ATV

Category: Lajme

  • Një ditë pas deklaratave përmbyllëse në Hagë, djali i Hashim Thaçit: Faleminderit që na mbështetët dhe nuk heshtët

    Një ditë pas deklaratave përmbyllëse në Hagë, djali i Hashim Thaçit: Faleminderit që na mbështetët dhe nuk heshtët

    Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, një ditë pas deklaratave përmbyllëse në Gjykatën Speciale, i ka falënderuar të gjithë ata që iu qëndruan pranë.

    Përpos miqve e qytetarëve, djali i Hashim Thaçit i ka falënderuar edhe institucionet dhe mediat që nuk heshtën.

    “FALEMINDERIT!

    Këto vite ishin të vështira për familjen tonë. Faleminderit secilit që na qëndroi pranë: miqve, qytetarëve, institucioneve, avokatëve dhe mediave që nuk heshtën.

    Respekt pa fund! 🙏”, ka shkruar Endrit Thaçi.

  • U kap për herë të dytë në kamera duke përdorur telefonin gjatë vozitjes, shoferit të autobusit në Prishtinë i merret leja dhe dënohet me 200 euro

    U kap për herë të dytë në kamera duke përdorur telefonin gjatë vozitjes, shoferit të autobusit në Prishtinë i merret leja dhe dënohet me 200 euro

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka evidentuar një shofer autobusi duke përdorur telefonin gjatë vozitjes përmes monitorimit të vazhdueshëm me kamera në kryeqytet. Për këtë kundërvajtje, shoferit i është shqiptuar gjobë.

    Pas verifikimit, është konstatuar se kjo është hera e dytë që shoferi shkel rregullat, ndaj i është sekuestruar patentë-shoferi dhe i është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjetit motorik për një periudhë prej tre muajsh.

    I njëjti është dënuar me gjobë 200 euro.

    Policia e Kosovës apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve, veçanërisht ata të transportit publik, që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes.

  • Bërnjak: Policia kontrollon një veturë, gjendet një vulë me shkrim serb dhe disa dokumente serbe

    Bërnjak: Policia kontrollon një veturë, gjendet një vulë me shkrim serb dhe disa dokumente serbe

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka kontrolluar një veturë me targa të Serbisë në Bërnjak.

    Gjatë kontrollit janë gjetur një vulë me shkrim serb dhe disa dokumente në gjuhën serbe, saktësisht një kërkesë nga Ministria e Brendshme e Serbisë, si dhe dy kontrata të përpiluara në gjuhën serbe.

    Me urdhër të prokurorit kompetent, vula dhe dokumentet janë konfiskuar për procedura të mëtejme hetimore.

    “SPK. Bërnjak 18.02.2026 – 22:25. Gjatë kontrollit në automjetin me targa të Serbisë drejtuar nga i dyshuari mashkull kosovar, janë gjetur: një vulë me shkrim serb, disa dokumente tjetra në gjuhën serbe, një kërkesë nga MB e Serbisë, dy kontrata serbe etj. Me urdhër të prokurorit vula dhe dokumente i janë konfiskuar, rasti në procedurë hetimore”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

  • LDK me amandament kërkon përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në Buxhetin 2026

    LDK me amandament kërkon përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në Buxhetin 2026

    Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, ka njoftuar se do të dorëzojë sot një amendament në Komisionin Parlamentar për Buxhet për përfshirjen e buxhetit të Prishtinas në Projektbuxhetin e vitit 2026.

    Sipas tij, amendamenti do të paraqitet në mbledhjen e Komisionit që mbahet në orën 13:00, me synimin për të siguruar mbështetje nga të gjitha partitë parlamentare. Mustafa ka theksuar se përfshirja e buxhetit të kryeqytetit nuk duhet të trajtohet si çështje lokale apo partiake, por si interes i përgjithshëm shtetëror.

    Ai ka vlerësuar se Prishtina, si qendër kryesore ekonomike, akademike, shëndetësore dhe administrative e vendit, përballet çdo ditë me fluks të madh qytetarësh nga komunat e tjera, prandaj investimi në infrastrukturë dhe shërbime ndikon drejtpërdrejt në jetën e qindra mijëra qytetarëve në mbarë Kosovën.

    Mustafa ka bërë thirrje për konsensus ndërpartiak, duke e cilësuar mbështetjen e amendamentit si domosdoshmëri për funksionalitetin e shtetit.

