ATV

Category: Lajme

  • Në 19 komuna përfundon rinumërimi i votave, KQZ: Po punojmë për shpallje sa më të shpejtë të rezultateve

    Në 19 komuna përfundon rinumërimi i votave, KQZ: Po punojmë për shpallje sa më të shpejtë të rezultateve

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen, raporton Ekonomia Online.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka treguar për Ekonomia Online se numri i komunave që kanë përmbyllur plotësisht rinumërimin është 19 dhe kanë mbetur edhe gjysma tjetër.

    “Nga fillimi i këtij procesi më 13 janar dhe deri më tani janë rinumëruar rreth 49% apo 1,240 nga 2,557 vendvotime. Pra, procesi është përmbyllur plotësisht në 19 komuna dhe kanë mbetur që të rinumërohen rreth 1,300 vendvotime të tjera, që i takojnë 19 komunave tjera”, tha Elezi.

    Më tej, Elezi tha se KQZ është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë të përmbyllë procesin e rinumërimit dhe të shpall rezultatet përfundimtare.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha Elezi.

    Sipas Elezit, ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme.

    Vetëm pas përfundimit të përfundimit të shqyrtimit, vendimmarrjes dhe zbatimit të vendimeve, KQZ mund të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht përmbylljes së procesit zgjedhor.

  • Donacion 25 milionë euro, Emiratet Arabe do të ndërtojnë Spitalin e Gjinekologjisë, në Prishtinë

    Donacion 25 milionë euro, Emiratet Arabe do të ndërtojnë Spitalin e Gjinekologjisë, në Prishtinë

    Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë eurosh, të ndara nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë, në Prishtinë.

    Hamiti këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

    Lexoni të plotë njoftimin e tij:

    Një lajm i mirë nga Abu Dhabi për Spitalin e Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë

    Gjatë kësaj jave, i shoqëruar nga Këshilltari, z. Melhin Mahmuti, u prita nga Shkëlqesia e Saj, Dr. Noura Al-Gauthi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë – Abu Dhabi, e cila më informoi se, në bashkëpunim me Ministrinë tonë të Shëndetësisë, kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.

    Gjatë takimit, po ashtu u njoftuam se ky Departament, gjatë këtij viti, do të fillojë procesin e rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri në shumë prej 7.5 milionë euro.

    Me këtë rast, në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës.

  • Trump flet për mavijosjen në dorë, tregon bisedën me mjekun

    Trump flet për mavijosjen në dorë, tregon bisedën me mjekun

    Gjatë ceremonisë së djeshme për themelimin e Bordit të Paqes, vëmendje mori mavijosja në dorën e presidentit amerikan, Donald Trump.

    I pyetur lidhur me këtë, Trump tregoi se mavijosja erdhi pasi e goditi dorën në tavolinë, teksa e përshkroi edhe si efekt anësor të aspirinës, raporton Fox News.

    Megjithatë, tha se është mirë.

    “E godita te tavolina. Kështu që vendosa pak, si i thonë? Krem mbi të. Por e godita. Do të thosha merrni aspirinë nëse ju intereson zemra, por mos merrni aspirinë nëse nuk doni të keni pak mavijosje.”, deklaroi Trump.

    Trump tha se doktori i ka thënë se nuk ka nevojë ta përdorë aspirinën meqë është “shumë i shëndetshëm”.

    “Unë thashë nuk po rrezikoj. Pra, gjithsesi, ky është një nga efektet anësore të marrjes së aspirinës.”, ka deklaruar Trump.

  • Mbi  100 zyrtarë raportohet se janë ftuar për intervistim, dyshohen për manipulim të rezultateve zgjedhore në Prizren

    Mbi 100 zyrtarë raportohet se janë ftuar për intervistim, dyshohen për manipulim të rezultateve zgjedhore në Prizren

    Policia e Kosovës, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka nisur zbatimin e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të votës dhe falsifikim të dokumenteve zgjedhore në procesin zgjedhor për deputetë.

    Siç raporton “Betimi për Drejtësi” në kuadër të hetimeve, mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë ftuar për intervistim, ndërsa gjatë ditës pritet të ketë edhe persona të ndaluar.

    Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Këtë informacion Kryeziu e kishte konfirmuar ditë më parë

    Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

    Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.

    Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.

  • Gërvalla në Stamboll me ftesë të Kryediplomatit të Turqisë, do të marr pjesë në Platformën e Paqes për Ballkanin

    Gërvalla në Stamboll me ftesë të Kryediplomatit të Turqisë, do të marr pjesë në Platformën e Paqes për Ballkanin

    Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar në Stamboll për të marrë pjesë në takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin, me ftesë të Kryediplomatit të Turqisë, Hakan Fidan.

