ATV

Category: Lajme

  • Dhëndri i Trumpit zbuloi masterplanin për rindërtimin e Gazës, çka përfshin?

    Dhëndri i Trumpit zbuloi masterplanin për rindërtimin e Gazës, çka përfshin?

    “Ne kemi një plan të përgjithshëm… Nuk ka Plan B”, tha dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, duke zbuluar vizionin e tij për Gazën e pasluftës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

    Nëse dështon, tha ai, faji do të ishte i lehtë për t’u hedhur. “Nëse Hamasi nuk demilitarizohet, kjo do të jetë ajo që i pengon njerëzit e Gazës të arrijnë aspiratat e tyre”, tha ai të enjten.

    Prezantimi i tij u zhvillua pas nënshkrimit të kartës për “Bordin e Paqes” të Trump, që përfaqëson fazën tjetër në planin e armëpushimit prej 20 pikash të rënë dakord midis Izraelit dhe Hamasit.

    Ja pikat kryesore në prezantimin e tij:

    Një zonë “turizmi bregdetar” do të shtrihej përgjatë bregdetit – mjaftueshëm e gjatë për deri në 180 rrokaqiej, shumë prej të cilëve me shumë gjasa do të caktoheshin si hotele.

    Një port u tregua në skajin jugperëndimor të Gazës, përgjatë kufirit me Egjiptin, dhe menjëherë në brendësi të portit, harta tregonte zonimin për një aeroport.

    Në “Rafah të Ri”, do të ndërtohen më shumë se 100,000 njësi banimi të përhershme, së bashku me mbi 200 shkolla dhe më shumë se 75 objekte mjekësore, tha ai. Ai shprehu shpresën se ndërtimi do të përfundojë brenda dy deri në tre vjetësh. Puna për heqjen e rrënojave ka filluar tashmë, tha ai.

    Një “Gaza e Re” do të jetë një qendër industrie, me qëllim arritjen e 100% punësimit të plotë, tha Kushner. Imazhet e gjeneruara nga kompjuteri sugjerojnë një metropol që ka një ngjashmëri të fortë me qytetet e Gjirit Persik si Doha dhe Dubai, me akomodime të shkëlqyera buzë ujit dhe vendndodhje zyrash.

    Qeveritë do të japin kontributet e para, tha Kushner, me njoftimet fillestare që do të vijnë në një konferencë në Uashington në dy javët e ardhshme. Ai gjithashtu i bëri thirrje sektorit privat të paraqitet, duke premtuar “mundësi të mahnitshme investimi”.

  • Rama për ligjëratën e Speciales në shkollë: Pa leje, pa koordinim, kjo nuk duhet të ndodhë kurrë!

    Rama për ligjëratën e Speciales në shkollë: Pa leje, pa koordinim, kjo nuk duhet të ndodhë kurrë!

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me mbajtjen e një aktiviteti të Gjykatës Speciale në gjimnazin “Xhevdet Dodaj” pa, siç tha ai, leje apo koordinim me institucionet komunale, duke u shprehur i indinjuar e ku ka paralajmëruar masa ndaj përgjegjësve.

    Rama për media tha se aktiviteti është zhvilluar pa njoftimin e Drejtorisë së Arsimit apo kabinetit të tij dhe se tashmë janë ndërmarrë veprime për të sqaruar rrethanat dhe për të zbatuar rregulloret në fuqi.

    “Unë faktikisht kur e mora vesh isha shumë i indinjuar për arsye se nuk ka pasur as leje as koordinim me askënd, as prej drejtorisë as prej kabinetit tim. Kemi ndërmarrë masa të menjëhershme. Pra kush ka bërë një gjë të tillë pa marrë leje, pa koordinim normal që do të ketë edhe veprime të ndryshme. Jam tejet i indinjuar me atë çka kanë bërë, nuk duhet me ndodh kurrë ajo në institucionet tona në qytet e as kund tjetër pa një leje prej Drejtorisë së Arsimit. Ato do të jenë të ndërlidhura me rregulloret në fuqi, do t’i ndërmarrim masat”, tha ai.

