ATV

Category: Lajme

  • Mot i ftohtë e me reshje të dobëta bore sot

    Mot i ftohtë e me reshje të dobëta bore sot

    Më shumë vransira mbulojnë vendin përgjatë ditës së mërkurë. Herë herë mund të shfaqen kushte për reshje të dobëta dëbore, kryesisht përreth viseve kodrinoro-malore, por me një probabilitet më të lartë pjesëve jugore të vendit.

    Temperaturat minimale zbresin në -3C e -2C, derisa maksimalet mbesin ende paksa të ulëta prej 2C e 4C. Frynë erë mesatare dhe mesatarisht e fuqishme nga juglindja 7-10m/s, me hove deri në 15m/s.

    Vransira të ndryshueshme dhe intervale me diell parashihen nga dita e enjtë. Herë herë paraqiten kushte për reshje të dobëta shiu apo edhe dëbore orëve të mëngjesit ditën e enjtë.

    Të premtën mundësi për formim të mjegullës orëve të mëngjesit. Më shumë të reshura shiu përfshinë vendin ditën e diel.Temperaturat me tendencë të rritjes deri në 8C e 9C, maksimalet në fundjavë, ndërsa minimalet luhaten përreth vlerave prej -1C e 2C. Erërat gjithnjë frynë nga jugu e juglindja, të lehta dhe mesatare 2-6m/s.

  • AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të Polonisë

    AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të Polonisë

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bazuar në raportet e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve dhe Komisionit Evropian njofton se në Poloni është konfirmuar prania e Avian Influenza (HPAI–H5N1), dhe se ka ndaluar importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të shtetit të Polonisë.

    AUV ka njoftuar edhe se kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës.

    Postimi:

    AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të shtetit të Polonisë

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), bazuar në raportet e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian të datës 11.01.2026, njofton se në Republikën e Polonisë është konfirmuar prania e Avian Influenza (HPAI–H5N1).

    Sëmundja është evidentuar në ferma komerciale, familjare dhe te shpezët e egra në regjionet Lubuskie, Wielkopolskie, Kodzkie dhe Podlaskie.

    Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, AUV vendos ndalimin e menjëhershëm të importit të shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga zonat e prekura. Përveç nëse ato kanë origjinën nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat gjenden në një rreze prej 50 km larg zonave të prekura.

    Kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës.

    AUV do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo ndryshim eventual.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vazhdonë ta monitorojë me kujdes situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual.

  • Zvicra synon rritjen e numrit dhe zgjatjen e misionit të ushtarëve në KFOR deri në vitin 2029

    Zvicra synon rritjen e numrit dhe zgjatjen e misionit të ushtarëve në KFOR deri në vitin 2029

    Komisioni i Politikës së Sigurisë i Këshillit të Shteteve (CPS-S) në Zvicër, ka shprehur mbështetjen për zgjatjen e angazhimit të ushtarëve zviceranë në kuadër të KFOR-it në Kosovë deri në vitin 2029, si dhe për rritjen e numrit të tyre.

    Sipas një njoftimi të shërbimeve parlamentare, komisioni vlerëson se “prania e KFOR-it dhe e kontingjentit zviceran Swisscoy në Kosovë mbetet e domosdoshme, pasi situata në terren, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, vazhdon të jetë e brishtë”.

    CPS-S, që është Dhoma e Lartë e Parlamentit të Zvicrës, thekson se prania e KFOR-it është “ende e nevojshme edhe për të kontribuar në garantimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

    “Stabiliteti i Kosovës dhe i Ballkanit Perëndimor është edhe në interes të Zvicrës, ku jetojnë rreth 500 mijë persona me origjinë nga Evropa Juglindore, prej të cilëve mbi 150 mijë janë me origjinë kosovare”, u tha në njoftimin e shërbimeve parlamentare të Zvicrës, raporton CDT.

    Në këtë kuadër u tha se “CPS-S mbështet edhe rritjen e numrit të ushtarëve zviceranë në Kosovë nga 195 në 215”.

    Po ashtu, sipas njoftimit, propozohet që Këshilli Federal të ketë kompetencë që, gjatë mandatit, ta rrisë kontingjentin me deri në 30 ushtarë shtesë, pa afat të caktuar, për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme të ardhshme të KFOR-it.

    Parashikohet edhe mundësia e angazhimit të përkohshëm të deri në 50 ushtarëve shtesë për mirëmbajtje, si për shembull të helikopterëve zviceranë, si dhe deri në 20 ushtarë shtesë për sigurinë e vetë kontingjentit.

