ATV

Category: Lajme

  • Të premten protestohet para KEDS e Qeverisë kundër shtrenjtimit të rrymës

    Të premten protestohet para KEDS e Qeverisë kundër shtrenjtimit të rrymës

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me organizatën “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Protesta do të mbahet këtë të premte, duke filluar nga ora 13:00, pranë ndërtesës së KEDS-it dhe do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Në njoftimin e tyre për media, organizatorët kritikojnë rritjet e vazhdueshme të faturave të energjisë elektrike që nga viti 2022, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të dëmshme për qytetarët. Sipas tyre, KEDS-i ka kërkuar rritje të vazhdueshme të çmimeve, të cilat janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), në kurriz të mirëqenies së qytetarëve.

    “Qytetarët e Kosovës sot nuk paguajnë vetëm koston reale të rrymës, por edhe humbjet, keqmenaxhimin dhe gabimet e KEDS-it, vetëm për të garantuar fitime gjithnjë e më të mëdha për këtë kompani”, thuhet në deklaratë.

    Organizatat përmendin gjithashtu ndërprerjet e shpeshta të energjisë, mungesën e ngrohjes gjatë dimrit dhe rritjen e kostos së jetesës si pasoja direkte të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ato rikujtojnë rritjen prej 16.1% të miratuar vitin e kaluar dhe paralajmërimin për një tjetër rritje rreth 20% këtë vit, të cilën e konsiderojnë “zhvatje të hapur ndaj qytetarëve”.

    Sipas deklaratës, KEDS-i vazhdon të përfitojë nga energjia e prodhuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke e blerë atë me çmime të ulëta dhe duke ua shitur qytetarëve me çmime shumëfish më të larta. Organizatorët e protestës theksojnë se kjo situatë po thellon varfërinë dhe po dëmton rëndë interesin publik.

    Në kuadër të protestës, organizatat paraqesin dy kërkesa kryesore: refuzimin e menjëhershëm dhe pa ekuivok të kërkesës së KEDS-it për rritje të çmimeve të energjisë elektrike, si dhe nisjen e procesit për rikthimin e KEDS-it në pronësi publike, kërkesë kjo e mbështetur edhe nga sindikatat.

    “Ne i ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të na bashkohen në protestë. Vetëm së bashku mund ta ndalim këtë hajninë shumëvjeçare dhe ta rikthejmë energjinë elektrike në shërbim të popullit”, thuhet ne komunikatë.

    Njoftimi i plotë:

    Të ndëruara media,

    Ju njoftojmë se këtë të premte, një grup aktivistësh/esh, Kolektivi Feminist dhe Përpjekja kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Protesta nisë nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it dhe përfundon te Qeveria e Republikës së Kosovës.

    Ju ftojmë ta përcjellni.

    Më poshtë mund ta gjeni deklaratën tonë, së bashku me vegëzën e protestës:

    Që nga viti 2022 faturat e rrymës shtrejtohen në baza vjetore. KEDS-i kërkon rritje të faturave, ndërsa ZRrE-ja, si të ishte argat i tyre, ia aprovon çdo kërkesë në kurriz të popullit. Sot qytetarët/et e Kosovës nuk paguajnë vetëm koston e rrymës: ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, paguajmë për keqmenaxhimin e tyre, paguajmë për etjen e tyre të pafund e për çdo gabim që ata bëjnë, krejt kjo vetëm për t’i siguruar që xhepat e tyre të vazhdojnë të trashen në kurrizin tonë.

    Në shkëmbim ne prapë kalojmë ditë pa rrymë, me mosfurinizim të bollshëm, pa ngrohje në ditë dimri e me shtrenjtime të vazhdueshme të çdo aspekti të jetës sonë si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës. Pas rritjes prej 16.1% që na u bë në mënyrë grabitqare nga ZRrE-ja vitin e kaluar, edhe sivjet po na paralajmërohet një vjedhje tjetër, tash diku 20%. Kjo hile e radhës prapë po i bashkon institucione publike e private që për ta pasuru KEDS-in po na e kthejnë kamxhikun neve, për të na rrjepë deri në cent të fundit.

