ATV

Category: Lajme

  • Seanca për buxhetin 2026 shtyhet për të hënën

    Seanca për buxhetin 2026 shtyhet për të hënën

    Pas diskutimeve me shefat e grupeve parlamentare, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca për miratimin e buxhetit është shtyrë për të hënën nga ora 10:00.

    Votimi i buxhetit për vitin 2026 në lexim të parë hasi në kundërshtimet e partive opozitare, të cilat kërkuan më shumë kohë për ta lexuar dokumentin 700-faqësh. Deputetët e opozitës thanë se duhet ta lexojnë dokumentin për të pasur mundësi që të bëjnë propozime.

    Pas konsultimeve me shefat e grupeve parlamentare, Haxhiu vendosi ta shtyjë seancën.

    Buxheti për vitin 2026 është në vlerë 4 miliardë euro dhe përfshin edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, pagën e 13-të do ta marrin ata që kanë mbi 12 muaj në punë.

    Për të hyrë në fuqi si ligj, buxheti duhet të miratohet edhe në lexim të dytë.

    LEXONI EDHE:

    Buxheti 2026, Murati: Është emergjencë, do ta miratojmë një tjetër muajin e ardhshëm

  • Buxheti 2026, Murati: Është emergjencë, do ta miratojmë një tjetër muajin e ardhshëm

    Buxheti 2026, Murati: Është emergjencë, do ta miratojmë një tjetër muajin e ardhshëm

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se buxheti i planifikuar për vitin 2026 është një buxhet emergjence dhe ka kërkuar nga partitë opozitare që ta mbështesin deri në miratimin e një buxheti të rishikuar, i cili sipas tij do të ndodhë më së largu muajin e ardhshëm.

    “Synimi ishte një buxhet emergjence, ta kemi një urë lidhëse derisa ta miratojmë një buxhet të rishikuar, më së largu muajin e ardhshëm. Zgjatja buxhetore për muajin mars siguron vetëm shpenzimet rrjedhëse. Çdo prokurim i ri i komunave është i bllokuar pa u miratua buxheti”, ka thënë Murati në Kuvend.

  • Altin Dumani nis trajnimin e prokurorëve e policëve në Kosovë

    Altin Dumani nis trajnimin e prokurorëve e policëve në Kosovë

    Ambasada Britanike në Prishtinë ka njoftuar për një ligjëratë që sot u ka mbajtur gjyqtarëve, prokurorëve e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ish-kreu i SPAK-ut, Altin Dumani.

    Dumani ka qëndruar në Prishtinë bashkë me ambasadorin britanik në Tiranë, Nicholas Abott.

    “Sesioni mblodhi së bashku përfaqësues të lartë nga gjyqësori, prokuroria, policia dhe institucionet më të gjera të zbatimit të ligjit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    “Duke u bazuar në mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për sektorin e drejtësisë në Kosovë, ligjerata ofroi një mundësi për të shkëmbyer përvoja praktike, mësime të nxjerra dhe qasje efektive për t’u përballur me krimin e organizuar serioz, rrjetet e krimit të organizuar dhe korrupsionin. Diskutimet u përqendruan në sfidat operacionale, mësimet e lidershipit dhe strukturat institucionale që kontribuan në rezultatet e SPAK në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

  • Kuvendi i Kosovës ratifikon edhe marrëveshjen e tretë ndërkombëtare

    Kuvendi i Kosovës ratifikon edhe marrëveshjen e tretë ndërkombëtare

    Deputetët e Kuvendi i Kosovës kanë ratifikuar sot edhe marrëveshjen e tretë ndërkombëtare gjatë seancës plenare.

    Pas prezantimit të marrëveshjes nga ministri i Financave, Hekuran Murati, ajo ka marrë mbështetjen e deputetëve.

    Me 98 vota për, asnjë kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi ka miratuar Projektligji nr. 10/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkani Perëndimor” ndërmjet Bashkimi Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republika e Kosovës si Huamarrës, si dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit.

