popullsisë së moshës 15-29 vjeç. Megjithatë, ka sinjale pozitive: norma e punësimit të të rinjve u rrit në 44,4% në 2024, nga 41,9% në 2023, ndërsa pjesëmarrja e të rinjve në fuqinë punëtore u rrit nga 45,7% në 2016 në 54,8% në 2024. Sfida kryesore, megjithatë, është emigracioni i të rinjve. Sondazhet e fundit tregojnë se 36,5% e të rinjve shqiptarë shprehin dëshirën të emigrojnë për punë dhe jetë më të mirë jashtë vendit, dhe për ata me arsim të lartë, kjo përqindje është edhe më e lartë. Ky “brain drain” e privon vendin nga kapitali njerëzor më i vlefshëm – të rinjtë e arsimuar që mund të jenë motor i zhvillimit dhe inovacionit. Sipas INSTAT dhe Eurostat, grup-mosha 0-29 vjeç është tkurrur me 44% që nga viti 2011, me mbi 600.000 të rinj që kanë emigruar. Ky trend nuk është një dukuri e izoluar, por pasojë e një sërë faktorësh të ndërlidhur ekonomikë, socialë, demografikë dhe politikë, që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin afatgjatë të vendit.

    Përballur me këto sfida, Shqipëria ka nisur disa iniciativa të rëndësishme. Programi i Garancisë për të Rinjtë, i nisur në 2023, ofron një mundësi pune, trajnimi ose edukimi brenda katër muajsh për të rinjtë që regjistrohen si të papunë. Ky program ka filluar me projekte pilot në tri qytete (Tiranë, Shkodër, Vlorë), po zgjerohet dhe po rafinohet për të siguruar përfshirjen më të madhe të të rinjve. Sipas raportit të Partner Albania “Monitoring Report 2024”, gjatë fazës pilot (nëntor 2023 – dhjetor 2024): 560 të rinj NEET u regjistruan në program; 414 të rinj (74%) u integruan me sukses; 242 të rinj u punësuan përmes shërbimeve të ndërmjetësimit të punës; 145 të rinj përfituan nga ofertat e trajnimit; 27 të rinj u përfshinë në mundësi arsimore. Rezultatet janë premtuese dhe duhet të shkallëzohen për të bërë ndryshim thelbësor në papunësinë e të rinjve.

    Largimi masiv i të rinjve (19-40 vjeç) konsiderohet si një humbje strukturore dhe përbën një nga sfidat më serioze për të ardhmen e Shqipërisë. Arsyet kryesore përfshijnë: mungesën e vendeve të punës të denja dhe të mirëpaguara; mungesën e meritokracisë dhe besimit në institucione; cilësinë e ulët të shërbimeve publike; pasigurinë për të ardhmen personale dhe profesionale. Ky emigracion nuk është thjesht ekonomik, por edhe emigracion shprese, ku të rinjtë largohen për të ndërtuar një jetë me dinjitet dhe siguri.

    Një problem shqetësues është dhe numri i nxënësve në shkolla. Sot, krahasuar me 20 vjet më parë, numri i nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme është 50% më i ulët, dmth., është përgjysmuar. Ky fenomen është i lidhur me disa faktorë si:

    -Faktorët demografikë:

    Rënia e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë janë elementët bazë që ndikojnë në tkurrjen e numrit të nxënësve. Emigracioni familjar ka thelluar më tej këtë fenomen, duke zbrazur veçanërisht zonat rurale dhe qytetet e vogla.

    -Faktorët ekonomikë:

    Varfëria, papunësia dhe të ardhurat e ulëta e bëjnë arsimin më pak të aksesueshëm dhe më pak tërheqës. Për shumë familje, investimi afatgjatë në arsim nuk shihet si rrugë e sigurt drejt përmirësimit të jetesës.

    -Faktorët socialë:

    Braktisja shkollore, mungesa e motivimit dhe perceptimi i dobët për rolin e arsimit në suksesin profesional janë bërë fenomene të përhapura. Shkolla shpesh nuk arrin të krijojë lidhje funksionale me realitetin social dhe ekonomik të të rinjve.

