ATV

Category: Lajme

  • Sot shënohet dita e të dashuruarve – Shën Valentini

    Sot shënohet dita e të dashuruarve – Shën Valentini

    Sot në Kosovë si shumëkund në botë, shënohet festa e Shën Valentinit, festë kjo me origjinë të krishterë që nderon një shenjtor me emrin latin Valentinus.

    Edhe pse kjo ditë njihet anembanë botës si një festë që kremton romancën dhe dashurinë, origjina lidhet me historinë e Shën Valentinit të Romës, i cili u burgos sepse kurorëzonte në martesë ushtarë të cilët e kishin të ndaluar të ishin çift.

    Dita e Shën Valentinit si një festë e dashurisë, nisi të lulëzojë në oborret mbretërore angleze të shekullin e katërmbëdhjetë kur edhe mendohet se i ka rrënjët tradita moderne.

    Për 4 shekujt në vijim, festa u popullarizua duke marrë formën në të cilën njihet sot me dhurata, lule dhe letra dashurie. Gjatë kësaj dite, çiftet në të gjithë botën zgjedhin të shprehin dashurinë për partnerin/en e tyre.

  • Britania, Gjermania dhe Franca forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

    Britania, Gjermania dhe Franca forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

    Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës, vende të njohura si grupi E3, kanë diskutuar për forcimin e mbrojtjes kolektive dhe sigurisë në bashkëpunim me partnerët e tjerë, thuhet në një njoftim të qeverisë britanike.

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, kancelari gjerman, Friedrich Merz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron janë takuar në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munich të Gjermanisë.

    Zëdhënësi i Downing Street përcolli mesazhin e kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili theksoi nevojën për forcimin e sigurisë së përbashkët, shkruan skynews.

    “Duhet t’i shfrytëzojmë kapacitetet tona të mëdha mbrojtëse për të forcuar sigurinë tonë të përbashkët dhe për të sjellë përfitime për qytetarët tanë”, theksoi ai.

    Zëdhënësi shtoi se udhëheqësit konfirmuan “mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, veçanërisht në dritën e sulmeve të fundit të tmerrshme ruse, si dhe angazhimin për të punuar në sigurimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.

    Megjithëse kryeministri Starmer kohët e fundit ka mbrojtur më hapur një bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Evropian, Londra dhe Brukseli ende nuk kanë arritur përparim të rëndësishëm në forcimin e partneritetit të tyre në fushën e mbrojtjes.

    Ndryshe, liderët e tre vendeve kanë deklaruar se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

  • Kurti nga Mynihu: Investimet në polici dhe ushtri po e bëjnë Kosovën më të fortë dhe më të sigurt

    Kurti nga Mynihu: Investimet në polici dhe ushtri po e bëjnë Kosovën më të fortë dhe më të sigurt

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka thënë se po zhvillon takime të shumta me zyrtarë të ndryshëm të vendeve evropiane dhe të botës.

    Kurti ka theksuar se në këto takime ka për synim që t’i tregojë arritjet e Kosovës, por edhe planet dhe objektivat e tjera.

    Kryeministri u ndal edhe tek tema kryesore e konferencës këtë vit, me titullin “Shkatërrimi”, duke u fokusuar te pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe kërcënimet globale. Ai e vlerësoi Kosovën si një vend që ndriçon për demokracinë, sigurinë dhe zhvillimin rajonal.

    “Kur po bisedojmë me diplomatët dhe politikanët ndërkombëtarë, themi që ne nuk kemi sfida të sigurisë që mund të na cenojnë nga brenda. Të tilla kemi nga fqinjët tanë veriorë dhe agresivë, por ne jemi duke investuar shumë, si në polici, ashtu edhe në ushtri, me partnerët evropianë, për të forcuar aftësitë dhe masat tona”, tha Kurti për rtk.

    Kryeministri nënvizoi se këto investime dhe bashkëpunime ndërkombëtare po fuqizojnë Kosovën, duke e bërë vendin një pikë referimi për stabilitet dhe siguri në rajon.

    Gjatë një interviste nga Mynihu, ai përgëzoi Kuvendin e Kosovës për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke theksuar se mbi një miliard euro janë aprovuar nga Banka Qendrore dhe Këshilli Evropian.

