ATV

Category: Lajme

  • 28 vjet nga sulmi i dytë i Serbisë ndaj familjes Jashari në Prekaz

    28 vjet nga sulmi i dytë i Serbisë ndaj familjes Jashari në Prekaz

    Sot bëhen 28 vjet nga sulmi i dytë i forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.

    Më 22 janar 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë(Skenderaj), rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat u drejtuan drejt Kullës së Jasharëve për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme. Ky aksion i policisë së Serbisë ndaj familjes së Shaban Jasharit, erdhi plot 6 vite pas aksionit të 30 dhjetorit të vitit 1991.

    Sulmi i tretë i Serbisë ndaj familjes Jashari ndodhi vetëm një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, mijëra policë dhe ushtarë të Serbisë e kryen aksionin e tretë dhe më fatalin në Prekaz, duke i vrarë 20 anëtarë të familjes së Shaban Jasharit, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin, nga 59 sa u vranë gjithsej ato ditë në Prekaz.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, njofton se sot mban homazhe në orën 10:00, në Prekaz, pranë Kompleksit Memorial.

    “Në nderim të datës 22 janar 1998 kur forcat serbe sulmuan për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz, ngjarje kjo që shënoi një vendim historik të qëndresës, ku përballë dhunës dhe rrezikut familja zgjodhi të mos largohej nga shtëpia dhe trualli i vet, duke i treguar botës se shqiptarët nuk braktisin kurrë tokën e tyre, OVL UÇK fton familjet e dëshmorëve, bashkëluftëtarët dhe qytetarët që të marrin pjesë për homazhe në orën 10:00, në Prekaz, pranë Kompleksit Memorial”, thuhet në njoftim.

  • Sot vazhdon seanca në rastin e vrasjes së Auron Thaqit

    Sot vazhdon seanca në rastin e vrasjes së Auron Thaqit

    Sot me fillim nga ora 13:00, në Gjykatën Themelore të Prizrenit do të vazhdojë seanca në rastin e vrasjes së Auron Thaqit.

    Në këtë rast akuzohen dy persona.

    I riu Auron Thaqi, vdiq më 7 korrik 2024, pasi ishte plagosur rëndë me thikë.

    Ai ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Në njëvjetorin e vdekjes, nëna e tij pati rrëfyer në Klan Kosova se si e kishte pranuar lajmin e trishtë.

    Derisa nëna e të riut që u vra, ka kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

  • LDK mban sot konferencë për media

    LDK mban sot konferencë për media

    Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së sotme do të mbajë konferencë për media.

    Konferenca sipas njoftimit do të mbahet lidhur me çështjen e energjisë elektrike.

    Njoftimi i plotë:

    ë nderuar përfaqësues të medieve,

    Lidhja Demokratike e Kosovës në konferencën e nesërme për medie, në orën 11:00 trajton çështjen e reduktimeve dhe problemet energjetike, ku folës do të jetë, Visar Azemi.

    Konferenca mbahet në Selinë Qendrore.

    Ftohen mediet të përcjellin këtë ngjarje!

  • Kryesisht vranët edhe sot, temperaturat në rritje të lehtë

    Kryesisht vranët edhe sot, temperaturat në rritje të lehtë

    Vranësira të shumta kalojnë përgjatë vendi edhe ditën e enjtë, megjithëse kohëpaskohe nuk mungojnë intervale me diell.

    Përreth zonave malore nuk duhet përjashtuar mundësi që vransirat të shoqërohen me reshje të dobëta dëbore. Temperaturat minimale zbresin në -2C e 0C, derisa ato maksimale shënojnë një rritje deri në 4C e 7C. Frynë erë e lehtë jugore e juglindore 1-2m/s.

    Të premtën po priten intervale më të shpeshta me kthjellime e diell. Orëve të mëngjesit, luginave të lumenjve mund të formohen kushte edhe për mjegull.

    Temperaturat shënojnë rritje deri në 8C e 9C.

    Të dielen parashihet të kalojnë më shumë vransira, si dhe të reshura shiu kohëpaskohe. Rritje shënojnë edhe minimalet deri në 2C e 3C. Përgjatë fundjave frynë erëra më të theksuara juglindore, me hove mbi 15m/s ditën e diel, njofton Mendimi për Motin.

  • Netanyahu pranon të bashkohet me Bordin e Paqes të Trumpit

    Netanyahu pranon të bashkohet me Bordin e Paqes të Trumpit

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pranuar një ftesë për t’u bashkuar me Bordin e Paqes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka raportuar BBC.

    Një deklaratë nga zyra e tij tha se Netanyahu do të bëhej anëtar i bordit “i cili do të përbëhet nga udhëheqës botërorë”.

