ATV

Category: Lajme

  • “Veshi uniformën e Serbisë”, deklarohet i pafajshëm i akuzuari për nxitje të urrejtjes ndaj qytetarit boshnjak

    “Veshi uniformën e Serbisë”, deklarohet i pafajshëm i akuzuari për nxitje të urrejtjes ndaj qytetarit boshnjak

    I akuzuari Ramadan Berisha është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit. Ai ngarkohet se në rrjetin social Facebook kishte postuar për një qytetar të nacionalitetit boshnjak, me pretendimin se ai qytetar dhe vëllai i tij i ishin bashkëngjitur ushtrisë së Serbisë dhe luftuan kundër shqiptarëve.

    “I pafajshëm”, deklaroi Berisha në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykatësi i rastit, Kushtrim Shyti njoftoi palët që brenda afatit 30 ditor mund të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

    Ndryshe gjykatësi i rastit, Kushtrim Shyti njoftoi se rasti është deleguar nga Gjykata Themelore në Pejë, në Departamentin Special të kësaj Gjykate, pasi që Prokuroria Speciale e ka marrë në trajtim këtë rast.

    Sipas Shytit, aktakuza nga Prokuroria Themelore në Pejë është ngritur më 8 qershor 2023, ndërkaq më 21 janar 2026, Prokuroria Speciale e ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar.

    Sipas aktakuzës së ndryshuar të 21 janarit 2026, Ramadan Berisha akuzohet se më 3 mars 2022, në fshatin Zllapek, Komuna Pejë, përmes rrjetit social Facebook nxit dhe përhapë publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve etnike, duke postuar një material në dëm të të dëmtuarit M.D., i nacionalitetit boshnjak.

    Në aktakuzë, thuhet se përmbajtje atij postimi është “M.D., nga fshati Treboviq, Komuna Pejë, Kosovo, 1988 viti, me vetë dëshirë ka veshur uniformen e Serbisë dhe ju ka bashkangjitur ushtrisë dhe duke luftuar trimërisht kundër shqiptarëve. Më vonë vëllai tij ju ka bashkangjitur ushtrisë dhe duke luftuar trimërisht kundër shqiptarëve. Më vonë vëllai i tij ju ka bashkangjitur i cili është plagosur jo larg qytetit të Pejës në Vitomericë. Luftëtar trima të mos harrohen kurrë!!!”.

    Prandaj, me këto veprime Berisha ngarkohet me veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Bashkëpunim Prishtinë–Francë, Rama takohet me ambasadorin francez Guérot

    Bashkëpunim Prishtinë–Francë, Rama takohet me ambasadorin francez Guérot

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka zhvilluar të enjten një takim me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ku u diskutua për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Francës.

    Gjatë takimit, palët u fokusuan në fusha me interes të përbashkët, si arsimi, kultura dhe zhvillimi urban, duke theksuar rëndësinë e projekteve të përbashkëta për të ardhmen e qytetit.

    Rama vlerësoi lartë raportet me Francën, duke nënvizuar se ky partneritet ka një rol të rëndësishëm jo vetëm për Kryeqytetin, por edhe për Kosovën në tërësi.

    Ai bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se partneritetet afatgjata kontribuojnë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe hapin mundësi të reja për qytetarët e Prishtinës.

    “Bashkëpunimi me Francën mbetet një partneritet i rëndësishëm për Kryeqytetin dhe Kosovën. Sot pata kënaqësinë të pres Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, me të cilin biseduam për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, ka shkruar Rama.

  • Presidenti Begaj autorizon Kryeministrin Edi Rama për nënshkrimin në Bordin e Paqes

    Presidenti Begaj autorizon Kryeministrin Edi Rama për nënshkrimin në Bordin e Paqes

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka autorizuar sot Kryeministrin Edi Rama për të nënshkruar marrëveshjen e aderimit të Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, një iniciativë ndërkombëtare për promovimin e stabilitetit dhe paqes në zonat e konfliktit.

    Bordi ndërkombëtar synon të promovojë stabilitetin, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura nga konflikti.

  • Kosova fuqizon menaxhimin e pyjeve pas përfundimit të programit pesëvjeçar

    Kosova fuqizon menaxhimin e pyjeve pas përfundimit të programit pesëvjeçar

    Është përmbyllur programi pesëvjeçar për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në Kosovë, i zbatuar nga FAO dhe i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë. Në ceremoninë përmbyllëse u vlerësuan arritjet kryesore të programit në ruajtjen e burimeve natyrore dhe zhvillimin e zonave rurale.

