ATV

Category: Lajme

  • Spiropali: Shqipëria angazhohet diplomatikisht për mbrojtjen e luftës së UÇK-së

    Spiropali: Shqipëria angazhohet diplomatikisht për mbrojtjen e luftës së UÇK-së

    Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ka komentuar miratimin e deklaratës së Kuvendit të Shqipërisë në mbrojtje të liderëve të UÇK-së në Hagë.

    Përmes një postimi në Facebook, Spiropali tha se Kuvendi i Shqipërisë foli njëzëri për të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës dhe për dinjitetin e atyre që e mbajtën mbi supe atë barrë historike.

    “Ishte një zë që nuk vinte vetëm nga salla e parlamentit, por nga kujtesa e një kombi që e di çfarë do të thotë të luftosh për liri”, shkroi ajo.

    Ajo shtoi se Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e përshëndet këtë deklaratë dhe angazhohet plotësisht për zbatimin e saj në çdo forum ndërkombëtar, me dinjitet, me përkushtim dhe me respekt të palëkundur për të vërtetën historike.

    “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte një kapitull i errët, por një dritë në një kohë të errët për gjithë kombin shqiptar. Ajo ishte një luftë për mbijetesë, për dinjitet dhe për të drejtën themelore të një populli për të jetuar i lirë në tokën e vet. Kjo e vërtetë nuk është çështje interpretimi politik; është pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive”, theksoi tutje ajo.

    Po ashtu, ministrja shtoi se Shqipëria qëndron pranë Kosovës, me solidaritet të plotë dhe me besimin se drejtësia duhet të jetë e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me të vërtetën historike.

    Sipas Spiropalit, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të ndërmarrë çdo hap diplomatik për të mbrojtur këtë të vërtetë, për të kundërshtuar çdo përpjekje për barazimin e viktimës me agresorin dhe për të siguruar që zëri i Shqipërisë dhe i Kosovës të dëgjohet qartë në çdo tryezë ndërkombëtare.

    “Sepse liria e Kosovës është një kapitull i përbashkët i historisë sonë, dhe dinjiteti i saj është dinjiteti i gjithë kombit shqiptar”.

  • Zyrtari gjerman viziton Kosovën, uron konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë

    Zyrtari gjerman viziton Kosovën, uron konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë

    Sekretari parlamentar i Shtetit i Ministrisë Federale Gjermane të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Frank Schwabe, është duke zhvilluar vizitë në Kosovë

    Ambasada gjermane në Kosovë, ka deklaruar se kjo vizitë vjen në një moment veçanërisht historik.

    “Vizita e tij përkon me konstituimin e parlamentit të ri dhe formimin e qeverisë – ngjarje që ai ishte në gjendje të dëshmonte nga dora e parë duke marrë pjesë në të dy seancat e kuvendit. Ai ka qenë edhe ndër të parët që ka uruar kryeministrin Albin Kurti për formimin e qeverisë së re”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

    Gjatë qëndrimit të tij, Schwabe është takuar me ministren e sapoemëruar të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe Glauk Konjufcën, pak orë para emërimit të tij si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme.

    Sipas njoftimit, takimet u fokusuan në vlerësimin e gjendjes së marrëdhënieve dypalëshe dhe identifikimin e fushave të reja për bashkëpunim.

    “Ajo që ishte planifikuar si vizitë e rregullt, shpejt u shndërrua në një dinamikë veçanërisht dhe angazhuese, e formësuar nga zhvillimet politike të Kosovës që lëvizin shpejt”.

  • Avokati i Rexhep Selimit sfidon Prokurorinë: A ishte Adem Jashari pjesë e ndërmarrjes kriminale?

    Avokati i Rexhep Selimit sfidon Prokurorinë: A ishte Adem Jashari pjesë e ndërmarrjes kriminale?

    Avokati i Rexhep Selimit, Jeoffrey Roberts, ka sfiduar Prokurorinë e Hagës.

    Ai ka pyetur nëse Adem Jashari ishte pjesë e Ndërmarrjes Kriminale.

    “Një emër që përmendet është Adem Jashari, që ka qenë shumë i përmendur. Është përmendur në luftimet e Prekazit 1998, fillim të marsit, nga Prokuroria. E anashkalojnë masakrën e kësaj familje. Përmenden disa raste sikur janë takuar në 1992. Apo që është prezantuar me z.Selimi nga Sylejman Selimi më 1994. Përfundimi i logjikshëm që ka nxjerr ZPS-ja nga këto situata, është se këto lidhje mes të akuzuarve dhe z.Jashari janë relevante për argumentet e ZPS-së për NPK-në.