    Bordi fillimisht mendohej se kishte për qëllim të ndihmonte në përfundimin e luftës dyvjeçare midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe të mbikëqyrte rindërtimin. Por statuti i tij i propozuar nuk përmend territorin palestinez dhe duket se është hartuar për të zëvendësuar funksionet e OKB-së.

    Papa Leo gjithashtu ka marrë një ftesë për t’u bashkuar me bordin, tha zyrtari më i lartë diplomatik i Vatikanit të mërkurën pasdite.

    “Unë besoj se do të jetë diçka që kërkon pak kohë për shqyrtim para se të japë një përgjigje,” u tha gazetarëve kardinali Pietro Parolin.

    Deri më tani, Bahreini, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rënë dakord gjithashtu të bashkohen, si dhe Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Hungaria, Kazakistani, Maroku, Turqia dhe Vietnami.

  • Policia ndalon dy persona për deklarim të rremë në Pejë

    Policia ndalon dy persona për deklarim të rremë në Pejë

    Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me një rast të “Deklarimit të rremë”, njofton Policia e Kosovës.

    Sipas komunikatës, personat e dyshuar F.SH. (2000) dhe A.K. (2005) më 13 janar 2026, pranë Qendrës për Pajisje me Dokumente të Identifikimit (QPD) në Pejë, kanë bërë deklarime të rrejshme duke garantuar për identitetin e saktë të personit tjetër të dyshuar, A.R. (2003).

    “Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve, dhe pas intervistimit, prokurori kompetent ka lëshuar vendim për ndalim policor të dy personave të dyshuar,” thuhet në komunikatë.

  • Në Kongresin Amerikan ngritet çështja e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës

    Në Kongresin Amerikan ngritet çështja e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës

    Kongresmeni amerikan Keith Self ka prezantuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, një nismë ligjore që synon të adresojë trajtimin e shqiptarëve nga autoritetet serbe.

    Lajmi është bërë i ditur në rrjetin “X” nga “Albanians for America”, ku thuhet se sot shënohet një moment i rëndësishëm për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    “Në këtë video, gjatë procedurave zyrtare në Kongresin Amerikan, Anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve trajtojnë shqetësimet e vazhdueshme për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave në Serbinë jugore – çështje që shumë shpesh kanë mbetur jashtë shqyrtimit ndërkombëtar”, thuhet në përshkrimin e videos së publikuar.

  • Kurti për Ibrahim Rugovën: Lider i shquar në historinë e shtetndërtimit të saj

    Kurti për Ibrahim Rugovën: Lider i shquar në historinë e shtetndërtimit të saj

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij, duke thënë se ishte lider i shquar politik, intelektual i angazhuar dhe studiuesin e spikatur të letërsisë.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se Ibrahim Rugova është në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë.

    Postimi i plotë i Albin Kurtit:

    Në 20 vjetorin e vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës

    Në ditën kur janë bërë dy dekada nga dita e vdekjes së tij, e përkujtojmë Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e Parë të Kosovës, liderin e shquar politik, intelektualin e angazhuar dhe studiuesin e spikatur të letërsisë.

    Në historinë e shtetndërtimit të Kosovës, periudha e pluralizmit partiak, e demokratizimit dhe e ndërkombëtarizimit të çështjes së vendit tonë, është e lidhur pashqitshëm me emrin e Ibrahim Rugovës. Ai ishte kryetari i parë dhe më jetëgjatë i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 dhe deri kur ai vdiq më 21 janar 2006. Andaj, i tërë roli dhe kontributi politik i Dr. Rugovës ishte i prejardhur dhe i artikuluar bashkë me një plejadë njerëzish me profile të ndryshme profesionale, që veçanërisht gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, u angazhuan publikisht dhe politikisht përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i qëndruan pranë Kryetarit Rugova.

    Në një kohë tejet të vështirë kur Serbia kishte vendosur një regjim apartheidi në Kosovë, Ibrahim Rugova u vendos në krye të një shteti juridikisht dhe politikisht unik, duke u votuar e zgjedhur President i Kosovës më 24 maj 1992, asaj Republike të Kosovës që e kishin shpallur delegatët e saj më 7 shtator 1990 në Kaçanik, një vit e gjysmë pasi Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës, më 23 mars 1989. Pikërisht atëherë kur më së shumti Serbia këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës dhe kur askush përveq Republikës së Shqipërisë nuk e njihte ekzistencën e saj, Ibrahim Rugova si President i Republikës së Kosovës, arriti të imponohej si i tillë duke u takuar edhe me liderë botërorë deri te Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton.

