ATV

Category: Lajme

  • Takimi Osmani – Rama, në fokus koordinimi i ngushtë politik mes dy shteteve

    Takimi Osmani – Rama, në fokus koordinimi i ngushtë politik mes dy shteteve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për zhvillimet rajonale.

    Në fokus të takimit, sipas Presidencës, para së gjithash, ishin koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike.

    “Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin.”

    Gjatë takimit, bëhet e ditur se u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike.

    “Në këtë kontekst, u nënvizua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Presidenti Donald Trump në Bordin e Paqes, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë.”

    Osmani dhe Rama riafirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, duke vënë theksin në partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në afrimin dhe mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve.

    “Në këtë kontekst, Presidentja Osmani përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin në rrugën drejt Bashkimi Evropian, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të angazhimit të qartë evropian të Shqipërisë dhe si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit.

    Në përmbyllje të takimit, Kryeministri Rama e uroi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë dhe të palëkundur të Republikës së Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euroatlantike.”

  • Komuna e Malishevës dhe SHKKSH nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në kërkim-shpëtim

    Komuna e Malishevës dhe SHKKSH nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në kërkim-shpëtim

    Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe kryetari i Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim (SHKKSH), Mentor Maloku, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e kapaciteteve në fushën e kërkim-shpëtimit.

    Marrëveshja synon adresimin e nevojave dhe sfidave që lidhen me reagimin ndaj rasteve emergjente dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit në territorin e Komunës së Malishevës.

    Sipas dokumentit të nënshkruar, bashkëpunimi do të përfshijë shkëmbimin e përvojave, organizimin e trajnimeve për stafin e SHKKSH-së, institucionet komunale, organizatat dhe qytetarët.

    Kryetari Kastrati theksoi se “ky bashkëpunim do të rrisë kapacitetet lokale në përballimin e situatave emergjente dhe do të përmirësojë koordinimin mes institucioneve dhe komunitetit”.

    Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe menaxheri i emergjencave në Komunën e Malishevës, Halit Mazreku, kryetari i degës së SHKKSH-së në Malishevë, Besim Paçarizi, si dhe zyrtarë të tjerë përgjegjës.

  • Beqiri: Është habi që Prokuroria kërkon dënim me 45 vjet burgim, më shumë se dyfishi i dhënë për udhëheqësit serbë

    Beqiri: Është habi që Prokuroria kërkon dënim me 45 vjet burgim, më shumë se dyfishi i dhënë për udhëheqësit serbë

    Avokati Mentor Beqiri i cili bënë pjesë në ekipin mbrojtës të Jakup Krasniqit, ka thënë se është e habitshme se si Prokuroria kërkon dënim prej 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, ndërkohë që kjo i bie dyfishi i dënimit të dhënë për udhëheqësit serbë.

    Ai tha se fushata e terrorit ndaj shqiptarëve të Kosovës është e vërtetuar edhe në aspektin gjyqësor, duke përfshirë verdiktet e fajësisë ndaj udhëheqësve serbë nga Tribunali Penal për ish-Jugosllavinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Beqiri tha se ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Nikola Sajnoviq, gjenerali i ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq dhe gjenerali i Policisë Serbe, Sreten Lukiq u dënuan secili me nga 22 vjet burgim.

    Ai po ashtu tha se gjenerali i ushtrisë jugosllave, Vladimir Lazareviq dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Dragoljub Ojdaniq ishin shpallur fajtorë dhe ishn dënuar secili me 15 vjet burgim.

    “…dhe Prokuroria është habi që kërkon dënim me 45 vjet burgim, më shumë se dyfishi që ua dhanë udhëheqësve serbë”, tha Beqiri.

    Ai tha se nuk qëndron pretendimi i Prokurorisë se anëtarët e UÇK-së e ndanin qëllimin e përbashkët për të marrë dhe ushtruar kontroll në të gjithë Kosovën.

    “Pretendimi i Prokurorisë se zoti Krasniqi dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së ndanin qëllimin e përbashkët për të marrë dhe ushtruar kontroll në të gjithë Kosovën përmes kryerjes së krimeve, nuk qëndron kur analizohen të gjitha provat”, tha ai.