    KEDS-i vazhdon t’i mbledhë frytet e punës së punëtorëve/eve të KEK-ut që punojnë natë e ditë për ta prodhuar rrymën të cilën e blen shumë lirë e neve na e shet shumëfish. Përveç që vazhdon ta shfrytëzojë asetin publik dhe punën e dinjitetin e punëtorëve/eve të KEK-ut, KEDS-i, i ndihmuar vazhdimisht nga ZRrE-ja, po tenton të na varfërojë edhe më tej.

    Ky paralajmërim që vjen në formë kërcënimi periodik është haptazi zhvatje ndaj nesh. Të revoltuar/a dhe të vendosur/a ta mbrojmë veten dhe mirëqenien tonë kundër privatit dhe argatëve të tij shtetërorë, ne organizohemi dhe kundërshtojmë deri në fitore. Andaj, ne thërasim për protestë për këtë të premte, në ora 13:00 përballë zyreve të KEDS, që një zë të thërrasim për ndalimin e kësaj hajnije shumë-vjeçare. Duke e njoftë se etja e KEDS ndaj parave të qytetarëve/eve nuk do të shuhet vetvetiu ne kërkojmë që:

    Të refuzohet, pa asnjë paqartësi, kërkesa e KEDS për rritje të çmimeve.
    Të fillojë procesi i rikthimit të KEDS në duar të publikut.
    (kërkesa të sindikatës)
    Ftojmë të gjithë qytetarët/et e Kosovës që të na bashkohen në protestë. Së bashku, ne mund ta ndalim hajninë e KEDS, dhe të rikthejmë atë në duar të popullit të Kosovës!

  • Kosovarja kërkon drejtësi për gjyshin që i vdiq në aksident trafiku në Zvicër

    Kosovarja kërkon drejtësi për gjyshin që i vdiq në aksident trafiku në Zvicër

    “ Nuk kam fjalë kur një jetë njeriu e vlerësojnë me 800 franga”. Lejla Halilaj dhe familjarët tjerë kanë nisur një peticion.

    Feta Halilaj, 83 vjeç, vdiq në një aksident trafiku në nëntor të vitit 2023 – shoferi fajtor u gjobit me 800 franga. Mbesa e tij, Lejla Halilaj, dhe familja e saj janë të zhgënjyera me këtë dënim kaq të butë dhe tani po luftojnë për një dënim më të ashpër.

    Në një ditë nëntori të vitit 2023, në Horgen (ZH) ndodhi një aksident trafiku me pasoja fatale, transmeton albifo.ch. Pranë stacionit të autobusëve në Gehren, një burrë 83-vjeçar nga Kosova, Fetah Halilaj, u godit nga një furgon dhe u hodh disa metra – ai vdiq në vendngjarje nga plagët e rënda që mori.

    Por nuk ishte vetëm vdekja e papritur e të dashurit të tyre që preku thellë familjen. Ata kanë kaluar një kohë të vështirë pas aksidentit. Sepse: “Makina e shoferit pësoi dëme të cilat edhe vetëm ato duhet të kishin rezultuar në një gjobë më të lartë”, thotë Lejla Halilaj për blick.ch. Ajo tregon fotot që vërtetojnë se shoferi kishte mjete të montuara në kapakun e makinës së tij – një lopatë, një sëpatë dhe një kazmë. Ajo shton se ai “duket se po ngiste më shpejt se 50 km/orë e lejuar”.

    Pjesa më e keqe, sipas mbesës, është se “shoferi po përdorte celularin ndërsa ngiste”. Sipas Tages-Anzeiger, ai e kishte përdorur atë menjëherë para aksidentit. Në orën 11:50 të paradites, ai dërgoi një mesazh me tekst. Katërmbëdhjetë sekonda më vonë, ai bëri një pamje (screenshot) të ekranit të mesazhit. Pastaj, edhe 17 sekonda më vonë, ai telefonoi numrin e urgjencës së policisë pasi goditi 83-vjeçarin.

