ATV

Category: Lajme

  • Haziri: Këpucët e Rugovës nuk i bëjnë askujt, e la trashëgimi LDK-në

    Haziri: Këpucët e Rugovës nuk i bëjnë askujt, e la trashëgimi LDK-në

    Lutfi Haziri nga LDK-ja në ”Click” të RTV21 ka folur për rëndësinë e frymës Rugoviane në politikë dhe për ndikimin e saj në marrëdhëniet brenda komunitetit dhe institucioneve politike. Ai theksoi se fryma Rugoviane nënkupton respekt, bashkëpunim dhe përkujdesje për familjen dhe komunitetin, dhe kritikoi sjelljet arrogante si të papajtueshme me këto vlera.

    Haiziri gjithashtu reflektuar mbi mungesën e fizikshme të Ibrahim Rugovës, duke e cilësuar atë si një ndëshkim të madh për LDK-në për shkak të gabimeve të bëra.

    “Se ka marrë askush, do isha i lumtur të shija të kishte vlera Rugoviane. Fryma Rugoviane është me mbrojt familjen tënde, në kuptimin politik; kur fiton, shumë më mirë është të sjellesh sjellshëm dhe të afrohesh me të tjerët. Ne nuk kemi garuar për qeveri në kohën e Ibrahim Rugovës, qeverinë ia kemi dhënë dikujt tjetër. Të ndash shtëpinë tënde, të mos bësh bashkëpunim politik, të ulesh me sjellje arrogante – kjo nuk është vlerë Rugoviane,” ka deklaruar Haiziri.

    Ai shtoi se, “këpucët e Ibrahim Rugovës nuk i kanë bërë askush, tamon, as sot as në të ardhmen. Mungesa fizike e tij më 17 nëntor të vitit 2007 është ndëshkimi më i madh për LDK-në, për shkak të gabimeve tona.”.

    Tutje Haziri ka shtuar se Rugova ”la trashëgimi LDK-në’.

  • OVL-UÇK dhe Sami Lushtaku bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

    OVL-UÇK dhe Sami Lushtaku bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

    Përfaqësues të OVL-UÇK-së, së bashku me kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, me rastin e 28-vjetorit të sulmit të dytë që Serbia kreu ndaj familjes Jashari.

    Gjatë homazheve u nderua sakrifica e familjes Jashari dhe u kujtua qëndresa e tyre si simbol i luftës çlirimtare dhe i lirisë së Kosovës.

  • 1 muaj në paraburgim për Arianit Sllamnikun

    1 muaj në paraburgim për Arianit Sllamnikun

    Gjykata Themelore e Gjilanit ia ka caktuar një muaj paraburgim Arianit Sllamnikut.

    Kjo u konfirmua për Klankosova përmes një përgjigje nga kjo gjykatë.

    “Sa i përket pyetjes tuaj për rastin e të pandehurit Arianit Sllamniku, gjyqtari procedurës paraprake ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në përgjigje.

    Sllamniku dyshohet për dy vepra penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’ dhe ‘Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave”.

    Hetimet ndaj tij nisën pas raportimit të emisionit KIKS Kosova në Klan Kosova.Pa qenë as mjek, ai pretendonte se e ka “shërimin” për autizmin tek fëmijët.

    Në këmbim të 4 mijë eurove, Arianit Sllamniku, dyshohet se iu ofronte fëmijëve ilaçe të kafshëve.

  • Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e nënës në Prizren

    Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e nënës në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit F.B., i cili gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari F.B., më datë 20.01.2026, në fshatin Restelicë- Komuna e Dragashit, “në shtëpinë e tij familjare ku jetonte së bashku me viktimën, me dashje privon nga jeta nënën e tij, viktimën T.B., në atë mënyrë që fillimisht e godet me grushte në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas e shtrëngon për fyti me duar, me ç’rast viktima nga lëndimet e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes”.

    “Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’”, tha Prokuroria.

  • Policia nis hetimet për vdekjen e gruas në Malishevë pasi zjarri ia përfshiu shtëpinë

    Policia nis hetimet për vdekjen e gruas në Malishevë pasi zjarri ia përfshiu shtëpinë

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me zjarrin që përfshiu dje një shtëpi në Malishevë, ku si pasojë vdiq një grua.

    Me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “INCIDENT ZJARRI & HETIM I VDEKJES- Malishevë / 20.01.2026 – NN. Është raportuar se në një shtëpi ka ndodhur një zjarr, lidhur me rastin njësitë policore, ekipi mjekësor dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Si pasojë e zjarrit një femër kosovare ka humbur jetën dhe vdekjen e saj e ka konstatuar mjeku kompetent. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • Australia shënon sot ditë zie për viktimat e sulmit në Bondi Beach

    Australia shënon sot ditë zie për viktimat e sulmit në Bondi Beach

    Australia po shënon sot një ditë kombëtare zie në kujtim të 15 viktimave të sulmit të armatosur që ndodhi më 14 dhjetor në Bondi Beach të Sidneit, gjatë një aktiviteti të komunitetit hebre, ku dy persona hapën zjarr.