    Përfaqësuesja e FAO-s, Daniela Mangione, theksoi se programi ka ndihmuar në përmirësimin e koordinimit institucional, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe përfshirjen e komuniteteve rurale. Sipas saj, mbi 500 persona kanë përfituar drejtpërdrejt nga projektet, ndërsa barazia gjinore dhe ndërgjegjësimi mjedisor kanë qenë pjesë e rëndësishme e ndërhyrjeve.

    Ministri në detyrë i Bujqësisë, Imri Demelezi, vlerësoi kontributin e projektit në funksionalizimin e sistemit informativ pyjor dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale. Ai theksoi se në kuadër të programit janë siguruar pajisje moderne për monitorimin e pyjeve, përfshirë automjete dhe dronë.

    Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Eva Palatova, tha se pyjet janë thelbësore për ekosistemin dhe stabilitetin ekonomik.

    Ambasadori i Suedisë, Jonas Westerlund, e cilësoi projektin si një histori suksesi të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke theksuar se gjatë zbatimit janë mbështetur reformat ligjore, është përmirësuar sistemi informativ pyjor dhe është funksionalizuar qendra trajnuese në Blinajë.

    Ndërkohë, nga Agjencia Pyjore e Kosovës u theksua se projekti ka sjellë përmirësime konkrete në aspektin operacional, përfshirë pajisje teknologjike, trajnime profesionale dhe forcim të kapaciteteve për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret dhe prerjet ilegale.

    Me përmbylljen e këtij programi, partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet vendore shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në të ardhmen, me synim ruajtjen e pyjeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale në Kosovë.

  • “I kam dhënë fund 8 luftërave”, Trump në Davos: Një vit më parë bota po digjej, kemi bërë më mirë se çdokush tjetër

    “I kam dhënë fund 8 luftërave”, Trump në Davos: Një vit më parë bota po digjej, kemi bërë më mirë se çdokush tjetër

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka folur në ditën e dytë në Davos në Forumin e Ekonomisë.

    Ai u shpreh se si president i SHBA-së, i ka dhënë fund 8 luftërave në botë dhe se po bën më mirë, se çdokush para tij.

    “Si President i kam dhënë fund 8 luftërave. Një vit më parë, bota ishte në flakë. Në Nigeri të krishterët po vriteshin. Një nga sukseset më të mëdha është që kemi rindërtuar ushtrinë. Vendi ynë s’ka bërë ndonjëherë më mirë. Në punën tonë, çdo gjë është më mirë se kurrë më parë. Po shohim numra që s’i kemi parë kurrë më parë. Kam ndaluar pushtimet dhe kartelet e drogës.

    Kemi padyshim ushtrinë më të fuqishme në botë. Kemi kapur diktatorin Nicolas Maduro dhe njerëzit në Venezuelë janë shumë të lumtur. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me lideren e re të Venezuelës. Po shkon çdo gjë shumë mirë”, tha ndër të tjera Trump.

  • Asnjë aleat nga Evropa Perëndimore në ceremoninë e Bordit të Paqes të Trumpit

    Asnjë aleat nga Evropa Perëndimore në ceremoninë e Bordit të Paqes të Trumpit

    Ceremonia e nënshkrimit të “Bordit të Paqes” nga presidenti Donald Trump ka paraqitur përfaqësues nga më pak se 20 vende, dhe asnjë nga aleatët tradicionalë të Evropës Perëndimore të SHBA-së.

    Kombet e përfaqësuara në skenë në Davos anojnë shumë nga Lindja e Mesme dhe Amerika e Jugut, me udhëheqës nga Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Argjentina dhe Paraguai midis atyre që morën pjesë.

    “Jemi vërtet të nderuar nga prania juaj sot”, ka thënë Trumpi, duke iu referuar atyre si “në shumicën e rasteve udhëheqës shumë të popullarizuar, në disa raste jo aq të popullarizuar”.

    Numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve është më pak se afërsisht 35 që një zyrtar i lartë i administratës parashikoi për gazetarët në fillim të kësaj jave.

    Dhe nuk përfshinte asnjë komb të Evropës Perëndimore, disa prej të cilëve kanë ngritur shqetësime mbi idenë e një bordi të dedikuar për paqen që mund të përfshijë kundërshtarë si Rusia aktualisht në luftë me një nga aleatët e tyre.

