ATV

Category: Lajme

  • BE detyron heqjen e qeseve të ketchup-it dhe majonezës nga restorantet dhe fast food-et

    BE detyron heqjen e qeseve të ketchup-it dhe majonezës nga restorantet dhe fast food-et

    Në një moment të caktuar, pikat e ushqimit të shpejtë (fast food), restorantet, hotelet dhe baret filluan të pajisen me enë të përshtatshme për erëza njëpërdorimshe, të cilat shpejt u futën në ushqimet e gatshme të supermarketeve, shkruan money.it.

    Për pronarët e restoranteve dhe shitësit me pakicë, ishte një proces i vështirë për t’u mësuar, por në të njëjtën kohë, inovacioni u mirëprit, duke rezultuar si i përshtatshëm dhe i dobishëm.

    Tani, po bëhen përgatitjet për procesin e kundërt, pasi do të jetë e detyrueshme të hiqen qeset e ketchupit, majonezës, kripës dhe vajit nga restorantet duke filluar nga gushti i vitit 2026.

    Bashkimi Evropian e ka vendosur këtë si pjesë të një programi të gjerë për të zvogëluar mbetjet plastike, i cili kërkon ndryshimin e zakoneve aktualisht të paqëndrueshme.

    Këto janë objektiva thelbësore për mbrojtjen e mjedisit, por pavarësisht kësaj, afati kohor i vendosur nga Brukseli është mjaft i gjatë.

    Nevojiten masa progresive për të zvogëluar gradualisht plastikën në qarkullim pa ndikuar tepër në ekonomi. Ndalimi i përdorimit të paketimeve të caktuara, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe mikpritjes, mund të shkaktojë përçarje të konsiderueshme dhe për këtë arsye të gjitha interesat e përfshira duhet të jenë të balancuara.

    Sidoqoftë, pavarësisht mungesës së afateve të rrepta, Rregullorja (BE) 2025/40, e njohur si Rregullorja e Paketimit dhe Mbeturinave të Paketimit (PPWR), ka tërhequr kritika të ashpra.

    Qeskat për erëza do të hiqen gradualisht duke filluar nga gushti 2026 kur paketimet plastike njëpërdorimëshe në sektorin e hotelerisë dhe mikpritjes duhet të thonë ‘’lamtumirë’’.

    Erëzat si salcat, vaji dhe kripa do të duhet të shërbehen në enë të ndryshme dhe të qëndrueshme, ashtu si edhe reçelet, sheqeri dhe gjalpi.

    Ndryshimi ndikon jo vetëm në ushqim, por në të gjitha produktet që ofrohen normalisht në paketime plastike njëpërdorimëshe, duke përfshirë produktet e higjienës personale.

    *Fotografia në lajm ilustruese

  • Ish-kryeministri i Koresë së Jugut dënohet me 23 vjet burgim për rolin që pati në ligjin ushtarak

    Ish-kryeministri i Koresë së Jugut dënohet me 23 vjet burgim për rolin që pati në ligjin ushtarak

    Një gjykatë e Koresë së Jugut e dënoi ish-kryeministrin Han Duck-soo me 23 vjet burg të mërkurën, për akuza që përfshinin kryengritje, të lidhura me shpalljen e ligjit ushtarak nga ish-presidenti Yoon Suk Yeol në dhjetor 2024.

    Han, 76 vjeç, është zyrtari i parë i kabinetit që ka marrë një vendim gjykate për akuza penale të lidhura drejtpërdrejt me ligjin ushtarak, çka sipas ekspertëve ligjorë mund të shërbejë si një tregues për gjyqe të tjera, shkruan Reuters.

    Gjykata Qendrore e Distriktit të Seulit e shpalli Han fajtor, duke thënë se ai kishte qenë vendimtar në krijimin e pamjes së jashtme të një mbledhjeje kabineti që mundësoi shpalljen e ligjit ushtarak, një veprim që gjyqtari e përshkroi si një “kryengritje nga lart-poshtë”.

    Gjyqtari shtoi se Han kishte diskutuar gjithashtu plane për të bllokuar funksionimin e institucioneve kryesore, si parlamenti, si pjesë e kryengritjes.