  • BE-ja përgëzon miratimin e Planit të Rritjes nga Kuvendi: I hapet rruga Kosovës që të përfitojë 882 milionë euro

    BE-ja përgëzon miratimin e Planit të Rritjes nga Kuvendi: I hapet rruga Kosovës që të përfitojë 882 milionë euro

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përgëzuar miratimin e sotëm nga Kuvendi i Kosovës të marrëveshjes lidhur me Planin e Rritjes.

    Sipas BE-së, ky hap i hap rrugën Kosovës që të përfitojë 882 milionë euro në formë grantesh dhe kredive me kushte të favorshme, të destinuara për zbatimin e reformave që avancojnë vendin drejt integrimit europian i Kosovës.

    “Miratimi i marrëveshjeve është një moment kyç për përparimin ekonomik dhe institucional të Kosovës dhe për afrimin e saj me standardet evropiane”, vijon tutje njoftimi.

    Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje.

    Nga 108 deputetë, 104 votuan pro, asnjë kundër dhe 5 abstenuan.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati gjatë prezantimit të marrëveshjes, tha se 1/3-ta e këtyre mjeteve është grant.

    Nga shuma e përgjithshme rreth 253.3 milionë janë grante ndërkaq pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro do të jetë kredi, që do të ratifikohet me një marrëveshje të veçantë

    “Në kuadër të këtij plani apo marrëveshje parashihet që Kosova të përfitojë një pako prej 882,6 milionë eurove, e cila mund të them se është alokimi më i madhi në raport me bruto produktin vendor. Pra është rreth 7% e bruto produktit vendor që i është alokuar Kosovës”, ka thënë ai.

    Përfaqësuesit e LVV-së, PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe grupit multietnik me deklarimet e tyre shprehën përkrahjen e tyre ndaj kësaj marrëveshje ndërkombëtare./Telegrafi/

  • Isa Mustafa i jep mbështetje marshit “Drejtësi, jo politikë”, iu bën thirrje qytetarëve për dalje masive

    Isa Mustafa i jep mbështetje marshit “Drejtësi, jo politikë”, iu bën thirrje qytetarëve për dalje masive

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka dalë në mbështetje të Marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.

    Përmes një deklarate, Mustafa ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë dhe ka theksuar se në këtë marsh do të kërkohet drejtësi.

    “Do të ftoja sa më shumë qytetarë të dalin në tubimin e 17 shkurtit, në të cilin do të kërkohet drejtësi dhe jo politizim të këtij procesi”, është shprehur ai.

  • Policia franceze arreston 9 persona të dyshuar për mashtrim me biletat e Luvrit me vlerë 10 milionë euro

    Policia franceze arreston 9 persona të dyshuar për mashtrim me biletat e Luvrit me vlerë 10 milionë euro

    Policia franceze ka arrestuar nëntë persona, mes tyre dy punonjës të muzeut të Luvrit, për një skemë mashtrimi me biletat që dyshohet se ka sjellë përfitime deri në 10 milionë euro.

    Hetimet kanë zbuluar një rrjet të organizuar ku përfshiheshin guida turistike dhe persona të brendshëm të muzeut, të cilët përdornin të njëjtat bileta për vizitorë të ndryshëm, kryesisht grupe turistësh nga Kina.

    “Bazuar në informacionin e disponueshëm për muzeun, dyshojmë ekzistencën e një rrjeti që organizon mashtrime në shkallë të gjerë,” tha një zëdhënës i muzeut për Agence France-Presse.

    Luvri, muzeu më i vizituar në botë, e raportoi mashtrimin e dyshuar tek policia, gjë që çoi në arrestime. Dy punonjës të Luvrit, disa guida turistike dhe një person i dyshuar si organizatori kryesor janë mes të ndaluarve, sipas zyrës së prokurorisë së Parisit.

