ATV

Category: Lajme

  • Kurti në Davos takon Komisioneren për Zgjerim të BE-së, flasin për Planin e Rritjes

    Kurti në Davos takon Komisioneren për Zgjerim të BE-së, flasin për Planin e Rritjes

    Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ku u diskutua mbi progresin ekonomik dhe avancimin demokratik të Kosovës, si elemente kyç në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

    Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Raporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2025 vlerëson se Kosova ka vazhduar përparimin në integrimin evropian, duke qenë “më e përgatitur se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat”.

    Gjatë takimit thuhet se u trajtuan edhe çështjet gjeopolitike, Plani i Rritjes, bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimet aktuale.

    “Kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv në rajon, duke mbështetur integrimin më të gjerë ekonomik në përputhje me vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet më tej në njoftim.

  • Gjykata publikon aktgjykimet për rastet e të dyshuarit që vrau nënën në Dragash

    Gjykata publikon aktgjykimet për rastet e të dyshuarit që vrau nënën në Dragash

    Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar për aktgjykimet që ka marrë ndaj Ferzidin Bota i dyshuar për vrasjen e nënës në Dragash.

    Sipas njoftimit të Gjykatës ai më datë 15.07.2022, për veprën penale Lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par. 3 nënpar. 3.1, të KP-së, i është shqiptuar dënim ashtu që i vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afatin prej 2 (dy) vitesh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimi, nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër të re penale.

    Poashtu i ishte caktuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik – ambulator në liri.

    Më datë 22.08.2022, është marrë aktgjykim dënues, ashtu që të pandehurit për veprën penale Dhuna në Familje, nga neni 248 par. 1 të KP-së, i është shqiptuar Dënim me Burgim, në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri brenda periudhës verifikuese prej 1(një) viti, pasi aktgjykimi të merr formën e prerë nuk kryen vepër tjetër penale, në të kundërtën gjykata do të revokoj dënimin me kusht.

    Gjithashtu, në bazë të nenit 514 par.3 të KPP-ës dhe nenit 84 par.1 nënpar.1.2. dhe 86 par.1 nën par 1.3 dhe par.4 të KPRK-ës i është shqiptuar “masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri”

    Më datë 17.10.2024, është marrë Aktgjykim Dënues, ashtu që të pandehurit për veprën penale Lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par. 3 nënpar. 3.1, të KP-së, i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 /gjashtë/ muajve, në të cilin dënim me burgim do të llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 30.06.2024 deri me datë 25.09.2024.

    “Duke aplikuar dispozitat e nenit 3 par.2 dhe nenit 44 të KP-së, me propozimin dhe pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, dënimi i shqiptuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 /gjashtë/ muajve, ti zëvendësohet me dënim me gjobë. Gjykata të akuzuarit dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 /gjashtë/ muajve, i zëvendëson me dënim me gjobë në shumën prej 2,000.00 € / dy mijë/ euro, në të cilin dënim me gjobë do të llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 30.06.2024 e deri me datë 25.09.2024, shuma e ngelur e dënimit me gjobë prej pas llogaritjes së masës së paraburgimit prej 260.00 € /dyqind e gjashtëdhjetë / euro, i akuzuari duhet ta paguaj në afat ligjor pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimit”, thuhet nga Gjykata.

  • Çmimi i arit arrin rekord të ri

    Çmimi i arit arrin rekord të ri

    Çmimi i arit shënoi një rritje rekord të mërkurën, duke arritur nivele historike, për shkak të kërkesës së lartë për asete të sigurta.

    Ndërkohë, bursat shënuan rënie, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, po udhëtonte drejt Davos për Forumin Ekonomik Botëror.

    Metali i çmuar u rrit me më shumë se 2%, ndërsa çmimi i argjendit u rrit rreth 0.44%.

    Bursat kryesore evropiane ranë pas dy ditësh fitimesh, raporton euronews.

    Indeksi francez CAC 40 ra me 0.18%, DAX-i gjerman me 0.68%, ndërsa IBEX 35 i Spanjës humbi 0.53%. Indeksi italian FTSE MIB ra me 0.68%, ndërsa STOXX Europe 500 zbriti me 0.35%.