    “I pandehuri ishte një kryeministër të cilit i ishte dhënë në mënyrë indirekte legjitimitet dhe përgjegjësi demokratike… Megjithatë, i pandehuri zgjodhi të mbyllte sytë… dhe të merrte pjesë si anëtar i kryengritjes së 3 dhjetorit”, tha gjyqtari.

    “Si rezultat, Koreja e Jugut ishte në rrezik të kthehej në të kaluarën e errët kur të drejtat themelore dhe rendi liberal demokratik i popullit u shkelën, duke i penguar ata potencialisht të shpëtonin nga … diktatura për një kohë të gjatë”.

    Gjykata e shpalli Hanin fajtor për “përfshirje në veprimin kryesor të kryengritjes”, si dhe për akuzat e lidhura me dëshmi të rreme dhe falsifikim të një dokumenti zyrtar.

    “Do ta ndjek me përulësi vendimin e gjyqtarit”, tha Han pas vendimit.

    Ai kishte mohuar shkeljet për të gjitha akuzat përveç dëshmisë së rreme, duke thënë në nëntor se, ndërsa i vinte keq që nuk mundi ta ndalonte Yoon të shpallte gjendjen ushtarake, ai “nuk pranoi kurrë për të dhe as nuk u përpoq të ndihmonte”.

    Në një rast të pazakontë në procedurat gjyqësore të Koresë së Jugut, dënimi me 23 vjet tejkaloi një dënim prej 15 vjetësh të kërkuar nga prokurorët në nëntor.

    Han u ndalua nga gjykata menjëherë pas shpalljes së vendimit, i cili mund të apelohet. Avokati i Han tha se çështja do të dërgohet në Gjykatën Supreme.

  • Kurti takohet me kryeministrin e Luksemburgut, i përmend synimin për anëtarësim në BE, KiE dhe NATO

    Kurti takohet me kryeministrin e Luksemburgut, i përmend synimin për anëtarësim në BE, KiE dhe NATO

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, është takuar me Kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden.

    Në njoftimin e ZKM-së thuhet se Kurti ka shprehur mirënjohjen ndaj Luksemburgut për përkrahjen e vazhdueshme ndaj shtetit tonë në të gjitha etapat e shtetndërtimit.

    “Në vijim, theksoi progresin demokratik dhe ekonomik të vendit dhe synimet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe NATO, gjersa falënderoi Luksemburgun për mbështetjen ndaj Kosovës në këto procese.

    U bisedua edhe mbi fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale, thellimin e bashkëpunimit përfshirë në arsim dhe investime dhe rritjes së lidhjeve kulturore mes shteteve dhe popujve tanë.” – përfundon njoftimi.

  • Rinumërimi: Kurti dhe Konjufca kryesojnë me vota të hequra në Ferizaj

    Rinumërimi: Kurti dhe Konjufca kryesojnë me vota të hequra në Ferizaj

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet në 28 komuna.

    Në Ferizaj, rezulton se numrin më të madh të votave të humbura e ka Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, me një diferencë prej 55 votash më pak.

    Pas tij renditen:

    Glauk Konjufca me 23 vota më pak,

    Fitim Haziri me 13 vota më pak,

    Albulena Haxhiu me 12 vota më pak,

    Artane Rizvanolli me 11 vota më pak,

    Arbërie Nagavci me 11 vota më pak,

    Fatmire Kollçaku me 11 vota më pak.

    Ky është rezultati nga rinumërimi i 98,68% të vendvotimeve.

    Po vazhdon rinumërimi në nivel vendi. KQZ ka procesuar 856 kuti nga 2,557 sosh apo 33,48 për qind të votave të rinumëruara në platformën elektronike të tyre.

  • Agron Shehaj dënohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

    Agron Shehaj dënohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

    Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për veprën penale të fyerjes.

    Sipas vendimit të gjykatës, Shehaj është shpallur fajtor dhe është detyruar të paguajë një gjobë prej 3 milionë lekësh të vjetra e cila përfshin shpenzimet e procesit gjyqësor.

    Gjykata dha pafajësi për akuzën e shpifjes.