    Mendoj që këtë e bëjnë sepse sipas tyre edhe z.Jashari është anëtar i pretenduar i Ndërmarrjes Kriminale që nuk ia përmendin emrin. Nuk mund të diskutosh thelbin e NPK-së, dhe të pretendosh që çdo anëtar i lartë në UÇK paska qenë pjesë e NPK-së. Nëse e pyet Prokurorinë, a ka qenë z.Jashari pjesë e NPK-së, sepse nëse do të ishte kështu, do të duhej të vërtetonin. Shpresoj që ju një moment t’i bëni këto pyetje”, tha ai.

    Roberts ka thënë se klienti i tij është tërësisht i pafajshëm për të gjitha krimet pretenduara në aktakuzë.

    “Selimi është tërësisht i pafajshëm për secilën prej krimeve të pretenduara në aktakuzë”, tha ai.

    Roberts theksoi se Prokuroria nuk ka arritur që të vërtetojë asnjë prej pretendimeve të saj.

    “ZPS-ja thjesht nuk ka arritur që të përmbush detyrimin e saj për të vërtetuar asnjërën prej këtyre krimeve të pretenduara përtej dyshimit të arsyeshëm”, tha Roberts.

  • Tahiri: Në orën 19:00 miratohet rezoluta për çlirimtarët që gjenden padrejtësisht në Hagë

    Tahiri: Në orën 19:00 miratohet rezoluta për çlirimtarët që gjenden padrejtësisht në Hagë

    Shefi i Grupit Parlmetar të AAK-së Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se sot do të mbahte seancë e Kuvendit të Kosovës në orën 19:00.

    Ai në një konferencë për media tha se do të diskutohet tri tema.

    “Do të këtë një seancë në orën 19:00, do të jenë tri tema. E para lidhet me ndarjen e komisioneve, që është një procedurë standarde. Tema e dytë është për ndarjet buxhetore, ndërsa tema më e rëndësishme lidhet me një rezolutë të cilën Kuvendi i Kosovës do ta miratojë në orën 19:00, sa i përket çlirimtarëve tonë të cilët gjenden padrejtësisht në Hagë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka një dakordim me tekstin e kësaj rezolute”, tha ai.

  • Seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, në rend dite edhe buxheti

    Seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, në rend dite edhe buxheti

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sonte në ora 19:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit.

    Vendimi është bërë i ditur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    Në rendin e ditës të seancës së jashtëzakonshme do të jetë edhe shqyrtimi i buxhetit.

  • KRU “Bifurkacioni” vazhdon aksionin për shkyçjen e konsumatorëve me borxhe në Ferizaj, Kaçanik dhe Han të Elezit

    KRU “Bifurkacioni” vazhdon aksionin për shkyçjen e konsumatorëve me borxhe në Ferizaj, Kaçanik dhe Han të Elezit

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” ka bërë të ditur se po vazhdon aksioni për verifikimin dhe shkyçjen e konsumatorëve individualë dhe komercialë që kanë borxhe ndaj kompanisë së ujësjellësit.

    Sipas njoftimit, vetëm gjatë muajit janar janë zhvilluar takime me rreth 300 konsumatorë, të cilët janë verifikuar lidhur me detyrimet e tyre financiare, ndërsa një pjesë e tyre janë shkyçur nga rrjeti për shkak të mospagesës së borxheve.

    KRU “Bifurkacioni” paralajmëron se të gjithë konsumatorët në zonat e shërbimit në komunat e Ferizajt, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit do të përballen me shkyçje nga rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit nëse nuk e rregullojnë situatën e borxhit.

    Kompania ka apeluar që konsumatorët me borxhe të mos rikyçen ilegalisht në rrjet, por të kryejnë pagesat për të siguruar furnizim të rregullt me ujë dhe për të shmangur procedurat e përmbarimit.

    Po ashtu, “Bifurkacioni” ka bërë të ditur se ofron mundësi bashkëpunimi për shlyerjen e detyrimeve përmes riprogramimit të borxheve. Për amvisëritë, parashihet pagesë fillestare prej 10 për qind të borxhit total, ndërsa pjesa tjetër mund të paguhet në 12 deri në 36 këste. Ndërsa për bizneset, pagesa fillestare është 20 për qind e borxhit total, me mundësi riprogramimi në 12 deri në 36 këste për pjesën e mbetur.

    Kompania ka theksuar se aksioni do të vazhdojë në terren dhe se masat do të zbatohen në përputhje me rregulloret dhe procedurat në fuqi.