    Beqiri shtoi se UÇK-ja u ngrit si lëvizje mbrojtëse e krijuar në përgjigje të kërcënimit ekzistencial me të cilën u përballë populli i shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.

    “Provat që u dëgjuan në këtë çështje tregojnë se UÇK-ja nuk u krijua si një organizatë që kërkonte marrjen e pushtetit. Ajo u ngrit si një lëvizje mbrojtëse e krijuar në përgjigje të kërcënimit ekzistencial dhe të menjëhershëm më të cilën u përballën populli shqiptar i Kosovës të cilët pësonin shtypjen e gjerë dhe dhunën e ushtruar nga forcat serbe”, tha Beqiri.

    Avokati Beqiri theksoi se kjo ishte konfirmuar edhe nga viktimat në këtë çështje duke marrë shembull njërin prej tyre i cili sipas tij kishte thënë se “UÇK-ja po e mbronte popullsinë duke mbrojtur vendin dhe njerëzit”.

  • Buxheti 2026, Bajrami: Mereni me mend, Hekuran Murati këtu i ka dhënë vetes diskrecione thuase është mbret

    Buxheti 2026, Bajrami: Mereni me mend, Hekuran Murati këtu i ka dhënë vetes diskrecione thuase është mbret

    Hykmete Bajrami e Lidhjes Demokratike të Kosovës në seancën e jashtëzakonshme ku po shkon në lexim të parë Projektbuxheti për 2026, lexoi disa pjesë të tektit ku tha se aty Ministria e Financave “i ka dhënë diskrecioni mbretërore” vetes duke tejkaluar logjikën e rregullimit të Republikës së Kosovës.

    Ajo numëroi nene në atë pjesë, ku tha se Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës i ka dhënë vetes “autorizime të pakufizuara” për të shpenzuar buxhetin e Republikës së Kosovës “bash ashtu si të dojnë”.

    “Vetëm gjatë fushatës elektorale, në muajin dhjetor, qeveria ka arritur t’i shpenzojë 240 milionë euro shpenzime kapitale. Merrni me mend fushatën., temeperaturat e ulëta, në dhjetor këta 230 milionë. Çka janë këta? Janë kontrata njëburimore, paradhënie komples për financim të fushatës elektorale. Janë korrupsion. Sepse i vetmi indikator që në Kosovë përveç inflacionit që ka pas ngritje, janë kontratat një burimore dhe është korrupsioni pandemik qeveritar. Projektligji ka shumë probleme edhe tekstualisht, në Nenin 11 në Par 3, dhe 5, MF i jep diskrecion vetes thuajse është mbret, dhe jo që jemi Republikë Parlamentare.

    “Pastaj Nenin 12, Par 3, thuhet se Qeveria munet me aprovu pagesa të paradhënies prej 30% deri në 100# për vlera të kontratës dhe mallra dhe shërbime. Ju e dini që KE e ka ngrit si çështje kontratat njëburimore. Këta plot 2500 kontrata njëburimore. Tash merreni me mend edhe tekstualisht i dhënë të drejtë e diskrecion vetes edhe me dhanë paradhënie 100%. Dmth ministrat japin kontrata pa shpallje të tenderit dhe në anën tjetër marrin vendim që këta operator me i pagu deri në 100%”, tha Bajrami.

    “Në Nenin 14, Par 2, ju e keni që Ministri i Financave nga pjesa e kontigjencës mundet me pagu garacione bankar për një kompani private. Nenin 18, gjithashtu ka probleme. Autorizime të pakufizime Ministrisë së Financave dhe qveerisë që ata me shpenzu buxhetin e RKS bash sikur të kanë dëshirë”, tha Bajrami.

  • Daut Haradinaj: 614 ushtarë kanë paditur ministrinë e Mbrojtjes, se ua heqi të drejtën e orëve shtesë

    Daut Haradinaj: 614 ushtarë kanë paditur ministrinë e Mbrojtjes, se ua heqi të drejtën e orëve shtesë

    Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon diskutimi në kuadër të projektbuxhetit për vitin 2026.

