ATV

Category: Lajme

  • Maqedonci nderon me mirënjohje pesë pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti ashkali

    Maqedonci nderon me mirënjohje pesë pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti ashkali

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në nderim të Ditës së Ashkalinjve ka ndarë mirënjohje për pesë pjesëtarë të këtij komuniteti që shërbejnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    “Me rastin e Ditës së Ashkalinjve, pata kënaqësinë dhe nderin të ndaj mirënjohje për pjesëtarët e dalluar të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komuniteti ashkali, të cilët shërbejnë me përkushtim, profesionalizëm dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj atdheut. Kontributi i tyre është dëshmi e vlerave të barazisë, përfshirjes dhe bashkëjetesës, duke forcuar edhe më tej misionin dhe unitetin e FSK-së”, ka shkruar ai.

    Sipas tyre, kjo mirënjohje tregon respektin institucional që gëzojnë ushtarakët në FSK, dhe kontributin e ashkalinjve në ushtrinë e Kosovës.

  • Rama në Prishtinë: Nëse dënohen krerët e UÇK-së, atëherë të arrestohen edhe Clinton e Blair

    Rama në Prishtinë: Nëse dënohen krerët e UÇK-së, atëherë të arrestohen edhe Clinton e Blair

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë në Prishtinë me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosova, e cilësoi si “lajm të zymtë” kërkesën e prokurorisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për dënimin me nga 45 vjet burg të katër ish-udhëheqësve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

    Komentet Rama i bëri gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” nga Prof. Dr. Ahmet Shala, akademik dhe ish-ambasador i Kosovës.

    “Lajmi i zymtë nga tribunali në Hagë mbi kërkesën absurde të prokurorëve për të dënuar me nga 45 vjet katër udhëheqësit e UÇK-së. E pata të vështirë të shkruaja një fjalë, sepse përballë një situate të tillë fjalët nuk janë aspak të lehta për t’u gjetur”, tha Rama.

    Ai bëri krahasime me të dënuarit për krime lufte nga drejtësia ndërkombëtare, duke përmendur figura si Radovan Karagjiq dhe Ratko Mladiq, Stanislav Galiq, Milan Lukiq të dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.

    “Sot të dënuar nga ajo gjykatë janë Radovan Karagjiq që u dënua me burg të përjetshëm për një epokë të tërë terrori dhe spastrimi, Ratko Mlladiq po ashtu me burg të përjetshëm si fytyra e makinerisë së shfarosjes… Tani sipas kërkesës së prokurorisë së tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe katër të tjerë, në anën tjetër të barrikadës”, u shpreh ai.

    Rama theksoi se, sipas tij, aktiviteti i krerëve të UÇK-së nuk ka asnjë lidhje me terror ndaj popullsisë civile apo me spastrime etnike.

    “Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre e as i UÇK-së me terrorin mbi popullsinë civile, spastrimin etnik, varret masive të njerëzve të pafajshëm apo me përdhunime e vrasje. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një politike shfarosjeje”, deklaroi Rama.

    Ai shtoi se, nëse kërkesa e prokurorisë do të konsiderohej e drejtë, atëherë përgjegjësia do të duhej të shtrihej edhe më gjerë, duke përmendur udhëheqësit perëndimorë që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

    “Në qoftë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi duhet të varrosen për së gjalli për luftën dhe për çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, atëherë duhet të vazhdojnë arrestimet, të arrestohet Bill Clinton, Javier Solana, Tony Blair dhe kryeministrat e tjerë të vendeve që i dhanë dritën jeshile bombardimeve të NATO-s”, deklaroi Rama.

    Ai shtoi se vetë udhëheqësit e akuzuar kishin votuar në Kuvendin e Kosovës krijimin e kësaj gjykate.

    “Faktikisht ata vetë me dorën e tyre e votuan në parlamentin e Kosovës një gjykatë e cila në letër është një gjykatë e Kosovës, nuk është një gjykatë për të vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën”, tha ai.

    Rama përmendi edhe raportin e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, duke e quajtur atë “raporti famkeq” dhe duke pretenduar se procesi aktual është vazhdimësi e një plani të hershëm politik.

    “Sot jemi në kushtet kur ka marrë formë thuajse përfundimtare një plan shumë afatgjatë, jetësimi i të cilit ka nisur me raportin famkeq të Dick Martyt, që mos gjetë kurr prehje aty ku është, u shpreh ai.