    Para hapjes së tregjeve në SHBA, kontratat e ardhshme për indeksin S&P 500 u rritën me 0.34%, ato të Dow Jones me 0.13%, ndërsa Nasdaq me 0.19%.

  • Hamza kujton Ibrahim Rugovën: I priu popullit në një periudhë të rëndësishme historike

    Hamza kujton Ibrahim Rugovën: I priu popullit në një periudhë të rëndësishme historike

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij.

    Hamza ka thënë se Rugova i priu popullit në një periudhë të rëndësishme të historisë e në kohë sfidash, duke shtuar se ish-presidenti, përfaqëson një qasje të veçantë politike dhe intelektuale, e cila la gjurmë të mëdha në diskursin publik.

    Postimi:

    Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nderojmë figurën e tij historike dhe kontributin e tij në rrugëtimin shtetformues të Kosovës.

    Ish-Presidenti Ibrahim Rugova i priu popullit tonë në një periudhë të rëndësishme të historisë, në kohë sfidash dhe përpjekjesh të vazhdueshme për afirmimin politik dhe ndërkombëtar të Kosovës.

    Ai përfaqësonte një qasje të veçantë politike dhe intelektuale, e cila la gjurmë të mëdha në diskursin publik dhe në proceset vendimtare të asaj kohe.

    Nderime jetës dhe veprës së ish-Presidentit Ibrahim Rugova!

  • “Drejtësi, jo politikë”, protestë paqësore më 17 shkurt në mbrojtje të çlirimtarëve që po mbahen në Hagë

    “Drejtësi, jo politikë”, protestë paqësore më 17 shkurt në mbrojtje të çlirimtarëve që po mbahen në Hagë

    Me moton “Drejtësi, jo politikë”, do të protestohet më 17 shkurt në ora 14 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, që qëllim ka vetëm mbrojtjen e çlirimtarëve të cilët po mbahen në Hagë, raporton Ekonomia Online.

    Protesta do të organizohet nga platforma “Liria ka Emër”, e cila gjatë një konference për media, Eliza Hoxha e Ismail Tasholli theksuan se data 17 shkurt nuk është zgjedhur rastësisht, por se ajo përkon me Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe me momentin historik të shpalljes së saj, duke e bërë këtë protestë një akt simbolik dhe qytetar në mbrojtje të parimit të drejtësisë.

    Platforma “Liria ka Emër” vlerëson se procesi gjyqësor në Hagë, i cili ka hyrë në fazën përmbyllëse pas më shumë se pesë vitesh, ka krijuar shqetësime serioze në opinionin publik. Zvarritja e procedurave, kompleksiteti i tyre, informacionet kontradiktore, si dhe perceptimi i ndikimit politik, kanë cenuar besimin qytetar se drejtësia po trajtohet si një proces thjesht juridik.

  • Gjykata në Shqipëri jep 130 vjet burg për grupin e Leonard Dukës

    Gjykata në Shqipëri jep 130 vjet burg për grupin e Leonard Dukës

    Gjykata e Posaçme e Shqipërisë ka shpallur vendimin për të pandehurit dhe të akuzuarit në lidhje me vrasjen e ish policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në vitin 2019.

    GJKKO ka dënuar me 30 vite burg Leonard Dukën. Ai u arrestua në shkurt 2024 në Belgjikë, ndërsa u ekstradua në Tiranë në gusht të po atij viti, për t’u përballur me drejtësinë.

    Ndërkaq, me nga 25 vite burg u dënuan Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltian Loga.

    Elis Duka është shpallur i pafajshëm, pasi nuk u provua që ka kryer vepren penale.

    Më herët, për vrasjen e Malkos, i njohur si krahu i djathtë i Erivs Martinajt, janë dënuar në një proces të ndarë edhe Blendi Teta dhe Ilir Selmani.

    Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Malko u largua nga detyra si polic pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit. Ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij doli në skenë në Tetor të 2018, ku i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash. Malko dyshohej se ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale.

