ATV

Category: Lajme

  • Reduktimet me energji, Ymeri: KEDS nuk ka porositur rrymë më kohë, rrjeti energjetik është në prag të kolapsit total

    Reduktimet me energji, Ymeri: KEDS nuk ka porositur rrymë më kohë, rrjeti energjetik është në prag të kolapsit total

    Edhe sot pritet të ketë reduktime të energjisë elektrike në Kosovë.

    Për këtë ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri.

    Ymeri përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka ngritur shqetësime për menaxhimin e sektorit energetik në Kosovë, raporton Periskopi.

    Ajo ka treguar se vendi ësht në prag të kolapsit total.

    “Pse po ndalet rryma dhe çfarë po ndodh?Komunikata e KOSTT-it thotë se KEDS-i ka porositur/rezervuar rreth 26% më pak rrymë sesa na nevojitet.Pra figurativisht, sikurse në Doganë mos me tregu sa duhet me importu (KEDS). Për shkak se KEDS nuk e ka porositur/rezervuar rrymën me kohe, rrjeti energjetik eshte ne prag te kollapsit total. Për ta shpëtuar sistemin nga kolapsi total, KOSTT detyrohet të urdhërojë ndërprerje (reduktime) të rrymës”, ka shkruar ajo.

    Ymeri ka treguar se ZRRE-ja (Rregullatori) nuk ka bërë plan dhe ka lejuar këtë rrëmujë ku secili vepron kokë më vete.

    “Me këto devijime, edhe fajsime e shfajsime nga njëri tek tjetri akter i sektorit të energjisë në Kosovë, rrjeti energjetik I Kosovës rrezikon të dënohet dhe potencialisht kthehet prapa nën menaxhimin e Serbisë (siç ishte para 2021). Rryma që po harxhohet tani (siç është importi emergjent i KOSTT-it) por edhe në përgjithësi në treg ditor, është shumë e shtrenjtë. Kjo kosto do të na kthehet neve përmes ndarjeve emergjente bugjetore për KOSTT-in qe janë te paevitueshme dhe shtrenjtimit të madh të faturave në të ardhmen e afërt”, ka shkruar Ymeri.

    Postimi i plotë:

  • Thirrja për shfarosje të myslimanëve shqiptarë, avokati Bytyqi ngrit kallëzim penal ndaj historianit Belisar Jezerci

    Thirrja për shfarosje të myslimanëve shqiptarë, avokati Bytyqi ngrit kallëzim penal ndaj historianit Belisar Jezerci

    Avokati Asdren Bytyqi, gjatë ditës së sotme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj historianit Belisar Jezercit, duke e akuzuar atë për thirrje të vazhdueshme për spastrime etnike dhe dhunë ndaj myslimanëve shqiptarë.

    Para mediave, ai i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që ta kryejë punën e saj dhe të mos e humbas besimin e popullit.

    Ndër të tjera, Bytyqi tha se janë dorëzuar rreth 25 prova që dëshmojnë thirrjet nxitëse të Belisar Jezercit.

    “Sapo dorëzuam kallëzimin penal ndaj Belisar Jezerci, i cili ka bërë thirrje publike për shfarosje dhe spastrim etnik të muslimanëve shqiptarë në Kosovë, i cili së bashku me “Lëvizjen për rikthim” i shërben projekteve shekullore të Serbisë për përçarjen dhe vëllavrasjen e shqiptarëve mbi baza fetare”, ka thënë avokati Bytyqi.

    “[Prokuroria] ta kryen detyrën e saj që ia përcakton kushtetuta dhe ligji. Ne presim që ky institucion duke e ditur që i kemi dorëzuar rreth 25 prova për zotëri Belisar, presim që Prokuroria Speciale ta ketë zellin edhe ndaj kësaj çështje. Të mos e humb besimin”, tha avokati.

  • Kryetari i VV-së në Junik kërkon që të bëhet narko-testi për asambleistët e kësaj komune

    Kryetari i VV-së në Junik kërkon që të bëhet narko-testi për asambleistët e kësaj komune

    Asambleisti dhe kryetari i qendrës së LVV-së në Junik Jetmir Tofaj, ka kërkuar që asambleistëve të kësaj komune tu bëhet narko-testi.