  • Gjersa liderët botëror po takohen mes veti në Davos, Vuçiq “si influencerët” prezanton hotelin ku po qëndron

    Gjersa liderët botëror po takohen mes veti në Davos, Vuçiq “si influencerët” prezanton hotelin ku po qëndron

    Gjersa liderët botërorë po takohen mes veti në Forumin Botëror Ekonomik në Davos, presidenti serb po provon veten në një sferë të re – atë të influencerit.

    Aleksandar Vuçiq gjatë qëndrimit në Zvicër organizoi një “room tour” të detajuar të akomodimit ku po qëndron në Klosters.

    Ai shpjegoi se akomodimi i tij ndodhet rreth 20 kilometra larg aeroportit dhe se në Forumit Ekonomik Botëror është tashmë “njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë herë”, megjithëse, siç thotë ai, nuk ka qëndruar kurrë në Davos.

    “Kjo është një nga dhomat më të mira këtu. Do ta shihni, gjithçka është e thjeshtë, në përputhje me modestin zviceran. Mobiliet janë në stil IKEA, druri i thjeshtë, nuk ka asgjë të veçantë. Shtratet janë pak të shkurtra, fatmirësisht nuk ka kufizues, kështu që mund të shtrihem”, tha udhëheqësi, duke shtuar se “nuk e ka rregulluar gjithçka perfekt”.

    Ai veçoi veçanërisht edhe dollapin e improvizuar, ku, siç tregoi, këmishat janë vendosur në mënyrë të rregullt, dhe gjithashtu faktin që në “apartamentin special” ka mundësinë të bëjë vetë çaj.

    “Frigoriferi është i vogël. Interesant, këtu kanë vendosur një ujk”, tha Vuçiq, duke komentuar pamjen në mur, duke shpjeguar se ujku, sipas tij, është mysafir i zakonshëm në malet përreth, transmeton Telegrafi.

    Presidenti i Serbisë më pas tregoi dhomën e ndenjes ku pret mysafirët, materialet e punës dhe librat.

    Në fund ai zbuloi se do të kthehet mbrëmjen e sotme në Beograd.

    Ndryshe, Vuçiq ka pasur vetëm dy takime në Davos, atë me kryeministrin hungarez dhe me të Bosnje-Hercegovinës.

  • Kinezja tentoi të ikte nga Shqipëria me mbi 60 mijë euro të padeklaruara, kapet në Rinas

    Kinezja tentoi të ikte nga Shqipëria me mbi 60 mijë euro të padeklaruara, kapet në Rinas

    Një shtetase kineze ka tentuar të largohet nga Republika e Shqipërisë përmes Rinasit me një shumë të madhe parash të padeklaruara.

    Siç njofton Policia e Shtetit, e dyshuara me vete ka pasur mbi 60 mijë euro dhe 10 mijë dollarë, që nuk i kishte deklaruar.

    “Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të vendit, me objektiv parandalimin dhe konstatimin e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në bashkëpunim me shërbimet doganore, kanë goditur një tjetër rast të mosdeklarimit në pikën e kalimit kufitar të shumave të konsiderueshme të parave”.

    “Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen A. W., 45 vjeçe, me shtetësi kineze, të cilës gjatë kontrollit në vijën e dytë iu gjetën 61 755 euro dhe 10 000 dollarë amerikanë, që synonte t’i nxirrte nga Republika e Shqipërisë, pa i deklaruar konform ligjit”, tha Policia.

  • Djali i Nait Hasanit raportohet se është arrestuar në aksionin për manipulim votash në Prizren

    Djali i Nait Hasanit raportohet se është arrestuar në aksionin për manipulim votash në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren është duke e zhvilluar një aksion në lidhje me manipulimin me vota për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

    Nga kjo Prokurori kanë konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se aksioni është duke vazhduar dhe detaje të tjera priten të bëhen të ditura më vonë.

    Sipas raportimeve, në këtë aksion ka edhe të arrestuar. Një nga ta raportohet të jetë, Art Hasani, djali i Nait Hasanit të PDK-së.

