ATV

Category: Lajme

  • Manipulimi i votave/ Me kaq vite burgim mund të dënohen ata që manipulojnë apo falsifikojnë ato

    Manipulimi i votave/ Me kaq vite burgim mund të dënohen ata që manipulojnë apo falsifikojnë ato

    KQZ ka vendosur për rinumërim të votave në gjithë Kosovën.Kjo pasi në disa komuna pati ndryshime në vota pas rinumërimit.

    Por, sa mund të dënohen ata që manipulojnë apo falsifikojnë votat?Hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se Kodi Penal e përcakton se dënimi është 3-5 vjet, nëse vërtetohet se janë manipuluar apo falsifikuar votat.

    “Kodi Penal i Republikës së Kosovës e sanksionon falsifikimin e rezultateve të votimit dhe jep përgjegjësi shtesë ndaj anëtarëve të KQZ-së që kanë përgjegjësi zyrtare që të administrojnë drejt rezultatet e votimit, qoftë për subjekte politike apo për kandidatët për deputetë. Kodi Penal, neni 216 ka një dispozitë që mjaft mirë e përcakton sanksionin penal ndaj gjithë atyre zyrtarëve, të komisionerëve të cilët manipulojnë, falsifikojnë, ndryshojnë apo edhe tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve votues, duke shtuar apo hequr, duke manipuluar rezultatin e votimit dhe Kodi Penal përcakton që të gjithë këta zyrtarë, nëse provohet që e kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit, mund të dënohen me burgim nga 3-5 vjet, prandaj edhe unë mendoj që këto sanksione janë të përshtatshme në raport me veprën që kryhet, prandaj edhe duhet pritur që KQZ dhe Prokuroria e Shtetit do t’i mbledhë të gjitha provat dhe do t’i iniciojë procedurat penale të të gjitha atyre rezultateve”, ka deklaruar Bugaqku.

  • Gjendet i vdekur 39-vjeçari nga Malisheva, ishte shpallur i zhdukur të dielën

    Gjendet i vdekur 39-vjeçari nga Malisheva, ishte shpallur i zhdukur të dielën

    Është gjetur i vdekur Avdyl Begaj, 39-vjeçari nga fshati Banjë e Malishevës i cili ishte shpallur i zhdukur që nga 18 janari i këtij viti.

    Kështu u bë e ditur nga Ridvan Tahiri, vullnetar në Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit.

    Sipas Tahirit, 39-vjeçari u gjet pa shenja jete në një fushë afër fshatit Siqevë mëngjesin e sotëm.

    Komuna e Malishevës kërkon ndihmë për gjetjen e një 39-vjeçari

     

  • Nis Java e Vetëdijesimit për Kancerin e Qafës së Mitrës

    Nis Java e Vetëdijesimit për Kancerin e Qafës së Mitrës

    Ka filluar java e vetëdijesimit për Kancerin e Qafës së Mitrës. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Kosovë, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 140 raste, që përbëjnë rreth 3 për qind të të gjitha rasteve të kancerit.

    “Java e Vetëdijesimit për Kancerin e Qafës së Mitrës shënon një angazhim të vazhdueshëm institucional për rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve mbi këtë sëmundje, me theks të veçantë në parandalimin, zbulimin e hershëm, diagnostikimin dhe trajtimin në kohë. Kanceri i qafës së mitrës është një tumor malinj që zhvillohet në cerviks dhe përbën një nga format më të shpeshta të kancerit tek gratë në nivel global. Shkaktari kryesor i kësaj sëmundjeje është infeksioni me Human Papillomavirus (HPV), ndërsa faktorët e rrezikut lidhen kryesisht me infeksione të patrajtuara, seksualisht të transmetueshme dhe infeksione të vazhdueshme me tipe të caktuara të HPV-së. Sipas të dhënave globale, gjatë vitit 2022 janë regjistruar rreth 660 mijë raste të reja dhe rreth 350 mijë vdekje nga kanceri i qafës së mitrës. Në Kosovë, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 140 raste, që përbëjnë rreth 3 për qind të të gjitha rasteve të kancerit”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