  • Spanjë: Foshnja 8-muajshe rezulton pozitive për drogë, arrestohet nëna 25-vjeçare

    Spanjë: Foshnja 8-muajshe rezulton pozitive për drogë, arrestohet nëna 25-vjeçare

    Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në zonën turistike të Costa del Sol në Spanjë, ku një 25-vjeçare me shtetësi britanike është arrestuar pasi foshnja e saj tetëmuajshe rezultoi pozitive për kokainë. Policia ndërhyri në plazhin Cabopino, pranë Marbellës, pas raportimeve për një zjarr të ndezur në dunat e rërës.

    Në vendngjarje, efektivët gjetën çiftin duke jetuar në një tendë së bashku me foshnjën, në kushte që sipas autoriteteve konsideroheshin të papërshtatshme dhe shqetësuese për shëndetin e të miturit.

    Foshnja u dërgua fillimisht në Qendrën Shëndetësore Las Albarizas për kontroll, pasi oficerët dyshuan për kequshqyerje. Më pas, ai u transferua në Spitalin Costa del Sol, ku analizat zbuluan se ishte nën peshën normale për moshën dhe se në testin e urinës rezultoi prani kokaine.

    Gruaja britanike dhe partneri i saj 43-vjeçar me shtetësi spanjolle u ndaluan në komisariatin e Marbellës dhe pritet të dalin para gjykatës me dyer të mbyllura. Nëna dyshohet se kishte munguar në disa takime të planifikuara për kontrollin shëndetësor të fëmijës gjatë muajve të fundit.

    Gjithashtu, pranë vendit ku qëndronte çifti u gjet një automjet i pasiguruar dhe me dokumentacion të skaduar. Autoritetet spanjolle pritet të vendosin për masat e mëtejshme ndaj çiftit, ndërsa foshnja është vendosur në kujdes të përkohshëm emergjent deri në një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e tij.

  • Treni përplaset me një veturë pranë kazermës së FSK-së në Prishtinë

    Treni përplaset me një veturë pranë kazermës së FSK-së në Prishtinë

    Një aksident trafiku ka ndodhur para pak çastesh, ku një tren është përplasur me një veturë.

    Rrethanat se si ka ndodhur aksidenti ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa nuk dihet nëse ka persona të lënduar si pasojë e përplasjes.

    Në vendin e ngjarjes janë publikuar edhe pamje nga aksidenti, ndërsa më shumë informacione priten pas deklaratës zyrtare të autoriteteve nga vendngjarja./atvlive.tv

  • Shkoi për medalje, u kthye me pranga! – I kërkuar nga policia për 16 vite, kapet në stadium…

    Shkoi për medalje, u kthye me pranga! – I kërkuar nga policia për 16 vite, kapet në stadium…

    Pas 16 vitesh në arrati, një burrë i kërkuar mendoi se mund të kthehej fshehurazi në Itali vetëm për të ndjekur nga afër Lojërat Olimpike Dimërore 2026. Por në vend të spektaklit sportiv, ai përfundoi me pranga në duar!

    Autoritetet thonë se i arratisuri kishte jetuar nën radar për më shumë se një dekadë e gjysmë, duke shmangur drejtësinë dhe duke qëndruar gjithmonë një hap përpara policisë. Por kur vëmendja e botës u përqendrua në Itali për Olimpiadën e shumëpritur të vitit 2026, tundimi rezultoi më i fortë se frika.

    Sipas zyrtarëve, ai u rikthye në vend në mënyrë të qetë, me shpresën se do të përzihej me turmat e mëdha të tifozëve dhe turistëve.

    Burime bëjnë me dije se hetuesit nuk e kishin mbyllur kurrë dosjen e tij dhe teknologjia moderne e mbikëqyrjes, së bashku me masat e rrepta të sigurisë për ngjarjen ndërkombëtare, e bënë pothuajse të pamundur që ai të kalonte pa u vënë re.

    Ai u arrestua pa incidente, duke lënë të habitur njerëzit përreth, të cilët nuk e dinin se pranë tyre ndodhej një person që kishte shmangur drejtësinë për 16 vite.