    Në njoftimin e MPJD’së thuhet se platforma e Paqes për Ballkanin mbledh ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shërben si forum për shkëmbimin e pikëpamjeve në çështje me interes të përbashkët, përfshirë identifikimin e mundësive për thellimin e bashkëpunimit rajonal në fusha të ndryshme.

    “Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë platformë riafirmon prioritetet e saj strategjike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera relevante ndërkombëtare, si dhe përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës ndaj promovimit të paqes së qëndrueshme, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal. Republika e Kosovës vlerëson lart marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm me Republikën e Turqisë, si dhe rolin e rëndësishëm të Republikës së Turqisë në avancimin e dialogut, promovimin e paqes dhe forcimin e stabilitetit, si në rajon ashtu edhe në nivel global”, thuhet në njoftimin e MPJD’së.

  • Gjimnazi “Xhevdet Doda” mohon përfshirjen e Gjykatës Speciale në ligjëratë: Është organizuar nga YIHR

    Gjimnazi “Xhevdet Doda” mohon përfshirjen e Gjykatës Speciale në ligjëratë: Është organizuar nga YIHR

    Gjimnazi “Xhevdet Doda” ka reaguar lidhur me, siç i ka quajtur, disa informacione të pasakta që po qarkullojnë në opinionin publik, duke sqaruar se në ambientet e saj nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale.

    Sipas reagimit zyrtar të shkollës, ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur që zhvillon aktivitete edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.

    Shkolla thekson se qëllimi i ligjëratës ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një qasjeje të përgjithshme dhe edukative.

    “Në ligjëratë janë trajtuar procedurat dhe funksionimi i gjykatave në mënyrë neutrale dhe informative. Çdo interpretim apo pretendim që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar”, thuhet në reagim.

    Tutje, shkolla bën të ditur se organizata YIHR ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në shkolla të mesme dhe fakultete në mbarë Kosovën, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve.

    Në reagim sqarohet gjithashtu se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në dhënien e pëlqimit për këtë aktivitet dhe se autorizimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH).

    Në fund, shkolla kërkon ndjesë për çdo shqetësim apo keqkuptim të shkaktuar te nxënësit, prindërit dhe opinioni publik, duke garantuar se në të ardhmen do të ketë kujdes të shtuar në vlerësimin dhe miratimin e aktiviteteve të ngjashme.

    “Shkolla jonë mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, edukimit cilësor dhe informimit korrekt të nxënësve dhe opinionit publik”, përfundon reagimi.

  • Shqipërinë e vizituan vjet mbi 12 milionë turistë, shumica nga Kosova

    Shqipërinë e vizituan vjet mbi 12 milionë turistë, shumica nga Kosova

    Gati gjysma e turistëve që vizituan Shqipërinë vitin e shkuar ishin “pushues patriotikë”. Të dhënat nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit tregojnë se nga rreth 12.4 milionë vizitorë në total gjatë viti të shkuar, gati 6 milionë ishin nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

    “Kjo tregon se jemi shumë larg turizmit elitar, dhe të paktën për momentin jemi te sasia më shumës e cilësia. Kjo pavarësisht investimeve të shumta që janë kryer veçanërisht në jugun e vendit, por edhe Durrës”.

    Me gjithë liberalizimin e vizave, pushuesit nga Kosova nuk e “tradhtuan” Shqipërinë. Të dhënat tregojnë se vitin e shkuar vendin e vizituan gati 4.2 milionë shqiptarë të Kosovës, shifër kjo sa 384 për qind e totalit, shkruan A2 CNN.

  • Osmani: Në Davos shkova me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, biseda me Trump jashtëzakonisht pozitive për Kosovën

    Osmani: Në Davos shkova me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, biseda me Trump jashtëzakonisht pozitive për Kosovën

    Presidentja Vjosa Osmani ka zbuluar se Kosova e mori më 20 janar ftesën nga presidenti amerikan Donald Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes.

    Osmani tha se ka shkuar në Davos vetëm pas kërkesës Shtëpisë së Bardhë që të jetë prezente për ceremoninë e nënshkrimit për themelimin e kësaj organizate, shkruan Reporteri.net.

    Ajo deklaroi mbrëmë se shkoi atje vetëm për ta vënë firmën dhe se menjëherë do të niset për Kosovë.

    “Ne kemi marrë ftesën me datën 20 janar, por ka qenë shumë vonë në fakt kur ka arritur ftesa dhe në momentin që kemi marrë ftesën për t’u bërë anëtare themeluese e Bordit të Paqes, në të njëjtën kohë kemi marrë edhe kërkesën nga ana e Shtëpisë së Bardhë që të jemi në Davos me datën 22 janar për nënshkrim. Unë nuk kam qenë në Davos. Nuk e kam pas në plan fare në fakt të udhëtoj kësaj radhe, megjithatë pas ftesës nga Presidenti Trump që të jem në mesin e nënshkruesve të kësaj organizate të paqes, e cila udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht që menjëherë kemi udhëtuar. Jemi vetëm sot këtu, menjëherë pas mesnate nisemi për Kosovë”, ka deklaruar Osmani.