    Në Kuvendin e Kosovës sot do të mblidhen ndaras 11 komisione parlamentare për ta shqyrtuar buxhetin për vitin 2026. Nesër, ky buxhet do të shqyrtohet në lexim të dytë në Kuvend nga ora 10:00.

  • E dëboi burrin nga shtëpia, arrestohet gruaja në Rahovec

    E dëboi burrin nga shtëpia, arrestohet gruaja në Rahovec

    Një grua është arrestuar në Rahovec pasi që e njëjta e kishte dëbuar bashkëshortin e saj nga shtëpia, duke e kanosur.

    Policia e Kosovës bën të ditur se e njëjta pas intervistimit është liruar.

    “Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi ajo ka dëbuar nga shtëpia bashkëshortin e saj mashkull kosovar, duke e kanosur. Me vendim të prokurorit e dyshuara pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Jashari uron besimtarët myslimanë: Ramazani muaj reflektimi, uniteti dhe sakrifice

    Jashari uron besimtarët myslimanë: Ramazani muaj reflektimi, uniteti dhe sakrifice

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka përcjellë një mesazh urimi për pjesëtarët e FSK-së dhe qytetarët e besimit islam me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

    Në mesazhin e tij në Facebook, Jashari shkroi se Ramazani është një periudhë e çmuar për qetësi, reflektim shpirtëror dhe bashkim, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të ndjenjave të dashurisë, mirëkuptimit dhe sakrificës mes njerëzve.

    “Le të shërbejë ky muaj i bekuar si një kohë e çmuar për qetësi dhe bashkim mes nesh, duke fuqizuar ndjenjat e dashurisë, mirëkuptimit dhe sakrificës, si dhe ta vlerësojmë këtë periudhë si një moment të thellë reflektimi shpirtëror, vetëdisipline dhe përkushtimi të sinqertë.

    Uroj që begatia dhe harmonia e këtij muaji t’ju shoqërojnë në çdo hap, të mbushin zemrat dhe vatrat tuaja me mirësi, si dhe që përkushtimi e devotshmëria juaj të kontribuojnë në rritjen e unitetit dhe mirëqenies në shoqërinë tonë. Agjërim të lehtë dhe të pranuar!”, shkroi Jashari.

  • Një person në gjendje kritike pasi u vetaksidentua me trotinet në Prizren

    Një person në gjendje kritike pasi u vetaksidentua me trotinet në Prizren

    Policia e Kosovës ka raportuar se një person është vetaksidentuar me trotinet në Prizren.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, ngasësi ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

    Por, siç thuhet tutje, sipas mjekëve gjendja e tij paraqitet kritike.

  • Produktet “Made in Kosova” marrin identitet ndërkombëtar

    Produktet “Made in Kosova” marrin identitet ndërkombëtar

    Për më shumë se dy dekada, produktet e prodhuara në Kosovë kanë udhëtuar drejt tregjeve ndërkombëtare me një identitet të huaj.

    Në raftet e dyqaneve evropiane dhe globale, vajrat, pijet dhe prodhime të tjera “Made in Kosova” shpesh janë regjistruar si me origjinë nga Shqipëria apo shtete të tjera – jo për shkak të vendit të prodhimit, por për shkak të mungesës së një barkodi shtetëror të njohur ndërkombëtarisht.

    Kjo ka qenë një pasojë më pak e dukshme e statusit të Kosovës si shteti më i ri në Evropë, por që vazhdon të përballet me njohje të pjesshme ndërkombëtare dhe integrim të paplotë në shumë mekanizma globalë.

    Situata, megjithatë, po ndryshon.

    Kosova ka siguruar këtë muaj barkodin ndërkombëtar 381, duke u dhënë për herë të parë produkteve vendore një identitet të verifikueshëm globalisht.

    Për një vend që synon të rrisë eksportet dhe të integrohet më thellë në tregun evropian dhe global, ky është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të sovranitetit ekonomik dhe pranisë së tij në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, vlerësojnë ekspertët.

    Barkodi, përndryshe, është një numër unik identifikues që përmban informacion për kompaninë dhe vendin e origjinës së produktit dhe mund të skanohet kudo në botë, përmes pajisjeve optike apo aplikacioneve telefonike.

    Identiteti i huazuar për produktet vendore

    Kompania “Fluidi” nga Gjilani, e cila prodhon vaj ushqimor dhe pije freskuese, është ndër prodhuesit kosovarë që për vite me radhë është detyruar të sigurojë barkode jashtë vendit, për të eksportuar jashtë.