    Kryeministri shqiptar ngriti pikëpyetje edhe për rolin e drejtësisë ndërkombëtare dhe mbështetjen e saj nga shtetet demokratike.

    “Drejtësia ndërkombëtare e financuar nga shtetet demokratike, që për turpin e tyre vazhdojnë të ndjekin këtë katastrofë për Evropën dhe botën demokratike, bën që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë. Nuk e kam përgjigjen, por jam i sigurt që duhet të bëjmë diçka më shumë për këtë, sepse është një katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare, Evropën dhe Perëndimin demokratik”, deklaroi Rama.

  • Kaplohet nga zjarri bodrumi i objektit të ish-Rilindjes

    Kaplohet nga zjarri bodrumi i objektit të ish-Rilindjes

    Një zjarr ka kapluar podrumin e ish-objektit të Rilindjes, derisa në vendin e ngjarjes janë edhe zjarrfikësit.

    Në një prononcim për Telegrafin, drejtori i Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra, ka thënë se ekipet janë duke tentuar ta shuajnë zjarrin.

    “Jemi me ekipe të mobilizuara për ta fikur zjarrin. Bëhet fjalë për podrumin e ish-objektit të Rilindjes”, tha ai.

    “ Njëri nga podrumet ka marrë zjarr, kushtet e intervenimet janë shumë të vështira, pasi janë hapësira që nuk na lejojnë të afrohen”.

    “Ekipi i zjarrfikësve është duke intervenuar që ta shuaj zjarrin, pasi është shumë i hovshëm – por që fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, vetëm dëme materiale”

    “Shkaktarët e zjarrit ende nuk dihen, por që organet kompetente do të nisin hetimet se çfarë mund ta ketë shkaktuar”, përfundoi Shkodra.

  • Rama zbulon “sekretin shtetëror”: Osmani u kërcënua për dy vjet pasi refuzoi bastisjen e zyrës së Presidencës nga Gjykata Speciale

    Rama zbulon “sekretin shtetëror”: Osmani u kërcënua për dy vjet pasi refuzoi bastisjen e zyrës së Presidencës nga Gjykata Speciale

    Kryeministri i Shqipëria, Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë në Prishtinë me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka bërë deklarata të forta lidhur me Gjykatën Specilae.

    Duke folur rreth gjykimit të krerëve të UÇK-së, Rama tha se ish-presidenti Hashim Thaçi është marrë peng nga kjo gjykatë.

    Ai madje zbuloi siç u shpreh një sekret shtetërorë për Kosovën, por jo për të personalisht.

    Rama tha se presidentja Vjosa Osmani është kërcënuar për dy vite me radhë, për shkak që nuk kishte lejuar të bastisen zyrët e institucionit të presidencës.

    “Mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por për mua nuk është. Edhe Presidentja e Kosovës është kërcënuar dhe këtë gjë ju nuk e dini sepse nuk është thënë asnjëherë. Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidencës se me demek do të kërkonin edhe aty prova të krimeve kundër njerëzimit”, deklaroi Rama.

    Ai shtoi se një veprim i tillë, sipas tij, do ta vendoste Kosovën në një pozitë të rëndë ndërkombëtare.

    “Gjë që natyrisht do ta vendoste Kosovën si një shtet ku deri në zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit. Kërcënimi i presidentes ka zgjatur dy vjet, por për nderin e saj dhe të Kosovës ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, u shpreh Rama.

  • Kurti e pret Ramën me ceremoni zyrtare, takimi nga ora 15:00

    Kurti e pret Ramën me ceremoni zyrtare, takimi nga ora 15:00

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta mirëpresë me ceremoni zyrtare Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë.

    Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, ceremonia e pritjes do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, në ora 15:00, pas së cilës dy kryeministrat pritet të zhvillojnë takim bilateral.

    Vizita e Ramës në Kosovë po zhvillohet një ditë para shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në agjendë janë paraparë edhe takime të tjera institucionale, si dhe aktivitete me studentë dhe të rinj në Prishtinë.

    Rama u prit fillimisht nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet aktuale në rajon.

  • Osmani: Në Hagë po gjykohen padrejtësisht edhe proceset tona jetike, liria, pavarësia

    Osmani: Në Hagë po gjykohen padrejtësisht edhe proceset tona jetike, liria, pavarësia

    Presidentja Vjosa Osmani tha se “UÇK-ja është ideali më i fuqishëm i ndërtuar nga shqiptarët ndër shekuj”,

    Ajo tha në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, se ai rikthen kujtesën kolektive dhe “e nge në nivel ndërkombëtar ndërgjegjen morale për lirinë, për drejtësinë dhe dinjitetin”.