    Tutje thuhet se “Në kuadër të politikave parandaluese dhe investimeve strategjike në shëndetin publik, Ministria e Shëndetësisë ka pesëfishuar buxhetin për vaksina, duke mundësuar zgjerimin e kalendarit të rregullt të vaksinimit me tri vaksina të reja, ndër to edhe vaksinën kundër HPV-së. Ky investim ka mundësuar krijimin e një programi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të imunizimit. Programi i vaksinimit kundër HPV-së po zbatohet për vajzat dhe djemtë 12-vjeçarë. Gjatë vitit 2024 janë vaksinuar 9,990 vajza, që përfaqësojnë rreth 85 për qind të grupit të synuar. Nga viti 2025, programi është zgjeruar edhe për djemtë, dhe deri më tani janë vaksinuar gjithsej 19,513 fëmijë, përkatësisht 9,651 vajza dhe 9,862 djem, duke arritur një mbulim prej rreth 85 për qind të target grupit. Në funksion të forcimit të parandalimit dhe zbulimit të hershëm, Ministria e Shëndetësisë ka hartuar edhe Planin e Veprimit për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës 2026–2028, në përputhje me objektivat globale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për parandalimin e kësaj sëmundjeje si problem i shëndetit publik. Skriningu i rregullt me PAP test mbetet një ndër mjetet më efektive për zbulimin e hershëm të ndryshimeve para-kanceroze dhe për uljen e ndjeshme të vdekshmërisë. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjitha grave që të shfrytëzojnë shërbimet parandaluese dhe të kujdesen në mënyrë aktive për shëndetin e tyre”.

  • ‘‘S’po kuptoj çfarë po bën në Greenland’’, Trump publikon mesazhet private nga Macron

    ‘‘S’po kuptoj çfarë po bën në Greenland’’, Trump publikon mesazhet private nga Macron

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka publikuar një mesazh të cilin atij ia ka dërguar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, lidhur me çështjen e Greenlandës.

    Macron, i është drejtuar Trump’it duke i thënë se ai ‘’s’po e kupton’’ se çfarë po bën Trumpi me Greenlandën.

    Presidenti francez, i ka sugjeruar Trump’it, që të darkojnë në Paris, dhe se ai mund të organizojë takim me G7 ku do të ftoheshin edhe sirianët, danezët, rusët e ukrainasit.

    ‘’ Nga presidenti Macron te Presidenti Trump

    Miku im,

    Ne jemi plotësisht në një linjë për Sirinë.

    Mund të bëjmë gjëra të mëdha për Iranin.

    Nuk e kuptoj se çfarë po bën për Groenlandën.

    Le të përpiqemi të ndërtojmë gjëra të mëdha:

    Mund të organizoj një takim të G7 pas Davosit në Paris, të enjten pasdite. Mund të ftoj ukrainasit, danezët, sirianët dhe rusët në kuadër të takimit.

    Le të kemi një darkë së bashku në Paris, të enjten, përpara se të kthehesh në SHBA.

    Emmanuel’’, ka shkruar Macron në mesazhin e tij drejtuar Trump’it.

  • AKB: Vendimi për pagën minimale u mor pa dialog

    AKB: Vendimi për pagën minimale u mor pa dialog

    Aleanca Kosovare e Bizneseve vlerëson se përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve dhe rritja e pagës minimale është një qëllim i drejtë dhe i nevojshëm në funksion të zhvillimit social dhe ekonomik të vendit.

    Megjithatë, AKB shpreh shqetësimin e saj lidhur me mënyrën se si është marrë vendimi për rritjen e pagës minimale, pa konsultime paraprake me sektorin privat, pa një analizë të plotë të ndikimit financiar dhe pa vlerësim të rrezikut që ky vendim paraqet për mikro-ndërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla, të cilat përbëjnë shumicën e ekonomisë së Kosovës.

    Sipas tyre, mungesa e një analize gjithëpërfshirëse rrit rrezikun që një pjesë e bizneseve, të paafta për të përballuar kostot shtesë, të shtyhen drejt informalitetit, duke cenuar qëllimin e deklaruar të këtij vendimi.

    AKB thekson se nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por kërkon që vendime të tilla të rëndësishme të merren përmes dialogut social, në bashkëpunim me përfaqësuesit e biznesit dhe sindikatat, dhe të shoqërohen me masa lehtësuese fiskale apo mbështetëse, veçanërisht për bizneset e vogla.

    Në të njëjtën kohë, AKB shpreh indinjatën e saj për faktin se edhe në këtë rast veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë apo trajtuar me politika të veçanta mbështetëse, pavarësisht rolit dhe sakrificës së tyre për lirinë e vendit.