    Djali i Hasanit dyshohet se ka ushtruar funksionin e komisionerit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.

    Përpos tij, deri më tani është konfirmuar se është arrestuar edhe një komisioner i partisë së udhëhequr nga Emilja Rexhepi, Nova Demokratska Stranka shkuan Reporteri.net

    Lajmin e ka konfirmuar avokati i të dyshuarit, Blend Gjini, i cili përfaqëson atë në këtë çështje.

    Aksioni është duke vazhduar.

  • Jonuz Salihaj: Nxënësit e lazdruar janë fëmijë inteligjentë, fajin e ka sistemi arsimor

    Jonuz Salihaj: Nxënësit e lazdruar janë fëmijë inteligjentë, fajin e ka sistemi arsimor

    Njohësi i arsimit Jonuz Salihaj, ka ngritur shqetësimin se shumë nxënës që në shkolla etiketohen si “të lazdruar” apo problematikë, në të vërtetë janë fëmijë me inteligjencë dhe aftësi të veçanta, por që nuk gjejnë mbështetjen e duhur nga sistemi arsimor.

    Ai ka treguar një rast konkret nga përvoja e tij, ku një nxënës i klasës së tretë shqetësonte mësuesen gjatë orës mësimore duke u futur në dollap, por megjithatë i përgjigjej saktë çdo pyetjeje që i bëhej. Sipas Salihajt, ky ishte një shembull i qartë i një fëmije super inteligjent, i cili nuk stimulohej siç duhet nga mësimdhënësja.

    “…Kur mësuesja nuk është në nivelin e duhur profesional dhe nuk di si ta motivojë një nxënës të tillë, ai fëmijë nuk e duron ligjëratën dhe reagon. Këta nuk janë fëmijë të lazdruar, por fëmijë me prirje dhe aftësi të veçanta…”, ka deklaruar Salihaj.

    Ai theksoi se përveç fëmijëve me nevoja të veçanta, ekzistojnë edhe fëmijë me talent të jashtëzakonshëm, për të cilët në vende të zhvilluara dhe në Evropë ekzistojnë programe të veçanta, madje edhe institucione prestigjioze si Akademia e Shkencave e Britanisë së Madhe që merren me ta.

    Sipas Salihajt, shoqëria jonë ka shumë fëmijë inteligjentë, por shpesh ata “i humbim” për shkak të mungesës së qasjes së duhur në shkolla. Ai fajëson drejtpërdrejt sistemin arsimor dhe jo nxënësit, duke paralajmëruar se përjashtimi i tyre nga klasa i çon drejt dëshpërimit.

    “…Kemi humbur shumë fëmijë të mirë, i kemi nxjerrë në rrugë dhe i kemi bërë rebelë. Këtu fajin e ka sistemi arsimor. Duhet një sistem me psikologë dhe me mësues të përgatitur për t’i kuptuar këta fëmijë…”, përfundoi Salihaj.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Jonuz Salihajt, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • ​Dy muaj paraburgim shtesë për ish-pjesëtarin e MPB-së serbe që dyshohet për rrëmbimin e Vukashinoviqit

    ​Dy muaj paraburgim shtesë për ish-pjesëtarin e MPB-së serbe që dyshohet për rrëmbimin e Vukashinoviqit

    Gjykata Themelore në Mitrovicë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj ish-pjesëtarit të MPB-së së Serbisë, V.M., i dyshuar për përfshirje në rrëmbimin dhe plagosjen e Millan Vukashinoviqit.

    Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj, ka konfirmuar se me kërkesë të Prokurorisë Themelore, paraburgimi ndaj të pandehurit është vazhduar nga 19 janari deri më 19 mars 2026.

    V.M. ishte arrestuar më 20 dhjetor 2025 në Leshak, në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte bërë të ditur se i dyshuari ishte ish-pjesëtar i MPB-së serbe, i integruar më herët në Policinë e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2013, nga ku më pas kishte dhënë dorëheqje.