    Në këtë seancë pati deklarime të shumta, derisa ministrat veçse shumë prej tyre e lëshuan sallën njësoj si edhe deputetë të shumtë nga Vetëvendosje.

    Kurse me këtë rast, deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj ka qenë kritik ndaj qeverisë së Kosovës, derisa tha se mendoi se së paku ministrat do të jenë në seancë pasi Kryeministri Kurti arsyetoi largimin.

    “Tha se buxheti për ushtri për investime apo arkitekturën e prodhimit ushtarak do të shkojë deri në 1 miliard euro për katër vite, por nesë shihni tabelën buxhetore është ndryshim.. Kemi sot 614 ushtarë që kanë paditur ministrinë e Mbrojtjes që ja kanë hequr të drejtën e orëve shtesë. Nuk po flas për polici se është e njëjta situatë, pra këtë duhet me trajtu seriozisht sepse është skema e sigurisë e globi flet për këtë aspekt”,deklaroi ai.

  • Kurti: Do ta risjellim ligjin me çmime tavan, do ta frenojmë abuzimin me çmime

    Kurti: Do ta risjellim ligjin me çmime tavan, do ta frenojmë abuzimin me çmime

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do ta risjellin në Kuvend çmimin tavan për produktet bazë në mënyrë që ta frenojnë abuzimin me çmimet, raporton Ekonomia Online.

    Ai në foltoren e Kuvendit teksa po flitet për projektbuxhetin e 2026-ës, tha se rritja e importit vjen vetëm nga rritja e fuqisë blerëse, dhe këtu përmend dhe mbylljen e rrugëve ilegale.

    “Sa i përket rritjes së importeve, ajo vjen jo vetëm nga rritja e fuqisë blerëse, sepse, siç thashë, ne e kemi rritur kërkesën agregate me këtë shpërndarje – jo pak te ata që kanë pak, është bërë më shumë. Dhe kjo vjen gjithashtu nga fakti që është eliminuar kontrabanda. Janë 37 rrugë ilegale që janë mbyllur anembanë Kosovës, prej tyre 27 në veri të Kosovës, dhe eliminimi i kontrabandës natyrisht që ka kontribuar në rritjen e importit, përveç rritjes së fuqisë blerëse, ku një pjesë e konsiderueshme janë mallra që vijnë nga jashtë”, tha Kurti.

    Kurti ka pranuar se ka pasë rritje të çmimeve të produkteve bazë, por ka theksuar edhe fitimin që patën korporatat.

    “Është e vërtetë që ka pasur rritje të çmimeve të produkteve bazë, por ato do të kenë tavan së shpejti. Ju e dini që kemi propozuar ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, i cili ka pasur një adresim në formë ankese nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas është rrëzuar. Ne do ta risjellim ligjin me çmime tavan për produkte bazë dhe në këtë mënyrë do ta frenojmë abuzimin me çmime. Ne nuk jemi kundër fitimit të korporatave, por jemi kundër superfitimit në kurriz të qytetarëve, që paraqet abuzim me mirëqenien e popullsisë mbarë. Fitimi i korporatave është rritur në Kosovë. Në qeveritë e mëhershme kurrë nuk e kanë mbërritur 1 miliard euro. Nëse nuk gaboj, viti 2018 është viti më i mirë me rreth 950 milionë euro, ndërkaq vitin që lamë pas fitimi i korporatave është 2.2 miliardë euro. Pra, prej më pak se 1 miliard në 2.2 miliardë – rreth 120 për qind rritje e fitimit të korporatave, që e dimë nga të dhënat e ATK-së, sepse paguajnë 10 për qind tatim dhe mjafton ta shumëzosh me 10 për ta kuptuar sa ka qenë fitimi”, tha Kurti.

  • Nis takimi mes Ramës dhe Osmanit

    Nis takimi mes Ramës dhe Osmanit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pritur në takim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Më pas, ai do të zhvillojë një takim edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Në kuadër të axhendës së tij, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala. Gjithashtu, ai do të mbajë një leksion të hapur me studentët e Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, si dhe me nxënësit e gjimnazit Gjimnazi Sami Frashëri.