    Autoritetet nuk kanë zbuluar ende se si u identifikua saktësisht, por burime sugjerojnë se kontrollet e shtuara dhe monitorimi intensiv para Olimpiadës luajtën një rol kyç. Me mijëra kamera sigurie, sisteme të avancuara identifikimi dhe kontrolle të forta kufitare, arratisja e tij përfundoi aty.

    Tani, në vend që të brohorasë nga tribunat, ai do të përballet me drejtësinë në sallën e gjyqit, një kujtesë se, sado gjatë të arratisesh, e kaluara të kap gjithmonë.

  • Miratohet marrëveshja për milionat e Planit të Rritjes

    Miratohet marrëveshja për milionat e Planit të Rritjes

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar Planin e Rritjes me 104 vota për, asnjë kundër dhe 6 abstenim.

    Projektligjin e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati, në foltoren e Kuvendit.

    “Kosova do të përfitojë 882.6 milionë euro, i cili mund të them se është alokimi më i lartë në raport me bruto produktin vendor nga të gjitha shtetet, pa është rreth 8% e bruto produktit vendor që i është alokuar Kosovës. Kjo mbështetje financiare vjen në formën 1/3 si grant, ndërsa pjesa tjetër në formë të kredisë. Në këtë aspekt janë dy marrëveshje në kuadër të Planit të Rritjes dhe më pas në një pikë tjetër do të kemi edhe ratifikimin e kredisë”.

    Kosova ka mbetur e fundit në rajon në miratimin e Planit të Rritjes dhe fondet e saj kishin mbetur të bllokuara për shkak të mungesës së gjatë të institucioneve të Kosovës.

    Plani i Rritjes, që mbulon periudhën 2024-2027, përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh, e miratuar nga BE-ja në fund të vitit 2023, për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet europiane.

  • Besnik Tahiri e propozon veten për anëtar të pesë komisioneve, shpërthejnë të qeshurat në Kuvend

    Besnik Tahiri e propozon veten për anëtar të pesë komisioneve, shpërthejnë të qeshurat në Kuvend

    Një moment qesharak ka ndodhur gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.

    Në sallë shpërthyen të qeshurat pasi Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, e propozoi veten për anëtar të pesë komisioneve.

    Komisionet në të cilat e propozoi veten janë:

    -Komisioni për të drejtat dhe interesin e komuniteteve dhe kthim

    -Komisioni për Legjislacion, Mandate Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundërkorrupsion

    -Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji

    -Komisioni për Ekonomi

    -Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike

    Për komisionet tjera u propozuan Albana Bytyqi, Time Kadriaj dhe Bekë Berisha.

  • Merz: BE-ja e ka zvarritur procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor

    Merz: BE-ja e ka zvarritur procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor

    Duke folur për Rusinë, kancelari gjerman theksoi se duhet të ndalet lufta kundër Ukrainës.

    Friedrich Merz beson se Moska duhet ta kuptojë se vazhdimi i luftës nuk është në interesin e saj.

    Ajo tashmë ka zgjatur më shumë se Lufta e Dytë Botërore, dhe Perëndimi i ka imponuar Rusisë kosto serioze.

    Konflikti mund të përfundojë vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Ukrainës.

    Kancelari tha gjithashtu se “bota nuk është më njëpolare. Udhëheqja e SHBA-së po sfidohet, ndërsa Kina po forcohet dhe mund ta barazojë Amerikën në aspektin ushtarak”.

    Në të njëjtën kohë, ekonomia e BE-së është pothuajse dhjetë herë më e madhe se ajo e Rusisë, megjithatë Evropa nuk po e shfrytëzon plotësisht potencialin e saj.

    Duke iu drejtuar vendeve të Ballkanit, Merz pranoi se BE-ja e ka zvarritur procesin e zgjerimit. Ai premtoi se do ta rishikojë qasjen dhe do ta shtyjë përpara anëtarësimin e tyre, pavarësisht rezistencës brenda bllokut.

    Kancelari gjerman shtoi se liria nuk është më e garantuar — ajo duhet të mbrohet.