    Në shenjë respekti dhe solidariteti, flamujt në mbarë vendin janë ulur në gjysmështizë, ndërsa një minutë heshtje do të mbahet në orën 19:01 sipas kohës lokale. Gjithashtu, janë paralajmëruar ceremoni përkujtimore në Operën e Sidneit dhe në qendrën komunitare hebreje Chabad në Bondi.

    Sipas autoriteteve, shumica e viktimave ishin anëtarë të komunitetit hebre, mes tyre edhe një fëmijë 10-vjeçar. Qeveria australiane ka organizuar instalacione simbolike ndriçimi në Kanberë dhe në disa qytete të tjera, ku për secilën viktimë është vendosur nga një shtyllë drite.

    Kryeministri Anthony Albanese e ka cilësuar sulmin si një goditje të rëndë jo vetëm ndaj komunitetit hebre, por edhe ndaj vlerave themelore të shoqërisë australiane. Ai theksoi se Bondi përfaqëson hapje, diversitet dhe bashkëjetesë, vlera që u cenuan rëndë nga ky akt dhune.

    Ky sulm, i konsideruar si më vdekjeprurësi i këtij lloji në Australi në tri dekadat e fundit, ka çuar në miratimin e masave më të rrepta për kontrollin e armëve të zjarrit, si dhe në nisjen e një hetimi kombëtar lidhur me antisemitizmin dhe krimet e urrejtjes.

  • Prokuroria e Ferizajt ngrit aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Prokuroria e Ferizajt ngrit aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Është ngritur aktakuza e parë në lidhje me zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Njoftimi u bë nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.

    Sipas njoftimit, më 28 dhjetor i dyshuari M.A. në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes, i ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    “Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda. Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

  • Fillon seanca ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase

    Fillon seanca ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase

    Në Gjykatën Themelore ka filluar seanca gjyqësorë ndaj të akuzuarit Endrit Nika.

    Nika akuzohet për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase në Fushë-Kosovë.

    Ndryshe më 15 dhjetor të këtij viti ka dështuar zhvillimi i seancës ndaj të akuzuarit.

    Seanca u shty me propozim të mbrojtjes së të akuzuarit, pasi kërkoi që të dëgjohet si dëshmitare edhe doktoresha e cila ia pati dhënë ndihmën e parë viktimës, deri në Emergjencë.

    Familja e argjentinases së vrarë më 2023 në Fushë-Kosovë ishte gati që përmes lidhjes online të merrte pjesë në seancë, por ajo nuk u mbajt të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Për vrasjen e shtetases së huaj me inicialet M.K.U. dyshohet i dashuri i saj, Endrit Nika.

    Kurse në seancën e shqyrtimit fillestar më 28 maj të këtij viti, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

  • Brenda vrasjeve makabre! – Çfarë ndodhi vërtet në rastin e Bryan Kohberger? (Pamje të rënda)

    Brenda vrasjeve makabre! – Çfarë ndodhi vërtet në rastin e Bryan Kohberger? (Pamje të rënda)

    Një kapitull i errët i historisë kriminale amerikane ka rikthyer sërish vëmendjen e publikut dhe detajet më të fundit të publikuara për Bryan Kohberger dhe vrasjet në Idaho, janë tronditëse.

    Në orët e para të mëngjesit të 13 nëntorit 2022, katër studentë të Universitetit të Idaho-s, Madison Mogen, Kaylee Goncalves, Xana Kernodle dhe Ethan Chapin, u gjetën të vrarë me thikë në një shtëpi me qira jashtë kampusit në Moscow, Idaho. Brutaliteti i sulmit tronditi mbarë vendin dhe nxiti një hetim intensiv kombëtar.

    Policia përfundimisht e lidhi krimin me Bryan Christopher Kohberger, një student doktorature në kriminologji, në Universitetin Shtetëror të Washington-it. Hetuesit e lidhën Kohberger-in me vendin e ngjarjes përmes provave të ADN-së, përfshirë një këllëf thike të gjetur brenda shtëpisë, që përputhej me ADN-në e marrë nga mbeturinat pranë shtëpisë së prindërve të tij në Pensilvani. Të dhënat e telefonit celular gjithashtu e vendosnin atë pranë shtëpisë disa herë përpara natës së vrasjeve.

    Fotot e skenës së krimit, të publikuara për pak kohë përpara se të tërhiqeshin pas reagimeve të forta nga familjet e viktimave, treguan brendësinë e shtëpisë të mbuluar me gjak, me mure dhe mobilie të njollosura dhe sende personale të shpërndara në kaos.

    Dokumentet gjyqësore dhe dëshmitë e dhëna nga bashkëjetueset e mbijetuara përshkruajnë një natë të tmerrshme. Njëra prej tyre raportoi se kishte dëgjuar zhurma dhe të qara përpara se të kuptonte se diçka e tmerrshme kishte ndodhur. Të paktën një nga viktimat, Xana Kernodle, dyshohet se u sulmua në dhomën e saj të gjumit, ndërsa të tjerët mund të kenë qenë në gjumë në momentin e sulmit.