    Duke folur për gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, që trajtohet në libër, Osmani tha se po bëhet gjykim i padrejtë edhe ndaj “vetë proceseve tona jetike, ndaj lirisë e pavarësisë sonë dhe përpjekjeve për çlirim të cilat u ndërmorën në shërbim të lirisë dhe mbijetesës së popullit tonë”.

    Osmani tha se lufta “nuk ishte akt i impulsit”, ndërsa tha se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi “narrativa të rrejshme”.

    “Drejtësia e fiton kuptimin e plotë vetëm atëherë kur është e paanshme dhe e ndërtuar mbi fakte të vërteta, por asnjëherë kur ajo ndërtohet mbi narrativa të rrejshme, të njëanshme dhe me synim për ta rishkruar historinë”, tha ajo.

    Ajo tha se në Hagë “po dëshirojnë ta deformojnë historinë tonë”.

    “Një histori e shkruar me gjak, asnjëherë, asnjëherë nuk mund të fshihet e as të shtrembërohet nga gënjeshtra të shkruara në letër”, tha ajo.

  • Tragjedi në Alpet Italiane: Orteku zë poshtë skiatorët, 2 prej tyre humbin jetën

    Tragjedi në Alpet Italiane: Orteku zë poshtë skiatorët, 2 prej tyre humbin jetën

    Një ngjarje e rëndë u regjistrua sot në Itali, ku dy skiatorë humbën jetën dhe një tjetër u plagos si pasojë e një orteku bore në Luginën e Aostës. Bëhet me dije se njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendngjarje, e ndërsa tjetri në urgjencën e spitalit Molinette të Torinos.

    Ndërsa skiatori i tretë është transportuar në spital dhe ka marrë plagë të rënda.

    Mediat italiane shkruajnë se në vendngjarje kanë mbërritur edhe ekipet e Shpëtimit Alpin të Aostës dhe ekipi i Guardia di Finanza nga Entrèves. Dy ekipe të shpëtimit kontrolluan zonën me helikopterë, duke përdorur sinjale të telefonave celularë dhe marrës-transmetues për ortekët, për të identifikuar tre personat.

    “Në vendngjarje është ngritur një Post Mjekësor i Avancuar në Courmayeur, ku kanë punuar 15 shpëtimtarë, dy mjekë, dy helikopterë dhe dy ambulanca 118. Operacionet janë koordinuar nga Centrale Unica del Soccorso (CUS) e Vallée d’Aosta,” shkruan La Repubblica

  • Nuk ka më dosje “Epstein” – Departamenti i Drejtësisë: I publikuam të gjitha

    Nuk ka më dosje “Epstein” – Departamenti i Drejtësisë: I publikuam të gjitha

    Tre milionë dokumentet në lidhje me Jeffrey Epstein, që shkaktuan një tërmet politik në shumë shtete, me figura të larta të përfshira, ishin të fundit që gjetën dritën e publikimit.

    Sipas departamentit amerikan të drejtësisë, të gjitha dosjet janë publikuar medhe pse igjvënësit nga të dyja kahet politike, kanë argumentuar se kjo lëvizje nuk ishte mjaftueshëm.

    Në një letër dërguar Kongresit Amerikan, prokurorja e përgjithshme Pam Bondi dhe zëvendësi i saj Todd Blanche, thonë se të gjitha dokumentet u publikuan dhe përmbanin një listë me emra që përfshiheshin në dosje.

    Nuk bëhet fjalë për listën e famshme të klientëve të Epstein, ish financieri i akuzuar për abuzim dhe trafikim fëmijësh që vdiq në burg në vitin 2019.

    Këto janë emra që shfaqen në dosje, por jo detyrimisht kjo do të thotë përfshirje në veprimtari të paligjshme.

    Donald Trump, Bill Gates, ish princi Andrew dhe Bill Clinton – të cilët janë përfshirë në listë – të gjithë kishin marrëdhënie të dokumentuara në të kaluarën me Epstein dhe Maxëell.

    Por lista përfshin edhe emrat e muzikantëve të ndjerë Janis Joplin dhe Elvis Presley.