    “Në raftet e marketeve të shteteve evropiane dhe globale, produktet e prodhuara në Kosovë kanë figuruar me origjinë nga Shqipëria ose shtete të tjera”, thotë pronari Berat Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, rreth 30 për qind e prodhimit të kësaj kompanie eksportohet në vendet e rajonit, Evropë dhe Afrikë.

    Dhe, deri më tani, për secilin produkt ka qenë e nevojshme të sigurohej barkod jashtë Kosovës.

    “Unë i kam blerë barkodet në Shqipëri, pasi atje e kam të regjistruar kompaninë dhe ka qenë më e lehtë. Shumë biznese kosovare kanë vepruar njësoj, ose kanë përdorur barkode të siguruara nga vetë kompanitë blerëse në vendet ku eksportojnë”, shpjegon Mustafa.

    Sipas tij, kjo situatë ka krijuar një paradoks: megjithëse praktikë e lejueshme, produktet janë prodhuar në Kosovë, por nuk kanë qenë zyrtarisht të identifikueshme si të tilla në sistemin global të tregtisë, duke kufizuar dukshmërinë e tyre dhe mundësinë për të ndërtuar një reputacion ndërkombëtar.

    Mustafa tregon se vetëm në Shqipëri ka paguar mbi 200 euro në vit për barkodet e dhjetë prodhimeve të tij.

    “Nuk është shumë e lartë kostoja financiare, por barkodi 381 promovon drejtpërdrejt produktet tona dhe vetë shtetin e Kosovës”, shton Mustafa.

    Nga zgjidhja emergjente në njohje ndërkombëtare

    Deri më tani, në tregun e Kosovës është përdorur barkodi 390 – i cili është vendosur në vitin 2003 nga Oda Ekonomike e Kosovës, në përputhje me kompetencat e saj ligjore për administrimin e identifikimit të produkteve – si një zgjidhje emergjente për skanimin e tyre në tregun vendor.

    Megjithatë, ky kod nuk ishte pjesë e sistemit global të identifikimit të produkteve.

    Në praktikë, kjo nënkuptonte se produktet kosovare mund të qarkullonin në tregun vendor, por për eksport kërkonin integrim në sisteme të huaja identifikimi.

    Situata ndryshoi këtë muaj, kur Kosova, përmes Odës Ekonomike të Kosovës, nisi për herë të parë lëshimin e barkodeve me prefiksin 381 – gjashtë muaj pas anëtarësimit në rrjetin global GS1.

    GS1 është një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse me seli në Bruksel, e cila zhvillon dhe administron standardet globale për identifikimin e produkteve, shërbimeve dhe zinxhirëve të furnizimit në të gjithë botën.

    Ky sistem përdoret nga miliona kompani dhe është thelbësor për funksionimin e tregtisë moderne, logjistikës dhe shitjes me pakicë.

    Fundi i një praktike që zbehte identitetin “Made in Kosova”

    Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi, thotë se praktika e huazimit të barkodeve jo vetëm që ka rritur kostot administrative dhe financiare për prodhuesit, por ka ndikuar edhe në zbehjen e identitetit të produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare.

    Për një ekonomi të vogël dhe në zhvillim si Kosova, ndërtimi i një identiteti të njohur eksportues është kritik për tërheqjen e partnerëve tregtarë dhe investimeve të huaja.

    “GS1 në Kosovë është identifikimi i produkteve ‘Made in Kosova’ në tregun global”, thotë Ajvazi për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se sistemi i ri rrit edhe transparencën për konsumatorët.

    “Përmes barkodit, konsumatorët mund të verifikojnë origjinën e produktit, prodhuesin dhe përmbajtjen – çka rrit besueshmërinë dhe sigurinë në treg”, sipas tij.

    Barkodi nuk mjafton për të zgjidhur sfidat e eksportit

    Megjithëse e konsiderojnë si një hap të rëndësishëm, përfaqësuesit e biznesit paralajmërojnë se barkodi ndërkombëtar nuk është zgjidhje për të gjitha sfidat me të cilat përballen prodhuesit kosovarë.

    Kosova mbetet një ekonomi e vogël prej rreth 1.5 milion banorësh, me bazë të kufizuar prodhimi dhe varësi të lartë nga importi.

    Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se sfidat kryesore për prodhuesit vendorë mbeten strukturore.

    Sipas tij, politikat e papërshtatshme fiskale dhe rritja e kostove operative – veçanërisht e çmimit të energjisë elektrike pas daljes së bizneseve në tregun e hapur vitin e kaluar – kanë ulur konkurrueshmërinë e tyre.