    Tronditja ishte e madhe kur javën e kaluar u shpall vendimi në Gjykatën e Qarkut Horgen. Shoferi mori një gjobë me kusht prej 180 tarifash ditore prej 30 frangash zvicerane secila, si dhe një gjobë prej 800 frangash zvicerane, transmeton albinfo.ch. Familja e viktimës është e indinjuar dhe e zhgënjyer: “Kjo ishte një shuplakë në fytyrë – mbetëm pa fjalë”, thotë mbesa dhe djali i të ndjerit, Lejla Halilaj dhe dhe i biri, Zeqë Halilaj.

    Ata kanë apeluar urdhrin e dënimit dhe tani po nisin një peticion online, me një qëllim të qartë: drejtësi

    Lejla thotë: “Ne prisnim të paktën një dënim me burg.” Familja nuk po kërkon para nga i akuzuari, por duam që ai të marrë një dënim të drejtë.

    Me urdhër ndëshkimi me gjobë të shkurtër, i akuzuari fillimisht mori një gjobë prej 1,000 frangash më 14 prill 2025 – kjo tani është ulur në 800 franga. Edhe pse gjykata e dënoi shoferin edhe me një gjobë prej 5,400 frangash, kjo është caktuar për një periudhë prove dyvjeçare.

    Me peticionin në fjalë ata po kërkojnë ligje më të rrepta në lidhje me aksidentet fatale.

    Lidhur me peticionin, Lejla Halilaj i është drejtuar edhe redaksisë së albinfo.ch me një letër, ku ajo, veç tjerash, shkruan:

    “Po ju shkruaj si e afërme e gjyshit tim, i cili në vitin 2023 u përplas për vdekje nga një makinë në një kalim për këmbësorë në Horgen. Ngjarja nuk na ka tronditur vetëm ne si familje, por ka lënë edhe një plagë të thellë në komunitetin tonë. Autori i aksidentit mori një dënim shumë të lehtë, i cili sipas mendimit tonë nuk është në përputhje me tragjedinë dhe humbjen e anëtarit tonë të dashur të familjes. Për këtë arsye, duam të tërheqim vëmendjen mbi këtë rast dhe kërkojmë drejtësi për gjyshin tonë. Për këtë qëllim, kemi nisur një peticion, të cilin dëshirojmë ta dorëzojmë tek publiku dhe autoritetet:

    “Ne duam të parandalojmë që diçka e tillë të ndodhë përsëri.” Peticioni kërkon një rishikim dhe përshtatje të rregulloreve ligjore në të drejtën e trafikut dhe atë penale. Në veçanti, ai kërkon vlerësime ligjore më të rrepta dhe më uniforme në aksidentet fatale të trafikut, thonë familjarët që kanë nisur peticionin.

    “Peticioni nuk drejtohet kundër asnjë individi, thekson mbesa dhe iniciatorja. Është vendosur një objektiv prej 3,000 nënshkrimesh”.

    Ajo tashmë ka marrë shumë përgjigje dhe shprehje mbështetjeje nga qytetarët. Të gjithë po i inkurajojnë ata dhe po u thonë të mos dorëzohen. “Jemi mirënjohës për mbështetjen e çdonjërit.”/Albinfo

  • Kryesisht vranët sot, maksimalja 12 gradë

    Kryesisht vranët sot, maksimalja 12 gradë

    Mot kryesisht me vransira dhe me erë po parashihet ditën e mërkurë. Më vonë gjatë mbrëmjes aty këtu priten mundësi për riga shiu. Frynë erë juglindore mesatarisht e fuqishme dhe fuqishme 7-14m/s, relieveve malore me hove mbi 20m/s (70km/h). Temperaturat minimale zbresin në 3C e 4C, ndërsa maksimalet shkojnë deri në 10C e 12C.

    Vransirat dominojnë ditën e enjtë, megjithëse herë pas here shfaqen intervale të shkurta me diell. Të premtën, pas mëngjesit me kthjellime dhe kushte për mjegull ultësirave, ditën vransirat shtohen dhe priten reshje të dobëta shiu. Temperaturat shënojnë rritje deri në 12C, të enjtën.