    Tofaj ka thënë se politika nuk është rehabilitim për dështuesit dhe as strehë për të varurit nga substancat narkotike.

    “Ajo është përgjegjësi, jo eksperiment narkotik. Vendimmarrja publike kërkon mendje të kthjellët, karakter të pastër dhe të fortë, si dhe përgjegjësi të lartë. Kush nuk i ka këto, duhet të largohet pa kushte”, ka thënë Tofaj.

    Ndërsa i ka bërë thirrje mekanizmave relevant të shtetit që të veprojnë menjëherë, pa justifikime dhe pa heshtje, për testim dhe verifikim urgjent të të gjithë asamblistëve të Kuvendit Komunal të Junikut.

    “Me qëllim që të ndahet i ndershmi nga narkomani! Qytetarët nuk duhet të jenë pengje të papërgjegjshmërisë dhe nuk duhet të përfaqësohen nga konsumues të substancave narkotike, por nga njerëz të aftë dhe të shëndoshë të përkushtuar për vendin. Asambleja është tempull i demokracisë dhe i interesit publik, jo strehë për psikonarkomanë, papërgjegjshmëri dhe degradim institucional. Heshtja është bashkëfajësi. Zgjohuni!”, ka thënë ai shkruan Indeksonline.

  • Supremja me detaje për lajmërimin e pensionistëve

    Supremja me detaje për lajmërimin e pensionistëve

    Gjykata Supreme ka dhënë detaje shtesë lidhur me procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve.

    Me anë të një njoftimi, Supremja njofton se ka kryer plotësisht pjesën e saj të përgjegjësisë, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat.

    “Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera. Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit. Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë i Gjykatës:

    Sqarim i Gjykatës Supreme lidhur me aktgjykimin P.A.nr.16/2025

    – Gjykata Supreme e Kosovës njofton opinionin publik se, në lidhje me aktgjykimin P.A.nr.16/2025, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore.

    Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar: nenin 4 paragraf 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS), si dhe nenin 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të këtij Udhëzimi, që kanë të bëjnë me procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve. Pas nxjerrjes së aktgjykimit vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë kështu efekt të plotë juridik Linku: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=114780 ).

    Gjykata Supreme thekson se e ka kryer plotësisht pjesën e saj të përgjegjësisë, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat. Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera. Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit. Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme.

  • Hakohet faqja e Inspektoratit të Prishtinës, Komuna del me njoftim

    Hakohet faqja e Inspektoratit të Prishtinës, Komuna del me njoftim

    Komuna e Prishtinës, ka njoftuar se faqja e Inspektoratit të Kryeqytetit është hakuar, duke kërkuar nga qytetarët që të mos besojnë në postimet që bëhen në këtë faqe, pasi që të njëjtat nuk pasqyrojnë veprimet e institucionit.

    Nga komuna është thënë edhe se, ekipet janë duke punuar për të rikthyer kontrollin dhe funksionimin e saj.

    “Ju njoftojmë se faqja e Inspektoratit të Kryeqytetit është hakuar kohët e fundit. Ekipet tona po punojnë për ta rikthyer kontrollin dhe funksionimin normal të saj. Ju lutemi të mos besoni postime të publikuara nga faqja deri në njoftimin e radhës, pasi ato nuk pasqyrojnë veprimet e institucionit”, thuhet në postim.

  • KESCO: Sistemi elektroenergjetik aktualisht po operon në kushte të vështira dimërore

    KESCO: Sistemi elektroenergjetik aktualisht po operon në kushte të vështira dimërore

    KESCO ka njoftuar konsumatorët dhe opinionin publik se sistemi elektroenergjetik aktualisht po operon në kushte të vështira dimërore.

    Sipas KESCO, temperaturat e ulëta dhe përdorimi i shtuar i energjisë elektrike për ngrohje kanë ndikuar në rritje të theksuar të konsumit.

