ATV

Category: Lajme

  • Rrezik i shtuar nga ortekët në Brezovicë, ShKShMK apelon për kujdes maksimal

    Rrezik i shtuar nga ortekët në Brezovicë, ShKShMK apelon për kujdes maksimal

    Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka njoftuar për rrezik të shtuar nga ortekët në zonën e Brezovicës, pas raportimit të një aksidenti orteku të ndodhur sot në një zonë jashtë shtegut të rregulluar.

    Sipas njoftimit, orteku është iniciuar nga disa skitarë, por fatmirësisht personat e përfshirë kanë shpëtuar pa lëndime trupore.

    ShKShMK bën të ditur se më 18 janar 2026, gjatë kontrollimit të shtresave të borës në zonën e Brezovicës, teknikët e kërkim-shpëtimit kanë identifikuar dy shtresa problematike të borës.

    Shtresa më shqetësuese, sipas tyre, është ajo bazë mbi vegjetacion, e njohur si “Ground-based Persistent Weak Layer – Depth Hoar”.

    Si pasojë e reshjeve të fundit të borës, të shoqëruara me erëra të forta nga juglindja, janë krijuar akumulime të shtresave të konsoliduara të borës, të cilat kanë rritur peshën dhe presionin mbi shtresat e dobëta ekzistuese. Bazuar në vlerësimin aktual, ky kombinim faktorësh ka krijuar kushte të pafavorshme dhe rrezik të shtuar për ortekë.

    Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor apelon për kujdes maksimal gjatë skijimit dhe aktiviteteve bjeshkatare, veçanërisht në faqet veriore, duke theksuar se rreziku nuk përjashtohet as në orientime dhe pozita të tjera gjeografike.

    Qytetarëve u rekomandohet që të shmangin lëvizjet jashtë shtigjeve të sigurta, të informohen paraprakisht për kushtet e borës dhe motit, të përdorin pajisje adekuate të sigurisë dhe të mos veprojnë individualisht në terrene të rrezikshme.

  • Rihapja e kutive të 28 dhjetorit, rinumërohen gati gjysma e votave

    Rihapja e kutive të 28 dhjetorit, rinumërohen gati gjysma e votave

    Pothuajse gjysma e vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit janë rinumëruar tashmë, teksa procesi është përmbyllur në 11 komuna.

    Sipas përditësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tani janë rinumëruar 1 mijë e 240 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë, e që përkthyer në përqindje i bie 48.49 përqind e vendvotimeve, shkruan Reporteri.net.

    KQZ pati paralajmëruar se i gjithë procesi pritet të marrë deri në 2 javë kohë.

    Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt, teksa pas shqyrtimit të ankesave që mund të paraqiten, pritet të procedohet me certifikimin e rezultateve.

    Vendimi i KQZ-së për përfshirjen në rinumërim të të gjitha vendvotimeve, erdhi pas një raporti nga rinumërimi i më shumë se 500 vendvotimeve, sipas të cilit, tek votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuara janë të papërfillshme, por për dallim prej tyre, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

    Rinumërimi ka gjetur se 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar vetëm në Prizren. Devijime të mëdha të votës nga rinumërimi në Prizren pati në PDK. Kandidati i kësaj partie për deputet, Fetah Paçarizi doli me mbi 6 mijë vota më pak.

    Për pasojë, ditën e hënë, KQZ mori vendim për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komunat, si: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Ndërkaq, sipas vendimit të mëhershëm të KQZ-së, i datës 13 janar 2026, parashihej që në 10 komuna, si: Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.

  • KRM ”Pastrimi” aplikon çmimoren e re për grumbullimin e mbeturinave

    KRM ”Pastrimi” aplikon çmimoren e re për grumbullimin e mbeturinave

    Kompania Rajonale e Mbeturinave“Pastrimi” ka njoftuar qytetarët dhe bizneset e Prishtinës se ka filluar zbatimin e çmimores së re për shërbimin e grumbullimit dhe transportit të mbeturinave komunale.