    Për të shtunën parashihen më shpesh intervale me diell, por me kalime të vransirave, paraqiten kushte për riga lokale shiu. Maksimalet, parashihet të shkojnë deri në 12C e 14C. Të dielen, sërish më shumë vransira dhe mundësi për shi kohëpaskohe. Minimalet ditëve vijuese luhaten ndërmjet 2C e 5C, njofton Mendimi për Motin.

  • MPB-ja vijon fushatën informuese për zbatimin e ligjit për të huajt dhe atë për automjete

    MPB-ja vijon fushatën informuese për zbatimin e ligjit për të huajt dhe atë për automjete

    Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po vazhdon aktivitetet informuese në kuadër të procesit të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.

    Këto aktivitete po realizohen edhe përmes shpërndarjes së broshurave informuese për qytetarët.

    Fushata informuese po zhvillohet në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës, si dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me qëllim të informimit të qytetarëve për zbatimin e këtyre dy ligjeve.

    Sipas MPB-së, qëllimi i kësaj fushate është informimi dhe vetëdijesimi i qytetarëve lidhur me procedurat ligjore për hyrje, qëndrim dhe punësim në Republikën e Kosovës, si dhe për rregullat dhe obligimet që kanë të bëjnë me drejtimin dhe qarkullimin e automjeteve në territorin e vendit.

    Mes të tjerash, në njoftimin e Ministrisë thuhet:

    Ministria e Punëve të Brendshme, përmes të gjitha mekanizmave në dispozicion, po zhvillon një fushatë të strukturuar dhe gjithëpërfshirëse përmes formave të ndryshme të komunikimit, me synimin që mesazhet kryesore lidhur me hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve të arrijnë te të gjithë qytetarët.

    Fushata informuese do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me synimin për të lehtësuar qasjen në informata dhe për të siguruar respektimin e legjislacionit në fuqi.

    Ministria e Punëve të Brendshme falënderon Policinë e Kosovës dhe të gjithë zyrtarët e angazhuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë realizimit të kësaj fushate, si dhe shpreh mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin e tyre.

    Ju urojmë mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Republikën e Kosovës.

  • Macron thotë se po zhvillohen përgatitjet teknike për bisedimet me Putinin

    Macron thotë se po zhvillohen përgatitjet teknike për bisedimet me Putinin

    Presidenti francez Emmanuel Macron tha se përgatitjet për bisedime me udhëheqësin rus Vladimir Putin janë duke u zhvilluar.

    “Përgatitjet janë duke u zhvilluar aktualisht dhe diskutimet teknike mbi këtë çështje janë duke vazhduar”, u tha ai gazetarëve ndërsa udhëtonte për në departamentin e Saone-s së Epërme.

    Macron vuri në dukje se konsultimet për këtë çështje po zhvillohen gjithashtu me partnerët evropianë dhe Vladimir Zelenskyn. Ai shtoi se po bëhen gjithashtu përgatitje për diskutime të ardhshme mbi përfundimin e konfliktit ukrainas nën kujdesin e të ashtuquajturit Koalicion i të Gatishmëve, si pjesë e përpjekjeve për të zhvilluar garanci sigurie për Kievin.

  • Kurti: 26 vjet pa drejtësi për spastrimin etnik në veri të Mitrovicës

    Kurti: 26 vjet pa drejtësi për spastrimin etnik në veri të Mitrovicës

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 26-vjetorin e natës së 3 dhe 4 shkurtit 2000, kur forcat policore të Serbisë, në bashkëpunim me grupin paraushtarak kriminal të njohur si “Rojet e urës”, kryen spastrim etnik në pjesën veriore të Mitrovicës, duke dëbuar me dhunë mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre.

    Sipas Kurtit, nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, shqiptarët u detyruan të largohen drejt jugut të lumit Ibër, ndërsa gjatë këtij aksioni kriminal u vranë 10 qytetarë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë.

    Ai përmendi edhe emrat e viktimave të asaj nate tragjike, nga mosha 13 deri në 65 vjeç.

    Kryeministri në detyrë theksoi se spastrimi etnik në Mitrovicë ndodhi vetëm shtatë muaj pas çlirimit të Kosovës, në një periudhë kur në vend ishin të pranishme forcat paqeruajtëse dhe administrata ndërkombëtare.