    “Në periudhat kur prodhimi vendor mbetet i ulët, nevoja për import të energjisë elektrike rritet ndjeshëm. Megjithatë, mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment”, thuhet në njoftim.

    KESCO thotë se është vazhdimisht i angazhuar në shfrytëzimin e të gjitha mundësive të disponueshme për sigurimin e energjisë elektrike, përfshirë kontratat afatgjata dhe blerjet në tregjet afatshkurtra.

    Megjithatë, në njoftim thuhet se në situata kur nevoja për import është shumë e lartë, mbulimi i plotë i kërkesës paraqet vështirësi të mëdha.

    Në këtë kontekst, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që të përdorin me kujdes energjisë elektrike dhe të ndërmarrin masa konkrete për kursimin e saj, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

    “Kursimi i energjisë elektrike është i domosdoshëm si nga aspekti operativ ashtu edhe nga ai teknik. KESCO mbetet e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve ndaj konsumatorëve dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet relevante, po punon për ruajtjen e stabilitetit të sistemit dhe sigurimin e furnizimit me energji elektrike. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj gjatë kësaj periudhe sfiduese”.

  • Pas Australisë, edhe Britania diskuton ndalimin e rrjeteve sociale për moshat nën 16 vjeç

    Pas Australisë, edhe Britania diskuton ndalimin e rrjeteve sociale për moshat nën 16 vjeç

    Qeveria po konsultohet nëse mediat sociale duhet të ndalohen për personat nën 16 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar.

    Një ndalim i ngjashëm hyri në fuqi në Australi në dhjetor 2025 , i pari i këtij lloji në botë. Thuhet se edhe vende të tjera po shqyrtojnë një ligj të tillë.

    Kjo vjen pasi më shumë se 60 deputetë laburistë i shkruan kryeministrit në lidhje me këtë çështje, me nënën e adoleshentes së vrarë Brianna Ghey që gjithashtu i bëri thirrje qeverisë të veprojë.

    Sipas Departamentit të Shkencës, Inovacionit dhe Teknologjisë, konsultimi do të “kërkojë pikëpamjet e prindërve, të rinjve dhe shoqërisë civile” për të përcaktuar efektivitetin e një ndalimi.

    Gjithashtu, do të shqyrtohej nëse firmat e mediave sociale mund të zbatonin kontrolle më të rrepta të moshës, të cilat mund të detyroheshin të hiqnin ose kufizonin veçoritë “që nxisin përdorimin kompulsiv të mediave sociale”.

    Dhe Ofsted do t’u japë udhëzime më të ashpra shkollave për të zvogëluar përdorimin e telefonave, duke përfshirë edhe udhëzimin e stafit që të mos i përdorin pajisjet e tyre për arsye personale para nxënësve. Qeveria do t’i përgjigjet konsultimit gjatë verës.

    Sekretarja e Teknologjisë, Liz Kendall, tha se ligjet në Aktin e Sigurisë Online “nuk ishin kurrë të destinuara të ishin pika përfundimtare” dhe tha se ajo e kuptonte që “prindërit ende kanë shqetësime serioze”.

    “Ne jemi të vendosur të sigurohemi që teknologjia pasuron jetën e fëmijëve, jo t’i dëmtojë ata, dhe t’i japim çdo fëmije fëmijërinë që meriton”, tha ajo.

    Sekretari i përgjithshëm i Sindikatës Kombëtare të Arsimit (NEU), Daniel Kebede, e quajti këtë veprim një “ndryshim të mirëpritur”.

    “Çdo ditë, prindërit dhe mësuesit shohin se si mediat sociale formësojnë identitetin dhe vëmendjen e fëmijëve shumë kohë përpara se ata të japin provimet e GCSE-së, duke i tërhequr ata në cikle izoluese dhe të pafundme përmbajtjeje”, tha ai.

  • Deri më tani janë rinumëruar 11 kuti në Podujevë, Maqedonci humb afro 300 vota

    Deri më tani janë rinumëruar 11 kuti në Podujevë, Maqedonci humb afro 300 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, për të cilat KQZ ka vendosur të rinumërohen në gjithë Kosovën.