  • Kriza e rrymës paralizon bizneset, furrtarët detyrohen të hedhin brumin e bukës

    Kriza e rrymës paralizon bizneset, furrtarët detyrohen të hedhin brumin e bukës

    Ndërprerjet dhe reduktimet e energjisë elektrike po shkaktojnë vështirësi të mëdha për qytetarët dhe bizneset në Kosovë, duke ndikuar negativisht në jetën e përditshme dhe veprimtarinë ekonomike, sidomos gjatë sezonit të dimrit.

    Bizneset e vogla, veçanërisht furrat e bukës, thonë se mungesa e rrymës po u sjell humbje të drejtpërdrejta. Furrtari Hamzë Osmanollaj nga Prizreni thekson se ndërprerjet e shpeshta po e pamundësojnë procesin normal të punës.

    “Gjatë ditës së djeshme kemi pasur shumë ndërprerje dhe defekte. Rryma po na shkakton dëme të mëdha, sepse brumi që përgatitet dhe mbetet pa u pjekur duhet të hidhet. Në atë fazë nuk mund të pritet. Edhe klientët reagojnë dhe ankohen, duke pyetur pse po ndodh kjo dhe kur rikthehet rryma”, u shpreh Osmanollaj.

    Ai shtoi se bizneset nuk kanë alternativa funksionale për të vazhduar punën.
    “Kërkojmë që të mos ketë më reduktime, sepse me gjeneratorë nuk mund të operojmë”, tha ai.

    Pakënaqësi ka edhe te qytetarët. Naim Prebreza e konsideron të paarsyeshme që në vitin 2026 vendi të përballet ende me ndërprerje të energjisë elektrike.
    “Ka shumë ankesa nga bizneset. Ne jemi vetëm dy punëtorë, por ka biznese me dhjetëra punëtorë dhe kjo situatë i dëmton seriozisht. Nuk ka asnjë justifikim që kjo të ndodhë sot”, tha ai.

    Ndërkohë, qytetarja Nexhmije Rrustemi shpreh shqetësim edhe për koston e lartë të faturave të energjisë elektrike, përkundër përdorimit të kufizuar të rrymës.
    “Muajin e kaluar fatura ishte 164 euro. Është e papërballueshme. Ngrohemi me dru dhe nuk përdorim pajisje të mëdha elektrike, por megjithatë pagesat janë shumë të larta. Edhe reduktimet po na shkaktojnë telashe të mëdha”, u shpreh ajo.

    Qytetarët dhe përfaqësuesit e bizneseve po kërkojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe masa konkrete për të parandaluar ndërprerjet, duke theksuar se situata aktuale po rëndon jetesën dhe ekonominë.

  • Trump mbërrin në Zvicër për t’u takuar me liderë botëror

    Trump mbërrin në Zvicër për t’u takuar me liderë botëror

    Presidenti amerikan Donald Trump ka arritur në Cyrih.

    Në agjendën e parë të ditës, Presidenti Trump do të marrë pjesë në një pritje me drejtues të bizneseve, përpara se të mbajë fjalim në Forumin Ekonomik Botëror.

    “Kemi shumë takime të planifikuara për Grenlandën dhe mendoj se gjërat do të shkojnë mjaft mirë”, kishte deklaruar dje Trump gazetarëve në lidhje me takimet e tij në Davos.

    Komentet e tij erdhën pavarësisht vendosmërisë së palëkundur të udhëheqësve evropianë në mbrojtjen e territorit danez në ditët e fundit.

    Gjatë fundjavës, Trump premtoi tarifa të reja për vendet evropiane, përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, të cilat dërguan trupa në Grenlandë në solidaritet.

  • Donika Kadaj: Ftesa e Trumpit për Osmanin është akt besimi politik dhe strategjik ndaj lidershipit që sot përfaqëson Kosova

    Donika Kadaj: Ftesa e Trumpit për Osmanin është akt besimi politik dhe strategjik ndaj lidershipit që sot përfaqëson Kosova

    Këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj, ka vlerësuar se viti që lamë pas u mbyll me njohje të reja për Republikën e Kosovës, duke konfirmuar konsolidimin e subjektivitetit shtetëror të vendit në arenën ndërkombëtare.

    Sipas saj, viti që po nis shënon kalimin nga afirmimi formal i shtetësisë në ndikim real ndërkombëtar.