    Megjithatë, gjatë shkurtit të vitit 2000, përmes strukturave të saj të sigurisë, Serbia arriti të dëbojë nga Mitrovica 1.564 familje shqiptare, me gjithsej 11.364 anëtarë.

    “Edhe sot, 26 vjet më pas, drejtësia për këtë krim mbetet e paplotë”, theksoi Kurti, duke shtuar se viktimat dhe familjet e dëbuara vazhdojnë të përballen me pasojat e rënda të humbjeve dhe dëmeve të pësuara.

    Ai vuri në pah se për më shumë se dy dekada, mijëra shqiptarë të dëbuar nga Mitrovica nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre, ndërsa kthimi ka filluar vetëm vitet e fundit, pas shtrirjes së sovranitetit, sundimit të ligjit dhe kontrollit institucional në veri të vendit.

    Sipas tij, gjatë katër viteve të fundit janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 150 shtëpi në katër komunat veriore, ndërsa si shembull përmendi rastin e Mustafë Behramit, i cili në vitin 2024 u kthye për të jetuar me familjen në shtëpinë e ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.

    Kurti theksoi se sot, ndryshe nga viti 2000, Mitrovica është qytet ku jetojnë së bashku qytetarë të të gjitha komuniteteve, nën angazhimin e institucioneve për barazi, ligjshmëri dhe sundim të ligjit.

  • Dënohet me burgim dhe gjobë E.K. për vjedhje të rëndë në Pejë

    Dënohet me burgim dhe gjobë E.K. për vjedhje të rëndë në Pejë

    Gjykata Themelore në Pejë, departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtaren e vetme gjykuese Blerta Kelmendi, ka shpallur aktgjykimin përmes video-lidhjes/video-incizimit, ndaj të pandehurit E.K., për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhja”.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjykata e ka shpallur të pandehurin fajtor për pikat III dhe IV të aktakuzës dhe pas unifikimit të dënimeve e ka dënuar me dënim unik me gjobë 800 (tetëqind) euro dhe dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 02.07.2025.

    Për pikat I, II dhe V të aktakuzës, gjykata ka refuzuar akuzën në bazë të dispozitave ligjore përkatëse, meqenëse Prokurori i Shtetit ka hequr dorë nga aktakuza.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

  • PZAP-ja aprovon ankesën e Listës Serbe, i refuzon gjashtë të tjera

    PZAP-ja aprovon ankesën e Listës Serbe, i refuzon gjashtë të tjera

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe dhe ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të shpallë rezultatet përfundimtare për këtë subjekt politik dhe kandidatët e tij në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Ky panel ka refuzuar gjashtë ankesa të tjera.

    Vendimi është marrë në seancën e mbajtur sot (3 shkurt), ku PZAP ka konstatuar se refuzimi i KQZ-së për publikimin e rezultateve për Listën Serbe ka qenë i pajustifikuar dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në vendim thuhet se KQZ-ja, në mbledhjen e 31 janarit 2026, kishte shpallur rezultatet përfundimtare për subjektet e tjera politike, por jo edhe për Listën Serbe, pasi votimi për këtë subjekt nuk kishte marrë shumicën e dy të tretave të votave të anëtarëve të KQZ-së.

    Sipas PZAP-së, një shpallje e pjesshme e rezultateve përfundimtare nuk ka bazë ligjore, pasi të gjitha procedurat e numërimit dhe rinumërimit të votave kishin përfunduar për të gjitha subjektet politike pa përjashtim. Paneli ka vlerësuar se një veprim i tillë cenon parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor.

    PZAP ka theksuar gjithashtu se KQZ-ja nuk ka ofruar asnjë arsyetim ligjor për refuzimin e shpalljes së rezultateve për Listën Serbe, duke e cilësuar vendimin si të mangët dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregulloret zgjedhore.

    Në bazë të kësaj, Paneli ka ndryshuar pikën III të vendimit të KQZ-së dhe ka urdhëruar shpalljen e rezultatit përfundimtar për Listën Serbe dhe kandidatët e saj, shkruan Reporteri.net

    Kundër këtij vendimi është e lejuar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të vendimit.