    Në përgjigje të letrës, përfaqësuesi demokrat i Kalifornisë, Ro Khanna, i cili bashkëshkroi Aktin e Transparencës së Dosjeve Epstein, bëri thirrje për publikim të plotë dhe i kërkoi departamentit të drejtësisë të mos mbrojë agresorët dhe të redaktojë vetëm emrat e viktimave.

    Janë gjashtë milionë dokumente në lidhje me trafikantin seksual Epstein, nga të cilat gjysma janë publikuar tashmë sipas departamentit të drejtësisë, megjithatë nuk dihet nëse pjesa e mbetur do të bëhet ndonjëherë publike.

  • “Alienët ekzistojnë”, Obama sqaron deklaratën që tërhoqi vëmendje të madhe

    “Alienët ekzistojnë”, Obama sqaron deklaratën që tërhoqi vëmendje të madhe

    Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka sqaruar se shanset që Toka të jetë vizituar nga alienët janë “të ulëta”, pasi komentet që ai bëri për speciet jashtëtokësore tërhoqën vëmendje të madhe në internet.

    “Ata ekzistojnë, por unë nuk i kam parë”, i tha ai prezantuesit amerikan, Brian Tyler Cohen, gjatë një interviste.

    “Ata nuk po mbahen në Zonën 51. Nuk ka asnjë strukturë nëntokësore përveçse nëse ekziston ky konspiracion i madh dhe ata e fshehën atë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai, shkruan BBC.

    Që atëherë, Obama ka thënë se statistikisht ka shumë mundësi që jeta të ekzistojë, por ai nuk pa “asnjë provë” ndërsa ishte president.

    Komentet fillestare të ish-presidentit u bënë gjatë një raundi të shpejtë pyetjesh.

    “A ekzistojnë alienët?”, ishte pyetja që iu shtrua Obamës.

    Përgjigja e tij u transmetua më pas në media të ndryshme dhe tërhoqi vëmendje në internet – duke e shtyrë atë të publikonte një deklaratë sqaruese në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.

    “Meqenëse ka tërhequr vëmendje, më lejoni ta sqaroj”, shkroi Obama.

    “Statistikisht, universi është aq i gjerë sa ka shumë mundësi që të ketë jetë atje jashtë. Por distancat midis sistemeve diellore janë aq të mëdha sa që mundësitë që të na kenë vizituar alienët janë të ulëta, dhe nuk pashë asnjë provë gjatë presidencës sime që jashtëtokësorët të kenë pasur kontakt me ne. Vërtet”, shtoi ai.

  • Seanca për Buxhetin, Mustafa: Qytetarin e keni lënë të presë se kur mund të ketë ndonjë ndarje tjetër 100 euro

    Seanca për Buxhetin, Mustafa: Qytetarin e keni lënë të presë se kur mund të ketë ndonjë ndarje tjetër 100 euro

    Arben Mustafa i Partisë Demokratike të Kosovës në seancën për Projektuxhetin 2026 kritikoi planifikimin qeveritar për ndarjet buxhetore për çka tha se aty nuk pasqyrohet zhvillim. Për më tepër, tha ai, qytetari i Kosovës ka mbetur “të presë, se kur mund të ketë ndonjë shtesë tjetër prej 100 euro”.

    Deficiti tregtar prej 6.1 miliardë eurosh, tha Mustafa, është shqetësimi më i madh i ekonomisë së vendit “e cila po financon ekonomi të tjera”

    “5.3% në dhjetor 2025 norma e inflacionit. Jo vetëm që nu kemi inflacionin më të ulët në rajon. Por jemi më lartë. Ju i përmendi eksportin por s’e përmendi importin. 6.1 miliardë euro deficitin tregtar. Paratë tona po financojmë ekonomitë tjera, e ju na flitni këtu për zhvillim. Sa i përket Investimete të Huaja direkte. 74% e tyre blerje e patundshmërive nga diaspora. Në prodhim shkojmë vetëm 1.7% i inverstimeve të huaja direkte. Kjo është ekonomia juaj. Nuk ka progres në ekonomi në një vend ku të rinjt ju shkojnë jashtë vendit. E keni lënë një popull të pres çdo muaj a mos do të ndahen 100 euro, a mos do të ketë shtesë tjetër, kjo ska të bëjë me zhvillim. Kjho është politikë që e bën qytetarin të varur nga qeveria”, tha Mustafa.