    Në këtë kontekst, Kadaj ka theksuar se ftesa personale e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, për presidenten Vjosa Osmani që ta përfaqësojë Kosovën si shtet anëtar themelues në Bordin e Paqes, nuk është një akt i zakonshëm protokollar.

    “Ajo është një akt besimi politik dhe strategjik ndaj lidershipit që Kosova sot përfaqëson”, ka shkruar Kadaj në “Facebook”.

    Postimi i plotë i saj:

    Viti që lamë pas u mbyll me njohje të reja për Republikën e Kosovës si konfirmim i një subjektiviteti shtetëror që po konsolidohet. Viti që po e nisim shënon kalimin nga afirmimi formal në ndikim real ndërkombëtar.

    Ftesa personale për Presidenten Vjosa Osmani nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, për ta përfaqësuar Kosovën si shtet anëtar themelues në Bordin e Paqes, nuk është thjesht një akt protokollar. Ajo është një akt besimi politik dhe strategjik ndaj lidershipit që Kosova sot përfaqëson.

    Këto zhvillime janë rezultat i një politike të jashtme të ndërtuar mbi parime, koherencë dhe dinjitet institucional – e udhëhequr nga Presidentja Osmani me vizion shtetformues dhe qartësi strategjike. Një lidership që e ka zhvendosur Kosovën nga pozita e kërkueses së mbështetjes, në rolin e partnereve që kontribuojnë në arkitekturën e paqes globale.

    Kosova po hyn në këtë kapitull të ri jo si spektatore e rendit ndërkombëtar, por si pjesëmarrëse me rol, përgjegjësi dhe peshë. Dhe kjo është arritje shtetërore me domethënie afatgjatë.

  • 6.5 milionë u shpenzuan nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe vizitat familjare në vitin 2025

    6.5 milionë u shpenzuan nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe vizitat familjare në vitin 2025

    Për mbrojtjen e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, nga buxheti i Republikës së Kosovës janë shpenzuar 6 milionë e 277 mijë e 500 euro gjatë vitit 2025. Ndërsa në total, për mbrojtjen e të akuzuarve dhe vizitat familjare janë shpenzuar 6 milionë e 515 mijë e 67 euro e 69 centë.

    “Betimi për Drejtësi” ka siguruar të dhënat nga Ministria e Drejtësisë (MD) lidhur me pagesat që janë ekzekutuar për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara për vitin 2025.

    Shuma më e madhe është shpenzuar nga mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Për secilën nga mbrojtjet e tyre, janë shpenzuar nga 1 milion e 320 mijë euro në rastin për krime lufte. Ndërsa, 17 mijë e 500 euro të tjera, janë shpenzuar për Hashim Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

    Për mbrojtjen e Salih Mustafës dhe atë të Pjetër Shalës, janë shpenzuar nga 480 mijë euro.

    Kurse, për Bashkim Smakan janë shpenzuar 10 mijë euro, për të bashkë të akuzuarin e tij, Fadil Fazliun janë shpenzuar 7 mijë euro. Ndërsa, për Ismet Bahtijarin janë shpenzuar 3 mijë euro.

    Të dhënat në fjalë janë ofruar nga Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Divizioni për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Por, nga kjo Ministri nuk kanë ofruar të dhëna nëse dhe sa kanë shpenzuar avokatët për Haxhi Shalën, Sabit Januzin, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.

    Për vizitat familjare u shpenzuan mbi 237 mijë euro

    Sipas të dhënave nga MD-ja, nga buxheti i Republikës së Kosovës për vizitat familjare të të akuzuarve në Hagë janë shpenzuar gjithsej 237 mijë e 567 euro e 69 centë. Këtu përfshihen biletat e aeroplanit dhe ushqimi.

    Nga të dhënat, Hashim Thaçi del se nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë. Ndërsa, për vizitat familjare të Jakup Krasniqit janë shpenzuar gjithsej 34 mijë e 771 euro e 40 centë, për ato të Rexhep Selimit janë shpenzuar 32 mijë e 39 euro e 29 centë.