  • Shefi i NATO-s: Serbia të përmbushë zotimin për llogaridhënie për sulmin në Banjskë, dialogu Kosovë–Serbi thelbësor

    Shefi i NATO-s: Serbia të përmbushë zotimin për llogaridhënie për sulmin në Banjskë, dialogu Kosovë–Serbi thelbësor

    Shefi i NATO-s, Mark Rutte, pas takimit të ministrave të Mbrojtjes, në një konferencë për media foli për rëndësinë e takimit dhe për temat aktuale të sigurisë në Ukrainë, Moldavi dhe për të ardhmen e Aleancës.

    Ai komentoi edhe për rolin e NATO-s në Ballkan, për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe misionin në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe për kontributin e Aleancës në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në rajon shkruan Telegrafi.

    Rutte ka ripërsëritur edhe sot se NATO pret nga Serbia përgjegjësi dhe llogaridhënie nga ata që kryen sulmin në shtator të vitit 2023 në Banjskë.

    “Mendoj se dialogu Prishtinë–Beograd është shumë i rëndësishëm. NATO e mbështet plotësisht këtë proces. Dhe, siç e theksova edhe dje, është po ashtu thelbësore që të ketë llogaridhënie për atë që ndodhi në vitin 2023 në Banjskë dhe për ngjarje të tjera. Presidenti i Serbisë ka premtuar se do ta sigurojë këtë llogaridhënie dhe ne presim që ai ta përmbushë këtë zotim së shpejti”, tha ai.

    Në konferencë, shefi i NATO-s u fokusua kryesisht në luftën në Ukrainë dhe në të ardhmen e buxhetit të Aleancës. Telegrafi po mbulon këtë takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s.

  • 1 vit burgim për shmangie nga sigurimi i mjeteve për jetesë

    1 vit burgim për shmangie nga sigurimi i mjeteve për jetesë

    Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.B., duke e dënuar me një (1) vit burgim për veprën penale “shmangia nga sigurimi i mjeteve për jetesë”, sipas nenit 245 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Sipas njoftimit të gjykatës, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi e shpalli fajtor të pandehurin. Dënimi me burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

    I pandehuri akuzohet se nga 12 marsi 2019 deri më 25 janar 2023 ka shmangur detyrimin për të siguruar mjete jetese për dy fëmijët e tij të mitur, në kundërshtim me një aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Ferizaj.

    Sipas vendimit, ai ishte i obliguar të paguante 150 euro në muaj për secilin fëmijë, pra gjithsej 300 euro në muaj, në emër të alimentacionit, për aq kohë sa ekzistonin kushtet ligjore.

    Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa parashtrohet në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.

  • Dyshimet për manipulim me vota, ndalohen për 48 orë shtatë kryesues në Klinë

    Dyshimet për manipulim me vota, ndalohen për 48 orë shtatë kryesues në Klinë

    Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se shtatë kryesues në Klinë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për manipulim me vota, shkruan Reporteri.net.

    Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës të pandehurve në procedurë penale në gjykatën kompetente.

    “Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, njofton opinionin publik se, pas autorizimeve të dhëna për Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës lidhur me procesin hetimor për numërimin e votave në komunën e Klinës, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve komisionerë dhe kryesues të vendvotimeve. Pas intervistimit të tyre, me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë, janë ndaluar për 48 orë shtatë (7) kryesues të vendvotimeve në këtë komunë. Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës të pandehurve në procedurë penale në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.

  • Prodhuesit ukrainas të armëve marrin licencat e para të eksportit në kohë lufte

    Prodhuesit ukrainas të armëve marrin licencat e para të eksportit në kohë lufte

    Prodhuesit ukrainas të armëve kanë marrë licencat e para për eksport gjatë kohës së luftës, ka njoftuar sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov.

    Vendimi për të lejuar eksportin e armëve konsiderohet politikisht i ndjeshëm, pasi Ukraina vazhdon luftën kundër Rusisë. Megjithatë, autoritetet në Kiev synojnë që përmes eksporteve të sigurojnë fonde shtesë për zgjerimin e industrisë vendase të mbrojtjes, si dhe të përdorin teknologjinë dhe armët inovative si mjet diplomatik për forcimin e aleancave ndërkombëtare.

    Umerov nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të kompanive që kanë marrë licencë, por ka theksuar se kapaciteti vjetor i prodhimit të Ukrainës në sektorin e mbrojtjes tejkalon 55 miliardë dollarë. Ai shtoi se komisioni qeveritar ndërinstitucional përgjegjës për miratimin e eksporteve ka zhvilluar tashmë mbledhjen e tij të parë pas tetë muajsh.

    Që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, industria e mbrojtjes në Ukrainë ka shënuar rritje të ndjeshme, duke përfshirë tani mbi 1,000 kompani, shumica prej të cilave janë ndërmarrje të reja në sektorin privat.