    Kohberger u arrestua në dhjetor 2022 në shtëpinë e prindërve të tij në Pensilvani dhe u ekstradua në Idaho. Në korrik 2025, ai pranoi fajësinë në katër akuza për vrasje të shkallës së parë dhe një akuzë për grabitje, si pjesë e një marrëveshjeje që e shmang dënimin me vdekje. Ai u dënua me katër burgime të përjetshme radhazi pa mundësi lirimi me kusht, si dhe 10 vite shtesë burg.

    Pavarësisht pranimit të fajit dhe dënimit, shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje. Prokurorët pretendojnë se Kohberger kishte vëzhguar lagjen e studentëve në javët përpara sulmit, megjithëse një motiv i qartë nuk është bërë kurrë publikisht i ditur.

    Natyrën e egër të krimit dhe faktin që ndodhi në një ambient privat, brenda një shtëpie që duhej të ishte e sigurt, janë arsyet kryesore pse kjo çështje vazhdon të tronditë publikun dhe të mbetet në qendër të dokumentarëve, analizave dhe raportimeve të shumta mediatike.

    E kjo tragjedi mbetet një nga vrasjet më tronditëse të dekadave të fundit dhe detajet reale janë mjaftueshëm të frikshme edhe pa sensacionalizëm të rremë.

    Më shumë pamje…

  • Luksemburgu, shteti i parë në botë që ofron transport publik falas në të gjithë vendin

    Luksemburgu, shteti i parë në botë që ofron transport publik falas në të gjithë vendin

    Luksemburgu ka hyrë në histori, duke u bërë vendi i parë në botë që ofron transport publik falas në shkallë kombëtare.

    Që nga rrugët urbane më të frekuentuara deri te zonat piktoreske rurale, banorët, udhëtarët ditorë dhe turistët mund të udhëtojnë pa pagesë me autobusë, tramvaje dhe trena të klasit të dytë në të gjithë territorin e vendit.

    Kjo nismë konsiderohet një hap revolucionar, që jo vetëm po transformon lëvizjen e përditshme, por po ndryshon rrënjësisht edhe përvojën turistike në Luksemburg.

    Reforma historike hyri në fuqi më 1 mars 2020, kur qeveria hoqi tarifat për të gjitha shërbimet e transportit publik brenda vendit.

    Politika përfshin autobusët, tramvajet dhe trenat e klasit standard, ndërsa përjashton vetëm shërbimet e klasit të parë dhe linjat ndërkombëtare.

    Për lëvizjet brenda kufijve kombëtarë, udhëtimi është plotësisht falas, pa bileta dhe pa barriera.

    Vendimi për transport falas nuk ishte thjesht një masë sociale, por pjesë e një vizioni më të gjerë për një të ardhme më të gjelbër dhe më të aksesueshme.

    Luksemburgu synon të ulë ndjeshëm trafikun e dendur, një problem i kahershëm në vend, si dhe të reduktojë emetimet e karbonit në përputhje me objektivat ambicioze klimatike.

    Duke hequr pengesat financiare, qeveria po inkurajon qytetarët dhe vizitorët të zgjedhin transportin publik në vend të automjeteve private.

    Për turizmin, kjo politikë ka pasur ndikim të menjëhershëm. Vizitorët mund të eksplorojnë lirshëm atraksionet kulturore dhe natyrore të vendit, pa u shqetësuar për koston e lëvizjes.

    Nga qendra historike e Luksemburgut, e përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, te fshatrat piktoreske dhe parqet natyrore në veri, transporti falas ka nxitur eksplorimin spontan dhe ka përmirësuar ndjeshëm përvojën turistike.

    Një tjetër shtyllë kryesore e kësaj nisme është ndikimi mjedisor. Duke e bërë transportin publik zgjedhjen më të lehtë dhe më tërheqëse, Luksemburgu synon të ulë ndotjen e ajrit dhe emetimet nga automjetet private.

    Kjo masë është pjesë e një strategjie më të gjerë për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050, e cila përfshin edhe investime në autobusë elektrikë, infrastrukturë për biçikleta dhe zgjidhje të tjera të qëndrueshme të mobilitetit.

    Autoritetet kanë theksuar se skema e transportit falas do të vazhdojë të përmirësohet. Planet për të ardhmen përfshijnë rritjen e frekuencës së shërbimeve, modernizimin e infrastrukturës dhe integrimin e mëtejshëm të mjeteve ekologjike të transportit, për të krijuar një sistem sa më efikas dhe funksional.

    Modeli i Luksemburgut ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe po shihet si burim frymëzimi për vende të tjera.

    Ndërsa disa qytete evropiane kanë aplikuar transport falas në nivel lokal, Luksemburgu mbetet i pari që e ka zbatuar këtë politikë në shkallë kombëtare. Ky hap e pozicionon vendin si lider global në politikat e transportit të qëndrueshëm dhe turizmit të gjelbër.