  • Ambasadori britanik: Rinumërimi bartë rreziqe sa i përket afateve, me rëndësi që Presidenti të zgjidhet me kohë

    Ambasadori britanik: Rinumërimi bartë rreziqe sa i përket afateve, me rëndësi që Presidenti të zgjidhet me kohë

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, theksoi rëndësinë që të respektohen afatet e parapara për zgjedhjen e presidentit të ri.

    Ai tha se procesi i rinumërimit të votave është shumë i rëndësishëm për integritetin e procesit.

    “Kjo dëshmon aftësinë e sistemit për të identifikuar dobësitë dhe për t’i adresuar ato, në mënyrë që të ruhet integriteti i zgjedhjeve. Kjo natyrisht bartë disa rreziqe sa i përket afateve kohore dhe shpresoj që Komisioni ta kryejë rinumërimin sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai për T7.

    Hargreaves tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që pas kësaj, partitë politike të bashkohen, Kuvendi të konstituohet dhe qeveria të nisë punën, në mënyrë që buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare të miratohen sa më shpejt”.

    “Po ashtu, është shumë e rëndësishme që procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të zhvillohet sipas afateve të paraprara. Jam i bindur se të gjitha partitë janë të përkushtuara për këtë, sepse të gjithë e kuptojnë rëndësinë që këto procese tejet të rëndësishme kanë për Kosovën”, tha ai.

    Ambasadori britanik tha se Kosova këtë vit duhet të bëjë përparim drejt integrimit.

    “Në vitin 2026, ndërsa Kosova hyn në vitin e saj të 19-të të shtetësisë, është thelbësore që të ketë një qeveri që është në gjendje të veprojë me vendosmëri, të bëjë përparim drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, dhe të vazhdojë në këtë rrugë të demokracisë që ka qenë mbresëlënëse gjatë viteve të fundit”.

  • Erion Veliaj bën kallëzim penal, pretendon se i është falsifikuar nënshkrimi në një dokument gjyqësor

    Erion Veliaj bën kallëzim penal, pretendon se i është falsifikuar nënshkrimi në një dokument gjyqësor

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dorëzuar kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.

    Kallëzimi lidhet me një dëftesë njoftimi gjyqësore, e administruar në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në të cilën figuron një nënshkrim në emër të Erion Veliajt, sikur ai të kishte marrë dijeni personalisht për një vendim gjyqësor.

    Sipas kallëzimit penal, ky nënshkrim nuk është firma e tij, ndërsa verifikimet zyrtare tregojnë se vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, ku Veliaj ndodhet i paraburgosur.

    Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht me shkresë nga vetë I.E.V.P. Durrës.

  • Policia shpall në kërkim të riun në Gjakovë, të dyshuar për “vrasje në tentativë”- ia publikon foton

    Policia shpall në kërkim të riun në Gjakovë, të dyshuar për “vrasje në tentativë”- ia publikon foton

    Hetuesit policorë të Sektorit të Hetimeve Rajonale në Gjakovë, në koordinim dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, kanë bërë publike fotografinë e një personi të dyshuar në lidhje me rastin e veprës penale “Vrasje në tentativë”.

    Sipas Policisë së Kosovës, gjatë fazës së hetimeve që janë në zhvillim, i dyshuari, pavarësisht thirrjeve zyrtare policore dhe kërkimeve në disa lokacione, nuk është paraqitur dhe aktualisht gjendet në arrati.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për ofrimin e informatave që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe lokalizimin e personit të paraqitur në fotografitë e publikuara.

    Policia u bën thirrje qytetarëve që çdo informacion relevant ta raportojnë përmes numrit emergjent 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes e-mailit zyrtar: [email protected].

    Autoritetet policore theksojnë se bashkëpunimi i qytetarëve është i rëndësishëm për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e të dyshuarit para organeve të drejtësisë.

     

  • Lavrov: Rusia është e gatshme të komunikojë me SHBA-në për Ballkanin

    Lavrov: Rusia është e gatshme të komunikojë me SHBA-në për Ballkanin

    Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë të martën se Moska është duke komunikuar me Shtetet e Bashkuara lidhur me Ballkanin dhe se është e gatshme t’i zhvillojë ato kontakte.