    “Çdo reformë sociale dhe ekonomike duhet të reflektojë drejtësi dhe ndjeshmëri ndaj kësaj kategorie”.

    AKB fton Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve që të rihapë dialogun me sektorin privat dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar që rritja e pagës minimale të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe pa pasoja negative për ekonominë formale.

  • NATO kufizon aksesin e SHBA-ve në informacionet e inteligjencës për Grenlandën

    NATO kufizon aksesin e SHBA-ve në informacionet e inteligjencës për Grenlandën

    NATO ka kufizuar aksesin e Shteteve të Bashkuara në informacionet e inteligjencës që lidhen me Grenlandën, nga frika se këto të dhëna mund të përfundojnë në duart e presidentit Donald Trump. Sipas shqetësimeve brenda Aleancës, ekziston rreziku që informacionet të përdoren në të ardhmen për një përpjekje të mundshme për pushtimin ushtarak të këtij territori gjysmë-autonom danez.

    Lajmi është raportuar nga e përditshmja britanike The i Paper, pjesë e grupit mediatik Daily Mail and General Trust, duke cituar burime të informuara. Sipas këtyre burimeve, përfaqësuesit e NATO-s nuk “komunikojnë më hapur” me homologët amerikanë për çështje që lidhen me Groenlandën.

    Groenlanda ka një rëndësi të veçantë strategjike për shkak të pozicionit të saj gjeografik në Arktik, pasurive natyrore dhe rolit kyç në sistemet e mbrojtjes dhe vëzhgimit ushtarak. Donald Trump ka shprehur publikisht interes për blerjen e Groenlandës nga Danimarka, një ide që u refuzua kategorikisht nga Kopenhaga dhe autoritetet lokale, duke shkaktuar tensione diplomatike mes palëve.

    Një burim i inteligjencës britanike, i cituar nga The i Paper, ka deklaruar gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar synon të “dyfishojë përpjekjet” dhe të forcojë partneritetin me vendet e Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes.

    Kjo vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Londrës dhe Washingtonit ndodhen në nivelin më të ulët që nga vitet 1950, pas kërcënimeve të bëra nga Trump ndaj Danimarkës.

  • Faton Peci bën homazhe në 27-vjetorin e rënies heroike të Sami Gashit dhe Afrim Hajrizit

    Faton Peci bën homazhe në 27-vjetorin e rënies heroike të Sami Gashit dhe Afrim Hajrizit

    Në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorëve të kombit Sami Gashi dhe Afrim Hajrizi, Kryetari i Komunës, Faton Peci, së bashku me nënkryetarin, Enis Osmani, bashkëpunëtorë dhe familjarë, kanë bërë homazhe pranë lapidarit të tyre në Vaganicë të Mitrovicës, me rastin e 27-vjetorit të rënies heroike.

    Gjatë homazheve, kryetari Faton Peci theksoi se Sami Gashi dhe Afrim Hajrizi, si luftëtarë të shquar dhe të frymëzuar nga atdhedashuria, u përballën me luftime të ashpra në këtë zonë, duke u flijuar për lirinë e Kosovës.

    “Lirinë na e sollën dhe, bashkë me të, edhe amanetin që na thërret për punë të mira për këtë shtet”, është shprehur kryetari Faton Peci.

    Homazhet u zhvilluan në shenjë respekti, mirënjohjeje dhe përuljeje ndaj dëshmorëve të lirisë, vepra e të cilëve do të mbetet e paharruar.

  • Zjarr në shkollën “Sylejman Vokshi” në Deçan, mësimi vazhdon pa ndërprerje

    Zjarr në shkollën “Sylejman Vokshi” në Deçan, mësimi vazhdon pa ndërprerje

    Një incident zjarri ka ndodhur sot rreth orës 02:00 të mëngjesit në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Sylejman Vokshi” në Deçan, ku është dashur ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve për shuarjen e tij.

    Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Deçan, Besnik Hulaj, i cili ka bërë të ditur se zjarri kishte përfshirë drutë për ngrohje të shkollës, ndërsa shkaku i tij ende nuk dihet.

    “Sot, rreth orës 02:00 të mëngjesit, Drejtoria Komunale e Arsimit është njoftuar nga drejtori i Shkollës Fillore ‘Sylejman Vokshi’ për një incident zjarri, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve për shuarjen e tij. Zjarri kishte përfshirë drutë për ngrohje të shkollës, ndërsa shkaku i zjarrit ende nuk është i njohur,” ka deklaruar Hulaj.