    Pas rinumërimit të 11 nga 110 vendvotimeve në Podujevë, janë vërejtur ndryshime në votat e kandidatëve të Vetëvendosjes, duke ngritur dyshime për abuzime me vota, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në këto 11 kuti të rinumëruara, kandidati Ejup Maqedonci ka humbur 288 vota, ndërsa Vendenis Lahu ka një rënie prej 246 votash. Po ashtu, Adelina Stublla ka humbur 174 vota, dhe Drita Pajaziti ka humbur 65 vota.

  • Kush është diplomati që Trump e emëroi përfaqësues të lartë për Gazën?

    Kush është diplomati që Trump e emëroi përfaqësues të lartë për Gazën?

    Diplomati bullgar dhe ish-ministri i Jashtëm, Nikolay Mladenov, do të udhëheqë administratën kalimtare në Rripin e Gazës, konfirmoi të premten Shtëpia e Bardhë.

    Sipas njoftimit, Mladenov do të mbajë postin e përfaqësuesit të lartë për Gazën.

    Lajmi vjen tre muaj pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë ndërmjet Izraelit dhe Hamasit – grupit që qeveris Gazën dhe konsiderohet terrorist nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

    Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe ishte hapi i parë i planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

    Emërimi i një administrate kalimtare në enklavë është pjesë e këtij plani.

    Në rolin e tij si përfaqësues i lartë për Gazën, Nikolay Mladenov “do të veprojë si lidhje në terren” ndërmjet Bordit për Paqe – një strukturë që SHBA-ja po e krijon për të ushtruar përkohësisht kontroll mbi qeverisjen e Gazës – dhe Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, i cili do të funksionojë si qeveri e përkohshme, nën mbikëqyrjen e Bordit për Paqe, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

    Ai “do të mbështesë mbikëqyrjen e Bordit në të gjitha aspektet e qeverisjes, rindërtimit dhe zhvillimit të Gazës”, thuhet në njoftim.

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u takua me të, më herët në janar, dhe tha se ai do ta udhëheqë autoritetin kalimtar në Gazë.

    Në të kaluarën, Mladenov ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, ka qenë deputet dhe eurodeputet.

    Po ashtu, ka mbajtur poste të larta në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe ka përvojë në ndërmjetësimin mes Izraelit dhe Hamasit.

    Deputet, eurodeputet, ministër…

    Nikolay Mladenov ka lindur më 5 maj të vitit 1972 në Sofje.

    Ai ka përfunduar studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin për Ekonomi Kombëtare dhe Botërore në Sofje dhe ka një diplomë master në Shkenca Ushtarake nga Kolegji Mbretëror në Londër.

    Karrierën politike e ka nisur në Bashkimin e Forcave Demokratike (SDS), ku ka shërbyer edhe si zëdhënës i partisë.

    Në vitin 2001, ai është zgjedhur deputet në Kuvendin e 39-të të Bullgarisë nga radhët e ODS-së.

    Pas përfundimit të mandatit në vitin 2005, ai ka punuar si konsulent për Bankën Botërore dhe për organizata të tjera ndërkombëtare në Evropën Juglindore dhe Lindjen e Mesme, thuhet në biografinë e tij zyrtare.

    Para se është emëruar ministër i Jashtëm, Mladenov ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian. Ai është zgjedhur në vitin 2007 nga lista e partisë GERB dhe ka qenë ndër eurodeputetët e parë bullgarë pas anëtarësimit të Bullgarisë në Bashkimin Evropian.

    Në vitin 2009, ai i është bashkuar Qeverisë së parë të Boyko Borisovit si ministër i Mbrojtjes.

    Një vit më vonë, më 2010, është emëruar ministër i Punëve të Jashtme, duke zëvendësuar Rumjana Zhelevën pas dorëheqjes së saj, dhe e ka mbajtur këtë post deri në përfundimin e mandatit të Qeverisë së GERB-it në vitin 2013.