    Mashtrimi i dyshuar me biletat është kriza më e fundit që ka goditur Luvrin. Muzeu ende po vuan pasojat e një grabitjeje që ndodhi më 19 tetor, kur një bandë hyri ditën përmes një dritareje dhe vodhi kurorat franceze me vlerë rreth 88 milionë euro për vetëm shtatë minuta, përpara se të arratiseshin me skuterë. Katër burra janë arrestuar dhe janë nën hetim formal, por bizhuteritë nuk janë gjetur më, siç shkruan The Guardian.

    Të premten, galeria Denon, ku ekspozohen pikturat më të vlefshme të muzeut, u mbyll pjesërisht pas një rrjedhjeje uji, njoftuan përfaqësues të sindikatave. Mona Lisa, portreti më i famshëm në botë, nuk u prek. Rrjedhja ndodhi në sallën 707, ku ekspozohen piktura të artistit francez Charles Meynier dhe të artistit italian të Rilindjes Bernardino Luini. Kjo ishte rrjedhja e dytë e rëndësishme brenda më pak se tre muajsh.

    Luvri tha se po përballet me një rritje të mashtrimeve të ndryshme me biletat. Si përgjigje, ka vendosur një plan të “strukturuar” kundër mashtrimit në bashkëpunim me stafin dhe policinë.

    Gazeta Le Parisien raportoi se mashtrimi i dyshuar përfshinte guida turistike që kishin shënjestruar grupe vizitorësh nga Kina. Guida dyshohet se futnin vizitorë duke përdorur të njëjtat bileta disa herë për persona të ndryshëm. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse rrjeti mund të ketë sjellë deri në 20 grupe turistike në ditë gjatë dekadës së fundit.

    Prokuroria e Parisit tha se përgjimet dhe mbikëqyrja konfirmuan përdorimin e përsëritur të biletave dhe një strategji të dukshme për të ndarë grupet e turistëve, për të shmangur pagesën e tarifës së detyrueshme për guidat. Hetimi gjithashtu tregoi për bashkëpunëtorë të dyshuar brenda Luvrit, ku guida dyshohet se u paguanin atyre para në dorë për të shmangur kontrollet e biletave.

    Një hetim gjyqësor formal u hap qysh në qershor mbi akuza për mashtrim të organizuar, pastrim parash, korrupsion, ndihmë për hyrje të paligjshme në vend si pjesë e një grupi të organizuar, dhe përdorim të dokumenteve administrative të falsifikuara.

    Associated Press raportoi se të dyshuarit besohet se kanë investuar një pjesë të parave në pasuri të paluajtshme në Francë dhe Dubai. Autoritetet kanë sekuestruar mbi 957 mijë euro në para të gatshme, përfshirë 67 mijë euro në valutë të huaj, si dhe 486 mijë euro nga llogaritë bankare.

    Në muajt e fundit, sindikatat e Luvrit kanë organizuar disa ditë grevash, duke kërkuar rinovime urgjente dhe rritje të stafit, si dhe duke protestuar kundër rritjes së çmimeve të biletave për shumicën e vizitorëve jashtë BE-së, përfshirë turistët britanikë, amerikanë dhe kinezë.

  • Arrestohet dhe dërgohet në mbajtje i dyshuari që vendosi gurë në një rrugë të Klinës

    Arrestohet dhe dërgohet në mbajtje i dyshuari që vendosi gurë në një rrugë të Klinës

    I dyshuari që vendosi gurë në rrugë në fshatin Sferkë të Klinës është arrestuar nga Policia e Kosovës.

    Kështu konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    “Mbrëmë rreth orës 22:45 stacioni policor u njoftua përmes një qytetari se në hyrje të fshatit Sferkë janë vendosur disa gurë dhe për pasojë u dëmtua një veturë. Njësitë kanë marrë masat dhe sot është arrestuar i dyshuari. Me vendim të Prokurorit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha Rugova.

  • Rama akuzon Qeverinë: Po bllokojnë buxhetin e kryeqytetit për arsye politike

    Rama akuzon Qeverinë: Po bllokojnë buxhetin e kryeqytetit për arsye politike

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për bllokim të qëllimshëm të buxhetit të miratuar të kryeqytetit, duke e cilësuar këtë si një vendim politik për ta dobësuar Prishtinën.

    Në një reagim në Facebook, Rama tha se po flet jo vetëm si kryetar, por edhe si përfaqësues i mbi 300 mijë qytetarëve që, sipas tij, po penalizohen padrejtësisht.