    “Ne kemi më shumë mundësi të komunikojmë me Shtetet e Bashkuara [sesa me Bashkimin Evropian] lidhur me Ballkanin, kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën dhe shtetet tjera në rajon. Këto kontakte po vazhdojnë. Nuk kanë rezultuar ende me ndonjë rezultat pozitiv apo diçka tjetër. Por, ne jemi të hapur për kontakte të tilla, dhe për sa mund të gjykoj, edhe kolegët tanë amerikanë kanë gatishmëri për t’i zhvilluar ato”, është cituar të ketë thënë Lavrov në një konferencë për media, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

    Serbia ruan marrëdhënie të ngrohta me Rusinë dhe është shteti i vetëm që nuk i ka vendosur sanksione Moskës për luftën e nisur në Ukrainë.

  • Policia i fton për intervistim qytetarët që kanë pranuar shërbime nga Arianit Sllamniku

    Policia i fton për intervistim qytetarët që kanë pranuar shërbime nga Arianit Sllamniku

    Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që kanë pranuar shërbime apo konsulta mjekësore me konspiracionistin Arianit Sllamniku për intervistim.

    Në njoftimin e Policisë, thuhet se nëse janë dëmtuar në çfarëdo forme nga këshillat e Sllamnikut, konsiderojnë se janë të rëndësishme për zbardhjen e rrethanave të rastit.

    Njoftimi i plotë:

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, është duke ndërmarrë veprime fillestare hetimore në drejtim të veprave penale ‘’Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’’ nga neni 256 i KPRK-së dhe ‘’Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave’’ nga neni 257 i KPRK-së, me qëllim të verifikimit të rrethanave të rasteve të dyshuara që ndërlidhen me trajtim shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku.

    Në kuadër të këtyre veprimeve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan fton të gjithë qytetarët të cilët kanë pranuar shërbime shëndetësore apo konsulta me përdorim të ndonjë terapie apo medikamenti nga personi në fjalë dhe që konsiderojnë se janë dëmtuar në çfarëdo forme, qoftë materiale apo shëndetësore, që të paraqiten në ambientet e Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim me qëllim të zbardhjes të rrethanave të rastit.

  • Trim Tërnava emërohet Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT-it

    Trim Tërnava emërohet Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT-it

    Trim Tërnava është emëruar Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT-it. Kështu kanë njoftuar vet KOSTT përmes një njoftimi në facebook.

    Ai është zgjedhur pas përfundimit të të gjitha procedurave të konkursit.

    Tërnava njihet si ekspert i energjisë dhe sipërmarrës në këtë fushë.

    “Pas zhvillimit të një procesi transparent dhe konkurrues, në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, Bordi i Drejtorëve i KOSTT Sh.A., në mbledhjen e mbajtur më 19 janar 2026, njëzëri ka emëruar z. Trim Tërnavën Kryeshef Ekzekutiv të KOSTT Sh.A. i cili do të filloj këtë detyrë nga data 16 shkurt 2026. Z. Trim Tërnava ka përfunduar studimet master në Ekonomi të Energjisë në Rice University, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa studimet themelore i ka përfunduar në Inxhinieri Elektrike në Universitetin e Prishtinës. Z. Trim Tërnava ka përgatitje të avancuar akademike dhe profesionale në sektorin e energjisë, me fokus në ekonominë e energjisë, zhvillimin e tregut të energjisë, tranzicionin energjetik dhe proceset e integrimit rajonal dhe evropian. Ai ka një dekadë përvojë profesionale dhe udhëheqëse në sektorin e energjisë dhe synon forcimin e rolit të KOSTT në arritjen dhe avancimin e objektivave strategjike të shoqërisë, duke theksuar operimin e sigurt, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike”, shkruan KOSTT.

  • Trusti vjen me një njoftim për kontribuuesit

    Trusti vjen me një njoftim për kontribuuesit

    Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka njoftuar se ka filluar shpërndarja e pasqyrave vjetore për vitin 2025 për të gjithë kontribuuesit.

    Sipas njoftimit, pasqyrat po dërgohen fillimisht përmes emailit për ata kontribuues që FKPK ka adresa elektronike, ndërsa në ditët në vijim do të nisë edhe shpërndarja me postë.

    “Për këtë vit, numri i pasqyrave që po shpërndahen me email është 455,692, ndërsa me postë do të dërgohen 167,177 pasqyra vjetore,” thuhet në njoftimin e FKPK-së.

    Fondi rikujton se mënyra më e mirë për të monitoruar kursimet pensionale në baza ditore është regjistrimi në portalin eTrusti, i cili mund të aksesohen në: online.trusti.org.

    Gjithashtu, pasqyra e llogarisë mund të shkarkohet edhe përmes platformës eKosova, në seksionin “Kontributet dhe pensioni”. Ky proces synon që çdo kontribues të ketë informacion të qartë dhe të përditësuar mbi kursimet e tij pensionale për vitin 2025.