ATV

Category: Lajme

  • Rinumërimi i votave vazhdon, rreth 45% e tyre janë përfunduar

    Rinumërimi i votave vazhdon, rreth 45% e tyre janë përfunduar

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve për disa vendvotime, ku deri tani janë rinumëruar 44.66%.

    Sipas rezultateve të përditësuara, LVV ka 48%, PDK 23.84%, LDK 10.11% dhe AAK 2.99%. Procesi është përfunduar plotësisht në 9 komuna.

     

  • Ambasadori i Francës takohet me kreun e Kushtetueses, flasin për sfidat e gjykatës përgjatë vitit të kaluar

    Ambasadori i Francës takohet me kreun e Kushtetueses, flasin për sfidat e gjykatës përgjatë vitit të kaluar

    Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Francësn ë Kosovë, Olivier Guerot.

    Sipas njoftimit të Kushtetueses, temë diskutimi, ndër të tjera, ishin puna e deritanishme e Gjykatës Kushtetuese dhe sfidat e hasura në arritjen e objektivave të punës përgjatë vitit të kaluar, shkruan Reporteri.net.

    “Kryetari Rexhepi shprehu falënderimin e tij për ndihmën e vazhdueshme që Qeveria franceze i ka ofruar Republikës së Kosovës në sektor të ndryshëm, e veçanërisht në sundimin e ligjit dhe zhvillimin demokratik të saj, duke vënë theksin në marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit me Këshillin Kushtetues të Francës dhe përkrahjen e ofruar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për anëtarësim në Asociacionin e Gjykatave Kushtetuese Frankofone vitin që shkoi”, thuhet në njoftim.

    Tutje thuhet se Geurot konfirmoi se mbështetja për drejtësinë kushtetuese dhe forcimin e sundimit të ligjit vend mbeten prioritet i angazhimit të Francës në Republikën e Kosovës./Reporteri.net

     

  • Osmani: Anëtarësimi në Bordin e Paqes do të dërgohet në Kuvend për ratifikim

    Osmani: Anëtarësimi në Bordin e Paqes do të dërgohet në Kuvend për ratifikim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar sot në Davos Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Osmani theksoi se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes, të udhëhequra nga aleati strategjik i Kosovës, fuqizon sovranitetin dhe pozicionin ndërkombëtar të vendit.

    “Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt!”, ka shkruar Osmani në facebook.

    Osmani shtoi se kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, për të marrë miratimin final nga përfaqësuesit e popullit.

    “Faleminderit presidentit Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik. Kosova do të jetë në shërbim të paqes, sot e përherë!”, tha presidentja.

  • Trump: Pata një takim shumë të mirë me Zelensky, të gjithë duan që lufta të mbarojë

    Trump: Pata një takim shumë të mirë me Zelensky, të gjithë duan që lufta të mbarojë

    Presidenti amerikan, Donald Trump, u shfaq para mediave pas takimit me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke theksuar se bisedimet me të ishin “të mira”.

    Trump është pyetur nëse ka mundësi për të arritur një marrëveshje sot dhe theksoi “do të shohim se çfarë ndodh”.

    “Do të takohemi me Rusinë, kjo do të zhvillohet nesër dhe do të takohemi me presidentin Putin”, shtoi ai.

    “Pata një takim shumë të mirë me presidentin Zelensky, të gjithë duan që lufta të mbarojë”, theksoi ndër tjera.

    Trump u tha gjithashtu gazetarëve se dyshja nuk diskutoi për anëtarësimin e Zelensky në Bordin e Paqes.

  • Ekskluzive – Barron Trump, djali i Presidentit amerikan, e shpëton një grua nga i dashuri i saj!

    Ekskluzive – Barron Trump, djali i Presidentit amerikan, e shpëton një grua nga i dashuri i saj!

    Barron Trump i biri 19‑vjeçar i Presidentit amerikan Donald Trump, sipas TMZ besohet se ndihmoi në shpëtimin e jetës së një gruaje në Londër duke telefonuar policinë pasi pa në një thirrje video se ajo po sulmohej nga ish‑i dashuri i saj.

    Gruaja, e cila është mike ose njohje e Trumpit, e kishte kontaktuar atë përmes FaceTime kur ish i dashuri, identifikuar si Matvei Rumiantsev, thuhet se po e godiste fizikisht brenda banesës së tij në Poplar, veri‑lindje të Londrës. Barron u përpoq të kontaktojë emergjencën britanike (999), duke dhënë adresën dhe duke theksuar se ishte një “situatë reale emergjence” dhe policia arriti në vendngjarje pak minuta më vonë. Gruaja dëshmoi në gjykatë se thirrja e tij ndihmoi në shpëtimin e jetës së saj dhe e përshkroi atë si një “shenjë nga Zoti” në momentin kritik. Rumiantsev po përballet me akuza të rënda për sulm, dhunë dhe akte të tjera, të cilat ai i mohon ndërkohë që gjyqi vazhdon

  • Mospërputhjet në numërimin e votave, Prokuroria e Prizrenit intensifikon hetimet

    Mospërputhjet në numërimin e votave, Prokuroria e Prizrenit intensifikon hetimet

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur sot në takim koordinatoren Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, si dhe menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari.

    Takimi u mbajt në ambientet e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe u fokusua në zhvillimin e hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjet e evidentuara gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike për deputetë të Republikës së Kosovës, në regjionin e komunës së Prizrenit.

    Kryeprokurori Kryeziu bëri të ditur se pas përfundimit të procesit të rinumërimit të votave dhe evidentimit të mospërputhjeve, Prokuroria ka filluar grumbullimin e informatave të nevojshme dhe sigurimin e provave relevante, me qëllim të verifikimit nëse ka pasur kryerje të ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

    Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua gjithashtu për angazhimin e Prokurorit të Shtetit në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe për vazhdimin e hetimeve në drejtim të mbledhjes së provave dhe sigurimit të dëshmive të nevojshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ritheksuar përkushtimin e saj për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe forcimin e sundimit të ligjit.