    Çështja nisi pas një padie të depozituar nga Adriatik Lapaj, i cili e akuzoi Shehajn për shpifje, lidhur me deklarata publike ku pretendoheshin lidhje të Lapajt me eksponentë të botës së krimit.

    Në deklaratat e tij, Agron Shehaj kishte akuzuar Lapajn se kishte përfituar 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK, pasi dyshohej se përdorej për pastrimin e parave të një grupi kriminal të njohur si “Çopjat”.

    Nga ana e tij, Adriatik Lapaj i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë shumë parash dhe se shumat e përmendura lidhen me detyrime të pretenduara për shërbime ligjore si avokat ndaj kompanisë në fjalë.

    Gjykata, pas shqyrtimit të çështjes, vendosi dënimin e Shehajt për fyerje, duke mbyllur kështu procesin gjyqësor në shkallën e parë.

  • KEK: Rikthehet njësia A3, po operojmë me 5 njësi gjeneruese- garantohet qëndrueshmëria e sistemit elektroenergjetik

    KEK: Rikthehet njësia A3, po operojmë me 5 njësi gjeneruese- garantohet qëndrueshmëria e sistemit elektroenergjetik

    Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ka rikthyer operimin në pesë njësi gjeneruese, pas rikthimit të njësisë A3.

    “Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se Njësia A3 ka përfunduar me sukses të gjitha sanimet dhe ndërhyrjet teknike pas ndaljes së përkohshme. Njësia është startuar me sukses dhe sinkronizuar me rrjetin rreth orës 06:47, duke respektuar të gjitha standardet operacionale dhe parametrat e sigurisë.”

    Sipas KEK’ut kështu garantohen vazhdimësia e prodhimit, stabilitetit dhe qëndrueshmëria e plotë e sistemit elektroenergjetik.

    “Me rifillimin e operimit të A3, KEK sh.a. rikthen operimin me pesë (5) njësi gjeneruese aktive: A3, A4, A5, B1 dhe B2, për aq kohë sa lejojnë parametrat operacionalë, duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e plotë të sistemit elektroenergjetik. Ky rezultat tregon aftësinë profesionale të ekipeve teknike dhe menaxhuese për të kryer ndërhyrje preventive dhe riparime të nevojshme në kohë optimale.”

    “KEK sh.a. falënderon stafin teknik dhe punonjësit për reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe përkushtimin e vazhdueshëm, të cilat sigurojnë funksionimin e besueshëm të sistemit dhe prodhimin e sigurt me energji elektrike për qytetarët. Korporata mbetet e përkushtuar ndaj prodhimit të vazhdueshëm të energjisë, stabilitetit të sistemit dhe besueshmërisë së plotë të rrjetit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.”

  • Përfundon rinumërimi në Skënderaj, këta janë kandidatët që iu hoqën votat

    Përfundon rinumërimi në Skënderaj, këta janë kandidatët që iu hoqën votat

    Për shkak të parregullësive në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në QNR po rinumërohen edhe një herë të gjitha kutitë e votimit.

    Në 72 vendvotimet e komunës së Skenderajt është kryer procesi i rinumërimit 100%.

    Kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtakut, Bedri Hamzës, Sala Jasharit, Shahin Dervishajt e disa të tjerave iu janë hequr votat, raporton Insajderi.

    Më poshtë e gjeni listën e plotë të kandidatëve që tanimë kanë vota minus:

    Bedri Hamza -29

    Sala Jashari -36

    Arian Tahiri -10

    Mërgim Lushtaku -94

    Jakup Nura -32

    Xhevahir Geci -14

    Ganimete Musliu -20

    Ilir Murtezaj -25

    Vlora Çitaku -9

    Shahin Dervishaj -42

    Ariana Musliu Shoshi -30

    Uran Ismaili -11

    Artan Behrami -5

    Isak Neziri -9

    Gëzim Qerimi -8

    Besa Kabashi Ramas -2

    Enver Hoxhaj -22

    Musli Gucati -1

    Fadil Demaku -3

    Hajdar Beqa -3

    Rrahman Rama -4

    Nait Hasani -4

    Xhavit Haliti -16

    Idriz Vehapi -5

    Elmi Reçica -5

    Selver Xhelili -2

  • “Na bëj hallall oj hallë”, reagimi prekës i nipit pas vdekjes së gruas nga zjarri në Malishevë

    “Na bëj hallall oj hallë”, reagimi prekës i nipit pas vdekjes së gruas nga zjarri në Malishevë

    Zjarri që përfshiu një shtëpi në fshatin Goriq të Malishevës, ia mori jetën një gruaje 50-vjeçare. Rasti i rëndë ndodhi rreth orës 22:30 të së martës dhe vdekja e saj u konstatua në vendin e ngjarjes.