    Sipas Sveçlës, ekzistojnë dyshime se V.M. ka bashkëpunuar vazhdimisht me strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe rastin e rrëmbimit të Millan Vukashinoviqit, i cili gjatë incidentit ishte plagosur rëndë dhe po trajtohet në një spital në Serbi.

    Pas urdhëresës së Gjykatës, Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, ku janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, një laptop, tri dokumente të formatit A4, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë dhe një tytë arme.

    Millan Vukashinoviq, shtetas i Republikës së Kosovës i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer më 1 nëntor 2025, në afërsi të Leposaviqit, nga xhandarmëria serbe.

    Për rastin, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka intervistuar nënën dhe persona të afërt të viktimës.

  • Rënia e numrit të nxënësve në Kosovë, alarmon njohësi i arsimit

    Rënia e numrit të nxënësve në Kosovë, alarmon njohësi i arsimit

    Rënia e vazhdueshme e numrit të nxënësve në Kosovë po shndërrohet në një nga sfidat më serioze për sistemin arsimor. Sipas njohësit të arsimit, Jonuz Salihaj, vendi po përballet me një situatë të paprecedentë, ku hapësirat shkollore ekzistojnë, por mungojnë nxënësit.

    “…Kurrë s’e kam mendu që kena me pasë hapësira shkollore, por jo edhe nxënës mjaftueshëm. I kemi hapësirat, por s’i kemi fëmijët…”, thekson Salihaj.

    Ai bën të ditur se vetëm brenda një viti shkollor, Kosova humb rreth 10 mijë nxënës, pa përfshirë nivelin parafillor. Sipas tij, në nivelet 1, 2 dhe 3 të arsimit – që përfshijnë arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë – çdo vit largohen nga sistemi arsimor rreth 9 mijë e 900 nxënës, kryesisht si pasojë e migrimit.

    “…Kurrë s’e kam mendu që kemi me ardhë në atë pozitë që brenda një viti shkollor, ne me i humb çdo vit shkollor nga 10 mijë nxënës…”, shtoi ai.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Jonuz Salihajt, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Cili lider ka humbur më së shumti vota deri më tani?

    Cili lider ka humbur më së shumti vota deri më tani?

    Procesi i rinumërimit të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka përfunduar rreth gjysmën e procesit në nivel vendi.

    Të dhënat e deritanishme tregojnë se ka pasur lëvizje në numrin e votave për shumë kandidatë, përfshirë edhe liderët e partive politike që garuan në këto zgjedhje.

    Sipas rezultateve aktuale të rinumërimit, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, rezulton me numrin më të madh të votave të hequra, gjithsej 319 vota më pak krahasuar me numërimin preliminar.

    Pas tij, Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka 109 vota më pak, ndërsa Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës ka humbur 14 vota.
    Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, rezulton me 3 vota më pak.

    Procesi i rinumërimit është ende në vazhdim, ndërsa autoritetet zgjedhore kanë paralajmëruar publikimin e të dhënave të reja gjatë ditëve në vijim.

  • Aksioni për manipulim votash, arrestohet një komisioner i partisë së Emilja Rexhepit në Prizren

    Aksioni për manipulim votash, arrestohet një komisioner i partisë së Emilja Rexhepit në Prizren

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren po zhvillon një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.

    Nga ky aksion, një person është arrestuar nën dyshimin për manipulim të votash.

    Lajmin për Tëvë1 e ka konfirmuar avokati i të dyshuarit, Blend Gjini, i cili përfaqëson klientin e tij në këtë çështje.

    Gjini bëri të ditur se i dyshuari është komisioner i partisë së Emilja Rexhepit dhe e konsideron arrestimin si të paligjshëm.

    “Është arrestuar për manipulim të votave, nuk ka asnjë provë që lidhet me këtë çështje të manipulimit. Është e çuditshme për mua si avokat imponimi i dorëzimit të telefonit menjëherë. Klienti e ka dorëzuar telefonin vullnetarisht dhe arrestimit. Arrestimi është i paligjshëm, prokuroria ka marrë vendim që të ndalohet për 48 orë”, tha Gjini.

    Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa Policia dhe Prokuroria nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi hetimin.