    -Faktorët politikë dhe institucionalë:

    Politikat arsimore të paqëndrueshme, investimet e pamjaftueshme dhe mungesa e vizionit afatgjatë kanë ndikuar negativisht në cilësinë dhe besueshmërinë e sistemit arsimor.

    Prandaj mbetet sfidë zbatimi i politikave për frenimin e këtij fenomeni: Politika këto të koordinuara dhe afatgjata: investime serioze në arsim cilësor dhe profesional; rritje të pagave dhe formalizim të tregut të punës; mbështetje për sipërmarrjen rinore dhe inovacionin; luftë reale kundër korrupsionit dhe klientelizmit; politika strehimi dhe mbështetje sociale për të rinjtë, etj.. Një rëndësi të veçantë merr dhe integrimi europian si një mundësi strategjike. Dhe për këtë na shërben edhe përvoja e vendeve që hynë në BE në vitin 2004 dhe 2007.

    Vendet si Polonia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, si dhe vendet baltike – Estonia, Letonia, Lituania të quajtura: “Tigrat Baltik”, janë sot prova më e fortë se çfarë sjell anëtarësimi në BE kur ai shoqërohet me reforma të thella ekonomike dhe institucionale. Ato kanë pasur politika të veçanta për rininë, që kanë qenë thelbësore për suksesin e tyre ekonomik. Ato siguruan rritje, konvergjencë dhe mundësi për të rinjtë. Pavarësisht nga diferenca në rezultate midis këtyre vendeve, këto rezultate nuk erdhën automatikisht. Ato erdhën sepse këto vende bënë reforma të thella në ekonomi, në drejtësi, në administratë, modernizuan sistemet e arsimit dhe formimit profesional; krijuan një klimë tërheqëse për investime dhe sipërmarrje, shfrytëzuan në mënyrë aktive fondet e BE-së për infrastrukturë, inovacion dhe kapital njerëzor.

    Këtu qëndron diferenca: nuk u bënë thjesht anëtare të BE-së, por përgatitën vendet e tyre përpara se të hyni. Ky është një mësim i drejtpërdrejtë për Shqipërinë dhe rajonin tonë. Nëse ne dëshirojmë të arrijmë rezultate të ngjashme, nuk mjafton të hapim kapitujt e negociatave. Duhet ta kuptojmë se secili kapitull i hapur përfaqëson një obligim konkret – të përmbushim standardet europiane në atë fushë, të trajtojmë njerëzit, të ndërtojmë institucione të aftë. Aty qëndron puna e vërtetë.

    Edhe Rumania, edhe Bullgaria, të cilat u anëtarësuan në BE në vitin 2007, kanë përjetuar efekte pozitive të qarta në rritjen ekonomike, por efektet pozitive u bënë të dukshme vetëm rreth shtatë vitesh pas anëtarësimit, si rrjedhojë e vonesës në zbatimin e reformave. Gjithashtu, në këto dy vende, politikat për të rinjtë kanë qenë më të dobëta në krahasim me vendet e anëtarësuara më herët. Ajo që duhet ta kuptojmë këtu është se anëtarësimi në BE është një mundësi shumë e madhe, por jo një zgjidhje, një shkop magjik. Ajo funksionon.

  • IKShPK del me njoftim, tregon në cilat rajone ka ndryshime të situatës me cilësinë e ujit

    IKShPK del me njoftim, tregon në cilat rajone ka ndryshime të situatës me cilësinë e ujit

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se po vazhdon ta monitorojë cilësinë e ujit në gjithë territorin e Kosovës.

    Sipas rezultateve të analizave situata mbetet e pandryshuar në rajonin e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Prizrenit dhe Gjakovës.

    “Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës. Bazuar në rezultatet e analizave të datës: 15.01.2026, situata mbetet e pandryshuar në rajonet: Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren dhe Gjakovë.”

    IKSHPK thotë se në Gjilan, në zonën e Kamenicës stacioni nr.1 dhe Besa Center, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara.

    Ndërsa në Stacionin e pompimit nr. 2, Bahqja dhe fshatin Berivojcë, është vërejtur rritje e vlerave të nitrateve mbi kufijtë e lejuar dhe uji në këto zona nuk rekomandohet për pije.