    Sipas dokumentit zyrtar të çmimores, tarifa për amvisëritë rezidente është përcaktuar në 5.56 euro në muaj pa TVSH, respektivisht 6.20 euro në muaj me TVSH 8%, ndërsa për amvisëritë jorezidente tarifa vjetore arrin në 17.8 euro me TVSH.

    Çmimorja parasheh tarifa të diferencuara edhe për bizneset, varësisht nga madhësia, zona dhe kostoja e shërbimit.

    Për dyqanet e vogla dhe bizneset artizanale, tarifa mujore në zonat urbane është 8.4 euro me TVSH, ndërsa në zonat rurale 6 euro me TVSH.

    Për bizneset e mesme dhe të mëdha, çmimet mujore në zonat urbane variojnë nga 15 euro deri në 30 euro me TVSH, në varësi të kostos së shërbimit, ndërsa në zonat rurale nga 8.4 deri në 18 euro me TVSH.

  • Parashikimi i motit për sot dhe fundjavë

    Parashikimi i motit për sot dhe fundjavë

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira lokale. Rrallë në disa zona priten reshje të dobëta kryesisht në formë të ndonjë rigë të dobët shiu në mëngjes apo në mbrëmje. Temperaturat pritet të lëvizin nga -2 minimalja deri në 11 gradë Celsius ajo maksimale.

    Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi e premtja sjellë mot me diell dhe vranësira e rrallë në disa rajone mund të ketë reshje shiu. Temperaturat do të shënojnë rritje në nivel rajonal.

    Fundjava sipas ecurive më të fundit sinoptike pritet të karakterizohet me mot mjaft të ndryshueshëm, me vranësira, intervale kohore me diell dhe reshje të shpeshta lokale shiu. Do të ketë edhe periudha të gjata pa reshje, por priten reshje të herëpashershme të karakterit lokal.

    Temperaturat pa ndonjë ndryshim, por intensifikim të reshjeve e rrebesheve të shiut presim mbrëmjen e së dielës./MeteoBallkan

  • Diplomojnë 21 zjarrfikës të rinj

    Diplomojnë 21 zjarrfikës të rinj

    Kanë diplomuar 21 zjarrfikës të rinj të cilët përfunduan me sukses trajnimin profesional.

    Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe Sekretari i Përgjithshëm Genc Metaj.

    Ky trajnim i ndarë në 9 module për 20 javë, u ofroi kadetëve mundësinë fitimit të njohurive të avancuara dhe aftësi konkrete për reagim të shpejtë dhe efikas në raste emergjencash, parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve, si dhe për ndërhyrje profesionale në mbrojtje të jetës njerëzore, pronës dhe mjedisit.

    Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ka qenë ngritja e kapaciteteve profesionale të zjarrfikësve, duke i pajisur ata me kompetencat e nevojshme për t’u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë, të cilat po bëhen gjithnjë e më komplekse, thuhet nga MPB.

    Me rastin e përfundimit me sukses të këtij trajnimi, Ministri Sveçla falënderoi të gjithë instruktorët dhe trajnerët të cilët kanë ndarë dijen dhe përvojën e tyre duke kontribuar drejtpërdrejtë në formimin profesional të këtyre zjarrfikësve. Po ashtu, Ministri Sveçla falënderoi edhe partnerët tanë ndërkombëtar që kanë kontribuar në këtë projekt.

  • Rinumërimi në Skenderaj, këto janë ndryshimet te votat e kandidatëve

    Rinumërimi në Skenderaj, këto janë ndryshimet te votat e kandidatëve

    Dyshimet për manipulime të votave brenda partive janë shfaqur edhe në Skenderaj, ndonëse jo në një masë të theksuar.

    Pas rinumërimit të 100 për qind të votave, kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, i janë hequr 94 vota. Nga e njëjta parti, Shahin Dervishajt i janë zbritur 42 vota, ndërsa Sala Jasharit 36 vota.

    Dallime në numrin e votave janë evidentuar edhe te Lëvizja Vetëvendosje.