    E para e vendit e cilësoi ditën e djeshme me peshë historike.

    “Pra, është një ditë do të thoja me peshë historike për të gjitha shtetet pjesëmarrëse, porn ë veçanti për Republikën e Kosovës. Për ne si shtet, anëtarësimi në çdo organizatë ndërkombëtare ka rëndësi”, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit në Bordin e Paqes si anëtare themeluese e me të drejta të plota.

    Osmani foli edhe për bisedën që pati me Trump gjatë nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes, që e cilësoi si jashtëzakonisht pozitive.

    Tha se biseda ishte vazhdimësi e asaj që e kishin filluar në shtator të vitit të kalaur.

    “Mund ta ndaj që ka qenë një bisedë jashtëzakonisht pozitive për Kosovën dhe që është në interes të qytetarëve të Kosovës, këtë mund ta ndaj për momentin. Ka qenë vazhdimësi e bisedës që e kemi filluar në Kombet e Bashkuara në Neë York me datën 23 shtator, ka qenë vazhdimësi e kësaj”, ka thënë Osmani për Top Chanel.

    Marrëveshja do t’i dërgohet për ratifikim Kuvendit të Kosovës për ta marrë miratimin final.

    Liderët e Argjentinës, Armenisë, Azerbajxhanit, Bahreinit, Bullgarisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Hungarisë, Indonezisë, Jordanisë, Katarit, Kazakistanit, Kosovës, Marokut, Mongolisë, Pakistanit, Paraguait, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Uzbekistanit janë ata që kanë vënë firmat e tyre në ditën e themelimit të këtij bordi.

    Trump e ka përshkruar organin e sapokrijuar si potencialisht “bordin më prestigjioz të formuar ndonjëherë”. Projekti e ka origjinën në planin e tij me 20 pika për armëpushim në Gaza, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, por është zgjeruar shumë përtej mandatit të tij fillestar.

  • Trump e tërheq ftesën për Kanadanë që t’i bashkohet Bordit të Paqes

    Trump e tërheq ftesën për Kanadanë që t’i bashkohet Bordit të Paqes

    Presidenti amerikan, Donald Trump, e tërhoqi të enjten ftesën për Kanadanë që t’i bashkohej Bordit të Paqes, organ që synon zgjidhjen e konflikteve globale.

    “Kjo letër tregon se Bordi i Paqes po e tërheq ftesën e tij ndaj jush në lidhje me anëtarësimin e Kanadasë në atë që do të jetë bordi më prestigjioz i udhëheqësve i mbledhur ndonjëherë” shkroi Trump në një postim në Truth Social drejtuar kryeministrit kanadez, Mark Carney, raporton “The Guardian”.

    Ceremonia e themelimit të kësaj organizate u bë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Bordi, i cili do të kryesohet nga Trump, fillimisht u përshkrua si një organ i përkohshëm për të mbikëqyrur qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës.

    Sipas Trump, anëtarët e përhershëm duhet të ndihmojnë në financimin e bordit me një pagesë prej 1 miliard dollarësh secili.

    Carney tha se zyrtarët e tij nuk kishin kaluar ende nëpër “të gjitha detajet e strukturës, si do të funksionojë, për çfarë shërben financimi, e kështu me radhë”.

    “Kanadaja dëshiron që paratë të kenë ndikimin maksimal,” u tha Carney gazetarëve.

    Ministri i financave i Kanadasë, François-Philippe Champagne, tha më pas të martën se kanadezët nuk planifikonin të paguanin 1 miliard dollarët që vendeve u kërkohej t’ia dorëzonin Trump për një vend të përhershëm në bord, i cili fillimisht ishte përshkruar si një organ i përkohshëm për të mbikëqyrur qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës.

    Ndryshe, Kosova ishte dje në mesin e shteteve nënshkruese të themelimit të këtij Bordi, si anëtare me të drejta të plota.

  • Pas rinumërimit, ja sa vota humbi Fatmir Limaj në vendlindjen e tij

    Pas rinumërimit, ja sa vota humbi Fatmir Limaj në vendlindjen e tij

    Procesi i rinumërimit të votave për kandidatët për deputetë në disa komuna ka përfunduar, përfshirë edhe komunën e Malishevës.

    Pas këtij procesi, kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajt, i janë hequr 50 vota. Limaj, i cili pretendonte të kalonte pragun zgjedhor, nuk arriti të fitojë as në vendlindjen e tij.

    Më shumë vota se Nisma në Malishevë ka marrë Lëvizja Vetëvendosje.

    Sipas rezultateve përfundimtare pas rinumërimit, Limaj si kandidat ka grumbulluar gjithsej 6,885 vota në këtë komunë.