    Sipas Ramës, buxheti i kryeqytetit është votuar në përputhje me ligjin dhe përbën dokument zyrtar të Kosovës, ndaj çdo ndërhyrje për ta anashkaluar apo sabotuar atë, sipas tij, përbën shkelje të rendit institucional.

    Ai paralajmëroi se bllokimi i buxhetit ka pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

    Postimi i plotë:

    Sot po flas jo vetëm si Kryetar i Prishtinës, por si përfaqësues i mbi 300 mijë qytetarëve që po penalizohen padrejtësisht.

    Qeveria e re e Kosovës po bllokon qëllimisht buxhetin e miratuar të Kryeqytetit. Ky nuk është vonim teknik. Nuk është keqkuptim administrativ. Është vendim politik për ta dobësuar Prishtinën.

    Buxheti i Kryeqytetit është votuar sipas ligjit. Është dokument zyrtar i Republikës së Kosovës. Çdo ndërhyrje për ta anashkaluar apo për ta sabotuar atë është shkelje e drejtpërdrejtë e rendit institucional.

    Le ta them qartë: kur ndalet buxheti i Prishtinës, ndalet ndërtimi i shkollave, ndalet përmirësimi i infrastrukturës, ndalet investimi në çerdhe, ndalet zhvillimi ekonomik. Kjo nuk është luftë ndaj Kryetarit. Kjo është ndëshkim kolektiv ndaj qytetarëve.

    Prishtina nuk është pronë e asnjë partie. Prishtina është Kryeqyteti i Republikës. Nëse Qeveria mendon se mund ta përdorë si mjet presioni politik, atëherë po gabon rëndë.

    Nuk do ta lejoj që Kryeqyteti të trajtohet si kundërshtar. Nuk do ta lejoj që qytetarët e Prishtinës të paguajnë çmimin e kalkulimeve politike.

    Nëse Qeveria vazhdon me këtë qasje, ne do të ndjekim çdo rrugë ligjore dhe institucionale për ta mbrojtur të drejtën tonë. Do ta bëjmë këtë publikisht, hapur dhe pa kompromis.

    Kjo nuk është çështje personale. Kjo është çështje dinjiteti institucional dhe respekti ndaj qytetarëve.

    Prishtina nuk do të heshtë. Prishtina nuk do të frikësohet. Dhe Prishtina nuk do të ndalet.

    Faleminderit.

  • “Pse kjo urgjencë?”, Bajrami kritikon qeverinë, kërkon tri ditë për analizimin e buxhetit

    “Pse kjo urgjencë?”, Bajrami kritikon qeverinë, kërkon tri ditë për analizimin e buxhetit

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka kërkuar llogari ministrit të Financave, Hekuran Muratit lidhur me ‘urgjencën’ që po kërkohet lidhur me votimin e Projektligjit për Buxhet.

    Pos tjerash, ajo ripërsëriti se LDK-ja po kërkon vetëm tri ditë kohë për të analizuar ligjin për buxhet.

    “Ministër, nuk e shpjegove arsyen e urgjencës sot. Po të kërkohen tri ditë për ta analizuar ligjin e buxhetit, ligjin më të rëndësishëm brenda një viti kalendarik. Tri ditë po kërkojmë kohë. E vetmja arsye për të cilën na shkon mendja është se ju po kërkoni t’i shmangeni debatit në këtë seancë”, tha Bajrami.

    Seanca u ndërpre për të vazhduar të hënën.

  • Kurti emëron Zef Morinën zëvendësministër të Infrastrukturës dhe Transportit

    Kurti emëron Zef Morinën zëvendësministër të Infrastrukturës dhe Transportit

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar kreun e Partisçë Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Zef Morina në pozitën e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Transportit.

    Vendimi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit, ndërsa Morina pritet të marrë përgjegjësitë në kuadër të dikasterit që mbulon projektet infrastrukturore dhe sektorin e transportit në vend.

    Me këtë rast, kryeministri Kurti e ka uruar Morinën për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në përmbushjen e përgjegjësive dhe angazhimeve në shërbim të qytetarëve.