    Ai shton se Kosova ka potencial eksportues, por kërkohet mbështetje më e madhe institucionale dhe një qasje më e koordinuar për depërtimin në tregjet e huaja.

    “Ne mbesim vend që dëshiron eksportin, por në praktikë favorizojmë konsumimin e produkteve të huaja. Jemi bërë besnikë ndaj produkteve të importuara”, thotë Shahini

    Deficiti tregtar mbetet sfida kryesore

    Pabarazia ndërmjet importit dhe eksportit mbetet një nga treguesit më të qartë të sfidave ekonomike.

    Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit të kaluar vendi ka importuar mallra në vlerë prej mbi shtatë miliardë eurosh – nisur nga ushqimi deri te materiali ndërtimor e tekstili.

    Në të njëjtën periudhë kohore, eksportet kanë arritur në rreth 942 milionë euro, ose vetëm 2.6 milionë euro në ditë.

    Në këtë kontekst, thonë ekspertët, barkodi 381 përfaqëson më shumë sesa një ndryshim teknik. Ai është një hap drejt identitetit të produkteve kosovare në tregun global, por suksesi i tij do të varet nga aftësia e vendit për të mbështetur prodhuesit dhe për ta kthyer këtë identitet në një avantazh real ekonomik.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka nisur mandatin e ri javën e kaluar, ka premtuar një miliard euro në formë garancish e kredish për prodhuesit.

    Mustafa pret të shpenzojë stokun e vjetër dhe produktet e reja t’i regjistrojë me barkodin 381, i bindur se ky kod do t’i plasojë produktet kosovare në tregjet ndërkombëtare me identitet të qartë dhe të pakundërshtueshëm: “Made in Kosova”./REL

  • Mblidhen njëmbëdhjetë komisione parlamentare

    Mblidhen njëmbëdhjetë komisione parlamentare

    Sot, në Kuvendin e Kosovës do të mblidhen njëmbëdhjetë komisione parlamentare për të shqyrtuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

    Mbledhjet do të fillojnë që nga ora 09:00 dhe përfshijnë:

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike – shqyrton buxhetin e ZKA-së

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit – shqyrton ligjin buxhetor dhe miraton fushëveprimet.

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë,

    Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji,

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion,

    Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes,

    Komisioni për Kulturë, Turizëm dhe Sport,

    Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë,

    Komisioni për Shëndetësi,

    Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim,

    dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere – të gjithë do të shqyrtojnë pjesët përkatëse të projektbuxhetit që hyjnë në fushëveprim të tyre.

    Mbledhjet zhvillohen në dhomat përkatëse të Kuvendit dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës sipas rendit të miratuar për secilin komision.

  • Ndryshon orari i mensës dhe konvikteve gjatë muajit të Ramazanit

    Ndryshon orari i mensës dhe konvikteve gjatë muajit të Ramazanit

    Qendra e Studentëve në Prishtinë ka njoftuar studentët për ndryshimet në shërbimet e mensës dhe orarin e konvikteve gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

    Për syfyr, mensa do të ofrojë shujta të thata të paketuara, të cilat mund t’i merrni çdo ditë gjatë orarit të drekës.

    “Këto shujta mund t’i merrni çdo ditë gjatë orarit të drekës, në një linjë të veçantë ushqimi të dedikuar për këtë qëllim”, thuhet në njoftim

    Ndërsa për iftar, për shkak të numrit të madh të studentëve, ushqimi do të jetë i disponueshëm edhe i paketuar, që mund të merret për konsum në dhomat e konvikteve.

    “Për të shmangur mbingarkesën e hapësirave të brendshme, në të gjitha linjat do të servohet edhe ushqim i paketuar, duke ju mundësuar ta merrni me vete dhe ta konsumoni në dhomat tuaja në konvikte”, theksohet në njoftim.

    Për të lehtësuar përgatitjet për syfyr, hyrje-daljet në konvikte do të lejohen nga ora 03:00 deri në përfundim të kohës së syfyrit:

    “ Ky ndryshim është i përkohshëm dhe synon t’ju ofrojë mundësinë për të siguruar ushqim ose nevoja të tjera gjatë kësaj kohe. Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, orari i mëparshëm i hyrje-daljeve do të rikthehet në fuqi”, thuhet më tej.

    Qendra e Studentëve falënderoi studentët për mirëkuptim dhe bashkëpunim. “Me fat dhe shëndet gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit!”.