  • Përfundon rinumërimi në 9 komuna, KQZ paraqet rezultatet

    Përfundon rinumërimi në 9 komuna, KQZ paraqet rezultatet

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i rinumërimit të votave është përmbyllur plotësisht në 9 komuna.

    Rrjedhimisht, në QNR tashmë janë rinumëruar 1,029 nga 2,557 vendvotime.

    Në këtë qendër po vazhdon ky proces i verifikimit të tërësishëm të të gjitha vendvotimeve, pas vendimit të KQZ-së që i gjithë vendi të shkojë në rinumërim.

    Rezultatet e paraqitura mund t’i shihni në këtë LINK.

  • Prokuroria Themelore në Ferizaj autorizon nisjen e hetimeve për dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë

    Prokuroria Themelore në Ferizaj autorizon nisjen e hetimeve për dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë se ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore që lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Kjo Prokurori ka thënë se veprat penale që cenojnë të drejtën e votës përbëjnë shkelje serioze të ligjit dhe do të trajtohen me përkushtim maksimal, pa asnjë kompromis.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në kuadër të kompetencave të saj ligjore dhe si institucion i Prokurorit të Shtetit, është duke monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.”

    “Në këtë drejtim, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore që lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë, me qëllim të sigurimit të provave relevante, identifikimit të personave përgjegjës dhe administrimit të të gjithë materialit zgjedhor në përputhje me ligjin.”

    “Veprat penale që cenojnë të drejtën e votës përbëjnë shkelje serioze të ligjit dhe do të trajtohen me përkushtim maksimal, pa asnjë kompromis. Prokuroria Themelore në Ferizaj do të mbetet e angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e lëshuar sot.

    Ditë më parë edhe Prokuroria Themelore në Prizren ka autorizuar Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.

    KQZ-ja ka marrë vendim që në rinumërim të shkojnë të gjitha kutitë e votimit.

  • Nis takimi i Bordit të Paqes, pjesëmarrëse edhe Osmani

    Nis takimi i Bordit të Paqes, pjesëmarrëse edhe Osmani

    Në Davos ka nisur takimi mes të ftuarve nga presidenti Donald Trump, për të qenë pjesë e nisjes së iniciativës së tij “Bordi i Paqes”.

    Në mesin e liderëve nga shumë vende të botës, është edhe presidentja Vjosa Osmani.

    Trump aktualisht është duke e mbajtur fjalimin e tij hapës të takimit.

    President Donald Trump speaks during a Board of Peace charter announcement during the Annual Meeting of the World Economic Forum in Davos, Switzerland, Thursday, Jan. 22, 2026. (AP Photo/Evan Vucci)
  • Zgjedhjet lokale, statistikat e GAP: U evidentuan 1,683 premtime, në disa komuna s’u dha asnjë

    Zgjedhjet lokale, statistikat e GAP: U evidentuan 1,683 premtime, në disa komuna s’u dha asnjë

    Instituti GAP, sot, gjatë një konference për media ka shpalosur premtimet që kryetarët e rinj të komunave, kanë dhënë për mandatin qeverisës 2025-2029. Në komunikatën e GAP bëhet e ditur se janë evidentuar 1,683 premtime të dhëna në 26 komuna, që paraqet 132 premtime më pak sesa në mandatin e kaluar.

    Në komunikatë theksohet se, rritja më e madhe e numrit të premtimeve është shënuar në komunat si Lipjani, Deçani, Fushë Kosova, Drenasi, Obiliqi dhe Podujeva.

    ‘’Nga këto komuna, Lipjani ka shënuar rritjen më të theksuar, nga 61 premtime në mandatin 2021-2025, në 170 premtime në këtë mandat; Deçani nga 20 në 124 premtime; Fushë Kosova nga 35 në 110 premtime; Drenasi nga 37 në 88; Obiliqi nga 69 në 104; ndërsa Podujeva nga 61 në 88 premtime të dhëna’’, thuhet mes tjerash nga GAP’i.

    Tutje, në komunikatë theksohet edhe se, kryetari fitues në Skenderaj, ai në Mamushë dhe dhjetë kryetarët në komunat me shumicë të komunitetit serb nuk kanë shpalosur asnjë premtim zgjedhor, dhe se, nga 26 kryetarë fitues, 17 kanë pasur program të shkruar zgjedhor, kurse nëntë të tjerë kanë prezantuar premtime gjatë aktiviteteve zgjedhore ose përmes paraqitjeve mediale.