    Ai e ka mbajtur këtë post gjatë periudhës së Pranverës Arabe, një valë protestash dhe kryengritjesh në vendet arabe që kanë nisur në vitin 2010 – disa prej të cilave janë shndërruar edhe në luftëra civile.

    Në vitin 2012, Mladenov ka organizuar në Bullgari një takim të opozitës siriane, ku kanë marrë pjesë grupe të ndryshme kundërshtare të regjimit të atëhershëm të Bashar al-Assadit.

    Veprimtaria në Lindjen e Mesme

    Në vitin 2013, atëkohë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, e ka emëruar Nikolay Mladenovin përfaqësues të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për Irakun.

    Ky emërim është bërë në një periudhë kur siguria në këtë vend ka qenë seriozisht e rrezikuar nga përplasjet mes Qeverisë dhe grupeve të armatosura.

    Në vitin 2015, Mladenov është emëruar koordinator i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme – post që e ka mbajtur deri në vitin 2020.

    Ai ka ndërmjetësuar mes Izraelit dhe Hamasit gjatë një periudhe të tensionuar dhe ka mbështetur idenë e zgjidhjes së konfliktit përmes negociatave, ka shkruar Associated Press (AP) në një publikim në fillim të janarit.

    Agjencia ka cituar diplomatë që kanë thënë se puna e tij ka fituar besimin si të përfaqësuesve izraelitë, ashtu edhe të atyre palestinezë.

    Sipas diplomatit të pensionuar izraelit, Alon Bar, Mladenov arriti “të krijojë marrëdhënie besimi me nivelin politik në Izrael, përfshirë kryeministrin Netanyahu”. Njëkohësisht, “ai fitoi besim të madh edhe nga pala palestineze”, ka thënë ai për AP-në.

    Ish-ministri palestinez, Ahmed Majalani, është cituar të ketë thënë se Mladenov “na njeh neve dhe i njeh shumë mirë izraelitët – gjë që është një avantazh i madh”.

    Në vitin 2021, Mladenov ka marrë një çmim nga presidenti i Autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, për kontributin e tij në paqen në Lindjen e Mesme.

    Në vitin 2020, Mladenov është propozuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, si përfaqësues i OKB-së në Libi, dhe emërimi i tij është miratuar nga Këshilli i Sigurimit. Megjithatë, ai e ka tërhequr kandidaturën, duke cituar arsye personale.

    Dosjet “Pandora”

    Nikolay Mladenov është një nga dy bullgarët, emrat e të cilëve janë përfshirë në hetimin ndërkombëtar gazetaresk Dosjet “Pandora”, në vitin 2021.

    Atëherë, faqja BIRD ka raportuar se Mladenov ka regjistruar një kompani ‘offshore’, apo jashtë shtetit, e cila nuk ka pasur aktivitet, por ai nuk e ka deklaruar.

    Sipas mediave, kompania “Afron Enterprises Ltd.”, është themeluar më 9 gusht të vitit 2013, ndërsa disa ditë më parë – më 2 gusht 2013 – ai është emëruar përfaqësues i OKB-së në Irak.

    Mladenov ka konfirmuar ekzistencën e kompanisë, por ka thënë se ajo nuk ka funksionuar, sepse planet e tij për biznes kanë ndryshuar pas regjistrimit dhe ai ka filluar punë në OKB. Ai nuk ka mundur të kujtonte saktësisht procedurat dhe datat e regjistrimit gjatë intervistës për BIRD-in.

    Sipas AP-së, Mladenov aktualisht jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku punon si drejtor i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike “Anwar Gargash”.

    Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

    Si do të qeveriset Gaza?

    Plani 20-pikësh i Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Gazë parashikon që enklava të administrohet nga një qeveri e përkohshme, e quajtur Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës.

    Ky komitet do të mbikëqyret nga Bordi për Paqe, përbërja e të cilit u bë publike të premten nga Shtëpia e Bardhë.