    Sipas tij, për rastin janë njoftuar edhe organet e rendit, të cilat po merren me hetimin.

    “Menjëherë janë lajmëruar edhe Policia e Kosovës, e cila është duke u marrë me rastin në përputhje me procedurat ligjore,” ka shtuar ai.

    Hulaj ka theksuar se pavarësisht incidentit, procesi mësimor në këtë shkollë nuk do të ndërpritet, pasi objekti shkollor ka alternativa për ngrohje.

    “Njoftojmë opinionin publik se procesi mësimor në Shkollën Fillore ‘Sylejman Vokshi’ do të vazhdojë pa asnjë ndërprerje, pasi që shkolla është e pajisur edhe me kondicionerë për ngrohje. Po ashtu, do të bëhet furnizimi i menjëhershëm me dru për ngrohje,” ka bërë të ditur drejtori i Arsimit.

    Në fund, Hulaj ka falënderuar të gjitha institucionet e angazhuara për reagimin e shpejtë.

    “Falënderojmë zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe të gjithë të angazhuarit për reagimin e shpejtë dhe profesional, sidomos duke marrë parasysh kushtet e vështira dhe temperaturat e ulëta, ku kanë qëndruar në terren gjatë gjithë natës,” ka përfunduar ai.

  • Dështon seanca ndaj Kostiqit i akuzuar për krime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

    Dështon seanca ndaj Kostiqit i akuzuar për krime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

    Për shkaqe procedurale ka dështuar të mbahet gjykimi fillestar në mungesë ndaj Cvetko Kostiqit, i akuzuar për krime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Seanca gjyqësore është mbajtur e mbyllur për publikun, ndërsa ndaj të pandehurit rëndon akuza për dhunim seksual të kryer në rajonin e Vushtrrisë, në mars të vitit 1998, gjatë periudhës së luftës.

    Sipas aktakuzës, e dëmtuara, për shkak të pamundësisë që ta linte vetëm gjyshen e saj në moshë të shtyrë, kishte qëndruar me të në shtëpinë familjare.

    Në këtë kohë, thuhet se në shtëpi kanë hyrë tre policë serbë të armatosur dhe me uniforma policore, në mesin e të cilëve ishte edhe i pandehuri Cvetko Kostiq.

    Në aktakuzë përshkruhet se Kostiq e kishte urdhëruar të dëmtuarën, e identifikuar si F1, që të hynte brenda në shtëpi, ndërsa pas disa minutash aty kishin hyrë edhe dy pjesëtarë të tjerë të forcave serbe të uniformuara.

    “E dëmtuara në pamundësi që të lërë gjyshen e saj, e cila ishte në moshë të shtyrë, ka qëndruar me gjyshen në këtë shtëpi dhe gjatë kohës sa ka qenë në këtë shtëpi kanë ardhur tre policë serbë të armatosur dhe me uniforma të policisë, në mesin e tyre i pandehuri Cvetko Kostiq, i cili e kishte urdhëruar të dëmtuarën F1 që të hynte brenda në shtëpinë, ku pas pak minutave kishin hyrë edhe dy pjesëtarë të forcave serbe të uniformuar, të cilët e detyrojnë të dëmtuarën që të shkonte në një dhomë tjetër, ndërsa gjyshja të qëndronte aty ku ishte”, thuhet në aktakuzën kundër Cvetko Kostiqit.

  • Rinumërimi i votave është përmbyllur në 6 komuna

    Rinumërimi i votave është përmbyllur në 6 komuna

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

    Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e martë, 20 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 688 nga 2,557 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/51), Gjakovë (15/145), Gllogoc (7/73), Gjilan (13/130), Dragash (57/57), Istog (6/62), Kaçanik (45/45), Klinë (6/63), Fushë Kosovë (6/62), Kamenicë (5/50), Mitrovicë e Jugut (10/102), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/85), Novobërdë (2/23), Obiliq (3/33), Rahovec (8/78), Pejë (14/139), Podujevë (11/110), Prishtinë (26/262), Prizren (235/235), Skënderaj (72/72), Shtime (34/34), Shtërpcë (2/17), Suharekë (9/89) dhe Ferizaj (63/152

    Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 6 komuna

    Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut). Pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit do të përfshihen edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave.