ATV

Category: Lajme

  • Flutura Kusari propozon që edhe në Kosovë të ndalohen me ligj rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Flutura Kusari propozon që edhe në Kosovë të ndalohen me ligj rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Ashtu sikurse Franca dhe Australia duhet të veprojë edhe Kosova.

    Kështu tha juristja e mediave, Flutura Kusari, referuar nismave ligjore të Francës dhe Australisë për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijë nën 16 vjeç.

    “Në Kosovë, ashtu si edhe në Francë dhe Australi, duhet me e ndalu me ligj përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeçare”, ka shkruar Kusari.

    Mbrëmë presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi që edhe senati francez i ka dhënë dritën e gjelbërt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijë nën 15 vjeç.

    “Kështu na kanë rekomanduar shkecëtarët dhe kështu po na kërkojnë francezët masivisht”, shkroi Macron në Facebook.

  • Rinumërohen rreth 74% e vendvotimeve, procesi përmbyllet në 27 komuna

    Rinumërohen rreth 74% e vendvotimeve, procesi përmbyllet në 27 komuna

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar rreth 74% apo 1,887 nga 2,557 vendvotime.

    Zëdhenësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë për Express se procesi është përmbyllur në 27 komuna.

    “Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e martë, 27 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar rreth 74% apo 1,887 nga 2,557 vendvotime”, tha Elezi.

  • Pas reshjeve të shiut, Sitnica del nga shtrati

    Pas reshjeve të shiut, Sitnica del nga shtrati

    Lumi Sitnica, zona në Lipjan, ka dalë nga shtrati në mëngjesin e së martës.

    Ndonëse në zonën në fjalë ka mbrojtëse, kjo tregon se reshjet e fundit kanë ngritur nivelin e lumit. Ende nuk është raportuar për dëme në ndonjë lokacion.

    Edhe para dy javësh në zonën e Lipjanit Sitnica pati dalë nga shtrati por pa shkaktuar dëme të theksuara, siç ndodhi nga vërshimet në komunat e tjera. E pavarësisht se dëme të theksuara pati në disa komuna, edhe kur janë bërë dy javë ende nuk ka bilanc për dëmet e shkaktuara. Dëme pati në Malishevë, Prizren, Lipjan, Shtime, Rahovec, Klinë Drenas, Deçan, Rahovec, Suharekë, Junik, Gjakovë, Fushë-Kosovë e Vushtrri.

    Si pasojë e gjendjes nga uji në mëngjes është mbyllur edhe aksi rrugor, Ferizaj-Gjilan, në segmentin tek fshati Sojevë për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë.

    Nga Policia është thënë se të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën alternative: Ferizaj – Mirosal – Gjilan dhe anasjelltas.

    “Rekomandohet kujdes i shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të shtuara dhe kushteve të vështirësuara atmosferike. U bëjmë thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësi i Policisë, Kanun Veseli.

    Ndërkohë, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, edhe gjatë të martës priten reshje shiu vende-vende.

  • Ambasada Gjermane në Kosovë përkujton viktimat e Holokaustit: Të mos harrojmë kurrë Aushvicin

    Ambasada Gjermane në Kosovë përkujton viktimat e Holokaustit: Të mos harrojmë kurrë Aushvicin

    Sot shënohet përvjetori i çlirimit të kampit famëkeq të përqendrimit Aushvic, i cili në vitin 1945 u çlirua nga Ushtria e Kuqe, duke zbuluar përmasat e paimagjinueshme të krimeve të kryera nga Gjermania naziste.

    Me këtë rast, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, së bashku me ambasadorin gjerman Rainer Rudolph dhe ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, kanë përkujtuar më shumë se një milion viktima që u vranë në Aushvic, mes tyre burra, gra dhe fëmijë hebrenj, si dhe shumë grupe të tjera të dënuara nga regjimi nazist.

    Në një mesazh përkujtimor, ambasada thekson se valixhet e ekspozuara sot në Muzeun e Aushvic-Birkenaut janë dëshmi të heshtura të vuajtjes dhe persekutimit nazist, duke treguar historinë e mijëra njerëzve që kaluan portat e kampit pa u kthyer më.

    Përveç hebrenjve, u përkujtuan edhe Sinti dhe Roma, të burgosurit politikë, personat me aftësi të kufizuara, homoseksualët, si dhe shumë të tjerë që u përndoqën dhe u vranë nga terrori nazist. Njëkohësisht, u nderuan edhe ata që i mbijetuan Holokaustit.

    Ambasada Gjermane thekson se, më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, numri i dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të Holokaustit po zvogëlohet, ndërsa brezat e rinj kanë gjithnjë e më pak lidhje personale me këtë periudhë të errët të historisë.

    “Ruajtja e kujtesës historike është thelbësore për të garantuar që këto krime të mos përsëriten kurrë më,” thuhet në mesazhin e ambasadës, duke nënvizuar rëndësinë e edukimit dhe kujtesës kolektive për të ardhmen.

  • Zgjatet afati për legalizimin e objekteve pa leje në Komunën e Drenasit

    Zgjatet afati për legalizimin e objekteve pa leje në Komunën e Drenasit

    Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit ka njoftuar se është zgjatur afati për paraqitjen e kërkesave për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimore.

    Sipas njoftimit, vendimi është marrë në mbështetje të një vendimi të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me të cilin afati për dorëzimin e aplikacioneve për procesin e legalizimit është zgjatur për dymbëdhjetë muaj.

    Me këtë vendim, qytetarëve të Komunës së Drenasit u mundësohet vazhdimi i paraqitjes së kërkesave për trajtimin administrativ të objekteve të ndërtuara pa leje, brenda periudhës së re të përcaktuar.

    Aplikimet për legalizim bëhen pranë Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit, në përputhje me procedurat dhe dokumentacionin e paraparë me legjislacionin në fuqi.

    Nga komuna u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që i plotësojnë kushtet ligjore që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë brenda afatit të caktuar.

  • India dhe BE-ja finalizojnë marrëveshje tregtare historike

    India dhe BE-ja finalizojnë marrëveshje tregtare historike

    India dhe Bashkimi Europian kanë arritur të martën një marrëveshje tregtare historike, ka njoftuar kryeministri i Indisë, Narendra Modi. Marrëveshja vjen në një kohë kur të dyja palët po kërkojnë të mbrohen nga pasiguritë në marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raportoi Reuters.

    Pas gati dy dekadash negociatash të ndërprera herë pas here, kjo marrëveshje hap rrugën që India të liberalizojë tregun e saj të madh dhe të mbrojtur për tregti të lirë me 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian, i cili është partneri më i madh tregtar i vendit.

    “Dje u nënshkrua një marrëveshje e madhe ndërmjet Bashkimit Europian dhe Indisë”, deklaroi Modi, duke shtuar se marrëveshja po konsiderohet globalisht si “amë e të gjitha marrëveshjeve”. Sipas tij, ajo do të krijojë mundësi të mëdha ekonomike për rreth 1.4 miliardë qytetarë të Indisë dhe për miliona njerëz në Europë.

    Gjatë ditës, Modi dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pritet të bëjnë një deklaratë të përbashkët në kuadër të samitit Indi–BE që po mbahet në Nju Delhi, ku do të publikohen edhe detajet e marrëveshjes.

    Tregtia ndërmjet Indisë dhe Bashkimit Europian arriti në 136.5 miliardë dollarë gjatë vitit fiskal që përfundoi në mars 2025. Marrëveshja Indi–BE vjen vetëm disa ditë pas nënshkrimit të paktit tregtar mes BE-së dhe bllokut të Amerikës së Jugut, Mercosur, si dhe pas marrëveshjeve të mëparshme me Indonezinë, Meksikën dhe Zvicrën.

    Në të njëjtën periudhë, India ka përmbyllur marrëveshje tregtare edhe me Britaninë e Madhe, Zelandën e Re dhe Omanin. Kjo valë marrëveshjesh pasqyron përpjekjet globale për të zvogëluar varësinë nga SHBA-ja, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka tensionuar marrëdhëniet me aleatët perëndimorë përmes tarifave dhe politikave të reja tregtare.

    Trump ka vendosur tarifa prej 50 për qind për mallrat nga India, ndërsa marrëveshja tregtare Indi–SHBA u prish vitin e kaluar pas ndërprerjes së komunikimit ndërqeveritar.

    Sipas një zyrtari indian të informuar me procesin, nënshkrimi formal i marrëveshjes Indi–BE pritet të bëhet pas përfundimit të verifikimeve ligjore, të cilat mund të zgjasin pesë deri në gjashtë muaj. “Ne presim që marrëveshja të hyjë në fuqi brenda një viti”, ka deklaruar ai.

  • Nis seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte Muhamet Alidemaj, pritet të jepet fjala përfundimtare

    Nis seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte Muhamet Alidemaj, pritet të jepet fjala përfundimtare

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin ndaj Muhamet Alidemajt i akuzuar për krime lufte në Izbicë më 1999, të martën pritet të jepet fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

    Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, në seancën fllestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë. Ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për dispozitivin e dytë, ku ngarkohej për zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

    Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

    Ndërsa, aktakuza thotë se burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit. Pas dy muajve, thuhet se i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

    Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/

  • Parlamenti francez miraton ndalimin e rrjeteve sociale për personat nën 15 vjeç

    Parlamenti francez miraton ndalimin e rrjeteve sociale për personat nën 15 vjeç

    Asambleja Kombëtare Franceze miratoi sot një ligj që u ndalon fëmijëve nën moshën 15 vjeç përdorimin e mediave sociale për shkak të rrezikut të ngacmimit online dhe shëndetit mendor.

    Ndalimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç në Francë do të hyjë në fuqi më 1 shtator të këtij viti.

    Projektligji u propozua nga anëtarët e grupit të Ringjalljes në Asamblenë Kombëtare.

    Projektligji tani do t’i dërgohet Senatit dhe duhet të shqyrtohet në mesin e shkurtit.

    Platformat e mediave sociale do të kenë kohë deri më 31 dhjetor për të çaktivizuar llogaritë ekzistuese që nuk përputhen me rregullat, raportuan mediat franceze.

  • Mbyllet aksi Ferizaj–Gjilan në Sojevë, shkak grumbullimi i ujit

    Mbyllet aksi Ferizaj–Gjilan në Sojevë, shkak grumbullimi i ujit

    Aksi rrugor Ferizaj–Gjilan, në segmentin tek fshati Sojevë, është mbyllur për qarkullim për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë, njoftojnë autoritetet lokale.

    Si pasojë, të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim po orientohen të shfrytëzojnë rrugën alternative Ferizaj–Mirosal–Gjilan dhe anasjelltas, deri në normalizimin e situatës.

    Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, pasi reshjet e shtuara kanë vështirësuar kushtet atmosferike dhe të rrugës.

    Po ashtu, kërkohet respektimi i sinjalizimit rrugor dhe përshtatja e shpejtësisë me kushtet aktuale.

    Ende nuk dihet se kur do të hapet sërish për qarkullim ky segment rrugor.

  • Australia ia anulon vizën influencuesit hebre për komentet rreth Islamit

    Australia ia anulon vizën influencuesit hebre për komentet rreth Islamit

    Ministri i Punëve të Brendshme i Australisë, Tony Burke, ka anuluar vizën e influencuesit hebre Sammy Yahood, vetëm disa orë para fluturimit të tij për në Australi.

    Personaliteti dhe aktivisti i mediave sociale me origjinë britanike ka shkaktuar polemika mbi pretendimet e tij, se Islami është një “ideologji vrasëse” dhe “nuk mund t’i besohet thjesht të ‘bashkëjetojë’” me shoqërinë perëndimore.

    “Është koha për të ndaluar Islamin. Është koha të ndalojmë së qeni tolerantë ndaj atyre që nuk janë tolerantë ndaj nesh”, shkroi ai në një postim në nëntor në X.

    Yahood kishte udhëtuar për në Australi për t’u drejtuar grupeve hebraike, përfshirë Shoqatën Australiane Hebraike, e cila kritikoi ashpër anulimin e vizës së tij.

    “Sammy Yahood ishte planifikuar të vizitonte Australinë për të folur në sinagogat kryesore në Sydney dhe Melbourne dhe për të marrë pjesë në një seri ngjarjesh me organizatat hebraike”, tha për Skynews.com.au CEO i AJA, Robert Gregory.

    “Në festën publike të Ditës së Australisë, vetëm tre orë para fluturimit të tij të planifikuar, Sammy u njoftua se viza e tij ishte anuluar. Synimi i vazhdueshëm i vizitorëve hebrenj nga qeveria australiane ka kontribuar në rritjen e antisemitizmit në Australi. Kjo përforcon shqetësimet e thella brenda komunitetit hebraik se, pavarësisht tmerrit të masakrës së Bondit dhe kërkimfaljes së vonuar të qeverisë, qeveria nuk ka ndryshuar dhe nuk ka qenë kurrë e vërtetë”, u tha ndër tjera.

    Burke më parë ka revokuar vizat e sipërmarrësit të teknologjisë Hillel Fuld dhe politikanit të djathtë izraelit Simcha Rothman, duke cituar deklaratat e tyre të kaluara në lidhje me Palestinën dhe luftën në Gaza.

    Në një deklaratë për Guardian Australia, Ministri i Punëve të Brendshme konfirmoi se viza e Yahood ishte anuluar për shkak të shqetësimeve se ai po “përhapte urrejtje”.

    Megjithatë, Yahood argumentoi se ai thjesht po “mbronte” Judaizmin dhe u ankua për vendimin e qeverisë australiane për të përqafuar “censurën”.

    “Tony Burke ka përdorur disa nga mendimet e mia publike mbi Islamin dhe 50,000 sulmet terroriste të kryera nga islamistët që nga 11 shtatori, dhe qartësinë time morale mbi këtë fakt, kundër hyrjes sime në Australi”, tha ai për Skynews.com.au.