  • Kush ishte Jeffrey Epstein?

    Kush ishte Jeffrey Epstein?

    Ai lindi më 20 janar 1953 në Brooklyn, New York. Prindërit e tij ishin hebrenj amerikanë, pjesë e komunitetit hebre urban të Nju Jorkut. Nuk vinte nga familje e pasur apo elitare. Babai punonte si kopshtar për bashkinë, nëna si ndihmëse shkollore.

    Jeffrey Epstein ndër vite u bë një financier amerikan, shumë i pasur dhe shumë i lidhur me njerëz të pushtetshëm. Zyrtarisht merrej me investime. Në realitet u bë i famshëm për një nga skandalet më të rënda të abuzimit seksual në dekadat e fundit.

    Ai akuzohej se për vite me radhë kishte krijuar një rrjet trafikimi dhe shfrytëzimi seksual të vajzave të mitura. Vajzat rekrutoheshin me premtime pune apo parash dhe dërgoheshin në rezidencat e tij në SHBA, Karaibe dhe gjetkë.

    Ajo që e bën çështjen edhe më të rëndë është rrethi i tij shoqëror. Epstein kishte kontakte të drejtpërdrejta me politikanë, biznesmenë, akademikë, figura mbretërore dhe njerëz shumë me ndikim ndërkombëtar. Kjo ngriti dyshime serioze se ai jo vetëm abuzonte, por edhe shantazhonte njerëz të fuqishëm.

    Në vitin 2008 ai u dënua lehtë, çuditërisht lehtë, për krime të rënda. Kjo ushqeu bindjen se ishte i mbrojtur. Në vitin 2019 u arrestua sërish për trafikim seksual të të miturve. Pak javë më vonë u gjet i vdekur në burg. Zyrtarisht u shpall vetëvrasje, por shumë njerëz nuk e besojnë këtë version.

    “Dosjet Epstein” janë dokumente gjyqësore, lista emrash, dëshmi dhe lidhje që tregojnë se sa i thellë ishte rrjeti i tij dhe sa shumë njerëz të fuqishëm u përfshinë ose u mbrojtën.

    Me pak fjalë, Epstein nuk ishte thjesht një pervers i pasur. Ishte nyje e errët mes parasë, pushtetit, krimit dhe hipokrizisë globale.

    Si dhe kush e zbuloi Dosjen Epstein?

    Dosja Epstein nuk doli nga qielli dhe as nga ndonjë shërbim sekret. U zbulua hap pas hapi, nga këmbëngulja e viktimave, disa gazetarë kokëfortë dhe pak prokurorë që nuk pranuan ta mbyllnin gojën.

    Gjithçka nisi në fillim të viteve 2000. Vajza të reja në Florida filluan të denonconin Jeffrey Epstein për abuzim seksual. Policia lokale e hetoi dhe në vitin 2005 u ngritën akuza serioze. Por në vitin 2008, Epstein arriti një marrëveshje skandaloze me prokurorin federal Alexander Acosta. Dënim minimal. Pa burg real. Pa hetim të rrjetit. Kjo ishte pika ku shumë gjëra u mbuluan.

    Dosja u ringjall falë gazetarëve hulumtues. Sidomos Julie K. Brown e Miami Herald. Ajo publikoi në vitin 2018 serinë investigative “Perversion of Justice”, ku tregoi si ishte fshehur rasti, si ishin heshtur viktimat dhe si ishte mbrojtur Epstein nga sistemi. Ky investigim e detyroi drejtësinë amerikane ta rihapte çështjen.

    Në vitin 2019 Epstein u arrestua sërish, kësaj here nga prokuroria federale e New Yorkut, për trafikim seksual të të miturve. Pas arrestimit, dolën dokumente gjyqësore, dëshmi të viktimave, regjistra fluturimesh, lista kontaktesh. Këto u quajtën në publik “Dosjet Epstein”.

    Një pjesë tjetër doli nga procesi civil i Virginia Giuffre kundër Ghislaine Maxwell. Në këto dokumente u përmendën emra njerëzish shumë të fuqishëm. Jo të gjithë të përfshirë domosdoshmërisht në krime, por mjaftueshëm sa për të treguar sa i thellë ishte rrjeti.