    Komunikata:

    Premtimet e kryetarëve të komunave të Kosovës për mandatin e ri qeverisës 2025 – 2029

    Sot, Instituti GAP ka mbajtur konferencë për media, ku përmes platformës elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” ka shpalosur premtimet që kryetarët e komunave të Kosovës kanë dhënë në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit 2025. Gjithsej, Instituti GAP ka evidentuar 1,683 premtime të dhëna në 26 komuna, që paraqet 132 premtime më pak sesa në mandatin e kaluar.

    Rritja më e madhe e numrit të premtimeve të dhëna është shënuar në Lipjan, Deçan, Fushë Kosovë, Drenas, Obiliq, dhe Podujevë. Nga këto komuna, Lipjani ka shënuar rritjen më të theksuar, nga 61 premtime në mandatin 2021-2025, në 170 premtime në këtë mandat; Deçani nga 20 në 124 premtime; Fushë Kosova nga 35 në 110 premtime; Drenasi nga 37 në 88; Obiliqi nga 69 në 104; ndërsa Podujeva nga 61 në 88 premtime të dhëna. Në anën tjetër, rënien më të madhe e ka pësuar Prishtina, nga 206 në 115 premtime, e ndjekur nga Kaçaniku, Suhareka, Shtimja, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Hani i Elezit, Malisheva, Klina dhe Istogu.

    Fusha me numrin më të madh të premtimeve në këtë mandat është infrastruktura, me gjithsej 382 premtime. Pas saj renditet arsimi me 322 premtime, shërbimet publike me 184 premtime dhe shëndetësia me 146 premtime. Në fushat e ekonomisë, bujqësisë, kulturës, sportit dhe çështjeve sociale numri i premtimeve të dhëna është i përafërt me mandatin e kaluar, përkatësisht rreth ose mbi 100 premtime secila. Më së paku premtime janë dhënë në fushën e urbanizimit (gjithsej 51 premtime) dhe në administratë (50 premtime). Këto të dhëna tregojnë se infrastruktura është rikthyer si prioriteti kryesor në mandatin e ri, duke zëvendësuar shërbimet publike që kishin zënë hapësirën më të madhe në mandatin e kaluar.

    Në zgjedhjet e fundit lokale për kryetarë/e komunash kanë garuar 185 kandidatë, prej të cilëve 165 kanë qenë të propozuar nga subjektet politike, ndërsa pjesa tjetër kanë garuar nga iniciativa qytetare ose si kandidatë të pavarur. Nga 185 kandidatë, vetëm 20 kanë qenë gra dhe prej tyre, vetëm një është zgjedhur kryetare, nga gjithsej 38 kryetarë të zgjedhur.

    Këtë mandat, Lëvizja Vetëvendosje (VV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të udhëheqin me nga shtatë komuna secila; Lista Serbe (LS) me dhjetë komuna; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me pesë komuna; ndërsa Nisma Socialdemokrate dhe Partia Turke e Kosovës me nga një komunë. Për dallim nga mandati i kaluar, ku pushteti nga një parti në tjetrën kishte ndryshuar në 12 komuna, përkatësisht në Prishtinë, Shtime, Gjilan, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Han i Elezit, Vushtrri, Dragash, Junik, Mamushë dhe Skenderaj, në këtë mandat kjo ka ndodhur në tri komuna: Fushë Kosovë, Obiliq dhe Mitrovicë e Jugut.

    Kryetari fitues në Skenderaj, ai në Mamushë dhe dhjetë kryetarët në komunat me shumicë të komunitetit serb nuk kanë shpalosur asnjë premtim zgjedhor. Nga 26 kryetarë fitues, 17 kanë pasur program të shkruar zgjedhor, ndërsa nëntë të tjerë kanë prezantuar premtime gjatë aktiviteteve zgjedhore ose përmes paraqitjeve mediale.

    Instituti GAP do të vazhdojë, sikurse edhe në mandatet e kaluara, të vlerësojë në mënyrë periodike përmbushjen e premtimeve, me qëllim të rritjes së llogaridhënies së kryetarëve të komunave ndaj qytetarëve për premtimet dhe programet e tyre zgjedhore.

    Platformën e premtimeve të dhëna nga kryetarët e komunave mund ta gjeni në këtë link: https://www.komunat.institutigap.org/Premtimet.

    Infografikat mund t’i gjeni bashkangjitu në këtë email ose duke klikuar këtu.