  • Avokati e përfundon deklaratën me fjalët e Byrnes: “E ndjeja njerzillëkun e Krasniqit, e donte paqen”

    Avokati e përfundon deklaratën me fjalët e Byrnes: “E ndjeja njerzillëkun e Krasniqit, e donte paqen”

    Mbrojtja e Jakup Krasniqit po vazhdon me paraqitjen e fjalëve përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Avokati Aiden Ellis u shpreh se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që Krasniqi ka ushtruar autoritetin e tij, siç pretendohet, për të kryer arrestime apo ndalime.

    “[Prokuroria] pretendon në mënyrë të pabazuar sipas nesh, që Jakup Krasniqi ka ushtruar autoritetin e vet për arrestimin dhe ndalimin e Blerim Kuqit. Prokuroria e di që këto pretendime, këto akuza nuk i ka provuar, kështu që është munduar të largohet nga to me argumentet me gojë”, tha Ellis.

    “Prokuroria as nuk ka prova që Kuqi është arrestuar në praninë e Krasniqit, dhe sipas parashtrimeve tona, për barrën e provës në këtë çështje ia vlen të shkruhet një libër të tërë. Prokuroria nuk ka thirrur asnjë person që ka qenë prezent në momentin e arrestimit”, tha Ellis.

    Ai shtoi se para mbrojtjes, sipas tij, kanë lindur dyshime mbi dëshmitë e ZPS-së.

    Para trupit gjykues, Ellis po ashtu tha se forcat serbe kanë shkatërruar disa zona të Kosovës, teksa shtoi se Kuqi mund të jetë arrestuar për shkak të dezertimit.

    Fjalën e tij ai e përfundoi me fjalët e një dëshmitari ndërkombëtar, Shaun Byrnes.

    “Unë e ndjeja njerzillëkun dhe seriozitetin e tij, ai ishte në thelb një burrë që e donte paqen”, u shpreh Ellis.

  • Komuna e Prishtinës njofton për aktivitetet në 18-vjetorin e Pavarësisë

    Komuna e Prishtinës njofton për aktivitetet në 18-vjetorin e Pavarësisë

    Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë,Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka organizuar sot një seri aktivitetesh për të nderuar këtë ditë të rëndësishme.

    Sipas njoftimit për media, agjenda e aktiviteteve parashikon:

    09:00 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova

    09:15 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi

    09:30 – Homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kryeqytetit

    10:30 – Seancë solemne e Kuvendit të Kryeqytetit.

  • Demelezi i dorëzon detyrën ministrit të ri të Bujqësisë, Armend Muja

    Demelezi i dorëzon detyrën ministrit të ri të Bujqësisë, Armend Muja

    Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural u zhvillua ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës, ku ministri në detyrë, Imri Demelezi, i dorëzoi zyrtarisht detyrën ministrit të ri, Armend Muja.

    Gjatë ceremonisë, ministri Demelezi e njoftoi Muja për zhvillimet kryesore në sektorin e bujqësisë, për reformat e ndërmarra dhe për projektet dhe programet mbështetëse të realizuara gjatë mandatit katërvjeçar, me theks të veçantë te rritja e subvencioneve, investimet në infrastrukturën rurale dhe mbështetja për fermerët dhe agro-përpunuesit.

    Ministri i ri, Armend Muja, falënderoi Demelezin për kontributin e tij dhe u angazhua të avancojë politikat bujqësore dhe zhvillimore.

    “E falënderoj ministrin Demelezi për punën dhe përkushtimin e tij. Do të angazhohem maksimalisht që politikat bujqësore dhe zhvillimore të avancojnë edhe më tej, duke fuqizuar sektorin e bujqësisë. Prioritet i yni do të jetë mbështetja e qëndrueshme për prodhimin vendor, modernizimi i sektorit dhe zhvillimi i projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e zonave rurale”, tha Muja.