    Pas vdekjes së Epstein në burg në vitin 2019, presioni publik u rrit edhe më shumë. Gjykatat nisën të hapnin dokumente të mbyllura prej vitesh. Në vitet 2023–2024 u publikuan pjesë të tjera të dosjeve, duke konfirmuar se sistemi për vite me radhë kishte zgjedhur të mos shihte.

    Pra, nuk e zbuluan “të fortët”. E zbuluan viktimat që nuk heshtën, gazetarët që nuk u trembën dhe presioni publik që nuk u shua. Dhe kjo është arsyeja pse dosja Epstein mbetet e rrezikshme edhe sot. Jo për atë që dihet, por për atë që ende është fshehur.

    Si u pasurua Epsteini?

    Epstein nuk u pasurua në mënyrë klasike. Nuk ndërtoi kompani, nuk shpiku asgjë, nuk la pas ndonjë gjurmë normale biznesi.

    Fillimi i tij ishte modest. Në vitet 1970 punonte si mësues matematike në një shkollë private në New York. Pa diplomë universitare. Pastaj, papritur, kalon në financë. Kjo është pika e parë e errët.

    Në fund të viteve 1970, ai u punësua në bankën investuese Bear Stearns, falë një klienti të pasur që e rekomandoi. Edhe aty nuk qëndroi gjatë. U largua në rrethana të paqarta, por kishte bërë lidhje.

    Hapi i madh ndodhi kur u afrua me Leslie Wexner, miliarder amerikan dhe pronar i imperiumit Victoria’s Secret. Wexner i dha Epstein-it diçka që nuk ia jep askujt:
    kontroll pothuajse të plotë mbi financat e tij personale.

    Për vite me radhë, Epstein menaxhoi pasurinë e Wexner-it. Në këtë periudhë, ai fitoi rezidenca luksoze, përfshirë vilën famëkeqe në New York, që në fakt iu transferua nga vetë Wexner për një çmim simbolik. Kjo është e dokumentuar.

    Më pas Epstein krijoi një firmë private, J. Epstein & Co., që pretendonte se menaxhonte pasuri vetëm për miliarderë. Por firma kishte shumë pak klientë të njohur. Nuk ka bilance publike. Nuk ka transparencë. Asnjë rekord normal për një njeri kaq të pasur.

    Këtu fillon misteri i vërtetë.
    Ai jetonte si miliarder, por askush nuk e dinte saktë nga vinte paraja. As bankierët, as gazetarët financiarë. Shumë analistë thonë se ai fitonte jo nga investimet, por nga ndërmjetësimi i sekreteve. Lidhje. Informacion. Shantazh.

    Kjo shpjegon pse rrethi i tij përfshinte politikanë, princa, akademikë, shefa shërbimesh dhe njerëz shumë të fuqishëm. Ai nuk ishte thjesht financier. Ishte njeri që dinte gjëra.

    Me pak fjalë
    Epstein nuk u bë i pasur sepse ishte gjeni i financës.
    U bë i pasur sepse u bë i dobishëm për njerëz shumë të fuqishëm.
    Dhe kur u bë i rrezikshëm, historia e tij mori fund në një qeli burgu.

  • Osmani takohet me presidentin e Sierra Leones, flasin për bashkëpunim mes dy vendeve

    Osmani takohet me presidentin e Sierra Leones, flasin për bashkëpunim mes dy vendeve

    Presidentja Vjosa Osmani njoftoi se është takuar me presidentin e Sierra Leones, Julius Maada Bio, gjatë vizitës së saj në Emiratet e Bashkuara Arabe.

    “Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, në përfitim të qytetarëve tanë dhe për adresimin e sfidave të përbashkëta”, tha ajo.

    Osmani shtoi se “Kosova mbetet e përkushtuar të ndërtojë partneritete të forta e të qëndrueshme me vende në mbarë botën”.

    Presidentja më herët njoftoi se kishte shkuar në Emirate për të marrë pjesë në World Governments Summit.