    Po ashtu, Isni Kilaj ka shpenzuar 29 mijë e 457 euro e 23 centë, për Haxhi Shalën u shpenzuan 28 mijë e 912 euro e 60 centë, për Bashkim Smakajn 26 mijë e 969 euro e 6 centë.

    Në anën tjetër, Kadri Veseli për vizita familjare ka shpenzuar 22 mijë e 563 euro e 28 centë. Kurse, Salih Mustafa për të njëjtën kategori ka shpenzuar 17 mijë e 361 euro e 68 centë, Pjetër Shala 8 mijë e 365 euro e 72 centë, si dhe Ismet Bahtijari 3 mijë e 925 euro e 87 centë.

    Ndryshe, në përgjigjen e MD-së thuhet se buxheti që është ndarë për vitin 2025, për Divizionin për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë DhSK-së, është 8 milionë e 50 mijë euro.

    Në total, nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve dhe vizitat familjare janë shpenzuar 6 milionë e 515 mijë e 67 euro e 69 centë.

    Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

    Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji”.

    Derisa, neni 4 i po të njëjtit ligj ka paraparë se “1. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. 2. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara bëhet sipas aktit nënligjor të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amendamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS).

    Ndryshe, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë janë trajtuar tri raste për krime lufte. Rasti më i madh në këtë Gjykatë është ai i ish-krerëve të UÇK-së me të akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

    Në këtë rast, Prokuroria gjatë 2025-ës ka përfunduar me paraqitjen e provave, periudhë gjatë së cilës dëshmuan 125 dëshmitarë në sallën e gjyqit. Pas tyre dëshmuan dy të mbrojtësit të viktimave, si dhe shtatë të tjerë të mbrojtjes së Hashim Thaçit.

    Rrjedhimisht, mbrojtja ka përfunduar zyrtarisht paraqitjen e provave më 2 dhjetor 2025. Ndërsa, mbyllja e paraqitjes së të gjitha provave në këtë rast, është bërë më 18 dhjetor 2025. Është vendosur që dosjet përfundimtare në këtë çështje të dorëzohen në janar 2026. Ndërsa, deklaratat përmbyllëse do të mbahen në shkurt.

    Në anën tjetër, aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ndërsa, më 6 prill 2023, u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

    Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte. Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.

    “Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

    Kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024, me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

    Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.

    Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehësuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.

    Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë. Sërish, Cali u ankua në Supreme për vendimin e dytë të Apelit, por shkalla e tretë la në fuqi këtë dënim ndaj tij.

    Ndërsa, rasti i fundit për krime lufte është ai i Pjetër Shalës, të cilit më 14 korrik 2025, Gjykata e Apelit e DhSK-së, ia ka ulur dënimin nga 18 vjet kur ishte dënuar në shkallë të parë në 13 vjet burgim. Ndërsa, më 14 tetor 2025, Shala kishte dorëzuar ankesë në Supreme kundër vendimit të Apelit. Përmes saj, kërkonte rrëzimin e vendimit mbi dënimin për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, si dhe që çështja të kthehet në rigjykim.

    Po ashtu, në këtë gjykatë kanë qenë edhe tri raste kundër administrimit të drejtësisë që nga fillimi i punës së saj e deri më tani.

    Në vitin 2024, Hashim Thaçit i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me të njëjtin rast, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, një ditë më pas, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së. Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në rastin tjetër, me 4 shkurt 2025, Haxhi Shala është dënuar me 3 vjet burgim, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy vjet për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim. Ky vendim është marrë pasi të akuzuarit ende pa filluar gjykimi kishin arrit marrëveshje për pranim të fajësisë, e cila u pranua nga trupi gjykues në ditën që u shpall aktgjykimi dënues.

    Si rrjedhojë, ishte aprovuar edhe marrëveshja për zhdëmtimet, e cila do të ekzekutohej më së largu deri më 19 shkurt 2025. Pra, Shala obligohej të paguajë 400 euro dhe Januzi 100 euro për viktimën, ndërsa Bahtijari nuk obligohej të bëjë pagesa. Viktimës i janë kryer këto pagesa brenda afatit kohor që u ishte caktuar të akuzuarve.

    Ndërsa, rasti tjetër ka të bëjë me Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin të cilët po ashtu kanë qenë të dënuar për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.