    Nga Policia e kanë konfirmuar për Klanin incidentin tragjik, ndërsa kanë reaguar edhe familjarët e së ndjerës.

    Nipi i viktimës që vjen nga familja Mazreku, në një postim në rrjete sociale, ka shkruar fjalë prekëse për vdekjen e hallës.

    Përkundër përpjekjeve, ajo tha se nuk arritën ta shpëtojnë.

    “Sot në orët e mbrëmjes e përfshiu zjarri njërën prej shtëpive në oborrin tonë. Pas gjitha përpjekjeve, fatkeqësisht nuk arriteëm ta shpëtojmë Hallën tonë me aftësi të kufizuara.

    Na bëjë hallall oj hallë. Kom mendu që për ty jemi në gjendje me bo gjithçka po ja që nuk arritëm t’i perballojmë flakës. Allahu ta past mëshiru shpirtin e bardhë. Falemnderit prej të gjithëve që i kishim afër e u munduan drejt qëllimit të mirë” – thuhet në postimin e saj.

    Digjet një shtëpi në Malishevë ku humb jetën një grua

  • Përse Macroni nuk i hoqi syzet në Davos?

    Përse Macroni nuk i hoqi syzet në Davos?

    Ndërsa fliste në samitin e Davosit të martën, presidenti francez, Emmanuel Macron, tërhoqi vëmendjen me syzet që mbante në sy.

    Udhëheqësi francez mbante një palë syze dielli aviatori reflektuese blu, ndërsa u drejtohej liderëve, në Forumin Ekonomik Botëror.

    Teksa Macroni nuk e shpjegoi arsyen e aksesorit gjatë fjalimit të tij, raportet franceze e kanë atribuar atë me një gjendje të vazhdueshme shëndetësore.

    Javën e kaluar, ai u shfaq në një ngjarje ushtarake në Francën Jugore me një sy të skuqur dhe, në një moment, vendosi një palë syze dielli.

    Ndërsa iu drejtua trupave, ai minimizoi gjendjen e tij dhe tha se ishte krejtësisht e parëndësishme, duke shtuar: “Ju lutem më falni për pamjen e shëmtuar të syrit tim”.

    Macron madje bëri shaka për të, duke e quajtur “l’oeil du tigre” ose “syri i tigrit”.

    “Për ata që e marrin referencën, është një shenjë vendosmërie”, tha ai.

    Raportet franceze thanë se Macroni dukej se kishte një hemorragji nënkonjunktivale, që i referohet një ene gjaku të thyer në sy.

    Shqetësimi është i padëmshëm, pa dhimbje dhe nuk ndikon në shikim.

    Gjithashtu nuk shkakton dëmtime të përhershme në sy, pasi zakonisht zhduket brenda dy javësh.

  • Osmani: Rugova mbetet simbol i paqes dhe i lirisë, lavdia e tij është e përhershme

    Osmani: Rugova mbetet simbol i paqes dhe i lirisë, lavdia e tij është e përhershme

    Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar fotografi nga homazhet që bëri sot bashkë me familjen Rugova tek varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, në 20 vjetorin e vdekjes së tij.

    Osmani ka thënë se mbetet simbol i paqes dhe i lirisë, ndaj lavdia e tij është e përhershme.

    “Nderim i përjetshëm për Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, atin themeltar të Republikës sonë, njeriun që udhëhoqi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Ai mbetet simbol i paqes dhe i lirisë, ndaj lavdia e tij është e përhershme”, ka shkruar Osmani.

    Nën organizimin e saj, do mbahet edhe Akademi Përkujtimore në nderim të tij.