    Kaltrina Gruda ka rezultuar me 30 vota më pak pas rinumërimit, ndërsa Fatos Geci me 13 vota më pak.

    Ndërkohë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Halil Gecit i janë hequr 22 vota pas procesit të rinumërimit shkruan Telegrafi, transmeton Atvlive.tv

  • Çka thuhet në dokumentin e Bordit të Paqes që e nënshkroi edhe Osmani në emër të Kosovës?

    Çka thuhet në dokumentin e Bordit të Paqes që e nënshkroi edhe Osmani në emër të Kosovës?

    Kosova është ndër 19 shtetet që të enjten nënshkruan pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, një iniciativë e presidentit amerikan Donald Trump, gjatë një ceremonie në Davos, Zvicër.

    Bordi i Paqes është një organ ndërkombëtar i ri, i krijuar për të mbikëqyrur zbatimin e planeve të paqes në zona të konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës, raporton timesofisrael.

    Ai përshkruhet si një “organ ndërkombëtar tranzitor” që synon rindërtimin e enklavës palestineze, me presidentin Trump në krye.

    Krijimi i tij është mbështetur nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të SHBA-së, duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar.

    Sipas dokumentit të nënshkruar edhe nga presidentja Vjosa Osmani, Bordi i Paqes:

    Synon të promovojë stabilitet, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e konfliktit.
    Do të ndërmarrë funksione të ndërtimit të paqes sipas së drejtës ndërkombëtare dhe do të zhvillojë praktika të mira që mund të zbatohen nga kombet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

    Anëtarësia:

    Është e kufizuar në shtetet e ftuara nga kryetari dhe përfaqësohet nga presidenti ose kryeministri.
    Mandati standard është tre vjet, me mundësi rinovimi, përjashtuar shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë.
    Anëtarët mund të tërhiqen me njoftim me shkrim dhe mund të riftohen më vonë.
    Qeverisja e Bordit:

    Përbëhet nga shtetet anëtare dhe Bordi Ekzekutiv, që përfshin liderë botërorë.
    Mbledhjet për vendime organizohen të paktën një herë në vit, ndërsa Bordet Ekzekutive takohen çdo dy javë për tre muajt e parë dhe më pas çdo muaj.
    Vendimet merren me shumicë votash, me mundësi vetoje nga kryetari.

    Roli i kryetarit:

    Donald J. Trump është kryetar inaugurues dhe përfaqësues i SHBA-së.
    Ka autoritet ekskluziv për të krijuar, modifikuar ose shpërndarë subjekte ndihmëse dhe për të themeluar nënkomitete.
    Mund të caktojë pasues në rast dorëheqjeje ose paaftësie dhe të miratojë rezoluta për të zbatuar misionin e Bordit.
    Financimi:

    Bazohet në kontribute vullnetare.
    Bordi ka të drejtë të hapë llogari dhe të krijojë mekanizma kontrolli për buxhetin dhe shpenzimet.

    Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe ndryshimet në Kartë:

    Mosmarrëveshjet zgjidhen nëpërmjet bashkëpunimit miqësor, me kryetarin si autoritet përfundimtar.
    Ndryshimet mund të propozojnë Bordi Ekzekutiv ose një e treta e shteteve anëtare dhe miratohen me shumicë dy të tretash dhe konfirmim nga kryetari.
    Depozitimi dhe zyrtarizimi:

    Teksti origjinal dhe ndryshimet ruhen në SHBA dhe kopje u dorëzohen të gjithë nënshkruesve.
    Gjuha zyrtare është anglisht.
    Bordi mund të krijojë seli dhe zyra terreni dhe ka vulë zyrtare të miratuar nga kryetari.
    Në thelb, Bordi i Paqes është një strukturë ndërkombëtare me kryetar të caktuar, me mandat të qartë, procedura të vendosura për qeverisje, anëtarësim, financim dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që ka për qëllim të ndihmojë vendet në situata konflikti.

    Ndryshe, Osmani ka deklaruar se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, për të marrë miratimin përfundimtar të përfaqësuesve të popullit.