  • KQZ sqarohet pse është “ndalur” rinumërimi i vendvotimeve të Podujevës

    KQZ sqarohet pse është “ndalur” rinumërimi i vendvotimeve të Podujevës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se përse në komunën e Podujevës nuk është duke u zhvilluar rinumërimi?

    Sipas të dhënave në platformën e KQZ-së për rezultate, nga kjo komunë janë rinumëruar 11 nga 110 vendvotime dhe kjo gjendje është që para datës 19 janar 2026.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar për Gazeta Express se përse që para kësaj date nuk ka ndryshuar numri i vendvotimeve të rinumëruara.

    “Para datës 19 janar 2026 nga komuna e Podujevës janë rinumëruar rreth 10% e vendvotimeve, në përputhje me vendimin e parë të KQZ-së për rinumërim të pjesshëm. Pas marrjes së vendimit të dytë për rinumërim të plotë në të gjitha vendvotimet, procesi kishte kaluar komunën e Podujevës dhe po zhvillohej në komuna të tjera, sipas renditjes së paraparë”, shpjegoi Elezi.

    Sipas Elezit, së shpejti vendvotimet nga kjo komunë do të përfshihen në procesin e rinumërimit.

    “Ky proces po vazhdon me intensitet të plotë dhe deri më tani është zhvilluar sipas renditjes së komunave, por nga pasdita e së mërkurës, me qëllim të përshpejtimit të rinumërimit, është vendosur që të përfshihen vendvotimet e të gjitha komunave dhe jodomosdoshmërisht sipas renditjes. Pra, së shpejti edhe vendvotimet tjera nga kjo komunë dhe nga tjerat do të përfshihen në rinumërim”, tha Elezi.

  • Ekstradohet nga Kosova në Gjermani një i dyshuar, një i dënuar transferohet nga Hungaria

    Ekstradohet nga Kosova në Gjermani një i dyshuar, një i dënuar transferohet nga Hungaria

    Policia e Kosovës ka ekstraduar një të dyshuar për në Gjermani, si dhe ka transferuar një të dënuar nga Hungaria në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

    Shtetasi gjerman kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë gjermane, për përfshirje në veprën penale “kontrabanim me migrantë” dhe i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.

    “Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shtetit Gjerman”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa nga Hungaria për në Kosovë është transferuar shtetasi i Kosovës i dënuar në shtetin e Hungarisë, për veprën penale “Grabitje dhe Privim i kundërligjshëm i lirisë”.

    Pas transferimit, ai i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit pasi që një pjesë të dënimit e kishte vuajtur në shtetin Hungarez.

    “Ekstradimi dhe Transferimi u realizuan nën masa të rrepta të sigurisë”, theksohet në njoftim.

  • Licencimi për shërbimet e kripto-aseteve, BQK-ja ka një njoftim për operatorët

    Licencimi për shërbimet e kripto-aseteve, BQK-ja ka një njoftim për operatorët

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka rikujtuar operatorët që të licencohen për shërbimet e kripto-aseteve dhe që kanë aktivitet këmbimi.

    Rregullorja e hyrë në fuqi në nëntor të vitit që kaluar u bë si hap i parë drejt rregullimit gradual të këtij sektori dhe rritjes së transparencës në Republikën e Kosovës.

    “Me hyrjen në fuqi të saj, subjektet që janë objekt i licencimit obligohen që, brenda një afati prej 90-ditësh (deri më 1 mars 2026), të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për aplikim për licencë dhe për përshtatje të plotë me kërkesat e përcaktuara në këtë rregullore”, thuhet në njoftim të BQK-së.

    BQK-ja ka rikujtuar se afati i mbetur deri më 1 mars 2026, për dorëzimin e aplikacioneve për licencë dhe për përmbushjen e kërkesave të rregullores gjatë kësaj periudhe kalimtare, është afati i fundit brenda se cilës të gjithë aplikantët duhet të kenë aplikuar, në pajtim me kërkesat e kësaj rregulloreje.

    “Pas përfundimit të këtij afati, ushtrimi i veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve të kripto-aseteve pa licencë të BQK-së ose në mospërputhje me kërkesat rregullative do të konsiderohet shkelje e dispozitave të rregullores dhe do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim të BQK-së.

  • Policia dhe KFOR-i zhvillojnë ushtrim të përbashkët për forcimin e gatishmërisë operacionale

    Policia dhe KFOR-i zhvillojnë ushtrim të përbashkët për forcimin e gatishmërisë operacionale

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me ushtarë të misionit të KFOR-it ka realizuar ushtrim të përbashkët të quajtur “Incident Command Walkthrough”.

    Sipas njoftimit, ushtrimi kishte për qëllim testimin dhe zbatimin e procedurave standarde të operimit, mekanizmave të komandimit dhe kontrollit, si dhe forcimin e metodave të koordinuara të reagimit, me synim rritjen e gatishmërisë operacionale dhe sigurimin e një përgjigjeje efektive ndaj sfidave të mundshme të sigurisë.

    Angazhimet e tilla të përbashkëta, sipas Policisë, dëshmojnë nivelin e lartë të profesionalizmit, koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, në funksion të garantimit të një mjedisi të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët.

    Policia e Kosovës ka vlerësuar mbështetjen dhe kontributin e të gjithë partnerëve të saj, duke theksuar se këto aktivitete janë të rëndësishme për avancimin e mëtejmë profesional të institucionit.