    Urtësia e tij në mendim dhe veprim, si dhe konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore, i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi. Ibrahim Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Ai ishte Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës, republikës sonë të parë, të shpallur për rezistencë, por ishte edhe Presidenti i Parë i Kosovës pas çlirimit të saj. Më 21 janar 2006, Ibrahim Rugova vdiq duke qenë ende në detyrën e Presidentit të Kosovës. Vetë institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës, është i shenjuar nga personaliteti i tij dhe ushtrimi i gjatë i atij funksioni prej Presidentit Rugova.

    Ibrahim Rugova ka lindur në Cerrcë të Istogut, në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, më 2 dhjetor 1944, në një kohë kur po riokupoheshim në emër të çlirimit e kur Serbia po e operacionalizonte projektin e saj për pushtimin e Kosovës. Ai nuk e njohu fare babain e tij Ukën, meqë pikërisht në atë kohë të trazuar, si luftëtar vullnetar për mbrojtjen e Kosovës nga formacionet çetnike serbe, ai u zhduk së bashku me babain e tij prej shërbimit të fshehtë jugosllav, më 10 janar 1945.

    Pas përfundimit të shkollimit fillor në Istog dhe atij të mesëm në Pejë, Ibrahim Rugova studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, duke i ndjekur të gjitha nivelet e studimit deri më 1984, kur doktoroi. Ai punoi si hulumtues i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku botoi dhjetëra studime, artikuj dhe libra studimorë. Ky studiues i letërsisë dhe i gjuhës, u fut në skenën politike në moshën 45 vjeçare, bashkë me kujdesin e tij për gjuhën dhe fjalën e shkruar.

    Trashëgimia politike e Dr. Ibrahim Rugovës, është e kudondodhur gjithandej universit të politikëbërjes në Kosovë: nga LDK-ja te Kuvendi dhe Presidenca e Kosovës dhe nga bashkëpunëtorët e dikurshëm të tij, te trasuesit e rrugës së tij politike. Dr. Ibrahim Rugova, ka zënë vend më vete në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë.

    Mes kujtimesh dhe nderimesh për Dr. Ibrahim Rugovën, të parin President të Kosovës, në historinë e shtetndërtimit të saj.

  • CNN: Trump planifikon të takohet me Zelenskyn në Davos të enjten

    CNN: Trump planifikon të takohet me Zelenskyn në Davos të enjten

    Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të takohet me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Davos të enjten, sipas dy personave të njohur me çështjen, raporton CNN.

    Zelensky ishte në Kiev të mërkurën, ndërsa Trump foli në Forumin Ekonomik Botëror. Në fjalimin e tij, Trump tha se planifikonte të takohej me Zelenskyn më vonë gjatë ditës.

    “Po merrem me Presidentin Zelensky dhe mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje”, tha Trump.

    Dyshja synon të vazhdojë diskutimet rreth përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Takimi do të ndodhë në të njëjtën ditë kur i dërguari i jashtëm i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, udhëtojnë për në Moskë për takime me Presidentin rus Vladimir Putin.

    “Unë besoj se ata janë në një pikë tani ku mund të bashkohen dhe të arrijnë një marrëveshje, dhe nëse nuk e bëjnë, janë budallenj”, shtoi Trump për Zelenskyn dhe Putinin.

  • ASK: Rreth 1 mijë veteranë të luftës më shumë në skemë gjatë vitit 2025

    ASK: Rreth 1 mijë veteranë të luftës më shumë në skemë gjatë vitit 2025

    Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se në dhjetor 2025 ka pasur rritje të përfituesve të disa skemave pensionale, përfshirë pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike (+12,6%), pensionet e FSK-së (+8,6%) dhe për veteranët e luftës (+2,7%).

    Ndërkohë, disa skema të tjera shënuan rënie, si pensionet invalidore (-27,5%), pensionet e Trepçës (-20,6%) dhe ndihma sociale (-10,3%).

    “Në muajin dhjetor 2025, krahasuar me muajin dhjetor 2024, kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (12,6 %); skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovë (8,6 %); skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (8,0 %); skema e pensioneve bazike të moshës (7,5 %); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,1 %); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (4,5 %); skema për veteranët e luftës (2,7 %). skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (0,8 %); skema e kompensimeve për personat e verbër (1,2 %)”

    “Në muajin dhjetor 2025, krahasuar me muajin dhjetor 2024, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore (-27,5 %); skema për pensionet e Trepçës (-20,6 %); skema për pensionet familjare (-10,6 %); skema e ndihmës sociale (-10,3 %); skema e pensioneve kontribut-paguesve të moshës (-2,0 %); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,4 %)”, deklaroi ASK.