  • IKSHPK: Vaksina MMR nuk shkakton autizëm, rreziku real vjen nga mosvaksinimi

    IKSHPK: Vaksina MMR nuk shkakton autizëm, rreziku real vjen nga mosvaksinimi

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka reaguar ndaj përhapjes së informatave të pasakta mbi vaksinimin, duke theksuar se vaksina MMR (Fruth–Parotit–Rubellë) nuk shkakton autizëm dhe se kjo është e vërtetuar shkencërisht.

    Sipas IKSHPK-së, vaksinimi ka qenë për dekada një nga masat më të suksesshme të shëndetit publik në Kosovë. Falë vaksinimit të rregullt sipas Kalendarit të Vaksinimit, sot fëmijët nuk sëmuren më nga shumë sëmundje që dikur ishin të shpeshta dhe shpesh fatale. Poliomieliti është eliminuar, difteria dhe tetanusi janë bërë shumë të rralla, ndërsa rubella e lindur – që shkaktonte verbëri dhe dëmtime të rënda – është parandaluar me sukses.

    Instituti thekson se edhe fruthi, i cili dikur ishte shkaktar i shpeshtë i hospitalizimeve dhe vdekjeve te fëmijët, është vënë nën kontroll falë vaksinës MMR. Megjithatë, viteve të fundit janë përhapur pretendime të pabazuara se kjo vaksinë lidhet me autizmin, pretendime që, sipas IKSHPK-së, nuk qëndrojnë.

    “Kjo është konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), si dhe nga studime të shumta ndërkombëtare që kanë përfshirë miliona fëmijë,” thuhet në njoftim.

    IKSHPK paralajmëron se rreziku më i madh për shëndetin e fëmijëve vjen nga mosvaksinimi, pasi fruthi nuk është sëmundje e lehtë dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, përfshirë infeksione të mushkërive, dëmtime të trurit dhe, në raste të rënda, edhe humbje jete.

    Në fund, Instituti u bën thirrje prindërve që të informohen nga profesionistët shëndetësorë, duke i konsideruar ata burimin kryesor dhe më të besueshëm të informatave për vaksinimin dhe rëndësinë e tij në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin për plagosje në Ferizaj, ishte dorëzuar dje në polici

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin për plagosje në Ferizaj, ishte dorëzuar dje në polici

    Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Argjent Ramës, të dyshuarit për plagosjen e ndodhur në Ferizaj, i cili një ditë më parë është dorëzuar në Policinë e Kosovës.

    Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, masa e paraburgimit është marrë pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës nga gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Ilir Bytyqi.

    Në njoftim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 21.12.2025, rreth orës 23:20, në një rrugë të qytetit të Ferizajt, pas një konflikti verbal, i pandehuri Argjent Rama, me qëllim që ta privojë nga jeta viktimën A.D., ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të tij.

    “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Ilir Bytyqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 21.12.2025, rreth orës 23:20, në një rrugë të qytetit të Ferizajt, pas një konflikti verbal, i pandehuri me qëllim që të privoj nga jeta ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës A.D., duke i shkaktuar plagë nga arma e zjarrit në abdomen, dorë dhe regjion femoral, për pasojë i dëmtuari i`u është nënshtruar operimit në QKUK -Prishtinë. Si dhe se i pandehuri me datë, kohë dhe vend të shënuar si më lartë tek pika e parë e dispozitivit, në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm lidhur me armët ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën e zjarrit të llojit CZ, modeli 70, kalibri 7.65 MM”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

  • Rinumërimi i votave vazhdon, rreth 45% e tyre janë përfunduar

    Rinumërimi i votave vazhdon, rreth 45% e tyre janë përfunduar

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve për disa vendvotime, ku deri tani janë rinumëruar 44.66%.

    Sipas rezultateve të përditësuara, LVV ka 48%, PDK 23.84%, LDK 10.11% dhe AAK 2.99%. Procesi është përfunduar plotësisht në 9 komuna.