    Në rajonin e Pejës, në Pejë, Deçan, Junik dhe Istog, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara për pije.

    “Klinë-Rrjeti nga puset dhe rrjeti nga burimi Jarinë, si pasojë e vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për pije.”

  • Caktohen datat për deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Specialja del me njoftim

    Caktohen datat për deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Specialja del me njoftim

    Gjykata Speciale në Hagë ka dalë me njoftim për gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Përmes një komunikatë bëhet e ditur se deklaratat përmbyllës ndaj këtij rasti do të jenë muajin e ardhshëm.

    “Më 9 deri më 13 dhe më 16 dhe 18 shkurt, do të paraqiten para Dhomave të Specializuara në Hagë deklaratat përmbyllëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seancat janë planifikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në orën 16:30″, thuhet mes tjerash në njoftimin e Speciales.

    Fillimisht më 9 shkurt do të jetë deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, për të vazhduar edhe më 10 shkurt bashkë me deklaratën përmbyllëse të Mbrojtjes së Viktimave.

    Më 11 shkurt do të jetë Deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit, për të vazhduar ky i fundit edhe më 12 shkurt. Në po të njëjtën ditë do të jetë edhe deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Selimit e cila vazhdon edhe të premten e 13 shkurtit, ku vazhdon edhe ajo e Jakup Krasniqi. Poashtu ky i fundit do të vazhdojë edhe më 16 shkurt.

    Në po të njëjtën ditë do të ketë edhe pyetje nga Trupi Gjykues.

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022.

  • Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë së ShBA-së

    Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë së ShBA-së

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me menaxhmentin e lartë të PK-së, në Prishtinë priti në një takim zyrtar Atasheun Ligjor të FBI-së, Brendan Collins, si dhe Atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), Kimberly Riffe.

    Gjatë këtij takimi, atashetë amerikanë prezantuan para nivelit të lartë ekzekutiv të Policisë së Kosovës dy përfaqësues të FBI-së: një agjent special të FBI-së dhe një analist të inteligjencës të FBI-së, të cilët do të punojnë ngushtë dhe paralelisht me Policinë e Kosovës gjatë muajve në vijim.

    Bëhet e ditur se takimi u fokusua në planet e bashkëpunimit të ardhshëm, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të plotë dhe koordinim të vazhdueshëm në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe luftimit efektiv të krimit.

  • Sorensen shkruan për vizitën në Kosovë, kërkon rezultate të prekshme në dialog sivjet

    Sorensen shkruan për vizitën në Kosovë, kërkon rezultate të prekshme në dialog sivjet

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka shkruar rreth vizitës që zhvilloi dje në Kosovë, në përpjekje për ta ringjallur procesin e dialogut.

    Sorensen u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Presidenten Vjosa Osmani dhe liderët e partive politike, Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.

    Ai ka thënë se gjatë këtyre takimeve ka pasur diskutime të hapura mbi hapat e mëtejshëm në dialog, për t’u siguruar që sivjet të ketë rezultatet të prekshme në këtë këtë proces, shkruan Reporteri.net.

    “Jam i lumtur që jam kthyer në Kosovë. Kam pasur takime të vlefshme dhe diskutime të hapura mbi hapat e mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për t’u siguruar që viti 2026 të sjellë rezultate të prekshme për popullin e Kosovës. Angazhimi i vazhdueshëm mbetet thelbësor për përparimin drejt së ardhmes evropiane të Kosovës”, ka shkruar Sorensen në platformën “X”, teksa ka ndarë edhe fotografi nga takimet.

    Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar nevojën që palët të trajtohen në mënyrë të barabartë për t’u arritur sukses, si dhe ka kërkuar që procesi të përqëndrohet në njohjen reciproke.

    Kurti ndërkohë ka thënë se rezultati zgjedhor ka prodhuar një “legjitimitet të ri demokratik” që garanton parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional.

    “Ky legjitimitet i lartë, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog”.

    Ndryshe, Sorensen do ta vizitojë edhe Serbinë gjatë javës.