    Sipas njoftimit, Trump do të jetë kryetar i Bordit, ndërsa pjesë e tij janë gjithashtu: sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari special, Steve Witkoff, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, miliarderi dhe drejtori ekzekutiv i fondit të investimeve Apollo Global Management, Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe këshilltari i Trumpit, Robert Gabriel.

    Plani i SHBA-së parashikon, gjithashtu, çarmatosjen e Hamasit dhe vendosjen e forcave ndërkombëtare në Gazë. Komandant i tyre është emëruar gjeneral-major Jasper Jeffers, ish-komandant i operacioneve speciale të SHBA-së, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

    Plani ka marrë mbështetje të gjerë në OKB, ku është miratuar një rezolutë që autorizon forcat ndërkombëtare të stabilizimit për të garantuar sigurinë në Gazë, aprovon administratën kalimtare nën kontrollin e Trumpit dhe parashikon një mundësi të ardhshme për një shtet të pavarur palestinez.

    Plani i SHBA-së hyri në fuqi në tetor, pas arritjes së një armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, të cilët luftuan për më shumë se dy vjet.

    Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin në vitin 2023, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë qindra pengje.

    Në përgjigje, Izraeli filloi bombardime në Gazë dhe më pas vendosi bllokadë totale të enklavës, duke shkaktuar uri masive.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi, numri i viktimave ka kaluar 70.000. /REL/

  • Kosova për herë të parë udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore

    Kosova për herë të parë udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore

    Me afro 60 shtete pjesëmarrëse përfaqësuar nga ministrat, zv.ministrat, sekretarë shtetërorë dhe liderë kyç global të sektorit të bujqësisë, Republika e Kosovës ishte pjesë e Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi, në Berlin të Gjermanisë.

    Kështu ka shkruar ministri në detyrë, Imri Delemezi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

    Tutje ai ka shkruar se gjatë këtij Forumi, në kuadër të Grupit Teknik për Zhvillim Regjional dhe Rural në Evropën Juglindore (SËG), për herë të parë Republika e Kosovës e udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore, duke konfirmuar rolin e saj gjithnjë e më aktiv e vlerorë në bashkëpunimin rajonal dhe proceset integruese evropiane.

    Si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë adresimeve të mija theksova se Republika e Kosovës është e përkushtuar në përmbushjen e kritereve për integrim në Bashkimin Evropian, përmes reformave të vazhdueshme, përafrimit të politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së, si dhe ndërtimit të një sektori bujqësor modern dhe të qëndrueshëm e në përputhje me nevojat e shoqërisë sonë.

    Për tri ditë intensive, bashkë me delegacionin nga MBPZhR zhvilluam dhjetëra takime bilaterale dhe në margjinat e konferencës me partnerë strategjikë, përfshirë ministrat homologë të Kroacisë, Bullgarisë, Hungarisë, si dhe Bankën Botërore, Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve (ËOAH), Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO). Në fokus ishin investimet në siguri ushqimore, ujitje dhe infrastrukturë, rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, standardet veterinare, mbrojtjen nga reshjet atmosferike, digjitalizimi i bujqësisë, resurset njerëzore dhe përafrimi me politikat e Bashkimit Evropian.

    Edhe njëherë Republika e Kosovës konfirmoi përkushtimin për reforma dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke u dëshmuar si partner i besueshëm rajonal dhe evropian për zhvillim, investime dhe siguri ushqimore.

    Republika e Kosovës falënderon shtetet mike, përfshirë Gjermaninë, që përmes GFFA-së mundëson vlerësimin pozitiv dhe promovimin e Kosovës përmes dhe gjatë konferencave të tilla.

    Edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovës thuhet se Kosova u përfaqësua nga Ministri në largim Imri Delemezi dhe u takua me Ministrin Federal Gjerman të Bujqësisë, Ushqimit dhe Komunitetit, Alois Rainer.

    Sipas njoftimit thuhet se takimi u përqendrua në: Përputhjen me BE-në – Acquis, plane konkrete veprimi për bujqësi dhe pylltari të qëndrueshme, zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik.